Vita Guhelli, sopranoja kosovare pjesë e jurisë në “Viva la Musica” në Spanjë

15 Mars '22

Vita Guhelli, sopranoja kosovare pjesë e jurisë në “Viva la Musica” në Spanjë
	 	 

“Muzika është gjuha universale e njerëzimit.”

                             - Henry Wadsworth Longfellow

Notë pas note, hapësira e dhomës mbushet dalëngadalë me zërin e saj të ngrohtë. Embël lidhen rrokjet, fjalët e fjalitë duke u dhënë hijeshi e duke i bërë të gjithë ata që janë të pranishëm të ngazëllehen apo të bien në melankoli, ndjenja që vetëm muzika klasike di t’i sjellë.

Vita Guhelli, me një rrjedhshmëri dhe pastërti të pabesueshme të fjalëve, u bë një ndër sopranot më të njohura në Kosovë, duke u bërë edhe mysafire në jurinë e festivalit të shumënjohur të muzikës klasike “Viva la Musica” në Spanjë.

Atje, ajo nuk do të interpretojë, por do të ketë një rol më të rëndësishëm dhe të vështirë njëherësh, atë të vlerësimit të pjesëmarrësve.

Por, kush është Vita Guhelli?

Vita Guhelli është rritur në një familje artisësh, shtëpia e të cilëve në çdo cep të shtëpisë ka pasur ndonjë instrument muzikor të babait e, gjithmonë ka kumbuar nga zëri i bukur i nënës. Ky është kujtimi i Vitës, sa herë që mendon për fëmijërinë dhe rininë e saj të hershme. Pas kësaj, i gjithë shkollimi i saj është orientuar në muzikë e solo-këndim në qytetin e saj të lindjes, në Prizren.

“Duke pasur një dashuri të veçantë për operan, si dhe synimit për të pasur një formim akademik në këtë drejtim, shkollimin tim e kam vazhduar në nivelin bachelor dhe në atë master, në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, kështu duke e përmbyllur dhe kurorëzuar me sukses rrugëtimin tim akademik me studimet e doktoraturës po për Solokëndim, në Sofje të Bullgarisë”, tregon e saj Vita.

Për Akademi Pune, ajo tregon që megjithëse vitet e shkollimit nuk janë të thjeshta, për shkak të përkushtimit të jashtëzakonshëm që kërkohet, ajo ndihet e plotësuar dhe e shpërblyer nga puna si mësimdhënëse që e bën, “aty ku ndjenja e përgjegjësisë për të pasur një përgatitje profesionale është e madhe”, thotë Vita.

Për Vitën nuk pati një moment që iu ndez drita e gjelbër, për ta kuptuar se muzika përveçse pasioni do të ishte edhe profesioni i saj. Ajo ka qenë gjithmonë e dhënë pas artit dhe, muzika “ka lindur bashkë me mua”, thotë ajo.

E, duke i parë aftësitë e së bijës, artistja thotë që nëna e saj ka qenë shtytësja më e madhe për t’i mbrehur aftësitë e saj në këtë fushë.

“Muzika shpreh atë që është e pamundur të thuhet e mbi të cilën është e pamundur të heshtet"

Kjo shprehje e Viktor Hygos, te përmbledhë gjithë mendimin e Vitës për muzikën klasike. Duke e pasur një dashuri të tillë, ajo është e palodhme në ushtrimin e profesionit dhe nuk ka asnjë dyshim që një ditë do t’i shpërblehet.

“Vullneti dhe ambicia për të praktikuar profesionin nuk më kanë munguar asnjëherë, ndaj dhe jam optimiste që puna dhe mundi do të më shpërblehet”, uron Vita.

Megjithëse sopranoja ka arritur në një stabilitet nuk e ka ndërmend të ndalet. Madje, do të sjellë diçka shumë të këndshme.

“Synimi im në vazhdimësi është të sjellë disa projekte muzikore të cilat promvojnë veprat shqiptare në veçanti”, tregon për Akademi Pune, Vita Guhelli.

Vita

Dashuria – motivi i Vitës

Dashuria është ajo që e rrethon Vitën dhe i jep gjallëri. Dashuria nga familja e saj dhe nga shoqëria, përpkrahja e tyre gjatë rrugëtimit i kanë dhënë kuroja që të mos dorëzohet asnjëherë, prandaj ka ende ëndrra kaq të mëdha e të freskëta.

Jam e bekuar që jam e rrethuar me njerëz të mrekullueshëm”, shprehet mësuesja e muzikës.

Një ditë plot gjëra për të bërë

Dita e Vitës është e ngjeshur, por e ngjeshur me gjëra të bukura. Ajo tregon që 24 orëshi i ditës së saj kryesisht kalon me përgatitje.

Është një ditë e zakonshme! Nuk zgjohem shumë herët, mundohem të ushqehem sa më shëndetshëm, gjatë kohës së lirë lexoj ndonjë libër, gjatë qëndrimit në shtëpi më pëlqen të dëgjoj arie operistike derisa kryej ndonjë punë,  puna ime si mësimdhënëse fillon zakonisht pasdite andaj para se të shkoj mundohem ti përkushtohem vetes më aspektin profesional,duke mësuar materiale të reja muzikore dhe ushtrime të zërit”.

Gjerë në përsosmëri të zërit...

Feim Ibrahimi është njëri ndër kompozitorët shqiptarë me këngët e të cilit është rritur, tregon Vita, ndërsa, që në kohën kur ajo filloi të studionte për solokëndim, ishte G. Puccini ai që e bëri t’i studionte “me ëndje ariet operistike”.

E, për sa kohë ka nevojë dikush që ta përsosë zërin deri në shfaqje të mëdha, Vita thotë që nuk ka një kohë të caktuar, sepse vetë përsosmëria nuk mund të arrihet.

“Këngëtari zhvillohet gjatë gjithë karrierës së tij muzikore,përsosshmëria nuk ka fund.Nuk mjafton vetëm shkollimi përkatës,ushtrimi i programit muzikor dhe teknikës vokale  në baza ditore mund të rezultoj me një progres të dukshëm por  ky proces është një rotacion i gjatë dhe i pandalshëm,i cili nuk përcaktohet me  një kohë fikse.Është shumë individuale”.

Mungesave e hapësirave, sfidë për artistët e muzikës klasike

Megjithëse artistët e Kosovës me promovimin e muzikës klasike arrijnë të shkojnë përkrah artistëve evropianë dhe atyre botërorë, ata sfidohen vazhdimisht, sepse nuk kanë një hapësirë adekuate, në të cilën mund të rriten e zhvillohen.

“Kosova ka nevojë  për objektet përkatëse si: shtëpinë operistike dhe sallën koncertale në të cilat artistët kosovarë të mund të shprehin talentin dhe të mund të ushtrojnë profesionin e tyre. Institucionalizimi i operës dhe baletit shpresoj të mos mbetet në letër por të jetësohet sa më shpejt të jetë e mundur”, uron Vita.

Çfarë duhet të kenë të rinjtë për të ecur në “notat e muzikës”?

Për fund, Vita ka një këshillë për të gjithë ata që duan ta ndjekin ëndrrën e muzikës klasike.

Ky profesion kërkon përkushtim të madh,ndaj ata që duan të fillojnë këtë rrugëtim i inkurajoj të kenë vullnet, durim dhe mbi të gjitha dashuri për profesionin”, përfundon Vita. /Akademi Pune

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2023 - KosovaJob LLC