Rëndësia e burimeve njerëzore për kompanitë dhe vetëdijësimi i punëdhënësve kosovarë

20 Maj '22

Rëndësia e burimeve njerëzore për kompanitë dhe vetëdijësimi i punëdhënësve kosovarë
	 	 

Shumë punëdhënës në Kosovë posedimin e burimeve njerëzore e konsiderojnë luks, e jo si diçka të domosdoshme. Ata mendojnë që rolin e burimeve njerëzore mund ta kryjnë edhe vet, pa pasur nevojë për një ekpert të kësaj fusheje. Arsyet mund të jenë dy: nuk duan të investojnë në diçka që ata mendojnë që janë të aftë vetë për të dhe; e dyta mbase nuk janë në njohuri se cila është dobia e vërtetë e burimeve njerëzore.

Për këtë Gent Shala, bashkëthemelues i kompanisë “Hoja”, na ka treguar në detaje shumë gjëra në lidhje me fushën e burimeve njerëzore.

PSE JANË TË RËNDËSISHME BURIMET NJERËZORE?

Genti thotë që, kompania lulëzon nga punonjësit dhe aspekti njerëzor, pjesa tjetër e zhvillimit teknik është pjesë shtesë e përmirësimit të proceseve.

“Prandaj njerëzit në botën perëndimore thirren aset. Janë pjesë shumë e rëndësishme e zhvillimit të kompanisë edhe e jetëgjatësisë së saj. Kështu që, investimi në burime njerëzore ose mbajtja mirë e burimeve njerëzore asnjëherë nuk është investim i keq. Është investim i mirë që të kthehet në një formë tjetër”, shprehet Genti për Akademi Pune.

Duke qenë se punonjësit janë në qendër të suksesit të kompanisë, besimi në ta është po kaq themelor. Në të kundërtën do t’i dëmtojë burimet njerëzore. Bashkëthemeluesi i “Hoja” thotë se, kur një pronar e ka të vështirë t’ia besojë punën punonjësit të tij kjo e dëmton kompaninë. Pse? Sepse në këtë rast, vetë punonësi e humbet besimin në punën që e bën por edhe besimin në kompaninë ku punon.

Ai thotë se, në bazë të disa statistikave që i kanë bërë si kompani në rrjete sociale, del që paga nuk është faktori kryesor pse punonjësit e lënë punën. Kjo ndodhë për dy arsye.

“E para është që, brenda kompanisë nuk kanë zhvillim të karrierës dhe e dyta është qasja e keqe. Kështu që, burimet njerëzore ndikojnë shumë edhe në mënyren se si një kompani e zhvillon kulturën e saj.”

Pikërisht këto janë arsyet që i dallojnë kompanitë të cilat e kanë departamentin e burimeve njerëzore nga ato që nuk i kanë.

KU DALLON KOMPANIA QË KA DEPARTAMENT TË BURIMEVE NJERËZORE NGA AJO QË NUK KA?

Një kompani e cila ka mungesë të departamentit të burimeve njezore, ka po ashtu mungesë të një kulture të mirë brenda saj. Kjo sjellë efekte të shumta të dëmshme në punonjës. Genti thotë që, pakënaqësia e punonjësve është e para, pastaj krijimi i klaneve ku qeveriset sipas dëshirës e në fund sabotimi i punës nga ana e punonjësve, që është një reklamë shumë e keqe ndaj kompanisë.

E në anën tjetër, një kompani që e ka këtë departament nuk do t’i ndodhte asnjëra nga këto, madje, çdo problem do të zgjidhej në formën më të mirë të mundshme, duke i lënë punonjësit e kënaqur qoftë me punën që e bëjnë, qoftë me kompaninë ku ata performojnë.

VETËDIJËSIMI I KOMPANIVE NË KOSOVË RRETH BURIMEVE NJERËZORE

Me qarkullimet e shpeshta të punonjësve, punëdhënësit tashmë e kanë kuptuar që kostoja është më e madhe gjatë procesit të rekrutimit të një punonjësi pasi e ka lënë punën, sesa nëse e kanë një departament të burimeve njerëzore dhe pakënaqësia ndër punonjës është për shumë herë më e vogël.

Ndonëse në Kosovë kjo duke ende dicka “e re”, Genti thotë që vetëdijësimi ndër kompanitë kosovare ka filluar, edhe pse ka ende hapësirë për ndryshime.

“Vetëm këto pesë vjetët e fundit, kemi parë që çdo ditë e më shumë kompanitë janë duke investuar në krijimin e departamentit të burimeve njerëzore, në trajnime, në rregullim të procesve e rregulloreve që i kanë brenda kompanisë”, tregon ai krahasuar me vendet e punës para një dekade në Kosovë, kur vetëm kompanitë shumë më të mëdha kishin departamentin e burimeve njerëzore.

Ai thotë që, ky vetëdijësim nuk mund të rritet pa u rritur komunikimi në mes të punëdhënësit, punonjësit dhe shtetit.

SI TË BËHET DIKUSH PJESË E BURIMEVE NJERËZORE?

Një punëtor i burimeve njerëzore është në mes të kompanisë dhe punonjësve. Ai është ura lidhëse, e “shpëtimi” për të dyjat. Prandaj, për ta bërë punën e për ta dashur duhet të jeni në gjendje të komunikoni gjatë gjithë kohës me punonjësit për problemet nga më të ndryshmet.

“Për me e dashtë punën në burime njerëzore duhet me qenë edhe person që je pak ekstrovert edhe nuk të pengon puna me njerëz sepse, ke punë çdo ditë me njerëz, me halle të tyre, me probleme brenda kompanisë, shpeshherë edhe me probleme personale që ndikojnë në vendin e punës”, shprehet Genti.

Por, sigurisht dikush i burimeve njerëzore nuk është psikolog, prandaj duhet të ekzistojë edhe vija se deri ku mund të lejohet punonjësi.

Përveç këtyre aftësive, Genti thotë që anëtarët e departamentit të burimeve njerëzore duhet të kenë edhe njohuri bazike në financa dhe si funksionojnë ato, njohja e ligjit të punës e njohja e aspektit teknik.

DIÇKA QË NË TË VËRTETË NUK I TAKON BURIMEVE NJERËZORE

“Autoritetin me marrë edhe me qit prej punës”. Kjo është diçka që Genti thotë që ngatërrohet me burime njerëzore. Në fakt, sipas tij ky autoritet shpesh abuzohet nga personat në burime njerëzore.

“Secili njeri i ka të mirat dhe të këqijat. Qëllimi i njerëzve të burimeve njerëzore duhet të jetë t’i tregojë punonjësit që i paske disa të këqija. Nëse ato të këqija janë diçka që nuk pengojnë shumë, t’i lëmë anash dhe po punojmë me të mirat e tij. Sepse nëse mundohem t’i shohim vetëm të këqijat nuk do të nxjerrim asgjë”.

Prandaj kompanitë duhet t’i konsiderojnë punonjësit si bletët e e saj, ndërsa vendet e punës duhet të jenë strukturat ku punonjësit e lëshojnë mjaltin, ashtu siç është edhe ideja e Hoja. /Akademi Pune

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2022 - KosovaJob LLC