“Puna është gjëja më e lehtë në jetën e njeriut, t’i qasemi punës pa përtaci, ta bëjmë punën me kënaqësi dhe ta duam vendin tonë sikur që e duam vetveten”.
Burim Piraj, pronar i “Meka Halal Food”
Dikur një biznes familjar me vetëm tre punonjës, sot vlerësohet si një nga kompanitë më të mëdha në vend, jo vetëm për numrin e punonjësve, por edhe kushtet e mira të punës që çdokush këtu do t’i lakmonte.
“Meka Halal Food”, është ndër kompanitë më të përfolura në Kosovë, për shumë përfitime që kanë punonjësit e saj. Burim Piraj, bashkëpronar në këtë kompani, ka treguar për Akademi Pune, mbarëvajtjen e biznesit që nga fillimet e tij.
“Veprimtarinë e kemi filluar në vitin 1992 si një punëtori familjare për therje dhe përpunim të mishit e cila në fillim i ka pasur tre punëtorë”, kujton Piraj.
Ai tregon se si dy vitet e para të biznesit ishin mjaft të vështira, për shkak të mungesës së përvojës dhe mosnjohjes së çështjeve që kanë të bëjnë me biznesin e ri. Pas dy vjetësh, në vitin 1994 Piraj tregon, që e kanë hapur një mishtore në qytezën e Sharrit, menjëherë pas hapjes kishte fluks të madh të konsumatorëve. Prandaj, ishte e nevojshme rritja e numrit të punonjësve. Mishtorja pati 8 punonjës deri në vitin 1999.
“Gjatë luftës si çdo firmë pësuam humbje të mëdha sepse, një sasi të konsideruar e mishit ngeli në duar të ushtrisë serbe të cilën, ata e kanë shfrytëzuar për qëllime të veta dhe kurrë nuk patëm rast të kompensohemi. Pas luftës, ne filluam me më pak punëtorë për ta zhvilluar kompaninë shumë. Në vitin 2014 kompania ndahet në tri kompani të ndryshme dhe, fabrika e përpunimit të mishit merr zhvillim edhe më të hovshëm”.
Sot, “Meka Halal Food” ka 80 punonjës, të cilët siç thotë Piraj, punojnë për ta përmbushur misionin e kompanisë: ta dëshmmojnë cilësinë e prodhimeve tona si në vendin tonë, ashtu edhe jashtë Kosovës.
“Edhe pse ka qenë sfidë shumë e madhe ne mendojmë se kemi arritur të thyejmë tabunë dhe sot e konsiderojmë të arritur të madhe atë që prodhimet i kemi më cilësore sesa ato që importohen”, shprehet Piraj.
SI MOTIVOHEN PUNONJËSIT E “MEKA HALAL FOOD”?
Duke qenë dikur një biznes me një numër të vogël punonjësish, Piraj e njeh mirë vlerën që ka secili anëtar i kompanisë në zhvillimin e kompanisë dhe arritjen e vizionit që ata kanë. Duke qenë kështu, përgjatë viteve ai ka punuar në motivimin e tyre, përmes mënyrave të ndryshme, e që kanë rezultuar të suksesshme.
Oraganizimi i trajnimeve motivuese që i ofrojnë kompanitë e ndryshme në vend, trajnimet nga punëdhënësi në vendin e tyre të punës, java 5 ditore e punës dhe orari 8 orësh janë vetëm disa nga mënyrat e motivimit që i aplikon kompania, e përmes të cilave punonjësit ndjejnë kënaqësi.
“Por, ne përveç këtyre organizojmë edhe piknik apo, gjatë Ramazanit, iftar të përbashkët dhe, shumë gjëra të tjera që punëtorët të jenë më të afërt dhe më të motivuar për punë”, thotë Piraj.
CILAT JANË PËRFITIMET E PUNONJËSVE?
Të gjithë punonjësit në “Meka Halal Food” kanë kontratë të përhershme të punës, tregon Piraj. Në kontratë zbatohen në përpikmëri të gjitha ligjet e Kosovës, por nuk mbesin vetëm në letër, sepse të gjitha zbatohen, vazhdon Piraj. “I paguajmë të gjitha kontributet në paga dhe pagën më të vogël neto në firmë për momentin e kemi 400 euro”.
Por punonjësit në këtë kompani nuk i kanë vetëm përfitimet e zakonshme, që i kanë pranuar në kontratë. Ata gjithashtu shpërblehen nga kompania, sepse siç thotë pronari i kompanisë, “produktiviteti vërehet shumë shpejt dhe arrihet të bëhet punë më e madhe me më pak punëtorë të motivuar mirë se me shumë punëtorë të demoralizuar”.
Kompani e produkteve të mishit është e vetmja në Kosovë që i shpërblen punonjësit me pagën e 14-të. Burim Piraj tregon se si erdhi ideja që të jepnin paga shtesë.
“Që nga fillimi i punës e kemi praktikuar që sa herë të ketë punë më shumë se pritjet t’u paguhet shesë në pagën e punëtorëve, nga viti 2016 kemi menduar që është më mirë këto pagesa shtesë t’i përmbledhim si një pagë plus. Në vitin 2017, punëtorët kanë qenë aq të motivuar sa kanë arritur tejkalim plani dhe t’i marrin 14 paga”.
KËSHILLA PËR KOMPANITË
Edhe pse Piraj thotë që secila kompani e ka mënyrën e saj të të funksionuarit, ai ka një këshillë për ta.
“Do t’i këshilloja kompanitë që të merren me burimet njerëzore ashtu siç merren me konsumatorët. Të tentojnë të krijojnë mirëqenie tek punonjësit, ashtu siç kanë dëshirë të krijojnë besim dhe mirëvajtje tek konsumatorët, sepse pa burime njerëzore nuk mund të ketë rezultate të kënaqshme”.
QËLLIMI I KOMPANISË: TË JETË SHEMBULL PËR TË RINJTË
Ndonëse deri tash kompania ka dëshmuar arritje të kënaqshme, ajo ka ende një qëllim që ia ka vendosur vetes. Përveç punësimit sa më të madh të punonjësve, Piraj thotë që “Meka Halal Food” të jetë shembulli për t’i motivuar të rinjtë që edhe ata të hapin biznese të reja.
“Ashtu që një ditë ta zhvillojmë Kosovën dhe ta bëjmë shembull në rajon dhe në botë”, përfundon pronari Burim Piraj.