Çfarë të bëni nëse oferta e punës është shfuqizuar?

5 Tetor '22

Çfarë të bëni nëse oferta e punës është shfuqizuar?
	 	 

Çka është shfuqizimi i ofertës së punës? Një kandidat shkon në intervisën e punës që i është caktuar. Bashkëbisedon me rekruterin dhe përgjigjet në të gjitha pyetjet që ia ka bërë ai, në mënyrën më të mirë të mundshme. Mënyra se si ai kandidat përgjigjet krijon përshtypje të mirë te rekruteri. Ky jo vetëm që i tregon se sa i kënaqur është me intervistën, por edhe i bën ofertë pune me gojë.

Gjatë kohës sa është duke e pritur edhe ofertën e punës me shkrim, lajmërohet që edhe disa pjesëtar tjerë të kompanisë duan të takohen me të. Pra, do të ketë edhe intervista tjera. Procesi vazhdon, kandidati mban edhe intervistën e radhës, aty është edhe rekruteri i cili ia kishte bërë ofertën e punës vetëm një intervistë më parë. Përfundon edhe ajo intervistë, por të nesërmen kandidati e merr një telefonatë tjetër përmes të cilës i thuhet që “njëri nga intervistuesit është ndierë sikur i jeni shmangur disa pyetjeve”.

Pyetja është kjo “A mundet kompanitë ta bëjnë një gjë të tillë? Po mund ta bëjnë, për arsye të ndryshme.

Kur mund të shfuqizohet një ofertë pune?

Nuk e keni kaluar provën e historikut

Shembull, mund të mos e keni edukimin e kërkuar e as trajnimet, ose keni dosje të hapur për vepra kriminale. Me këto nuk do të shkoni më tutje edhe nëse e keni në dorë ofertën e punës.

Nuk e jepni përgjigjen 

Për secilin punëkërkues punëdhënësi ideal është dikush i cili ju pret ta merrni vendimin e duhur për ofertën e punës, mirëpo nuk ndodhë kjo gjithmonë. Shpesh kompanitë e caktojnë një kohë, brenda së cilës çdo kandidat duhet ta japë përgjigjen tij në lidhje me ofertën e punës. E nëse e keni kaluar këtë afat, punëdhënësi thjesht e ka humbur interesin.

Pamundësia ekonomike për punonjës të rinj

Nuk është e pamundur të ndodhë që gjatë kohës sa kompani po mendon t’ju marrë në punë, i largohet ndonjë klient, ose i shkëputet ndonjë projekt dhe nuk ka më mundësi ekonomike ta marrë një punonjës të ri në kompani.

Intervistuesit nuk pajtohen me njëri tjetrin

Kjo është arsyeja më e shpeshtë pse kandidatëve ju shfuqizohet oferta e punës. Intervistat në panel mund të shkojnë deri në pesë intervistues. Duke qenë një numër kaq i madh i atyre që marrin pjesë në vendimmarrje, ka më shumë mendime dhe më shumë mospajtime, të cilat mund të çojnë edhe në kaos për të marrë vendim. Kështu që, shpesh përfundon në shfuqizim të ofertës së parë.

A mund ta ndjekni këtë rast me rrugë ligjore?

Shpesh kompanitë me punonjësit e kanë të rregulluar kontratën e punës në atë formë, që ata mund t’i largojnë punonjësit nga puna kur mendojnë që është vendimi i duhur, njëjtë si punonjësit mund të largohen nga kompani kur të duan ata. Sipas Ligjit të Punës në Kosovë, kompania e ka shkelur ligjin kur fillon të diskriminojë në të gjitha proceset e punësimit.

“Diskriminimi është i ndaluar në punësim dhe profesion, lidhur me rekrutimin në punësim, trajnimin, promovimin e punësimit, kushtet e punësimit, masat disiplinore, ndërprerjen e kontratës së punës ose çështjeve të tjera nga marrëdhënia e punës të rregulluara me këtë ligj dhe me ligjet e tjera në fuqi”, thuhet në pikën e parë të nenit 5 të ligjit të punës së Kosovës.

Pra, kjo përfshin diskriminimi në racë, gjini, fe moshë etj. Në bazë të kësaj mund ta ndjekni rastin ligjërisht “kur keni në dorë diçka” vetëm atëherë kur dyshoni që jeni diskriminuar. Nëse jeni dëmtuar, sepse keni dhënë dorëheqje nga puna ku keni qenë për shkak të ofertës tjetër që e keni pranuar.

Çfarë duhet të bëni nëse ju është shfuqizuar oferta e punës?

Sigurohuni që ta dini arsyen: Do të “rrënoheni” emocionalisht pasi ta merrni lajmin që ka “ndodhur një gabim”. Por nuk duhet ta lini me aq. Është mirë të përpiqeni të bëni pyetje për ta qartësuar situatën.

Pyesni për opsione tjera: Nëse oferta e punës është anuluar për shkaqe që nuk kanë të bëjnë me të kaluarën dhe sjelljen tuaj është mirë të mendoni për mundësi tjera në atë kompani. Shembull, ndoshta ndonjë pozitë tjetër në ndonjë departament tjetër përshtatet me përvojën që keni. Ose thjesht mund ta keni ndonjë mundësi për të punuar si i jashtëm, pa pasur nevojë të punësoheni drejtpërdrejt në atë kompani.

Ndani përvojën: Është normale të mos ndiheni mirë apo “të revoltuar” aq më shumë nëse në punën në të cilën keni punuar për një kohë e keni dhënë njoftimin. Në këtë rast, nuk është e nevojshme të heshtni. Flisni për këtë situatë me rrjetin tuaj profesional! Ata do t’ju japin këshilla profesionale, madje edhe t’jua hapin dyert e punësimit.

Mbase është koha të ktheheni në punën e vjetër

Kjo është një dëshmi për rëndësinë që ka lënia e një pune në mënyrë profesionale e për t’i ruajtur raportet e mira me punëdhënësin edhe në ditën e fundit të punës. Hulumtoni nëse është plotësuar ende pozita e punës në të cilën keni qenë ju! Nëse ende jo, konsideroni ta pyesni punëdhënësin sa është mundësia për t’u kthyer përsëri.

Si përfundim, kjo është një përvojë e vështirë, sepse mund t’i ndieni pasojat për ca kohë, por është një përvojë e vlefshme për të marrë mësime rreth karrierës. /Akademi Pune

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2023 - KosovaJob LLC