Si të anuloni një intervistë pune?

24 Janar '20

Si të anuloni një intervistë pune?
	 	 

Mos shkuarja në intervista të punës, sidomos pa paralajmërim, mund të jetë e papranueshme për intervistuesit tuaj. Nëse një kompani e caktuar, ju ka ftuar për intervistë ndërkaq në atë periudhë ju nuk mund të shkoni për shkak të ndonjë urgjence apo obligimi shumë më rëndësi, keni parasysh se gjithmonë duhet të lajmëroni sa më herët që është e mundur. Kur anuloni një intervistë pune, mundohuni të keni komunikim sa më profesional me kompaninë dhe intervistuesin.

Hapat që duhet ndjekur kur dëshironi të anuloni një intervistë pune:

Lajmëroni intervistuesit sa më herët. Gjëja e parë që rekomandohet të bëhet në rast se nuk mund të shkoni në intervistë është të lajmëroni fillimisht kompaninë. Ekspertët thonë se në raste të tilla më e mira është nëse e telefononi direkt personin dhe jo të dërgoni ndonjë e-mail apo mesazh. Mundohuni gjithmonë të lajmëroni sa më herët sepse nëse lajmëroni vonë apo ditën tjetër, atëherë mund të mos keni më gjasa të bëheni pjesë e intervistës. 

Kërkoni falje. Mos shkuarja në intervistë të punës, patjetër që duhet të shoqërohet me kërkim falje. Tregoni intervistuesve tuaj se jeni të vetëdijshëm që kjo situatë mund të jetë një problem për të gjithë personat e përfshirë. 

Tentoni ta caktoni përsëri intervistën. Nëse në një ditë të caktuar nuk keni mundur të paraqiteni për intervistë por ju përsëri nuk dëshironi ta humbni mundësinë, lajmëroni intervistuesit nëse jeni të gatshëm të intervistoheni në një ditë tjetër. 

Nënvizoni detajet e intervistës. Kur telefononi ose dërgoni email, sigurohuni të cekni datën, kohën dhe vendin ku ka pasur për t'u mbajtur intervista. Rekruterët mund të punojnë më shumë kandidatë për pozita të ndryshme njëkohësisht, kështu që ju duhet ta bëni më të lehtë për ta që t'iu identifikojnë sa më shpejt. Kur vonoheni apo dëshironi ta anuloni plotësisht intervistën e punës, do të duhej ta ofroni një arsye, në të njejtën kohë të jeni sa më profesional.

Në vijim, ju sjellim një shembull të një email-i që mund ta dërgoni në rast se dëshironi ta anuloni plotësisht intervistën:

Përshëndetje (emri dhe mbiemri i personit adekuat),

Ju falemnderit që më keni ftuar për intervistë për pozitën e punës (shkruani emrin e pozitës së punës) në kompaninë tuaj (shkruani emrin e kompanisë).

Po ju shkruaj për t’ju lajmëruar se nuk mund të bëhem pjesë e intervistës për këtë pozitë, e caktuar me datën ( shkruani orën dhe datën kur u është caktuar intervista) në vendin (shkruani lokacionin ku ka pasur për t'u mbajtur dhe cekni edhe arsyet nëse mundeni).

Ju kërkoj ndjesë dhe e vlerësoj konsideratën tuaj,

Çdo të mirë!

(Emri dhe Mbiemri juaj)

Një shembull i emailit në rast se dëshironi të pyesni nëse është e mundur që intervista të caktohet për një ditë tjetër.

Përshëndetje i/e nderuar

Falemnderit që më keni kontaktuar lidhur me pozitën e punës ( shkruani emrin e pozitës së punës) të hapur në kompaninë tuaj ( shkruani emrin e kompanisë).

Me lejoni t’ju informoj se më duhet të anuloj intervistën e planifikuar më (shkruani datën dhe orën kur u është caktuar intervista) në ... (shkruani lokacionin e kompanisë apo vendin ku ka pasur për t'u mbajtur intervista dhe një arsye të shkurtër se pse nuk mund të jeni prezent).

A është e mundur të më caktohet intervista për një ditë tjetër. Nëse po, a mund të më njoftoni për datën dhe orën kur është e konvenueshme për ju?

Falemnderit për kohën!

Me respekt,

(Emri dhe Mbiemri juaj)

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2022 - KosovaJob LLC