8 frazat që nuk duhet t’ia thoni asnjëherë shefit

28 Mars '22

8 frazat që nuk duhet t’ia thoni asnjëherë shefit
	 	 

Pothuajse të gjithë gjatë jetës së tyre ndonjëherë i thonë gjërat e gabuara te personat e gabuar, por çka nëse ai person është shefi i tyre? Ato fjalë të gabuara që i thonë mund t’i lënë pa promovim në punë ose më e keqja, gradualisht të mbeten papunë.

Nëse i shmangni 8 fraza të dëmshme në biseda me shefin, do t’i shmangni edhe këto situata.

“Më duhet rritje”

Kujdes kur kërkoni rritje të pagës! Nevoja për makinë të re apo syze të reja për fëmijët nuk është arsye që “ju duhet” rritje e pagës. Kur e kërkoni duhet të jetë një arsye që lidhet me punën, pas gjërave që ke bërë.

Në vend të kësaj fraze thuaj: “Do të doja që bisedoja në lidhje me rritjen e pagës, bazuar në paraqitjen time në punë”. Pastaj përmendi gjërat që i keni bërë për kompaninë dhe kanë sjellë përfitime.

“Nuk mund të punoj me….”

Kjo është fraza më e shpeshtë që e dëgjojnë shefat. Por, nëse flisni keq për kolegun dhe tregoni që nuk keni raporte të mira me të, mund të bini në sy për keq te shefi. Nëse keni problem me dikë në punë, është mirë të flisni drejtpërdrejt me të fillimisht. Sepse, nëse keni raporte jo të mira me dikë në punë do të jeni për keq në vëmendje të shefit.

Në vend të kësaj fraze thuaj: “Agimi vazhdimisht po vonohet që të ma dërgojë raportin, pastaj po mbes edhe unë vonë dhe kjo po ndikon në paraqitjen time në punë.”

“Nuk është faji im”

Kur diçka nuk po shkon mirë në punë, nuk duhet ta drejtoni gishtin tek të tjerët. Duhet t’i merrni vetë përgjegjësitë për projektet. Por, nuk duhet thjesht ta pranoni fajin, por edhe të shpjegoni çfarë e ka sjellë rënien dhe si do t’i përmirësoni gabimet.

“Gjithmonë e kemi bërë kështu”

Askush nuk dëshiron të punojë me dikë që reziston të ndryshojë. Menaxherët duan punonjës fleksibil që përshtaten dhe gjejnë mënyra të reja për t’i bërë gjërat në mënyrë më efikase.

Prandaj, kur punëdhënësi jua kërkon që të bëni diçka ndryshe, mos u ofendoni por, merreni me pozitivitet.

Thuani: “Kjo është një ide shumë e mirë. Do të doja ndonjë rekomandim për mënyrën e re, meqenëse më herë e kemi bërë ndryshe.”

“Kjo nuk është pjesë e punës sime”

Asgjë e mirë nuk vjen duke i thënë shefit që nuk do të bëni diçka sepse, nuk është pjesë e përshkrimit të punës. Pavarësisht se për çfarë jeni punësuar për të bërë, duhet të jeni në gjendje për të kontribuar për ekipin me çfarëdo që mundeni.

E nëse shefi të thotë të bësh diçka, por ajo detyrë i shkon më shumë kolegut, bazuar në fushën që e mbulon, atëherë është më mirë t’ia thoni atij.

Thuaj: “Jam i/e lumtur që të merrem me këtë çështje! Kjo është një dytyrë që zakonisht merret Agroni, nëse pajtoheni, do t’i thoja atij të vazhdonte ta bënte, por sigurisht edhe unë jam në gadishmëri dhe me kënaqësinë më të madhe do ta bëja.

“Kjo shkon përtej pagës që marr”

Nëse punëdhënësi jua kërkon që të punoni diçka, për të cilën besoni se shkon përtej pozitës që keni, duhet ta shpjegoni çështjen. Por çelësi është të dini me çfarë toni ta bëni.

Thuaj: “Nuk mendoj që e kam autoritetin e nevojshëm që ta marr atë vendim. A mendon që do të ishte më mirë që këtë detyrë ta marrin personat përgjegjës?”

“Kam mjafueshëm punë”

Shumë njerëz mendojnë që nëse nuk i pranojnë projektet dhe detyrat e reja, mund të shihen si dembelë ose punonjës që nuk performojnë mjaftueshëm. Por, është më e rëndësishme që të mos mbingarkoheni me punë e të mos e bëni pastaj asnjë detyrë.

Prandaj edhe kjo e kërkon një përgjigje neutrale dhe të menduar mirë.

Thuaj: Nuk mendoj që kohëve të fundit mund të marr detyra të reja, sepse mund të mos arrij t’i përfundoj të tjerat. Por, nëse është primare, a mund të më ndihmosh që t’i riorganizoj ato detyra në të cilat jam duke punuar?

“Jam mërzitur”

Nëse po e gjeni veten duke qëndruar para kompjuterit duke mos bërë asgjë, është përgjegjësia juja të gjeni diçka për ta plotësuar kohën, por nëse thjesht thoni: “Nuk po rrihet” kjo fillontë bëhet problem i shefit.

Taktika më e mirë është që të shihni nëse shefi ka ndonjë detyrë që mund t’jua kalojë juve. Ose nëse ka ndonjë punë interesante kërkoni që ta bëni edhe ju! /Akademi Pune

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2022 - KosovaJob LLC