Fikret Zendeli, shqiptari i së “Premtes Sociale”

25 Gusht '22

Fikret Zendeli, shqiptari i së “Premtes Sociale”
	 	 

Si i lindur në një fshat të vogël të Gostivarit, Fikret Zendeli e mori gjithë dashurinë dhe strehën e sigurt nga familja e tij. Mënyra se si ai u rrit do ta frymëzonte vite më vonë për të kontribuar për komunitetin, jo vetëm thjesht duke marrë disa punonjës në punë, por bashkë me këta punonjës të fillonin diçka që do të bënte bujë edhe përtej Ballkanit.

Si prirës i kompanisë së tij për ndërtim dhe projektim Breon, Zeneli ndërmori një nismë të quajtur “Social Friday”, e cila i frymëzoi edhe shumë kompani të tjera në vende të ndryshme të botës për ta bërë të njëjtën.

Ai tregon se si një ditë ishte duke e lexuar një hulumtim nga kompania British Airways. Në atë artikull thuhej se fundjava për punonjësit fillon në orën 2:39 në pasditën e së premtes. Pjesa tjetër e orarit në punë është jo produktive dhe punonjësit janë atje pothuajse vetëm fizikisht. 

“Teksa lexoja artikullin, mendova me vete me një buzëqeshje, nëse ky është rasti në British Airways, atëherë vështirë se do të jetë ndryshe në kompaninë time, kështu që le ta përdorim këtë fakt për të bërë diçka më domethënëse për kompaninë, si komunitet ku jemi pjesë”, kujton Zendeli për Akademi Pune.

Nisma “për të bërë sa më shumë të mira nëpër botë”, siç thotë sipërmarrësi shqiptar, përfshin gatimin për të pastrehët, ndërtimin e kabinave për qentë e rrugës, vizitat në shtëpinë e të moshuarve, pra gjithçka të kësaj fryme, sepse siç thotë Zendeli “të bësh mirë nuk njeh kufij”.

Fikret 2

PSE KOMPANITË DUHET TA BËJNË TË NJËJTËN GJË?

Meqenëse orët e pasditës të së premtes rrjedhin pa u vërejtur nëpër rrjete sociale, duke biseduar me miqtë ose duke bërë plane për fundjavën, në gjëra plotësisht jo produtkive, Fikret Zendeli thotë që kjo është koha për të bërë shumë gjëra produktive në të njëjtën kohë: të krijoni diçka për frymën e ekipit, për ndërgjegjësimin e markës dhe në të njëjtën kohë për një shoqëri më të mirë.

“Ne i shesim shërbimet dhe produktet tona kësaj shoqërie në këtë planet (nuk kemi një planet tjetër ku mund të shesim produktet tona). Sa më mirë të jetë kjo shoqëri, aq më mirë është edhe ekonomia jonë, dhe ne mund dhe duhet të kontribuojmë të gjithë me diçka. Duhet të përdorim energjinë dhe burimet tona për të udhëhequr me shembull”, shprehet ai.

KUSH ËSHTË FIKRET ZENDELI?

Fikreti ishte vetëm 9 vjeçar në vendlindjen e tij të ngrohtë në Cegran të Gostivarit, kur për herë të parë u ballafaqua me ndjenjën e pasigurisë në një vend. Themelet e Jugosllavisë në atë kohë filluan të shkërmoqeshin. Kjo bëri që babai i Fikretit të kthehej nga Zvicra ta merrte familjen për ta siguruar nga një e ardhme e mjegullt.

Atje Fikreti i ri u njoh me një botë krejtësisht ndryshe.

“Fëmijëria ime në fermën tonë të vogël në Cegrane (Maqedoni) ishte shumë e strehuar, e shkujdesur, e karakterizuar nga shumë dashuri nga nëna dhe gjyshërit, por edhe puna dhe përgjegjësia. Fëmijëria në Zvicër ishte më ndryshe. Koha ishte më e planifikuar dhe kishim më pak kohë për të kaluar me njëri-tjetrin si familje, sepse secili kishte "detyrat" e veta për të kryer”, tregon ai.

fikret1

SI LINDI “BREON”?

Ishte njohja e gjeometrisë dhe matematikës ajo që i vendosi themelet e së ardhmes së sipërmarrësit. Pa atë dije nuk do të merrte jetë as ideja që pati për ta themeluar kompaninë e tij, gjatë një bisede me dy nga kolegët e tij të punës në disa çaste reflektimi.

Zendeli kujton se si ju deshën 4 vjet me radhë për ta formësuar planin për kompaninë e tij me emrin e fisit ndër më të vjetrit në Evropë.

Më në fund, pas më shumë se dy dekadash ai u kthye në Shkup, e këtë herë jo vetëm në gjendje të sigurt, por duke e marrë me vete edhe një ide që do të ishte e suksesshme jo vetëm në Maqedoni, por edhe më tutje.

“Në atë kohë, në fushën e inxhinierisë strukturore, na u dha mundësia të hartonim planet e përforcimit për disa sektorë në stadiumin e Lucernit”, kujton Fikreti fillimin e punës e njëherësh edhe projektin e parë.

Sot kompania ofron shërbime për industrinë e inxhinierisë civile në fushën e inxhinierisë strukturore. Ekipi i Breon-it i trajton të gjitha projektet, madje siç thotë edhe themeluesi i saj edhe projektet sociale që i bëjnë pa pagesë, por më një dëshirë dhe përkushtim të jashtëzakonshëm.

Është pikërisht kompania e Fikretit që u përfshi në projektet e rindërtimit në Bahnhofstrasse 32 dhe 53 në Cyrih, në një nga tri rrugët më të shtrenjta në botë! Madje ai është një nga të paktët të industrisë së tij në rajon që e përdorë teknologjinë e re të të modelimit të të dhënave tridimensionale të ndërtesave.

fikret3

CILA ËSHTË KULTURA E NJË KOMPANIE KAQ TË SUKSESSHME?

“Vizioni/kultura jonë përbëhet nga tri shtylla: Ne i përgjigjemi besimit me cilësinë më të mirë të mundshme; ne investojmë në të ardhmen tonë dhe kujdesemi për kushtet më të mira të mundshme brenda kompanisë; ne jemi pjesë e komunitetit tonë dhe kujdesemi për të”, thotë kryeu i Breon.

Një kompanie si ajo e Breon-it sigurisht që i nevojitet motivimi, i cili fillimisht vjen nga motivimi i kreut të saj. Ai thotë që ndihet i motivuar nga konkurrenca dhe vullneti për ta prodhuar cilësinë e nivelit më të lartë, ndërsa sa i përkët ekipit të tij ka tjetër mendim.

“Në thelb, unë e shoh rolin tim parësor jo si një motivues, por si një person kontaktues që është aty për t’i ndarë përvojat e tij me anëtarët e ekipit në rast vështirësish”, shprehet Fikreti.

PAK VULLNET PËR TË RINJTË

Për të rinjtë ai ka vetëm një këshillë, në dukje e thjeshtë, por me kuptim të madh:

“Bëhuni ndryshimi që dëshironi ta shihni në shoqëri!”

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2023 - KosovaJob LLC