Folësi kryesor i “PowertoHR”, Serdzan Arnautovic tregon çelësin e suksesit të BNj

8 Shkurt '23

Folësi kryesor i “PowertoHR”, Serdzan Arnautovic tregon çelësin e suksesit të BNj
	 	 

Menaxheri i rekrutimit në gjigandin META, Serdzan Arnautovic është folës kryesor në samitin e parë në Kosovë për Burime Njerëzore “Power to HR”, që po organizohet nga KosovaJob. Gjithë përvojën e tij në këtë fushë do ta shpalosë më 23 shkurt në samitin që do të mbahet në Klan Arena. AkademiPune ka zhvilluar një intervistë për t’iu njoftuar mbi pikëpamjet dhe pikat se ku mbështetet karriera e tij e bujshme.

Me Kosovën ka një lidhje të veçantë pasi që nëna e tij që është nga Bosnja kishte jetuar në Pejë dhe kishte studiuar në Prizren. Kjo kishte bërë që Arnautovic të vinte në Kosovë si fëmijë. Tash, është i lumtur të kthehet si folësi kryesor në samitin “Power to HR” dhe ta shoh Kosovën nga një perspektivë tjetër. Pritjet e tij kudo janë që të mësoj sa më shumë andaj është i lumtur për këdo që do ta takoj në Kosovë.

“Më pëlqejnë shumë mundësitë si kjo për t'u takuar me të tjerët, për të ndikuar dhe mësuar. Edhe pse do të flas në "Power To HR" mezi pres të mësoj gjëra të reja nga pjesëmarrësit”, ka thënë ai.

Ai ka studiuar Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Ekonomi dhe më pas ka vazhduar studimet MBA në Biznes Ndërkombëtar, me specializim në Financa Islame. Në këtë pikë e shihte të kufizuar kryqëzimin me fushën e burimeve njerëzore. Por, një gjë e kishte gjithmonë të qartë që donte të merrej me konvergjencën e biznesit dhe donte të merrej me njerëzit.

“Kështu që vendosa të fokusoja karrierën time në kompanitë që besonin në diversitetin kognitiv, në trajnimin e punës dhe nuk e shikonin arsimin si shkelës të marrëveshjeve – pra, nga bota e teknologjisë”, ka thënë ai për AkademiPune.

 “A mund t’i ndryshoj gjërat” – pyetja e Serdzan Arnautovic për kompanitë

Sipas tij pika kyçe ku mbështet suksesi është të punuarit për kompani që mirëpresin ide të reja dhe të kundërta. Thotë që kompanitë për të cilat ka zgjedhur të punoj janë ato që mbështesin qasjen “Greenfield” për HR, që nënkupton se mbështesin totalisht ndryshimet kur ato i shërbejnë për të mirë kompanisë. Për lexuesit e AkademiPune ai ka një këshillë të fuqishme nga e cila çdokush mund të mësoj para se t’i nënshtrohet një interviste pune.

“Unë do t'ju jap një sugjerim të vogël - në çdo intervistë të vetme që kam pasur ndonjëherë, gjëja e parë dhe më e rëndësishme që pyes për punën është "A mund t'i ndryshoj gjërat?" Nëse ata thonë jo, atëherë e dija që ajo kompani nuk ishte për mua. Kompanitë duhet të ndryshojnë – e gjithë ideja e status quo-së është e mirë vetëm për një kohë të kufizuar përpara se të filloni të ngriheni”, ka thënë ai në pyetjen se çfarë e dallon një kompani të suksesshme në raport me një kompani tjetër.

Arnautovic: Koka që e mban kurorën është e rënduar gjithmonë

Serdzan Arnautovic beson fuqishëm se të punuarit fort gjithmonë shpërblehet me sukses. Të gjeturit e kësaj formule të suksesit ia ka lehtësuar udhëtimin, por në anën tjetër thotë se të besuarit dhe praktimi i saj shpesh e ka bërë rrugëtimin më të vështirë. Ngre dy paralele logjike kur peshon sukseset dhe vështirësitë e rrugëtimit të tij.

“Një gjë që e bëri më të lehtë udhëtimin tim ishte besimi i plotë se të punuarit fort është shumë më rëndësi – është shtylla kurrizore e karrierës sime dhe sot e kësaj dite, unë besoj në të punuarit fort (ndoshta është edhe sepse jam nga Ballkani?). Dhe kjo është një shpatë me dy tehe, sepse gjëja që e bëri atë më sfiduese ishte se ndonjëherë doja të bëja aq shumë sa rraskapitesha- e rëndë është koka që mban kurorën është diçka që e mësova në mënyrën më të vështirë”, thotë ai për AkademiPune.

“Te “Burimet Njerëzore”, duhet vënë fokusin te fjala “Njerëzore””

Arnautovic thekson se  gjëja më e rëndësishme për t'u mbajtur mend është fjala "njerëzore" sa herë që diskutohet për "Burimet Njerëzore". Sipas tij edhe kur analizohen grupe të dhënash në shkallë të gjerë (që ka të bëj shumë me punën tij), duhet shikuar nëpërmjet lenteve njerëzore. Sipas tij shpesh kompanitë ndikohen aq shumë nga të ardhurat dhe arritjet e kompanisë sa që shpesh harrojnë se si ndikon kjo të punonjësit dhe kandidatët e tyre. Dhe sipas Arnautovic ky është gabimi më i madh.

Ai thekson se e gjithë karriera e tij ka qenë e orientuar në tregjet në zhvillim (dhe tani tregjet globale), kështu që ndryshmet mes njerëzve në baza kulturore, gjuhësore dhe sociale krijojnë një ambient me të cilin ai është mësuar.

“Unë besoj shumë në idenë e diversitetit. Personalisht për mua, nuk do të thosha se ideja është të zvogëlohet ku ka diversitet, por në fakt është përqafimi. Ne duhet të përpiqemi të kuptojmë se si njerëzit e tjerë mund të mendojnë, punojnë, zgjidhin problemet dhe më pas t'i inkorporojmë ato në suksesin tonë më të madh”, ka thënë ai.

Si është një ditë punë në kompaninë META?

Kur pyetet për një ditë të zakonshme në kompaninë META, menjëherë hetohen nuanca gëzimi. Nuk e ka të vështirë të flas për këtë pjesë pasi që është një person i organizuar. Thekson se ditët e tij janë ekstremisht mirë të organizuara, por që asnjë ditë nuk është njësoj. Dita e tij ndahet në dy blloqe, e para mbështetët në “sukses thelbësor” dhe e dyta në “ndikim thelbësor”.

“Pjesa përpara mesditës është e rezervuar për atë që unë e quaj punën për "sukses thelbësor". Këto janë takime me palët e interesuara, çdo lloj administratori, leximi, përgatitja, planifikimi, etj. Pasditeve janë orët e mia të "ndikimit thelbësor" që është e gjithë puna me ndikim të madh që bëj - analiza e të dhënave, krijimi i të dhënave, ekzekutimi i strategjisë, punë thellësisht e rëndësishme e cila është e matshme”, ka treguar ai, duke shtuar se gjatë kësaj kohe ndonjëherë gjen kohën edhe për tu marrë edhe me gjëra tjera dhe për tu përgjigjur në email dhe biseda.

Në kohën kur çdo gjë po zhvillohet në ritëm shumë të shpejt në fushën e rekrutimit dhe në çdo fushë tjetër, Arnautovic shpjegon tri këshilla që duhet ndjekur çdo rekruter. Këtë artikull po e përmbyllim me tre këshilla nga menaxheri i rekrutimit në gjigandin META:

“Unë mendoj se rekrutuesit solidë duhet të jenë në gjendje të bëjnë tre gjëra:

1) Ndërtojnë, mbajnë dhe zotërojnë marrëdhënie me palët e tyre të interesit; kjo do të thotë të kesh një vend në tavolinë, të ndikosh dhe të tërhiqesh kur është e nevojshme.

 2) Rekrutuesit e mirë janë ekspertë të tregut – ju duhet të dini gjithçka që po ndodh në treg në lidhje me kapitalin njerëzor (trendet, të dhënat, etj.) dhe ju mund ta lidhni këtë me pozitën  dhe me kompaninë tuaj

3). Rekrutuesit e mirë do të mendojnë vazhdimisht për përmirësimin e ambientit të përgjithshëm – si një avokat si për kompaninë ashtu edhe për kandidatët, ju duhet të siguroheni që gjërat po funksionojnë për të gjithë të përfshirët.

Ani në “Power to HR” do të fokusohet në krijimin e strategjive të rekrutimit me perspektivë të zhvendosjes së gjilpërës nga rekrutimi reaktiv në një qasje proaktive.

Për tu bërë pjesë e samitit më të madh të Burimeve Njerëzore, rezervojeni ulësen tuaj më 23 shkurt në Klan Arena.

Linku: www.powertohr.com

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2023 - KosovaJob LLC