Pse duhet të zgjedhni një karrierë në shitje?

13 Jan, 2020

Pse duhet të zgjedhni një karrierë në shitje?
	 	 

Shumica e njerëzve mendojnë se “shitje” nënkupton vetëm të “flasësh”. Mirëpo, ata që punojnë në shitje e dinë se të dëgjuarit është pjesa më e rëndësishme e punës së tyre Roy Bartell  

Puna në shitje nënkupton shitjen e një produkti ose një shërbimi tek dikush tjetër. Sektori i shitjes në një kompani apo biznes ka rëndësi shumë të madhe - shumica e kompanive e kanë të nevojshëm këtë sektor sepse shitja çon në rritjen e profitit apo të ardhurave të asaj kompanie.

Valon Thaçi, menaxher i shitjes në Cacttus - kompani në fushën e teknologjisë së informacionit dhe të telekomunikimit, në një intervistë për KosovaJob tha se karriera në shitje më së miri zhvillohet nëpërmjet trajnimeve apo shkollimit adekuat, ani pse ka edhe prej atyre njerëzve të cilët fokusohen vetvetiu në shitje apo edhe e kanë më të lindur.

Valon Thaci Cacttus

Ai përmend një teori të cilën e konsideron esenciale për një karrierë të suksesshme në shitje. “Çdo shitës është mirë të duket mirë, ta njohë produktin të cilin e shet, të dijë kërkesën, nevojën e tregut si dhe të klientëve”.  Sipas tij, klienti nuk duhet parë si mundësi e përfitimit material dhe pas atij përfitimi të harrohet për një periudhë kohore, mirëpo duhet vazhdimisht të kontrollohet nëse ai është i kënaqur ose jo me shërbimin.

Nga një trajnim që pati me Bruno Augustonin, një folës me eksperiencë në komunikim dhe shitje, Thaçi përcjellë edhe një mesazh “Bruno thotë se për çdo klient është mirë të dihet se çka ka brenda në zemër, cila është dëshira e tij dhe pse ai dëshiron ta blejë produktin që po i ofrohet dhe nëse ai klient e blen atë produkt, atëherë përgjegjësia është e madhe për ta ruajtur atë klient”.

Thaçi përmend dy lloje të shitjes, shitje profesionale dhe shitje guerrile. Shitje profesionale konsiderohet atëherë kur personi shkon me kohë në punë, paraqitja është adekuate në punë dhe paraqitja para klientit nënkupton shumë për atë person, klientin dhe kompaninë mbi të gjitha.

I dyti lloj i shitjes është shitja guerrile, e cila ndodhë në raste spontane, në një restaurant, në rrugë apo kudo. Rastësisht takohet një klient dhe shitet produkti aty për aty, pastaj nuk ekziston mundësia për të marrë një mendim nga klienti rreth atij produkti. Në profesionin e shitjes, rëndësi e veçantë duhet t’i kushtohet edhe paraqitjes dhe kjo lidhet me shitjen profesionale. Ai thotë se shitjen profesionale e konsideron si lloj shkolle sepse është diçka që duhet mësohet. Tek ky lloj i shitjes luan shumë rol komunikimi, paraqitja dhe mënyra se si ruhet marrëdhënia me klientin duke ofruar shërbime.

Shitja nuk është shitje, veç po dal dikund dhe po shes, është dhunti që ta ka falë zoti, është komunikimi, paraqitja, mënyra se si ti shet dhe se si e mban relacionin me klientin duke ofruar shërbim, jo relacionin me klientin duke shkuar në kafe. Si këshillë e imja është që njerëzit ta praktikojnë zhvillimin e biznesit me takime nëpër zyre. P.sh, nëse unë dua ta blej një produkt nga një kompani e caktuar, atëherë ajo kompani mua me fton fillimisht në zyret e tyre që ta shoh produktin dhe vendin ku zhvillohet ai produkt, në këtë mënyrë doza e besimit për ta blerë një produkt të caktuar rritet. E kundërta ndodhë në rast se kompania me fton në një kafe për të biseduar rreth produkteve, kjo për mua është jo serioze”, ka thënë Thaçi.

Cilat janë përfitimet që vijnë me karrierën në shitje?

Jo vetëm kompania është ajo që përfiton nga ky profesion sepse edhe individët që punojnë në shitje kanë përfitime shumë të mëdha. Të punuarit në shitje e bën një person:

  • Më të pavarur
  • E ndihmon në krijimin e kontakteve me njerëz
  • I krijon aftësitë e zgjidhjes së problemeve
  • I mundëson të njihet në treg për rezultatet e punës

Përfitimet e nënvizuara më lart janë vetëm disa nga shumë të tjera që sjellë karriera në shitje. Edhe Valon Thaçi, sa i përket përfitimeve që vijnë nga shitja, thotë se janë të shumta.

Përfitimi numër një është që njofton shumë njerëz, karaktere të ndryshme të njerëzve, të bën të kuptosh mënyrën se si ata veprojnë sepse edhe ai i cili blen, edhe ai shet dikund tjetër dhe kjo do të thotë se është njëfarë zingjiri dhe domosdoshmërisht mëson edhe prej blerësve. Mua personalisht, shitja më ka ndihmuar shumë sepse kam krijuar edhe shumë shoqëri dhe mbase në ndonjë profesion tjetër nuk do arrija këtë. Në Kosovë, kemi mungesë të shitësve profesional por njëkohësisht edhe të pronarëve të kompanive të cilët i motivojnë shitësit dhe motivimi nuk nënkupton vetëm mjetet financiare por trajnim adekuat të shitësve në korporata, kompani, në shitje me pakicë, etj”, tha Thaçi.

Kur flet për motivimin e punëtorëve, ai përfshin edhe mirënjohjet që duhet t’iu bëhen punëtorëve sa i përket performancës. Ai thotë se është mirë që menaxherët bashkë me përgjegjësit e burimeve njerëzore të praktikojnë përzgjedhjen e punëtorëve më të suksesshëm përgjatë një viti.

Cilat janë aftësitë për sukses në shitje?  

Pos komunikimit që është element kyç, si çelës për të arritur sukses në shitje por edhe në jetë në përgjithësi, Thaçi i përmend edhe disa aftësi.

  • Durimin
  • Menaxhimin e kohës
  • Fokusin
  • Njohjen e produktit

 “Numër një është durimi. Po spate durim në shitje, mos vazhdo me këtë punë. Unë e kam prioritet menaxhimin e kohës, si me e menaxhu kohën me klientin sepse edhe klienti e dëshiron kohën e vet, prandaj duhet të gjeni mënyrën se si ta menaxhoni atë. Nëse nuk dimë ta menaxhojmë kohën si biznese nuk mendoj që është diçka e mirë. Numër tre është fokusi. Duhet të jeni shumë të fokusuar në punën që e bëni, në një letër të cilën ia dërgoni klientit, një pikë ose presje, lë të kuptosh shumë. Pastaj vjen njohja e produktit, nëse nuk arrini ta njihni, ta studioni produktin që e shitni, atëherë do ta keni shumë të vështirë të vazhdoni me këtë profesion. Pra, duhet ta njihni produktin në thelb sepse pyetjet qe klientët mund t’i bëjnë, ndonjëherë janë të paparashikueshme”.

Shitje

Një këshillë tjetër të cilën ai e jep për të gjithë të interesuarit për të pasur një karrierë të suksesshme në shitje, është që gjithmonë t’i bëjnë një analizë klientit, të mësojnë se çfarë promovimesh ka bërë ai klient së fundmi, për çka ka nevojë, etj.

A ka perspektivë për shitësit e rinjë në Kosovë?

Sa i përket perspektivës për shitësit e rinjë, Thaçi thotë se ka perspektivë, mjafton që të jenë të përkushtuar dhe ta duan profesionin. Ai këshillon të rinjtë që punën të mos e shohin si mundësi për të pushuar, sepse një gjë e tillë ua humbet kohën të dy palëve, edhe punonjësve, edhe punëdhënësve.

"Nëse punën e shihni si mundësi me u ulë edhe me pushu, atëherë jeni duke i marrë kohën vetes e edhe atij që iu ka punësuar dhe dëmi është i dyanshëm. Mirëpo, ai që iu ka punësuar, nuk ua ka borxh këtë. Prandaj, nëse nuk dini diçka, është më mirë të pyesni apo informoheni. Ka perspektivë dhe ka punë kush dëshiron të punojë, kush nuk dëshiron, nuk ka perspektivë. Hulumtoni se çka dëshironi të punoni, ku dëshironi të punoni, si dëshironi të punoni, pra cilat janë format më të përshtatshme për juve.  Nëse ka raste kur jeni të lirë me punët, lexoni, shfrytëzojeni kohën për të lexuar sepse edhe ju rriteni profesionalisht. Ka mijëra e mijëra teori, mijëra shkarkime online ku mund të informoheni rreth shitjes”. Le t'i kushtojmë më shumë rëndësi kohës dhe t'i përkushtohemi më shumë punës".

A ofrohen mjaftueshëm vende pune në Kosovë në sektorin e shitjes?

Pothuajse çdo kompani, në çdo industri, ka nevojë për shitje. Në lidhje me mundësitë e punësimit në fushën e shitjes në Kosovë, Thaçi tha se gjithmonë ka kërkesë për shitës të mirë. Ai nënvizoi se në kompaninë Cacttus, ofrohen shumë mundësi për t’u zhvilluar nëpërmjet trajnimeve.

Çdo kompani që prodhon, ka nevojë gjithmonë për shitje, sepse ne gjithmonë blejmë, shitësi edhe blerësi janë vëlla dhe motër dhe nuk ka institucion përveç atyre publike natyrisht që nuk kanë nevojë për shitës, institucionet private të gjitha thuajse kanë nevojë për shitës. Aq ka nevojë për shitje, sa është e paimagjinueshme. A kemi shitës të mirë? Kemi nevojë për më shumë. Në kompaninë ku unë punoj janë mundësi të jashtëzakonshme për cilindo që është i interesuar të punojë në sektorin e shitjes dhe ka shumë përfitime. Tek ne ka mundësi për t’u zhvilluar nëpërmjet trajnimeve”, përfundoi Thaçi.

Valon Thaçi, është menaxher me përvojë në fushën e shitjes. Ai ka mbi 10 vite përvojë punë në kompaninë Cacttus, kompani e cila operon në fushën e teknologjisë së informacionit dhe të telekomunikimit.

Fillo Kuizin
Testojeni veten, mësoni më shumë dhe argëtohuni në të njejtën kohë nëpërmjet kuizeve që ofrojmë ne për ju.
  • Si quhet pjesa e sipërme e një web faqeje?
    A
    Headline
    B
    Introduction
    C
    Header
    D
    Begin
  • Çka nënkupton shkurtesa HTTP?
    A
    Hypertext Transit Protocol
    B
    Hypertext Transfer Protocol
    C
    Hypertext Transfer Program
  • Ky link i mundëson përdoruesve të krijojnë dhe dërgojnë një mesazh të e-mail.
    A
    Navigation bar
    B
    Copyright notice
    C
    E-mail hyperlink
    D
    Library item
  • Cilat janë dy fazat e zhvillimit të web faqeve?
    A
    Planifikimi dhe implementimi
    B
    Struktura dhe implementimi
    C
    Qëllimi dhe organizimi
    D
    Ekzekutimi dhe dizajnimi
  • Si quhet pjesa e poshtme e një faqe interneti?
    A
    Bottom
    B
    Footer
    C
    Ending
    D
    Final
  • Çka nënkupton shkurtesa URL?
    A
    Uniform Resource Locator
    B
    Unified Resource Locator
    C
    Unitop Resource Locator
  • Cila nga këto i referohet rregullimit të elementeve në faqe?
    A
    Console
    B
    Layout
    C
    Purpose
    D
    Content
  • Cila është etiketa e saktë HTML për të vendosur një ndërprerje të linjës?
    A
    ˂br˃
    B
    ˂Ib˃
    C
    ˂break˃
  • Si mund të bëni një listë me numra?
    A
    ˂dl˃
    B
    ˂ul˃
    C
    ˂ol˃
    D
    ˂list˃
  • Çka nënkupton shkurtesa CSS?
    A
    Creative Style Sheets
    B
    Cascading Style Sheets
    C
    Computer Style Sheets
    D
    Colorful Style Sheets
1
/
10
ARTIKUJ TË NGJASHËM
Një mjedis i keq pune mund të shkaktojë probleme në shëndet
Njerëzit kalojnë më shumë se 40 orë në javë në ambientet e tyre të punës. Kësisoj, kur puna nuk bëhet me qejf, mund të ketë pasoja të mëdha në shëndet, sidomos nëse ndjeheni të obliguar të rrini aty. Hulumtimet kanë treguar se personat të cilët janë ndjerë të obliguar të rrinë në një ambient pune kanë përjetuar shumë më shumë stres, lodhje apo edhe depresion. Probleme mund të hasim në çdo mjedis pune, mirëpo duhet t’i kushtohet vëmendje nëse një punë e caktuar po shkakton aq shumë stres, sa që po fillon të ndikojë negativisht në shëndetin tonë. Sipas një studimi të Universitetit të Mançesterit, një punë  "me cilësi të dobët" - një punë që nuk bëhet me qejf - është më e keqe për shëndetin mendor të njeriut sesa të mos kesh punë fare. Nëse keni të bëni me një punëdhënës të pasjellshëm, me klientë të këqinj, me shumë ngarkesa në detyra të punës, etj, gjasat që të filloni të mos e duani punën janë shumë të mëdha. ”Ekzistojnë shumë faktorë rreziku për shëndetin mendor që mund të jenë të pranishëm në mjedisin e punës. Shumica e rreziqeve kanë të bëjnë me ndërveprimet midis llojit të punës, mjedisit organizativ dhe menaxherial, aftësive dhe kompetencave të punonjësve dhe mbështetjes në dispozicion të punonjësve për të kryer punën e tyre”, shpjegon psikologia Lirije Cakaj. Rreziqet për shëndetin mendor përfshijnë: Politika jo adekuate të shëndetit dhe sigurisë Praktikat e dobëta të komunikimit dhe menaxhimit Pjesëmarrje e kufizuar në vendimmarrje ose kontroll i ulët mbi fushën e punës së një personi Nivele të ulëta të mbështetjes për punonjësit Orar pune jo fleksibil Detyra të paqarta Rreziku për ndikim negativ në shëndetin mendor po ashtu mund të lidhet me llojin e punës e cila kryhet, ngase disa punë kanë ngarkesa edhe më të larta apo edhe mungesë sigurie krahasuar me tjerat. Disa prej këtyre punëve mund të kenë aq shumë ndikim në shëndetin mendor sa që  të bëhen edhe shkak i çrregullimeve mendore – çka mund të çojë edhe në përdorim të alkoolit ose ilaçeve psikoaktive. ”Trupi i njeriut mund ta dijë kur një punë nuk është e mirë dhe po shkakton stres sepse dërgon sinjalet që diçka nuk është në rregull”, ka thënë psikologia Cakaj. Kur një punë nuk është e mirë për shëndet mund ta kuptoni nëpërmjet shumë simptomave të cilat mund të shfaqen gjatë asaj periudhe. Probleme me gjumin. Nëse problemet me gjumin bëhen të shpeshta, kjo mund të jetë një shenjë se ambienti juaj i punës është i dëmshëm dhe ka filluar të ndikojë shumë negativisht tek ju.   Shtim i peshës. Shumica e njerëzve kur kanë shumë stres në punë, shtojnë edhe peshë ngase ka gjasa të hanë më shumë se zakonisht. Mirëpo, ka edhe prej atyre që humbin peshë nëse përjetojnë stres të tepërt. Dhimbje koke. Muskujt tensionohen për të mbrojtur trupin nga dëmtimi. Kur vendi i punës paraqitet si zonë rreziku, muskujt rrijnë të tensionuar. Tensioni kronik në qafë, shpatulla dhe kokë mund të shoqërohet me migrenë dhe dhimbje koke. Ulet sistemi imunitar. Lodhja e vazhdueshme, qoftë në punë, qoftë jashtë saj, është po ashtu një tjetër simptomë se puna ka filluar të jetë e dëmshme. Thuhet se stresi në vendin e punës shkaktohet duke qenë shumë i ngarkuar por studiuesit tani kanë një tjetër teori. Ata thonë se stresi në vendin e punës vjen nga një gjendje e vazhdueshme negative, dmth duke u ndier keq në zyrë në shumicën e kohës. Sëmureni më shpesh. Një tjetër simptomë se puna juaj mund të jetë e dëmshme është nëse sëmureni shpesh gjatë vitit, pra nëse keni nevojë shumë shpesh për pushime mjekësore. ”Analizojeni ambientin tuaj të punës edhe njëherë nëse ndjeheni të sëmurë apo jeni me grip gjatë gjithë kohës” , theksoi psikologia Cakaj. Probleme me stomak. Nëse keni probleme me kapsllëk, dhimbje stomaku apo fryerje, mendojeni edhe njëherë nëse puna është duke iu shkaktuar stres, sepse të gjitha këto janë simptoma të stresit. Ndryshim oreksi. Kur stresi në punë është i vazhdueshëm, ju mund të çrregulloheni edhe me ushqimin, gjëndrat mbiveshkore të trupit lëshojnë dhe krijojnë kortizol, një hormon që mund të rrisë urinë. P.sh kur puna shkakton shqetësime emocionale afatgjata, njerëzit mund të shtojnë ngrënien e ushqimit si ngushëllim. Çfarë masave duhet ndërmarrë në rast se një punë krijon probleme në shëndet? Shumë prej njerëzve ngecin në punë të cilat nuk janë të mira për shëndetin e tyre në përgjithësi dhe kjo duhet të merret shumë më seriozisht. ”Nëse e urreni punën tuaj, patjetër që duhet të ndërmerrni diçka. Qëndrimi në një punë e cila po iu bën dëm nuk duhet assesi të zgjatet. Ju ose duhet të mësoni se si të përmirësoni situatën tuaj aktuale të punës ose duhet të gjeni një punë tjetër, ku mund të jeni të lumtur”, ka thënë Cakaj. Disa prej hapave që duhet ndërmarrë janë: Bëni pushim. Dëmet më afatgjate shkaktohen nëse nuk i keni dhënë vetes një mundësi për t’u çlodhur. Gjeni pak kohë për të pushuar dhe analizuar më mirë se çka dëshironi të bëni. Riformoni të menduarit negativ. Jo të gjithë mund ta ndërrojnë lehtësisht vendin e punës. E mira do të ishte nëse arrijmë të përqendrohemi në situatën të cilën mund ta kontrollojmë. Mund te menaxhohet p.sh injorimi i thashethemeve apo mendimet e të tjerëve. ”Një nga parimet e terapisë njohëse të sjelljes është se mënyra si mendoni, mund të ndryshojë mënyrën se si ndiheni”. Gjeni arsyet e pakënaqësisë. Mundohuni t’i gjeni rrënjet e pakënaqësisë. Shumica e problemeve kanë zgjidhje. Gjeni ato pakënaqësi, shkruani nga një zgjidhje për secilen prej tyre dhe zhvilloni një plan veprimi. Ruani anën pozitive. Nëse ka gjëra të mira që keni marrë nga një vend pune, fokusohuni aty. Analizojeni çështjen e orarit, pagës, pushimeve, etj. Ndërrojeni punën. Nëse stresi që iu shkaktohet në punë ka filluar të jetë i pakontrollueshëm, shqyrtojeni mundësinë për ta ndërruar atë vend pune.
Lexo më shumë
Si ta shkruajmë një email profesional?
E-mail është ndër format më profesionale të komunikimit, qoftë në marrëdhënie pune ose edhe jashtë saj. Një email shkruhet për arsye të ndryshme - për të caktuar një takim të rëndësishëm, për të shkëmbyer informacione, për të përcjellur dokumente, kërkesa, për të aprovuar diçka, etj. Sipas Harvard Business Review, punonjësit kontrollojnë emailet e tyre mesatarisht 74 herë në ditë si dhe dërgojnë dhe pranojnë më shumë se 150 emaile gjatë një dite. Ka shumë pika në të cilat mund të gaboni kur dërgoni një email. Prandaj, për të mësuar si shkruhet një email i mirë dhe pa gabime, nevojitet pak praktikë.  Vlen të theksohet se duhet t’i ikni sa më shumë gabimeve drejtshkrimore.   Një email i mirë, ka një strukturë të cilës duhet t’i kushtohet shumë vëmendje. Nëse emailin e dërgojmë tek një person i njohur apo familjar, atëherë edhe mund të mos i kushtohet shumë rëndësi strukturës. Mirëpo, kur atë ia drejtojmë ndonjë klienti apo bashkëpunëtori, atëherë duhet të respektohet struktura, të cilën do ta elaborojmë në vazhdim të këtij artikulli. Disa nga hapat që mund t’iu ndihmojnë në krijimin e një emaili profesional: Caktoni qëllimin. Para se ta shkruani një email, pyesni veten se çka prisni nga pranuesi pasi ta lexojë. P.sh, nëse pritshmëritë tuaja janë që pranuesi ta lexojë medoemos një dokument të bashkëngjitur, sigurohuni që ia keni shpjeguar mirë se për çka është dokumenti dhe pse juve ju nevojitet një përgjigje prej tij. Keni parasysh audiencën. Nëse emaili i dërgohet një personi të cilin nuk e njihni, tentoni të jeni sa më zyrtar dhe të mos përdorni shprehje të papërshtatshme. Ndërkaq, nëse email i dërgohet një kolegu me të cilin keni raporte të mira, mund të keni edhe një qasje pak më miqësore. Kontrolloni nëse email është pranuar. Shumica e njerëzve pranojnë një mori e-mailesh gjatë një dite dhe mbase mund të harrojnë të kthejnë përgjigje. Nëse personi nuk është përgjigjur as pas dy ditësh, kontaktojeni përsëri dhe mundohuni të tregoheni sa më të sjellshëm. Kontrollojeni para dërgimit. Gjithmonë këshillohet ta analizoni edhe njëherë mesazhin, që të mund t’iu ikni gabimeve të mundshme.   Përmbledheni emailin. Sot, jeta është shumë dinamike dhe njerëzit nuk kanë shumë kohë t’i analizojnë detajet. Kësisoj, tentoni ta shkruani një email përmbledhës i cili përmban të gjitha informacionet kryesore apo të nevojshme. Cila është struktura e një emaili të mirë? Një email i mirë ka një strukturë strikte. "subject line", përshëndetja, hyrja, përfundimi janë pjesë përbërëse të një emaili të mirë.   “Subject”. Nëpërmjet kësaj pjese, ju i mundësoni pranuesit të emailit të kuptojë më mirë se për çka po bëhet fjalë. Në rastet kur dëshironi të dërgoni një email dhe po tentoni të ndërtoni lidhje profesionale, keni parasysh se çka shkruani tek “subject”.  Kjo mund t’i bëjë njerëzit të kenë pritshmëritë e tyre se çka ka brenda në mesazh. Një subject line duhet të jetë shumë e mirë sepse përndryshe gjasat për ta hapur emailin janë të vogla. Në subject, mundohuni të shkruani një fjali përshkruese apo përmbledhëse të të gjithë e-mailit. P.sh nëse emaili thërret për një takim, atëherë tek subject mund ta shkruani "Takimi për projektin në marketing". Përshëndetja. Ky është rreshti i parë i një emaili. Ka shumë rëndësi se si i drejtoheni dikujt. Disa nga fjalitë që mund t'i përdorni janë: Përshëndetje i / e nderuar (nëse nuk e dini gjininë e personit), Përshendetje të nderuar ose të dashur (nëse i drejtoheni një grupi njerëzish).  Keni kujdes - mos e nisni kurrë një email pa një përshëndetje. Mesi i email-it. Mesazhi kryesor jepet në mes të një emaili. Kjo patjetër që duhet të jetë diçka specifike. Nëse duhet të nënvizoni shumë detaje, mundohuni t’i ndani në paragrafe që të jenë më të lehtë për t’u kuptuar. Përfundimet. Në këtë pjesë, përfundojeni të gjithë emailin me fjali përmbledhëse., si p.sh: Nëse keni paqartësi / vërejtje lidhur me dokumentet bashkëngjitur, mos ngurroni të na kontaktoni në çdo kohë. Përdorni edhe shprehje si: Me respekt, sinqerisht, juaji, çdo të mirë, etj.  Nënshkrimi / të dhënat. Tek kjo pjesë duhet të shkruhet emri dhe mbiemri juaj, titulli që mbani por edhe informacione të tjera me rëndësi. P.sh nëse jeni në marrëdhënie pune, duhet të shfaqet emri, adresa e kompanisë dhe numri kontaktues. Shumica e kompanive, nëpërmjet programeve mundësojnë që këto të dhëna të shfaqen automatikisht në fund të çdo emaili. Shembuj të e-maileve profesionale:  E -mail për një grup njerëzish Subject: Anulim i takimit Pëshendetje të nderuar, Me lejoni t’iu informoj se është shtyrë takimi për strategjitë në shitje, i planifikuar për ditën e mërkurë në ora 10:00. Ju kërkojmë shumë ndjesë për këtë ndryshim dhe shpresojmë në mirëkuptimin e secilit prej jush. Takimin tjetër për këtë çështje do ta mbajmë të mërkurën e ardhshme, duke filluar prej orës 9:00. Ju falemnderit shumë! Sinqerisht, (Emri dhe mbiemri) E-mail për një person Subject: Mundësi punësimi si dizajner Përshendetje e nderuara Zana, Uroj të jeni mirë dhe punët po iu ecin mbarë. Po ju shkruaj në lidhje me një mundësi shumë të mirë punësimi për ju, në kompaninë tonë (cekni emrin e kompanisë). Momentalisht, jam duke menaxhuar një projekt në fushën e marketingut digjital dhe jemi në kërkim të një dizajneri me orar të plotë. Puna mund të bëhet edhe nga shtëpia. Ju lutem më njoftoni ne rast se jeni e interesuar të bëheni pjesë e projektit dhe mund ta caktojmë një takim që t'i diskutojmë të gjitha detajet. Me respekt, (Emri dhe mbiemri) E-mail kontrollues: Përshëndetje Znj. Ana, Shpresoj që jeni mirë. Desha vetëm të sigurohem nëse i keni pranuar listat e kandidatëve të përzgjedhur. Gjithashtu, sa i përket takimit tuaj me z. Gashin - nuk e kemi caktuar ende një datë të fundit. A mund të më njoftoni cila prej datave është më e konvenueshme për ju për ta mbajtur takimin, 7 apo 8 tetor? Falemnderit shumë! (Emri dhe Mbiemri) Aftësitë në shkrimin e një emaili profesional janë shumë të nevojshme në ditët e sotme, qoftë nëse jeni në marrëdhënie pune ose jo. Prandaj, është e nevojshme që të praktikoni sa më shumë. Përdorni këshillat dhe shembujt e mësipërm dhe do të përpiloni emaile sa më profesionale në çdo komunikim. 
Lexo më shumë
8 aplikacione ideale për menaxherët e rrjeteve sociale
Përderisa punojmë në ekipe dhe krijojmë kampanja të reja nëpër rrjetet sociale, poashtu mundohemi që ta kryejmë punën tonë në mënyrë sa më efikase. Përdorimi i aplikacioneve moderne është i domosdoshëm nëse dëshirojmë që puna jonë të ketë paraqitje sa më të mirë. Këtu është lista e aplikacioneve që mund t’i përdorni nëse punoni në menaxhimin e rrjeteve sociale që përveç se lehtësojnë punën tuaj, janë poashtu mjaft të lehta për tu përdorur. 1. Buffer Me karakteristika të fuqishme planifikimi tërheqëse dhe moderne në pothuajse të gjitha platformat e rrjeteve sociale Buffer është njëri nga aplikacionet më të dobishme për organizimin e kalendarit tuaj të rrjeteve sociale. Ju mund të keni qasje në Buffer gjithashtu edhe përmes telefonit tuaj dhe t’i organizoni postimet tuaja nëpër platforma. Buffer gjithashtu siguron analitikë duke përdorur analitikat e saj mbi veprimtarinë e arritur nga miliona postime, siç janë ditët dhe periudhat kur është ideale për të postuar. 2. BuzzSumo BuzzSumo është një aplikacion inovativ i rrjeteve sociale që ju ndihmon të kuptoni për materialet që janë më atraktive nëpër platforma të ndryshme. Për menaxherët e rrjeteve sociale ky aplikacion gjithashtu ju lejon të shihni se në cilat fusha ka interesim në tema të caktuara, duke ju lejuar të përsosni strategjinë tuaj bazuar në informatat që merrni rreth trendeve të fundit. 3. Analytics Ky aplikacion luan një rol të rëndësishëm në vendimmarrje në botën e rrjeteve sociale. Analytics ju ndihmon të kuptoni sjelljen e audiencës tuaj, performancën e postimeve tuaja, demografinë dhe krahasimin e të dhënave me periudhën e mëparshme. E gjithë kjo mund të bëhet manualisht përmes faqeve të analytics në Twitter, Instagram, Facebook, Pinterest dhe Linkedin ose mund të automatizohet për të parë raporte domethënëse të konsoliduara. 4. Unsplash Nëse keni vështirësi të gjeni foto me rezolucion të shkëlqyer për t'ja bashkangjitur materialeve tuaja, Unsplash është një platformë me fotografi në internet që është krijuar nga mbi 100,000 fotograf profesionist nga e gjithë bota. Më saktësisht, ky Unsplash ju mundëson të shkarkoni, modifikoni, shpërndani dhe përdorni fotografi nga platforma e saj falas. Ky aplikacion përmban më shumë se 690,000 imazhe që mund t'i përdorni për qëllime të ndryshme tregtare apo për reklamim. 5. Canva Nëse jeni një ekip i vogël dhe ju pëlqen të kontrolloni veprat artistike që dalin në rrjetet tuaja sociale, Canva është zgjidhja për të gjitha nevojat tuaja të dizajnit grafik. Ky aplikacion është aq i thjeshtë sa që me vetëm disa klikime ju jeni në gjendje ta shfaqni kreativitetin tuaj. Canva ofron modele në rezolucione të sakta siç kërkohen nga rrjetet specifike sociale. 6. Easil Edhe pse Easil është pothuajse i ngjashëm me Canva. Ky aplikacion ka dizajne të mahnitshme për storje në Instagram që ju mundëson krijimin e dizajneve mjaft atraktive. Easil ofron mundësi të sofistikuara që janë të lehta për qasje. 7. CloudApp CloudApp është një regjistrues ekrani i lehtë për t’u përdorur që ju ndihmon të krijoni regjistrimin e videos HD, të përdorni kamerën në internet në regjistrimet e ekranit tuaj, të ruani fotografi të ekranit, si dhe të krijoni GIF-s kreative që t’ja bashkoni publikimeve tuaja. 8. Clocker Për një biznes, është e rëndësishme që postimet tuaja të dalin kur audienca juaj është më së shumti aktive. Clocker është një aplikacion për MacOS që ju lejon të monitoroni zona të shumta kohore. Zgjidhni kohën tuaj lokale, shkruani zonat kohore që dëshironi të gjurmoni dhe përdorni Future Slider për të kontrolluar dhe aranzhuar kohën tuaj lokale me kohën që dëshironi të postoni për rajone të veçanta./AkademiPune
Lexo më shumë
SI TA SHKRUAJMË NJË CV PROFESIONALE?
CV është term latin - curriculum vitae, që në shqip do të thotë shtegu i jetës sime apo rrjedha e jetës sime. Ky term përdoret për dokumentin ku shkruhen të dhënat personale dhe profesionale të një individi. CV-ja është dokument shumë i rëndësishëm që përdoret kur duam të aplikojmë për ndonjë vend pune. Si i tillë, duhet të shkruhet në mënyrë sa më profesionale. Para se të shkruhet një CV, është mirë që të hulumtohet se çka po kërkon kompania ku ju dëshironi të aplikoni për punë. Pastaj ju mund ta dini saktë se cilat kualifikime apo aftësi që ju i posedoni, i përshtaten edhe kompanisë. Çka duhet të ketë një CV e mirë? Cilësia e CV-së varet nga përmbajtja, drejtshkrimi, estetika dhe kronologjia. E një CV cilësore rritë shancat për punësim.  Një CV e mirë duhet të përmbajë: Të dhënat personale. Këtu hyjnë emri dhe mbiemri,  data e lindjes, numri i telefonit, e-maili dhe adresa e vendbanimit. Të dhënat profesionale. Këtu hyjnë përvoja e punës, edukimi, kualifikimet si dhe çdo lloj reference të cilën ju e posedoni. Shkruani të gjitha punët që keni pasur. Tek pjesa e të dhënave profesionale duhet të shënohen saktësisht të gjitha punët të cilat ju i keni bërë që nga fillimi i karrierës suaj deri në momentin kur aplikoni për një punë tjetër. Punët të cilat i përshtatën fushës në të cilën po aplikoni duhet t’i vendosni sa më lartë në CV. Ato që nuk lidhen me fushën apo pozitën e punës në të cilën aplikoni, nuk është se iu interesojnë shumë punëdhënësve tuaj potencialë. Shkruani edukimin tuaj. Edukimi luan një rol kyç kur shqyrtohet një CV. Në fillim, shkruani nivelin e shkollimit që keni kryer si: shkolla fillore, e mesme apo universiteti. Të gjitha nivelet duhet të shkruhen në mënyrë kronologjike. Pas shkollimit, cekni kurset apo trajnimet që keni kryer, gjithmonë duke i shoqëruar edhe me të dhëna tjera si emrin e kursit apo trajnimit, kohën kur e keni mbajtur trajnimin si dhe emrin e institucionit që e ka organizuar atë. Nënvizoni aftësitë apo shkathtësitë tuaja. Aftësitë është e preferueshme t'i përshtaten pozitës për të cilën po aplikoni. Varësisht nga formati i CV-së, tek aftësitë mund të cekni edhe gjuhët e huaja të cilat i flisni ani pse gjuhët mund të jenë edhe si rubrikë e veçantë. Përmendni çertifikatat që keni pranuar gjatë karrierës suaj. Cekni se çfarë lloj çertifikate keni marrë, emrin e institucionit nga i cili e keni marrë atë çertifikatë si edhe kohën kur e keni pranuar atë. Interesimet apo hobitë tuaj poashtu mund të kenë rëndësi për një kompani. Kësisoj, varësisht nga kërkesat e kompanisë, ju mund t'i shënoni interesimet apo edhe anët tuaja të forta - gjë që mund të ndikojë për mirë në punësimin tuaj. Edhe kandidatët më të mirë mund të diskualifikohen nëse aplikojnë për një vend pune me një CV të shkruar me gabime. Prandaj, kur shkruhet një CV duhet të analizohet me detaje. KosovaJob ju sjell disa sygjerime, të cilave nëse u përmbaheni mund të shmangni diskualifikimin tuaj. Mos e përdorni të njejtën CV për secilën pozitë që aplikoni. Mos e shkruani CV-në duke përdorur një gjuhë jo të duhur. Kushtoni rëndësi email-it personal nëpërmjet të cilit ju e kryeni aplikimin - mos e dërgoni CV-në tek punëdhënësi nga ndonjë email që mund të jetë i papërshtatshëm. CV-ja mos të jetë e gjatë më shumë se dy faqe. Në një CV mos përfshini: Përvojat e punës të cilat janë të parëndësishme. Arritjet të cilat mund të mos konsiderohen saktësisht arritje Informacione shumë private (orientimin seksual apo bindjet fetare). Për të krijuar një CV profesionale, kliko: https://kosovajob.com/krijo-cv
Lexo më shumë
KosovaJob është rrjeti më i madh i punësimit në Kosovë, i çertifikuar nga Bureao Veritas me ISO 9001: 2015 për Menaxhimin e Cilësisë.