Çka janë shkathtësitë e transferueshme?

9 Janar '20

Çka janë shkathtësitë e transferueshme?
	 	 

Shkathtësi të transferueshme konsiderohen të gjitha ato aftësi të cilat janë të rëndësishme dhe iu ndihmojnë në fusha të ndryshme të jetës, qoftë sociale, qoftë profesionale. Ato ndryshe quhen edhe “aftësi të lëvizshme”.

Kur aplikohet për punë, shumica e njerëzve në aplikim flasin kryesisht për aftësitë e tyre të transferueshme sepse edhe punëdhënësit kërkojnë punëtorë që posedojnë aftësi.

Të gjithë njerëzit kanë përvoja të ndryshme në jetë dhe secili në rrugëtimin e vet ka zhvilluar aftësi nga më të ndryshmet. Prandaj, është e rëndësishme të dini se cilat aftësi i posedoni dhe si mund t’i përdorni në karrierë, pra cilat aftësi mund t’i transferoni tek punëdhënësit tuaj të ardhshëm. Shkathtësitë e transferueshme mund të aplikohen në çdo profesion dhe çdo kompani.

Cilat janë aftësitë e transferueshme?

Disa prej shkathtësive të transferueshme të cilat i kërkojnë punëdhënësit tek punonjësit potencialë janë si vijojnë:

  • Komunikimi
  • Organizimi
  • Puna grupore
  • Përshtatshmëria
  • Udhëheqja
  • Kreativiteti
  • Mendimi kritik

Duhet nënvizuar se të gjitha shkathtësitë lidhen ngushtë me njëra tjetra. P.sh, udhëheqja e mirë vjen me komunikimin dhe organizimin e mirë, ose një lidhje të ngushtë kanë mendimi kritik me kreativitetin.

Komunikimi

Një ndër aftësitë më të kërkuara nga punëdhënësit në ditët e sotme është komunikimi. Aftësitë e komunikimit ju ndihmojnë të përçoni mesazhin adekuat, të dini se si ta bëni pyetjen e saktë dhe të shmangni keqkuptimet me të tjerët. Te pjesa e komunikimit hyjnë edhe disa aftësi të tjera, siç janë:

Komunikimi verbal. Duhet të tentoni të jeni të qartë dhe të sakte, si dhe të dini se kur duhet thënë diçka dhe kur jo.

Komunikimi i shkruar. Një ndër mënyrat për të pasur sukses në karrierë pavarësisht profesionit, janë aftësitë për të shkruar saktë, qartë dhe konciz.

Dëgjueshmëria. Aftësitë e dëgjimit janë po ashtu shumë të rëndësishme për të pasur një karrierë të suksesshme. Duke dëgjuar me kujdes, merret mesazhi i qartë, shmangen keqkuptimet dhe arrini ta kuptoni këndvështrimin e secilit.

Organizimi

Një person i organizuar mirë, do të ketë gjithmonë më shumë gjasa të mbërrijë t’i përfundojë në kohë detyrat që i caktohen, duke i ndjekur udhëzimet e dhëna dhe duke mos krijuar stres. Aftësitë e organizimit lidhen ngushtë edhe me menaxhimin e kohës. Nëse jeni të aftë ta menaxhoni kohën si duhet dhe të organizoheni mirë, pra nëse i zhvilloni të dyja këto aftësi, atëherë gjasat që të keni një karrierë të suksesshme janë shumë të mëdha.

Puna grupore

Këtu hyjnë aftësitë për të punuar në grup në arritjen e një qëllimi të caktuar. Puna grupore kërkon respekt, dëgjim të kujdesshëm dhe pranim të të gjitha këndvështrimeve.

Përshtatshmëria

Tek kjo pjesë hyjnë aftësitë të cilat njerëzit mund t’i përdorin për të punuar pavarësisht nëse ndërrohet ekipi, nëse ndërrohen projektet apo menaxhmenti. Punëdhënësit duan të punësojnë kandidatë të cilët janë fleksibil pavarësisht ndryshimeve që mund të bëhen brenda kompanisë.

Udhëheqja

Aftësitë e udhëheqjes mund të transferohen në shumë industri, shumica e punëdhënësve duan njerëz që mund t’i organizojnë ekipet, në mënyrë që të arrihen qëllimet e përbashkëta.

Kreativiteti

Kreativiteti përfshin aftësinë e një personi që idetë që vijnë në jetë t'i zhvillojë në mënyrë strategjike. Kreativiteti lidhet me mendimin kritik, aftësinë për të bërë disa punë në të njejtën kohë, punën grupore dhe aftësitë e udhëheqjes.

Mendimi kritik

Mendimi kritik iu ndihmon që të mendoni logjikisht dhe në një mënyrë më të qartë të vini tek zgjidhja. Është aftësia për të analizuar në mënyrë objektive informacionet që të vini deri tek një gjykim i arsyeshëm.

Pse janë të rëndësishme shkathtësitë e transferueshme?

Pavarësisht përvojave, shkathtësitë e transferueshme mund t’iu ndihmojnë të merrni një vend pune. Nëpërmjet këtyre shkathtësive, ju do të mund të tregoni se pse jeni të përshtatshëm për atë pozitë. Këto shkathtësi janë shumë të vlefshme për punëtorët. Meqënëse janë shkathësi të transferueshme, përmes tyre ju mund të tregoni se çka mund të sillni në një vend të ri të punës apo çka keni fituar nga përvojat e mëparshme. 

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2022 - KosovaJob LLC