8 profesione në të cilat mund të jeni të suksesshëm nëse njihni gjuhë të huaja

21 Jan, 2020

8 profesione në të cilat mund të jeni të suksesshëm nëse njihni gjuhë të huaja
	 	 

Sot, pothuajse të gjithë punëdhënësit duan të punësojnë njerëz që flasin më shumë se një gjuhë. Njohja e disa gjuhëve mund t'iu sjellë përfitime të shumta në karrierë. Duke e njohur gjuhë të tjera, ju rrisni mundësitë për të gjetur një vend të mirë të punës e gjithashtu të siguroni edhe të ardhura të mira.

Shumë organizata, institucione, biznese, kanë nevojë për sa më shumë njerëz që njohin gjuhë të huaja. Individët që njohin më shumë se një gjuhë të huaj, mund të ushtrojnë shumë profesione, mirëpo disa prej tyre mund të sjellin suksesin më pranë. 

Përfaqësues të shërbimit me klientë

Në fushën e shërbimit me klientë do të keni goxha sukses në rast se e njihni edhe një gjuhë të huaj. Duke qenë se puna ju obligon të takoheni me njerëz dhe biznese të ndryshme, është shumë mirë nëse njihni gjuhë të huaja sepse mund të keni punë edhe me klientë ndërkombëtarë. Në këtë profesion, punëdhënësit duan njerëz që mund të kapërcejnë pengesat gjuhësore dhe të zgjerojnë bazën e tyre të klientëve.

Përkthyes/ Interpretues

Në ditët e sotme, profesioni i përkthyesit është shumë i kërkuar. Shumica e institucioneve apo bizneseve kanë nevojë të kenë të punësuar dikë që mund t’iu përkthejë materiale nga gjuhë të ndryshme. Kur njihni gjuhë të huaja, gjithmonë mund ta keni një vend të sigurt të punës si përkthyes. Thuhet se punësimi i përkthyesve dhe interpretuesve do të rritet shumë gjatë viteve në vijim.

Specialistë në burime njerëzore

Pjesa e burimeve njerëzore gjithashtu kërkon njohuri në gjuhë të huaja. Ata që kanë karrierë në burime njerëzore dhe njohin më shumë se një gjuhë, ndihmojnë ndërmarrjet shumë më shumë kur vjen puna tek punësimi i kandidatëve. Jo të gjithë kandidatët që intervistohen mund të njohin një gjuhë të caktuar sepse ata mund të vijnë nga kultura të ndryshme.

Mësimdhënës

Nëse dëshironi të keni një karrierë të suksesshme si mësimdhënës, është mirë të mësoni edhe një gjuhë të huaj. Mësimdhënësit që flasin më shumë se një gjuhë kanë shumë mundësi të jenë të suksesshëm në këtë profesion, sidomos në zonat ku ka popullësi multikulturore. Vlen të theksohet se shkollat tashmë kanë programe të ndryshme gjuhësore.

Shkrimtarë / Gazetarë

Njohuritë e një gjuhe tjetër ndihmojnë gazetarët dhe shkrimtarët të jenë të suksesshëm në hulumtime, kryerjen e intervistave apo shkrimin e artikujve  për media të huaja. Si shkrimtarë, mund të përktheni vepra në disa gjuhë dhe të arrini audiencë më të gjerë.

Profesionistë të kujdesit shëndetësor

Individët që punojnë në spitale apo klinika, çdo ditë duhet të takojnë një numër të madh të njerëzve. Në raste urgjente, njohuritë e gjuhëve të huaja hyjnë shumë në punë. P.sh, nëse ndonjë pacient nuk e njeh gjuhën e parë të një vendi, do të shmangej stresi i komunikimit. Kësisoj, mjekët që njohin dy gjuhë, infermierët, apo në përgjithësi stafi në spitale, do të kontribuonin shumë më shumë.

Menaxherë të marketingut

Në tregun e ditëve të sotme, kompanitë kanë shumë nevojë që të përcjellin mesazh të saktë. Pra, kanë nevojë për njerëz të cilët flasin rrjedhshëm gjuhët e klientëve të tyre që të përcjellin me sukses mesazhe të brendit.

Punëtorët social

Pjesë shumë e rëndësishme e shoqërisë janë punëtorët social. Puna e tyre lidhet me njerëzit. Karriera në punë sociale po aq sa është sfiduese është edhe e dobishme. Edhe në këtë fushë, shumë më shumë sukses mund të arrini nëse njihni gjuhë të huaja. Ju do të jeni në gjendje të komunikoni me njerëz dhe të kuptoheni më mirë por edhe ata do të ndjehen më mirë nëse flasin në gjuhën e tyre amtare. Kësisoj, gjuhët e huaja janë shumë vlefshme në këtë karrierë. 

Fillo Kuizin
Testojeni veten, mësoni më shumë dhe argëtohuni në të njejtën kohë nëpërmjet kuizeve që ofrojmë ne për ju.
  • Gjeni fjalën kaotike
    UNEP
  • Gjeni fjalën kaotike
    Kornksu
  • Gjeni fjalën kaotike
    Regt
  • Gjeni fjalën kaotike
    Pefrosion
  • Gjeni fjalën kaotike
    Ortefe
  • Gjeni fjalën kaotike
    Torenupe
  • Gjeni fjalën kaotike
    Yrze
  • Gjeni fjalën kaotike
    Tonkrate
  • Gjeni fjalën kaotike
    Kodumente
  • Gjeni fjalën kaotike
    Laram
1
/
10
ARTIKUJ TË NGJASHËM
Këshilla rreth intervistave të punës nga profesionistë kosovarë
Pavarësisht nëse jeni prej atyre njerëzve që keni marrë pjesë në shumë intervista për punë ose jo, prapë se prapë, intervistat e punës janë goxha sfiduese, sidomos nëse do të intervistoheni për një punë që vërtetë e dëshironi. Mirëpo, nëse ndani pak kohë për t’u përgatitur, mund t’ju ndihmojë që gjatë intervistës të ndjeheni më rehat dhe të rrisni gjasat për ta marrë vendin e punës. Ne ju sjellim një përmbledhje me disa këshilla që kanë dhënë njohësit e fushës sa i përket intervistave të punës. Shpeshherë, kompanitë e ndryshme para se t’i ftojnë kandidatët për një intervistë fizikisht, përdorin në fillim metodën e intervistimit nëpërmjet telefonit. Zanë Havolli, Senior Recruiter në kompaninë e rekrutimit HumanPower, gjatë një interviste për KosovaJob, foli për gabimet që duhet shmangur gjatë intervistimit përmes telefonit dhe se çka e bën kandidatin të hyjë në listën e ngushtë. "Shfaqja e mirësjelljes është një ndër gjërat më të rëndësishme në kontaktin e parë me një kandidat e sidomos kur akoma nuk kemi rënë dakord për një takim. Kur takohesh fizikisht me një kandidat patjetër që dallon shumë nga një telefonatë dhe për këtë arsye është më e rëndësishme të ndërtohet afërsi dhe njëfarë besimi gjatë bisedës. Kandidatët duhet të vënë theksin tek rëndësia që ka një punë dhe pse kjo kompani është interesante per ta . Po ashtu, luan shumë rol edhe  interesimi i kandidatit rreth hapave të mëtutjeshëm. Sa më pozitiv që është një kandidat, aq më të mëdha janë shancat për të ngelur në kujtesën e një rekruteri“, ka thënë Havolli. Një rëndësi të veçantë në intervista të punës, ka edhe shfaqja e pasionit për punën. Venera Dërmaku, Menaxhere e Burimeve Njerëzore në kompaninë Beta, ka thënë se pasioni apo entuziazmi në intervista të punës përçon mesazhin se sa është i interesuar një kandidat t’i bashkohet kompanisë dhe ta ushtrojë me seriozitet punën që po ofrohet.  “Pasionin në intervista të punës e shoh si diçka shumë me rëndësi për ta punësuar një kandidat. Ata kandidatë të cilët shprehin entuziazëm në intervistë të punës dhe vijnë energjik edhe në intervistë, japin një ndjenjë pozitive edhe për intervistuesin. Ndër të tjera, të jesh i informuar për pozitën që ke aplikuar dhe për kompaninë ku ke aplikuar është ndër gjërat po ashtu me shumë rëndësi, të cilat mendoj se hyjnë nën ombrellen e pasionit” shpjegoi Venera Dermaku. Shumë kandidatë, kur marrin një thirrje për intervistë, fokusohen kryesisht në përgatitjen e përgjigjeve të mundshme gjatë intervistimit. Mirëpo, në çdo rast, është e rëndësishme edhe përgatitja e disa pyetjeve për panelin intervistues. Pyetjet që shtroni për intervistuesit, mund të jenë edhe vërtetuese se ju jeni një kandidat i përshtatshëm për pozitën që ata kërkojnë. Në lidhje me këtë, Erblina Hoxha, Zyrtare e Burimeve Njerëzore në kompaninë Kujtesa, në një intervistë për KosovaJob ka thënë se pyetjet mund të ndikojnë perspektivën e intervistuesit dhe jo rrallëherë mund të përcaktojnë vendimin e panelit intervistues. Sidoqoftë, sipas saj kandidatët duhet të dinë se nuk është e rëndësishme çka nuk duhet pyetur por si duhet pyetur. “E rëndësishme nuk është çfarë nuk duhet të pyesim por si duhet të pyesim. Qasja konkrete çdoherë do të marrë përgjigjen që i takon adresimit të bërë, që në fakt është përtej një kurioziteti rastësor dhe lidhet direkt me fushën e interesit në terma afatgjatë”, theksoi ajo. Pos gjërave që duhet të bëhen në një intervistë pune, ka edhe disa gjëra që nuk duhet të bëhen. Ndër gabimet e para është mosrespektimi i orarit kur ju është caktuar intervista. Bashkëthemeluesi i kompanisë së rekrutimit, Mercurius Consulting, Shkumbin Ibraimi, njëkohësisht rekruter me përvojë, ka thënë se kandidatet që vonohen në intervistë pune, japin sinjalin se mund të mos jenë profesional dhe nuk kanë diciplinë. Ai i këshillon ata që të jenë aty 5 ose 10 minuta më herët. “Menaxherëve të burimeve njerëzore nuk u pëlqen nëse vonoheni për intervistë. Unë rekomandoj të shkoni aty 5 ose 10 minuta më herët. As më shumë se 10 jo, sepse nëse shkoni shumë herët mund ta vëni kompaninë në vështirësi apo të pengoni intervistën paraprake. E them këtë ngase ka kompani që nuk duan t’i takojnë kandidatët njëri me tjetrin”. Kureshtja për pagën është po ashtu diçka që duhet të shmanget gjatë fazës së parë të intervistës. Sipas Shkumbin Ibraimit, intervistat ndahen në disa faza, prandaj kandidatët duhet të kenë durim të presin fazën kur shtrohet në tavolinë edhe çështja e pagës. /AkademiPune.
Lexo më shumë
Sa vlerësohen aftësitë ndërpersonale në punë?
Aftësitë ndërpersonale ndryshe njihen edhe si aftësi të buta, apo aftësi të inteligjencës emocionale. Këto aftësi lidhen me mënyrën se si komunikoni dhe bashëveproni me të tjerët. Aftësitë ndërpersonale janë një nga kriteret kryesore që përdoren për të vlerësuar kandidatët para se të punësohen. Pavarësisht nga lloji i punës që keni, është e rëndësishme të jeni i shoqërueshëm me bashkëpunëtorët dhe kolegët tjerë. Aftësitë ndërpersonale po ashtu njihen edhe si aftësi punësimi. Fjala "punësim" ka lidhje të ngushtë me rëndësinë e aftësive ndërpersonale. Ato janë aq thelbësore, pasi që punëdhënësit kanë pak gjasa të punësojnë kandidatët që nuk i posedojnë këto aftësi. Shumë punë, pavarësisht nga natyra e tyre, kërkojnë të paktën ndërveprim të qëndrueshëm me njerëzit e tjerë. Akademi Pune ju ofron disa nga aftësitë themelore ndërpersonale që ju ndihmojnë para dhe pas punësimit: Menaxhimi i konfliktit Pavarësisht nëse jeni menaxher ose punonjës, ndodh të ballafaqoheni me situata ku keni nevojë të zgjidhni konflikte në një moment të punës tuaj. Kjo mund të përfshijë zgjidhjen e ndonjë mosmarrëveshje ndërmjet dy anëtarëve të stafit, një klienti dhe kompanisë suaj apo edhe ndonjë mosmarrëveshje personale që mund të keni me ndonjë koleg. Te manaxhimi i konfliktit bëjnë pjesë aftësitë si: Zgjidhja e konfliktit Kritika konstruktive Këshillimi Ndërmjetësimi Udhëheqja Edhe nëse nuk jeni menaxher, është e rëndësishme të keni përvojë dhe aftësi udhëheqëse. Udhëheqja kërkon të jeni në gjendje të motivoni dhe inkurajoni të tjerët, si dhe të ndihmoni ekipin tuaj në arritjen e sukseseve. Në kuadër të udhëheqjes hyjnë aftësi si: Inkurajimi Motivimi Menaxhimi Empatia Pjesë e rëndësishme e të qenurit menaxher, punonjës dhe koleg i mirë është aftësia e kuptimit dhe shfaqjes së empatisë për të tjerët. Në empati bëjnë pjesë:   Mirësjellja Durimi Respekti Ndjeshmëria Komunikimi Një nga aftësitë më të rëndësishme ndërpersonale në çdo vend pune është komunikimi. Pavarësisht nëse punoni në IT, shërbim ndaj klientit apo ndonjë industri tjetër, do të duhet të jeni në gjendje të komunikoni qartë dhe në mënyrë efektive me të tjerët përmes komunikimeve me gojë dhe me shkrim. Te aftësitë komunikuese bëjnë pjesë: Komunikimi verbal Të folurit publik Komunikimi jo-verbal Puna në grup Edhe nëse puna juaj përfshin më shumë punë të pavarur, prap se prap duhet të jeni në gjendje të bashkëpunoni me të tjerët. Si pjesë e punës në grup hyjnë: Bashkëpunimi Ndërtimi i ekipit Shkëmbimi i ideve
Lexo më shumë
8 pyetje që duhet t’ia bëni ekipit tuaj për më shumë produktivitet
Punëdhënësit e suksesshëm e dinë rëndësinë që ka përshtypja e punëtorëve. Prandaj, një kompani e cila dëshiron rritje dhe zhvillim duhet të krijojë kulturën e bashkëbisedimit me punëtorët dhe të informohet rreth përshtypjeve të tyre. Një mënyrë e mirë për ta realizuar këtë është të organizohen shpesh gjatë vitit diskutime me secilin punëtor, ku punëdhënësit mund të bëjnë pyetje dhe punëtorët të shprehin hapur mendimet e tyre. Ne ju sjellim disa pyetje që drejtuesit e kompanive, organizatave, institucioneve mund t’ua parashtrojnë punëtorëve te tyre gjatë diskutimeve të tilla. Cila ka qenë arritja më e madhe këtë muaj? Të gjithë kanë nevojë që herë pas here të flasin për arritjet e tyre. Kjo pyetje krijon një ndjenjë progresi dhe u jep mundësinë punëtorëve që të rikujtojnë dhe festojnë arritjet e tyre. Gjithashtu, një pyetje e tillë mund të sjellë diskutimin mbi vlerat e punëtorit dhe se si ato lidhen me organizatën apo institucioni. Duke parashtruar këtë pyetje, punëdhënësit kuptojnë më shumë se cilat gjëra i motivojnë dhe çojnë në arritje të rezultateve secilin anëtar të ekipit.  Cila ishte sfida më e madhe gjatë muajve të fundit? Sfidat nuk mungojnë asnjëherë. Prandaj, t’i pyesesh punëtorët rreth sfidave që mund të kenë hasur është gjithmonë një pyetje e duhur. Një punëdhënës ka nevojë të dijë se ku pasur vështirësi gjatë procesit të punës. Duke e parashtruar këtë pyetje, automatikisht në tavolinë sjellet diskutimi për zgjidhjen e problemeve. Interesimi i një punëdhënësi për këtë çështje e bën atë një punëdhënës serioz, të përgjegjshëm si dhe arrin të ndërtojë komunikim, gjë që është shumë e nevojshme për një kulturë të mirë të një kompanie. Çka mund të ndihmojë që të kesh ende më shumë sukses në rolin tënd? Secili punëtor e ka një pikëpamje ndryshe rreth kompanisë. Ndër detyrat e një menaxheri apo punëdhënësi është të marrë informacione se çka duhet përmirësuar brenda kompanisë. Një kompani e mirë i përshtatet nevojave të punëtorit dhe tregut. Kjo pyetje ngërthen shumë elemente, duke filluar nga mungesa e një tavoline të mirë, një vend i qetë pune e deri tek programet e nevojshme për ta realizuar punën me sukses. Qëllimi kryesor i kësaj pyetjeje është  të kuptohet gjendja e një punëtori si dhe për të lehtësuar punën. Cila arritje e një kolegu ka pasur ndikim pozitiv në kompani? Studimet tregojnë se punëtorët janë më të motivuar nëse vlerësohen për punën e tyre. Një mënyrë e mirë për ta realizuar këtë ështe duke krijuar kulturë vlerësimi brenda ekipit. Punëtorët do të ndjeheshin shumë më mirë nëse do të dëgjonin lëvdata edhe nga kolegët. Kur ndërtohet një kulturë e tillë vlerësimi, pjesëtarët e ekipit nuk do ta kenë të vështirë të mendojnë për një kontribut të vlefshëm të dikujt por ta shprehin lirshëm atë. A ka ndonjë projekt për të cilin do të doje të punoje nëse te jepet mundësia? Që një punonjës të jetë i motivuar dhe të arrijë rezultate, duhet të punojë në projektet ku ndjehet se mund të japë maksimumin nga vetja. Një lider i mirë arrin të kuptojë dhe zbulojë pasionin e vërtetë të një punëtori dhe të sistemojë secilin në rolin që duhet.  A do të ndryshoje diçka në kompani nëse do të ishe ti drejtues/e? Punëdhënësit apo menaxherët, në shumë raste duan që punëtorët ta vlerësojnë kompaninë sikur të ishin vetë pronarë. Duke e bërë këtë pyetje, udhëheqësit do të mund të marrin edhe ide të reja. Mirëpo, edhe punëtorët do të kenë një ndjenjë pronësie dhe të kuptojnë se mendimi i tyre ka vlerë në kompani. Çka duhet të filloj të bëj ose çka të mos bëj? Kjo është një pyetje pak më specifike. Shumë gjëra që punëdhënësit i bëjnë çdo ditë, mund t’i ndikojnë punonjësit në mënyra të ndryshme. Ndonjëherë pozitivisht, ndonjëhere negativisht.  Prandaj, ideale do të ishte që një punëdhënës të tentojë të zbulojë se si ka ndikuar një veprim i caktuar tek punëtorët e tij. Punonjësit që bashkëpunojnë ngushtë nuk hezitojnë të shprehin mendimin për gjërat që do të mund të bëhëshin më mirë. Kjo do të krijonte një ambient të sigurtë dhe të besueshëm dhe një metodë e mirë për t’u përmirësuar. A ka diçka që mund të të ndihmoj? Kjo është pyetja më e mirë për ta përmbyllur një bisedë me një punëtor. Punëtorët kanë nevojë të shohin edhe gatishmërinë e një punëdhënësi për t’i ndihmuar ata. Kjo pyetje i bën të ndjehen më të lidhur me kompaninë dhe si rrjedhojë më të motivuar në punë.
Lexo më shumë
Çka është një letër dorëheqjeje dhe pse duhet ta shkruajmë?
Nëse keni vendosur të largoheni nga një vend pune, pavarësisht rrethanave, konsiderohet shumë profesionale ta shkruani një letër dorëheqjeje që t’ia dërgoni punëdhënësit aktual. Duke dërguar një letër dorëheqjeje, ju do të lini hapësirë edhe për bashkëpunime të tjera të mundshme në të ardhmen. Çka nënkupton dorëheqja? Dorëheqja është një akt i njëanshëm i punëmarrësit, e cila nënkupton ndërprerjen e marrëdhënies së punës, me ç'rast punëmarrësi duhet t’i specifikojë arsyet e ndërmarrjes së një veprimi të tillë. Çka është një letër dorëheqjeje? Një letër dorëheqje nënkupton shprehjen e dëshirës për t’u larguar nga një vend pune, institucion ose kompani e caktuar. Në këtë letër, duhet të elaborohen arsyet se pse personi po largohet nga ai vend pune. Pse duhet të shkruhet letra e dorëheqjes? Letra e dorëheqjes duhet të shkruhet ngase nënkupton një formë profesionale të largimit nga puna, pavarësisht vendit ose pozitës së punës. Në rast se punëmarrësi me vullnet të tij dëshiron ta shkëpusë marrëdhënien e punës, ai duhet çdoherë ta njoftojë punëdhënësin lidhur me arsyet e shkëputjes së marrëdhënies së punës brenda një afati të arsyeshëm kohor. Ky afat duhet të jetë i paraparë me ligj dhe kontratë të të punësuarit, me ç'rast edhe punëdhënësit i jepet mundësia e gjetjes së zëvendësimit për pozitën konkrete, brenda kohës së aryeshme. Çka duhet të përmbajë një letër dorëheqjeje? Një letër dorëheqjeje duhet të përmbajë: Deklaratën se do ta lini punën Titullin e pozitës suaj të punës Datën e fundit deri kur do te jeni në atë pozitë pune Mirënjohje për punëdhënësin tuaj Diçka nga përvoja në kompaninë e caktuar Ofertë për ta ndihmuar personin që do të vijë në pozitën e njejtë Të dhënat tuaja kontaktuese Shembull i një letre dorëheqjeje: Përshëndetje (emri dhe mbiemri i personit të cilit po i drejtoheni) Ju lutem pranoni këtë letër si njoftim për dorëheqjen time nga pozicioni  i (shkruani pozitën e punës të cilën e keni mbajtur) këtu në kompaninë (shkruani emrin e institucionit/kompanisë), me datën e fundit (shkruani datën e fundit deri kur mund të jeni pjesë e kompanisë). Kam vendosur të largohem për shkak se (cekni arsyen se pse po largoheni, mund të jetë kyçje në një projekt të ri ose ofertë tjetër e punës, planifikim i studimeve jashtë vendit, etj). Unë jam i gatshëm/ e gatshme për të ndihmuar në rekrutimin dhe trajnimin e personit që do të më zëvendësojë dhe do të sigurohem që të gjitha këto të kryhen para largimit tim, që të mos shtyhet as edhe një proces brenda kompanisë. Dua t’iu falenderojë shumë për qasjen e mirë dhe vlerësimin e punës sime. Kjo kompani me ka dhënë shumë dhe shpresoj që kjo ka qenë reciproke.  Pavarësisht largimit, nëse ndonjëherë ju konsideroni që unë mund të ndihmoj për të mirën e kompanisë qoftë edhe nga larg, ndjehuni të lirë të më kontaktoni. Ka qenë një kënaqësi e madhe të punoj me ju dhe të gjithë stafin dhe definitivisht do të doja të mbesim në kontakt. Çdo të mirë, (Emri dhe mbiemri juaj) (Të dhënat e kontaktit)
Lexo më shumë
KosovaJob është rrjeti më i madh i punësimit në Kosovë, i çertifikuar nga Bureao Veritas me ISO 9001: 2015 për Menaxhimin e Cilësisë.