Si të punoni me klientë të vështirë?

23 Janar '20

Si të punoni me klientë të vështirë?
	 	 

Njerëzit që punojnë në shitje, marketing apo fusha të ngjashme, pjesë kryesore të punës e kanë komunikimin me klientë dhe jo gjithmonë mund të kenë përvoja të mira me klientët e tyre. Shumë klientë, në periudha të caktuara mund të kenë pakënaqësitë e tyre, të mos u pëlqejë shërbimi që ofrohet, të kenë pritshmëri të tjera, etj. 

Kur klientët nuk janë të kënaqur, mund të krijojnë edhe situata të pakëndshme dhe ndonjëherë personat përgjegjës mund të mos dinë se si t’ia bëjnë.

Cilët janë klientë të vështirë?

Klientë të vështirë konsiderohen ata klientë të cilët mund t’i duan gjithmonë gjërat me urgjencë, nuk hezitojnë ta kontaktojnë kompaninë edhe në fundjavë në mënyrë që të marrin informacionet për ato që duan, nuk janë të saktë me faturat apo pagesat, etj. 

Ka disa mënyra se si t’ia dilni me klientët e vështirë:

1. Dëgjoni shqetësimet e tyre. Situatat e pakëndshme më së shpeshti krijohen kur ka mungesë të vëmendjes, kur nuk dëgjohet me kujdes pala tjetër. Ndonjëherë klientët mund të jenë të specializuar në një fushë tjetër ndërkaq ju  ofroni shërbime në një tjetër fushë. Prandaj, mundohuni ta kuptoni në thelb problemin e tyre, duke qenë të dëgjueshëm dhe menduar një zgjidhje e cila mund të funksionojë mirë edhe për ta.

2. Përgjigjuni në pyetjet e tyre. Nëse një prej klientëve të kompanisë suaj ka pakënaqësi në lidhje me shërbimin apo çkado, sidomos nëse ai klient është besnik, mundohuni t’i përgjigjeni sa më shpejt dhe ta zgjidhni problemin. Ruani qetësinë dhe mbani një komunikim të mirë.

Në rastet kur merrni një e-mail ku klienti shfaqet i shqetësuar, një përgjigje e mundshme nga ana juaj mund të jetë:

Përshëndetje (shkruani emrin dhe mbiemrin e personit që ka dërguar e-mail)

Falemnderit që keni nënvizuar problemin dhe keni ndarë shqetësimet tuaja me ne.  Ju kërkojmë ndjesë nëse ka ndodhur ndonjë keqkuptim nga ana jonë.

Unë do të doja ta caktojmë një takim ditën e mërkurë, duke filluar prej orës 10.00. A është ky orar i konvenueshëm edhe për ju?

Me respekt,

(Emri dhe Mbiemri juaj)

3. Identifikoni problemin. Mundohuni të bisedoni me departamentet përkatëse në kompaninë tuaj dhe të kuptoni se ku qëndron problemi saktësisht (nëse vërtetë qëndron si problem), nëse po, mundohuni t'i përmirësoni proceset ose komunikimin në të ardhmen, për të shmangur situata stresuese.

4. Ofroni  zgjidhje.  Nuk do të thotë se ju jeni gabim (në shumë raste mund edhe të mos jeni) por gjithmonë duhet të mundoheni ta gjeni një mënyre për të zgjidhur problemin për klientin pa humbur veten në këtë proces. Nëse gabimi ka ndodhur nga ana juaj, pranojeni atë dhe infromoni klientët se jeni duke bërë ndryshime. Nëse klienti është gabim, atëherë informojeni atë.

Klientët e vështirë mund të çojnë edhe në shkëputje bashkëpunimi sepse marrin shumë nga energjia juaj.  Mirëpo, mënyra sesi merreni me problemet e tyre gjithashtu siguron një përvojë të vlefshme mësimi për secilin person në biznes. 

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2022 - KosovaJob LLC