Dashuri Rexhepi rrëfen përvojën si Babadimri i parë në Kosovë

30 Dhjetor '22

Dashuri Rexhepi rrëfen përvojën si Babadimri i parë në Kosovë
	 	 

Babadimri është figura më e dashur për fëmijët. Është ai që natën e ndërrimit të motmoteve e bën më të veçantë duke vendosur në pragje të shtëpive të mbështjellura dëshirat e më të vegjëlve. Edhe në rrugë, sheshe e qendra tregtare, babadimri është ai që i emocionon fëmijët me përqafimin e tij. Këtë ndjesi aktori DashuriRexhepi e ka përjetuar për shumë vjet. Rexhepi me profesion aktor e luan këtë rol tash e gati tre dekada. Ai për AkademiPune rrëfen rrugëtimin e tij si Babadimri i parë në Kosovë.

Me rrobat e Babadimrit u vesh e doli në rrugë për herë të parë në vitin 1995. Deri atëherë numëronte disa realizime në skenë e veç kishte filluar të formësoj identitetin e vetë prej aktori. Megjithatë, roli prej Babadimri iu kishte dukur goxha sfidues dhe për këtë arsye kishte pasur hezitimet e veta fillimisht.

 “Kjo ndodhi në kohën kur unë dhe një shok i imi bashkë punonim në një lokal ku shiteshin lojëra për fëmijë. Shoku im në Turqi më kishte blerë kostumin e Babadimrit dhe më tha se do të bëhesha  që t’i gëzoja fëmijët. Në fillim nuk pata guxim të pranoja sepse nuk dija çfarë të bëjë, cilat ishin ato fjalët magjike që duhet t’ua thoja fëmijëve”, rrëfen aktori Rexhepi për AkademiPune.

Dashuria e madhe për të parë fytyrat e lumtura të fëmijëve e nxiti që ta bëj me dashuri tash e sa vjet rolin e plakut të Vitit të Ri. Këtë aktori Dashuri Rexhepi e bëri me dëshrën më të madhe duke u futur tërësisht në rolin e Babadimrit.

“I vura vetes kushte që do ta bëj dhe e bëra në mënyrën më të mirë të mundshme, me kalimin e kohës sikur ia mora dorën por gjithmonë me ndihmën e fëmijëve bëhesha edhe më i dashur”, ka rrëfyer tutje aktori nga qyteti i Ferizajt.

Rexhepi: Për mua roli i Babadimrit është më i miri, i vetmi që fëmijët e besojnë

Dashuri Rexhepi është ndër figurat më të njohura të artit skenik në Ferizaj. Ai është një nga aktorët më të njohur të teatrit “Adriana” në Ferizaj.  Ndryshe i njohur edhe si Dashi ai është i njohur përveçse si aktor teatri e filmash edhe si personazh në reklama të ndryshme e herë  si palaço në ngjarje kushtuar fëmijëve. Përkundër roleve të shumta, për Rexhepin roli i babadimrit mbetet më i dashuri. Në skenë ka veshur kostume të ndryshme për të përcjellë magjinë e roleve të teksteve të ndryshme në skenë, por rrobat e Babadimrit e mbështjellin më së shumti me dashuri.

“Për mua roli i Babadimrit është më  i miri sepse mendoj që është i vetmi që fëmijët e besojnë dhe e duan sinqerisht”, ka thënë gjatë intervistës së tij, Dashuri Rexhepi. Periudha e fundvitit për të është përherë e zënë. Rexhepi pret me padurim sa herë vjen fundi i vitit për të veshur kostumet kuq e bardhë dhe për të parë fytyrat e gëzuara të fmijët. Për të vitet më të mira mbeten ato kur ishte i vetmi Babadimër dhe këtë rol e bënte me shumë me zemër se sa për përfitime.

“Ato vite kur isha i vetmi Babadimër ishte kënaqësi e veçantë për mua. Fëmijët më respektonin tej mase. Viteve të fundit puna e Babadimrit është shndërruar në biznes, pra behët vetëm për përfitime ku duhet përpos dhuratave të bësh edhe foto dhe kjo kushton”, ka rrëfyer ai. Sipas tij tash me rritjen e numrit të personave që e luajnë Babadimrin, roli i Babadimrit sikur po e humb origjinalitetin. Kjo sipas tij edhe e zbeh rëndësinë e këtij roli te fëmijët. Babadimri, sipas tij duhet të përcjellë butësinë në çdo fjalë e lëvizje.

 “Tash kur rol i Babadimrit është shndërruar në shumë ne biznes për fitime ku përveç dhuratave duhet të bësh edhe foto e kjo kushton. Më parë ishte kënaqësi t’i gëzosh fëmijët me dhurata pothuajse falas ndërsa tani Babadimri ka një numër të madh në çdo 10 metra e hollësitë e Babdimrit nuk i sheh askush pasi që shumë nuk dinë ta bëjnë rolin e Babadimrit e kjo më bën të ndihem keq”, ka treguar tutje ai.

Dashuri Rexhepi në skenën e teatrit doli për herë parë në vitin 1983 në shfaqjen “Besa” të bazuar në veprën e shkrimtarit Sami Frashëri. Që nga viti 1983 e deri në tash kur po rrumbullakon 40 vjet me skenën asnjëherë nuk është shkëputur prej saj. Por, roli që e veçon më së shumti është ai i Çiços në shfaqjen "Jashtë bie borë".

“Rolin e parë e bëra sa me dashuri, aq edhe me frikë sepse kisha një përgjegjësi që po dilja në skenë, aq kisha edhe dashuri dhe frikë sepse kisha një përgjegjësi sepse po dilja në skenë dhe nuk dija se çfarë saktësisht jam duke bërë. Me duartrokitjet qe mi dhanë publiku e kuptova që kisha bërë diçka që unë nuk do t’i ndahem gjithë jetës dhe ashtu edhe ndodhi sepse jam akoma aktiv”, rrëfen ai.

Dashuri Rexhepi

 

Deri sot ka luajtur shumë role, por ndër to veçon shfaqjet “Qeni se hanë sopatën”, “Trenat” dhe “Piramida”. Role të ndryshme në këto shfaqje e bën sot një aktor të dëshmuar në skenën ferizajase. Skena për të është mbi të gjitha.

“Skena është e shenjte për mua dhe nuk pranohet ndryshe”, thotë tutje ai. Përkundër roleve të shumta që vazhdon t’i luaj në projekte të ndryshme teatrore e më gjerë, ai thotë se ndihet i lumtur të njihet si Babadimri i parë në Kosovë. Ai çdoherë në ditën e fundit të vitit pret ftesat nga ata që duan ta bëjnë pjesë të festes së ndërrimit të motmoteve.

“Unë për fund ju uroje një findvit te mbarë, shëndet e gëzime për të gjithë.

I juaji, Babadimri Dashuri Rexhepi”, ky është mesazhi i tij për vitin 2023. Për Dashuri Rexhepin sot është një mbrëmje e gjatë nëpër shtëpitë e familjeve kosovare!

Dashuri Rexhepi - babadimri

Legjenda e babadimrit

Santa Claus (Babadimri) - i njohur ndryshe si Shën Nikolla ose Kris Kringle - ka një histori të gjatë të zhytur në traditat e Krishtlindjeve. Sot, ai mendohet kryesisht si njeriu gazmor, mjekërbardhë që vishet me të kuqe dhe u sjell lodra vajzave dhe djemve të mirë në prag të Krishtlindjeve.

 Historia e tij shtrihet deri në shekullin e 3-të, kur thuhet se shenjtori Shën Nikolla eci në tokë dhe u bë mbrojtës i fëmijëve. Shën Nikolla konsiderohet se është një paraardhës i largët i Santa Claus-it të sotëm. Besohet se ai shpërndante pasurinë me të tjerët që kishin nevojë dhe me një zë të mrekullueshëm shpërndante dashuri te të gjithë.

Shën Nikolla bëri depërtimet e tij të para në kulturën popullore amerikane në fund të shekullit të 18-të. Në dhjetor të vitit 1773 dhe në vitin 1774, një gazetë e Nju Jorkut raportoi se grupe familjesh holandeze ishin mbledhur për të nderuar përvjetorin e vdekjes së tij.

Emri Santa Claus evoluoi nga pseudonimi holandez i Nick, Sinter Klaas, një formë e shkurtuar e Sint Nikolaas (holandisht për Shën Nikollën). Kështu ngadalë Shën Nikolla “u shndërrua” në Santa Claus moderne që u bë e njohur në gjithë botë. Kjo figure iu shtuar edhe një kostum i kuq, një mantel me lesh, karroca e drerët.

Një nga artistët e parë që përcaktoi pamjen moderne të Santa Claus ishte Thomas Nast, një karikaturist amerikan i shekullit të 19-të, fotografia e të cilit nga Santa Claus në vitin 1863 u shfaq në të përjavshmen “Harpers Weekly”.

Santa Claus

 

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2023 - KosovaJob LLC