Ukrainaset që ushtrojnë profesionin e tyre nga Kosova

13 Janar '23

Ukrainaset që ushtrojnë profesionin e tyre nga Kosova
	 	 

Viti 2022 përmbysi gjithçka në Ukrainë. Ritmi i jetës u çakordua. Njerëzit ndryshuan mënyrën se si jetonin dhe punonin, mënyrën se si zgjoheshin dhe flinin. Ukraina, e pushtuar nga Rusia në shkurt të vitit të kaluar përgjatë gjithë vitit ishte kryelajm botëror. Për gazetarët kudo në botë përtej raportimit, shkrimi për luftën ishte një ndjesi jo e mirë. Për gazetarët ukrainas gjithçka u rëndua dhe më shumë. Por, as kjo nuk i dekorajoi për t’u shkëputur nga profesioni. Dhe kjo përkundër vështirësive me rrymën dhe internetin dhe pengesave të tjera. Disa prej tyre kanë ardhur në Kosovë prej nga e ushtrojnë profesionin e tyre. Këtu thonë se kanë gjetur njerëz të mirë që ua kuptojnë vajtjet më mirë se në çdo vend tjetër. Theksojnë se kanë gjetur një ambient të mirë pune dhe përkrahjen për çfarëdo.

AkademiPune ka zhvilluar intervista me katër gazetare ukrainase të cilat kanë rrëfyer se si është të ushtrojnë këtë profesion - që për to mbi të gjitha është mision. Ato kanë rrëfyer se si lufta ndryshoi gjithçka sa i përket ritmit të jetës së tyre dhe se si është të gjesh një rrugëdalje në labirintin plot pengesa e ankth. Në rrëfimet e tyre një gjë vërehet qartë se kanë humbur gjithçka por jo dhe shpresën - jo dhe dëshirën për të punuar çdo ditë - madje dhe më tepër se çdo ditë më parë.

Kaidash: Në Kosovë i kemi të gjitha mundësitë për të punuar rehat

Viktoria Kaidash fillimisht ishte e orientuar në fusha më shkencore. Por, vite më vonë gazetaria i depërtoi në zemër për tu bërë profesioni që ajo e ushtron tash e dy dekada. Përgjatë 20 vjetëve, ajo ka punuar për disa media të rajonit dhe të Kievit ku ka mbuluar fusha të ndryshme.

"Gjithmonë kam pasur dëshirë të shkruaj për njerëzit dhe ndodhitë. Kam dërguar kërkesën te një redaksi për ta provuar veten. Më është dorëzuar një detyrë që ta shkruaj një artikull dhe më pas më kanë pranuar në këtë punë", rrëfen fillimet e saj ajo.

Thotë se këtë profesion e ka për zemër andaj nuk kam kurrfarë vështirësie për ta ushtruar atë. Gjithçka ishte e lehtë për të deri në momentin kur ushtria ruse u bë dhunshëm pjesë e qyteti të saj. Sipas Kaidash ata kishin një listë me emrat e mediave që donin t'i mbyllnin. Mes tyre dhe median ku punonte ajo.

"Ata e kanë konfiskuar biznesin, unë dhe një kolege tjetër ishim bashkëpronare. Atëherë i humbëm të gjitha. Disa kohë kam shikuar mundësi se si mund të dalë nga territoret e pushtuara. Dy muaj pas pushtimit unë kam gjetur një mundësi për të dalë nga ky territor. Ishte e shtrenjtë dhe kemi kaluar nga Ukraina në Rusi, pastaj nga Rusia në Lituani dhe Poloni dhe pastaj kaluam në Lviv në Ukrainë dhe nga aty kemi gjetur këtë program”, rrëfen ajo. Kadiash shpjegon se atje është regjistruar si gazetare në Asociacionin e Gazetarëve të Ukrainës ku kanë punuar gjatë gjithë kohës "online" për site të ndryshme. Aty kishin një hapësirë më të mirë të punës dhe për të shkëmbyer biseda më gjithë gazetarët. Nga atje gjeti edhe mundësinë për të ardhur në Kosovë.  "Mu duk shumë ide e mirë sepse na ndihmonte të qëndrojmë në profesionin tonë", shprehet tutje ajo. Ajo punon për media të ndryshme online në Ukrainë. Po ashtu dërgon informacione edhe për Kosovën, të cilat i cilëson informata të dobishme për popullin atje.

Kadiash

"Kemi ditur shumë pak për Kosovën nga kërkimet në internet ku gjithçka paraqitet nga perspektiva e luftës", shprehet ajo. Gjithçka që mund të imagjinonte për shtetin më të ri në Evropë i doli përtej imagjinatës. Jetesa këtu thotë se ishte më e mirë se që mund të paramendonte. “Këtu na kanë pritur me ngrohtësi dhe na kanë kuptuar plotësisht pasi që edhe kosovarët kanë kaluar në këtë”, thekson Kadiash. Ajo dhe gazetarët e tjerë po qëndrojnë në Prishtina në kuadër të programit “Gazetarët në Rezidencë në Kosovë. Në Kosovë  Këtu thotë se ka gjetur të gjitha mundësitë për të ushtruar sa më mirë profesionin e saj.

 “AGK na ka kuptuar edhe natyrën e punës.  I kemi të gjitha mundësitë për tu ndjerë rehat. Kur nuk kishim internet në banesë kemi pasur mundësi për të punuar nga zyret e AGK-së. E kemi pranuar dhe një dhuratë nga ky program ku kemi marrë një llaptop me të cilin mund të punojmë. I kemi të gjitha", tregon ajo.

Iryna Synelnyk: Lufta ka prekur të gjitha profesionet

Iryna Synelnyk - ka studiuar historinë sepse i ka pëlqyer kjo lënde qysh në vegjëli dhe planifikonte gjithmonë që duke ligjëruar historinë për nxënësit. Në vitin e pestë të studimeve u bë pjesë e një projekti që merrej me gazetarinë. Aty u fut natyrshëm në botën e gazetarisë. Kjo e bëri ta lejë mënjanë dëshirën e kahershme për histori. Filloi punën në një radio - dhe kjo ishte dritarja e saj e parë në botën e medias. Që nga viti 2015 punon si korrespodente për media të ndryshme të rajonit të Kievit.  Ajo është nga qyteti i Chernihivit që është një nga qytetet e para të pushtuara. Si pasojë e kësaj kujtimet e saj me luftën janë të hidhura.

"Në media merrem me gjithçka që është aktuale. Lufta ka prekur të gjitha profesionet. Unë jam nga regji i Chernihivit që është në kufi me Bjellorusinë dhe është një nga territoret e para të pushtuara gjatë muajve të parë të luftës. Kam mbledhur gjithë fuqinë dhe kam monitoruar të gjitha mediat. Aq sa kemi pasur rrymë dhe internet jam munduar të qëndroj në profesion", ka thënë ajo kur kujton kohën e qëndrimit ajo. Por, përpjekja për ta ushtruar profesionin atje thotë se është e gjitha e mbështjellë me stres.

"Gjatë gjithë kohës isha në stres. Frikësohesh se tani do të vijnë ushtria ruse te dera. Gjithmonë kishim frikë për jetën tonë. Nuk kishim internet as mundësi për të punuar - kjo ishte goditja e parë në profesionin tonë", ka theksuar Stnelnyk. Ajo shpjegon se nuk kishte më gazetat, informata nga televizionet ishin të kufizuara por që rrjetet sociale ishin burimi kryesor i informatave. Për programin e AGK kishte kuptuar nga kolegët e saj gazetarë në Ukrainë. "Për mua ishte e rëndësishme të qëndroj në profesion, të kem mundësi të punoj dhe mos të kem rrezik për jetë.

"Është shumë e vështirë të qëndroj larg familjes time sepse e ndjen njëfarë faji që je larg dhe ata janë atje. Njeri që qëndron në atmosferë të luftës, adaptohet. Unë që qëndroj këtu në paqe dhe me sigurinë e ndjej një lloj faji që nuk jam duke e përjetuar atë që e përjetojnë atje", thotë tutje ajo.

"Jemi mirënjohës për të gjitha mundësitë që na ka ofruar Kosova dhe AGK dhe për popullin që ndanë me ne vuajtjet dhe përvojën. Jemi falënderuese pa fund nga zemra", përfundon intervistën ajo.

gazetaret ukrainaset

Bilobrava: Më nuk ka kurrfarë orari, ndonjëherë punojmë edhe natën

Kateryna Bilobrava i ka nisur fillet e karrierës në gazetë për të kaluar më pas në media "online". Me raportimet e saj mbulon tema të ndryshme. Ajo vjen nga rrethi i qytetit të Odesses, i cili thotë se nuk ishte cak i pushtimit të Rusisë në fillim. Duke qenë dy orë larg me kufirin e Mogdalisë thekson se nuk ka pasur vështirësi për të dalur nga atje. Edhe Bilibrovën si banorët e tjerë të Ukrainës e tjetërsoi lufta.

"Lufta na ka ndryshuar tërësisht, veçmas ritmin e jetës sonë. Kemi shumë informata çdo ditë, çdo sekondë. Kemi aq shumë informata saqë nganjëherë vazhdojmë të punojmë edhe natën. Shumë pak kemi flejtur dhe pak kemi ngrënë, kemi pasur shumë stres nga frika. Para luftës kemi mundur të planifikojmë punën tonë. Pas luftës nuk ka kurrfarë orari. Më nuk mund të zgjedhësh asgjë”, tregon ajo. 

Lajmet për Ukrainën u ngjallin akoma shumë ankth. Por, stresi dhe të ushtruarit e profesionit në Kosovë është më i vogël. Puna e përditshme nga këtu po e ndihmon ta mbaj mendjen më larg brengave që prodhohojnë lajmet që merr nga Ukraina. Vazhdimi i punës ia jep ndjenjën se edhe ajo po jep diçka nga vetja.

"Përkushtimi në punë na ndihmojmë të kalojmë vështirësitë e stresit. Nganjëherë habitemi dhe kalon koha më shpejt. Kur punoj e kam një ndjenjë që edhe unë më pak po mund të kontriboj edhe unë”, thekson ajo.

Trotska: Kolegia ime në Ukrainë punoi nga shkallët e metros

Luidmyla Trotska është vazhdimisht e zënë. Mezi arrin në intervistë. Edhe kur arrin thirrjet nuk i ndalën. Ajo punon në një portal “online”, ku duhet të mbikëqyr vazhdimisht përditësimin e informacioneve. Para luftës ka qenë një Menaxhere e Informimit Publik në televizionin e Kievit dhe ka punuar si gazetare në gazetë. Ajo ka qenë e angazhuar edhe si pjesë e Eurovisionit të organizuar në Ukrainë. Gjithmonë ka pasur jetë dinamike të punës. Pas luftës punon në media online, ku mbikëqyr tre redaktore. Interaksioni me to nga këtu nuk është i lehtë. Lufta duket që i ka shndërruar të gjithë gazetarët në gazetarë që raportojnë për luftën.

"Jam tërë kohën e zënë, kam shumë pak kohë të lirë. Gjatë gjithë kohës më duhet të kontrollojë përmbajtjet në portal. Para luftës portali ka qenë me postime të thjeshta për pensionorë, tash u shndërrua në portal me lajme nga lufta”, shprehet ajo.

Përdallim nga koleget e saj në Ukrainë, ajo thotë se për të është më e lehtë ta ushtroj profesionin e saj nga Kosova.

"Gjëja kryesore është që kemi rrymë dhe internet. Është shumë më e lehtë kur e krahasoj me punën që bëj unë këtu në krahasim me redaktoret e mija që punojnë në Ukrainë. Njëra prej tyre në ndërrimin e mëngjesit ka filluar të punoj me internet të rregullt, por pastaj ai është ndërprerë, ka vazhduar të punoj nga telefoni dhe aty i është ndërprerë. Pastaj, ajo është futur në metro duke punuar nga shkallët e metros”, rrëfen me shpejtësinë e rrëfimit – diçka e natyrshme për një gazetare tipike. Vështirësi të ngjashme kishte pasur edhe kolegia e saj tjetër që punonte në ndërrimin e pasdites.

“Një kolege e imja në ndërrimin e pasdites ka pasur raste kur është ndalë rryma dhe është futur në një dyqan ku shiten gjëra për ndërtim, e ka gjetur një bredh të madh dhe atje është lidhur me internet. Kjo tregon mundësitë se si punojnë gazetarët në Ukrainë. Në portalin ku punoj nuk kemi investitor dhe rrogën e marrim nga qarkullimi i leximeve”, shpjegon ajo. Edhe ajo ka një mesazh që do ta jap për vendin ku po qëndron tash e sa muaj, ku gjeti sigurinë e mohuar në vendi e saj të lindjes.

"Unë kam vetëm një mesazh që këtu janë njerëzit shumë mikpritës. Këtë ngrohtësi nuk mund ta gjesh te asnjë shtet i botës, as në Gjermani, Poloni a Itali sepse populli i Kosovës së voni e ka përjetuar të njëjtën gjë”, shprehet ajo.

Kur Trotska flet për këtë edhe katër koleget e saj ukrainase e pohojnë të njëjtën gjë me kokë. Thonë se mesazhe të tilla për Kosovën përcjellin edhe në Ukrainë. Me këtë thonë se duan të jenë një zë kumbues si hapa që ndërmjetësojnë për  pranimin e Pavarësisë së Kosovës nga Ukraina. / AkademiPune

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2023 - KosovaJob LLC