Cilat aftësi duhet t’i kenë programuesit sipas Fitim Adilit?

1 Nëntor '22

Cilat aftësi duhet t’i kenë programuesit sipas Fitim Adilit?
	 	 

"Fjalia më e rrezikshme është: “Gjithmonë kemi bërë kështu."

                                /Grace Hopper

Nëse dikush sot dëshiron të hulumtojë mbi programimin në internet, 3.190.000.000 rezultate do t’i shfaqen në më pak se një sekond, e kjo është një shifër që rritet vazhdimisht. Ndonëse historia e programimit na kthen shumë vite më përpara, me fillimin e përdorimit jashtë projekteve ushtarake ka marrë hov puna në programim, duke u parashikuar të rritet edhe më në të ardhmen.

Aq sa, Fitim Adili, shqiptar që e zhvillon punën e programuesit në Gjermani thotë se, pas disa vitesh programimi do të jetë aq i përhapur sa nuk do të jetë fushë vetëm për programues, por edhe për profesione tjera.

Duke qenë se edhe kërkesa për këta profesionistë po rritet, bashkë me të po rritet edhe numri i punëkërkuesve dhe punonjësve në këtë fushë. E marrë parasysh që Fitimi ka vite që merret me këtë fushë, pa e përmendur edhe interesimin e tij rreth programeve kompjuterike që në moshën 14 vjeçare, për Akademi Pune ai i ka treguar se çfarë një programues i mirë.

ÇFARË BËN NJË PROGRAMUES?

Si çdo profesion tjetër edhe programimi është një fushë e gjerë, ku mund të bësh gjëra të ndryshme, por sipas Fitimit, ndonëse ka ndarje të ndryshme logjika është e njëjtë.

“Varet në cilën lëmi punon. Nëse punon në lëminë e web-zhvillimit ka disa ndarje, po si më të njohura janë frontend/backend. I pari merret me dizajnin dhe pamjen që sheh klienti/përdoruesi, kurse i dyti merret më shumë me logjikën prapa. Po ka edhe programues për android, programues për iOS, programues databazash etj. Pra, janë të ndrsyhme varësisht prej lëmisë dhe punëve që ai bën”, tregon ai.

MË SHUMË RRETH FITIM ADILIT

Fitim Adili është banor i ri i Gjermanisë. Ishin rrethanat ekonomike të cilat u krijuan pas pandemisë Covid-19 ato që e shtynë të vendosej në këtë shtet evropian. Ndërsa, sot ai është pjesë e një kompanie në Gjermani si krijues dhe dizajnues i web-faqeve.

Siç tregon ai, ishte blerja e një kompjuteri nga djali i axhës që do t’ia hapte rrugët e kureshtjes së botës teknologjike. Ndryshe prej të tjerëve, radhën e tij ai nuk e shfrytëzoi vetëm për lojëra, por edhe për gjëra të tjera siç ishin "Paint", apo "Word".

“Pas një kohe në kompjuter e kam vërejtë që ekziston një program që më pati bërë shumë përshtypje dhe quhej FrontPage. Përmes tij ishte e mundshme me kriju web-faqe. I vetmi proces që në atë kohë nuk kisha mundësi me e përfundu ishte publikimi online i webfaqes. Mbaj mend kam qenë shumë kurioz: Çka më tutje? Aty pat lindë dashuria për kompjuterin dhe programimin. Më kujtohet gjithashtu që e kam pasur një libër anglisht të historisë dhe në atë libër ka qenë një histori rreth vikingëve. Përmes programit FrontPage tentojsha që me kriju webfaqe për vikingët. Aty kanë qenë hapat e parë me aq sa mbaj mend. Po në atë kohë nuk e kam pas idenë se çfarë është programimi, apo çfarë jam duke bërë, thjesht më pëlqente puna në kompjuter dhe sidomos programi i dizajnimit të web-faqeve në FrontPage”, kujton Fitimi.

Tani për tani, ai po merret me një web-aplikacion, i cili merr dhe jep informata në të gjithë globin, por në disa gjuhë të ndryshme. E megjithëse, siç thotë Fitimi mungesa e vendit, familjes e miqve është një “adaptim” i zorshëm, në këtë pjesë të Evropës ku po qëndron tashmë, ai i ka ende disa përfitime.

Besoj që gjatë kësaj periudhe sa jam i punësuar në Gjermani, ka qenë periudhë që jam ngrit profesionalisht për shkak që projektet janë shumë të mëdha, dhe të dizajnuara që të përdoren prej miliona personave”.

SFIDAT E HERSHME DHE TË TASHME TË FITIMIT

Ai tregon që komunikimi me njerëz dhe vetëbesimi që mund ta përfundojë një projekt nga fillimi deri në fund ishin ndër sfidat e para me të cilat ishte përballur.

“Në vitet e para kur kam fillu programimin si profesion dhe me fitu klientë, për mu ka qenë sfidë e madhe me ditë me komuniku me klientë. Ka qenë sfidë edhe ana teknike shpeshherë. Ka qenë edhe sfidë me ble host e domain. Ka qenë sfidë me zgjeru rrjetin dhe me kriju emrin si person që merret me krijimin dhe dizajnimin e web-faqeve”, thotë ai.

Ndërsa, sfidat të cilat vazhdojnë ta ndjekin janë mësimi i teknologjisë së re dhe, kalimi nga një punonjës i pavarur në një punonjës me orar të plotë.

PO ÇKA E BËN TË SUKSESSHME PUNËN E FITIMIT NË GJERMANI?

Durimi dhe energjia e mirë janë dy faktorë që zakonisht kërkohen në çdo mjedis pozitiv pune. E është pikërisht kjo që e dallon punonjësin dhe kërkohet edhe në vendet e jashtme. 

“Besoj durimi me u marr me një problem shume gjatë. Mosdorëzimi edhe në vështirësi. Më është thënë nga bashkëpuntorët që jam i mirë në ekip dhe komunikues i mirë edhe në situata të vështira. Diçka tjetër që gjithashtu më është thënë nga bashkëpunëtorët është që gjithmonë tentoj me pru energji pozitive në ekip”, shprehet ai.

ÇFARË NDRYSHIMI I DUHET KOSOVËS?

Programimi si fushë, mbetet i njëjtë në të gjitha vendet, ashtu si edhe në Kosovë, sepse siç thotë Fitimi “Teknologjia është e njëjtë. Veglat janë të njejta. I vetmi dallim është që Kosova nuk është në bashkimin evropian. Një ndërmarrës/e që ka kriju një super program në Kosovë e ka shumë më vështirë me shitë/plasu se dikush që e ka kriju të njëjtin apo edhe më të dobët në Europë”.

Por, ajo që sipas Adilit duhet të ndryshonte do të ishte përfshirja e kësaj lëmie si lëndë nëpër shkolla në të gjitha nivelet, e gjithashtu edhe në universitet. Sepse, programimi nuk ka moshë, e me Akademi Pune ai e ka ndarë edhe arsyen pse duhet të ndodhë kjo.

“Koha që po jetojmë dhe e ardhmja sipas të gjitha informatave që kam, programimi do jetë jo vetëm për programera por edhe për profesione tjera. Edhe nëse je jursit, je doktor, je bukëpjekës apo floktar, je gazetar apo politikan me ditë programim e bën diferencën. Kështu që besoj që gjithsecili duhet të ketë se paku mundësinë me e mësu programimin, pa marrë parasysh moshën/gjininë/kombësinë.”

NJË KËSHILLË PËR TË RINJTË

Shumë të rinj përpara se të kyçen përnjëmend në një drejtim, kanë qindra pyetje, për shkak të mosnjohjes së “terrenit” dhe pasigurisë që ajo i sjellë. E për të gjithë ata që janë të interesuar rreth programimit, Fitimi Adili e ka lehtësuar procesin e njohjes me këtë fushë dhe ato që u duhen për këtë rrugëtim.

Pika e parë: Mësone shumë mirë anglishten dhe matematiken deri në një nivel! Eksperimentoni sa më shumë dhe kini shumë durim! Kontribuoni në projekte me kod të hapur dhe pa licensa! Krijoni projekte që i ndihmojnë njerëzit! Mos mësoni vetëm prej kurseve në youtube, por lexoni edhe libra! Lexoni shumë libra! Kontriboni në komunitet sa më shumë dhe bashkëpunoni me njerëz të tjerë që i njihni! Bëni pytje shumë dhe shpesh! Mësoni gjithashtu edhe aftësitë e buta (soft skills)! Mësoni komunikimin me njerëz para se gjithash dhe mësohuni ta shkruani atë që dini!”.

Fare në fund, me një rëndësi po aq të madhe Fitimi shton “mos harroni me hapë profil në LinkedIn dhe rrjete tjera sociale të dedikuara për punë”. /Akademi Pune

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2023 - KosovaJob LLC