Eloida Aliaj me sindromën “Down”, asistente e suksesshme dentare

1 Shkurt '23

Eloida Aliaj me sindromën “Down”, asistente e suksesshme dentare
	 	 

Vullneti është ai që e karakterizon Eloida Aliajn. Vullneti dhe pasioni për çfarëdo që bën. Kur merr përsipër një detyrë është e vëmendshme për ta përvetësuar çdo lëvizje që mund t’i hyj në punë. Kështu është brenda klinikës stomatologjike, kështu është kur luan në piano, kur bën ndonjë punëdore apo kur ecën në sfilatë. Veten nuk e ka kursyer nga asnjë kufizim për të provuar fusha të ndryshme. Në të gjitha ia ka dalë mbanë me përkushtim dhe me buzëqeshje.

Eloida Aliaj nga fshati Balaj në  Ferizaj është vajza me sindromën “Down” që punon si asistente dentare në klinikën “Briljant Dent”. AkademiPune ka zhvilluar një intervistë me të për të shpalosur gjithë rrugëtimi ne saj inspirues. Dashuria thotë se e ka përcjellë qysh nga bankat e shkollës fillore.

“Kam marr shumë respekt dhe dashuri respekt nga të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit që sot i vlerësojë dhe i dua edhe me shumë dhe vazhdoj kontaktin me ta. Për çdo gjë i kam pasur afër shokët dhe shoqet. Lënda ime më e pëlqyera ka qenë gjuha angleze me arsimtarin Bashkim Tërstena i cili ka bashkëpunuar shumë me mua, po ashtu arti më ka pëlqyer, kujtoj se më kanë përkrahur shumë mësuesja Vjollca Abazi-Ndrecaj dhe Ardita Shabani” , ka shpjeguar Eloida Aliaj.

Eloida Aliaj dhe Burim Buzhala

Më pas e kishte ndërprerë shkollimin nga frika e bullizmit. Por, fati i buzëqeshi shpejt te doktori Burim Buzhala i cili ia hapi dyert për punësim. Kjo e ka shtuar dinamikën në ditët e Eloidës por edhe buzëqeshjen.

“Ai mi rregulloi dhëmbët dhe aty filloi karriera ime si asistente e doktorit në klinikën “Briljant Dent” dhe jam shumë e lumtur dhe krenare që më ka buzëqeshur jeta në këtë mënyrë”, ka shpjeguar tutje Eloida. 1 shkurtin e vitit 2019 e kujton si ditën më fatlume të jetës së saj që kur filloi punën për herë të parë.

"Respekti nga stafi dhe pacientët më ka ngritur vazhdimisht"

Tash, pas katër vjetësh e sheh ngritjen e saj në karrierë dhe afërsinë që ka krijuar me stafin e pacientët. Puna me buzëqeshje e shoqëron sa herë që dikush hyn për të marr ndonjë shërbim në klinikën ku punon.

“Respekti nga stafi dhe pacientët më ka ngritur mjaft, kur fëmijët e vegjël qajnë ka pasur rast kur më kanë kërkuar mua që të jem afër. Më doktorin Burim Buzhala kam raport shumë të mirë, pothuajse familjar. Pacientët që janë në mërgim sa herë që vijnë me sjellin dhurata, po ashtu kjo ndodhë edhe nga pacientët vendorë”, shpjegon tutje ajo. Paragjykimet thotë se nuk i kanë munguar por Eloida thotë se i ka injoruar duke u përkushtuar në suksesin e saj në çdo fushë.

Eloida Alija

Eloida Aliaj duket se e ka fort në qef modën dhe fotografinë. Fotosesionet e saj të veçanta janë të pranishme në profilet e saj në rrjetet sociale – një platformë prej nga merr shumë dashuri. Ajo ka shkëlqyer edhe në pasarel mode ku ka prezantuar fustanet e qepur nga disenjatorja Blerina Kllokoqi-Rugova. Në një event të organizuar nga aktivistja Elvana Shala, ajo është prezantuar edhe me fustanin e Valdrin Sahiti – e fotografitë e saj janë prezantuar edhe në ekspozitën e Arbër Selmanit.

Eloida Valdrin Sahiti

 

Ajo e ka shumë për zemër edhe pianon. Ku ushtron me mësuesen Lira Bytyqi, e cila me durimin më të madh e përcjellë pasionin e saj te Eloida. Arti figurativ është po ashtu një fushë ku e gjen veten dhe qetësinë Eloida.

“Në art mbajmë kurse nga Pranvera Sylejmani e cila me vullnetin e saj na përcjellë artin në shpirte dhe në duart tona. Duke ju falënderuar me zemër rrethit të ngushtë duke nisur nga familja ime e rrethit te gjerë e mediave unë jam sot këtu ku jam”, shprehet tutje Eloida. Një falënderim ka për gjithë Ferizajin- vendin e saj të lindjes kur thotë se merr shumë dashuri në çdo ecje. Kurse nëna e saj thotë se është forca më e madhe shtytëse që e përkrah në çdo vendim të saj dhe për të thotë se ka thyer çdo barrierë. Krejt cfarë kërkon nga të tjerët Eloida është dashuria sepse vetëm kështu mund të jap dhjetëfishin e saj.   

“Mesazhi për fund është më jepni dashni se ua shpërblej edhe më shumë se tek unë mjafton vetëm një buzëqeshje”, është mesazhi i saj për të gjithë.

 

Eloida Alija -sindroma Down

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2023 - KosovaJob LLC