Liburn Dema, i vetmi mashkull që e ushtron profesionin e mamisë në Kosovë

18 Mars '22

Liburn Dema, i vetmi mashkull që e ushtron profesionin e mamisë në Kosovë
	 	 

Në orën 7:00 të mëngjesit nuk fillon vetëm dita e punës për Liburnin, por edhe jeta e dhjetra foshnjave që, ai me kujdes të veçantë i ndihmon të dalin në një botë të re e plot dritë.  Liburn Dema është i vetmi profesionist mashkull që e ushtron profesionin e mamisë në Kosovë. Këtë ai e bën më një dashuri të pakrahasueshme, pavarësisht paragjykimeve me të cilat është përballur që nga fillimi.

“Jam paragjykuar më shumë në rrjete sociale. Paragjykim direkt kam pasur vetëm një herë, edhe atë nga një gjinekolog në fillim të studimeve të cilin nuk do ta harroj kurrë, edhe pse sot punoj me të. Përndryshe, kur flas direkt me dikë, sidomos nga gjinia mashkullore është e mirëpritur”, tregon Liburni për Akademi Pune.

Ai e dinte qëmoti forcën e lindjes së një jete të re, pafajësinë e mbi të gjitha dashurinë që arrijnë këto foshnja ta shpërndajnë në mjedisin rrethues, prandaj edhe filloi ta studionte drejtimin e mamisë.

Profesionin e mamisë e zgjodha sepse ishte një drejtim i veçantë dhe kisha shumë dëshirë ta studioja, nga vetë fakti që mamitë kanë një rol shumë të madh në të gjitha repartet, ku aty punohet duke filluar nga dita e parë e shtatzanisë apo, edhe gjitha trajtimet gjinekologjike”, shprehet ai.

Liburn Dema

32 vjeçari nga Gjilani, rrëfen se i kishte vetëm 2 vjet kur familja e tij kishte mërguar në Gjermani, duke e kaluar një pjesë të fëmijërisë së tij atje. Menjëherë pas luftës në Kosovë u kthyen në vendlindje, duke u përshtatur me një realitet të ri, diçka që vlente sidomos për Liburnin. “Nuk dija asgjë për Kosovën”, shprehet ai.

Gjersa vitet kalonin, Liburni filloi natyrshëm të ambientohej me vendin e lindjes së tij. Vazhdoi shkollimin në Gjilan, pastaj në Prishtinë, për t’i përfunduar studimet në Fakultetin e Mjekësisë, në drejtimin mami. Por, një ditë 8 vjetët që i kaloi në Gjermani do t’i hynin në punë.

Liburni tregon që kishte arritur ta mbante gjuhën gjermane të freskët, duke i dhënë mundësi të punësohej në një nga kompanitë ndërkombëre, e cila e zhvillon veprimtarinë e saj edhe në Kosovë.

Puna në Teleperformancë ,është puna e dytë që e bën ai, pothuajse krejtësisht ndryshe nga ajo e para.

SI ËSHTË NJË DITË E LIBURNIT?

Dita e Liburn Demës fillon herët në mëngjes, kur dielli nuk është ende i lindur ose, veçse i ka zgjatuar rrezet e tij “të para”. Për të, ditët janë të ngjeshura me punë, e me vajtje – ardhje në mes të Gjilanit e Prishtinës.

Unë zgjohem në 5:40 në mëngjes dhe bëhem gati për punë në orën 6:00 takohem me Dr.Arianit Sherifin (Gjinekolog) me të cilin nisem për në punë nga Gjilani për në Prishtinë. Në orën 7:00 filloj punën, ku bëhet përgatitja e sallës së operacioneve, ku ne çdo dite duhet t’i kryjemë operacionet gjinekologjike, të cilat janë në program ditor. Në orën 14:00 përfundoj punën në spital, pastaj kthehem në Gjilan dhe aty fillon puna e dytë, një punë krejt tjetër që thuajse nuk të bëj asgjë me punën e parë, pra shërbimi i klientave gjermanë”, e tregon një ditë të zakonshme të tij.

liburn

NË SPITAL APO NË TELEPERFORMANCË?

Komunikimi me gratë shtatzëna dhe ndihma e tij është puna që e bën të ndihet më mirë, sepse është një punë që është shumë njerëzore dhe shpëton jetë, thotë Liburni. Por, as punën në si agjent ai nuk e konsideron si dytësore.

Teleperformanca është një familje e madhe, e cila më ka përkrahur shumë”, pohon punonjësi i saj.

E pavarësisht që këto dy punë janë shumë të ndryshme, Liburni i bashkon me një ndjenjë shumë të fuqishme, që është vullneti për një jetë më të mirë për vetën dhe pasardhësit tanë”.

KËSHILLA PËR TË RINJTË

Liburni është ndoshta personi më i duhur për të dhënë një këshillë për të rinjtë, sidomos për meshkujt. Ndonëse në dukje e thjeshtë, ajo vjen nga përvoja e drejtpërdrejtë e tij.

Vetëm ecni ëndrrat që e keni mos dëgjoni shumë çka thojnë të tjerët sepse, në fund të fundit jeta është e jotja”. /Akademi Pune

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2023 - KosovaJob LLC