“Nëse ti nuk shkon sot në punë, kurrë nuk ke me shku!” Këto janë fjalët që ia tha Arjeta vetes, që sot të jetë burim force, për të gjithë të rinjtë që kanë nevojë për të. Nga një nënë e dërrmuar nga humbja e të birit në moshë të re, ajo u bë ndihmësja dhe mbështetja më e madhe që mund të kenë të rinjtë që gabimisht ranë në grackën e konsumimit të substancave narkotike, dukuri e cila ia la vetëm kujtimet për djalin e saj Riadin.
Sot, Arjeta Musliu, ka hapur qendrën “Ri – Jeta”, një qendër këshillimi, për të rinjtë që kanë filluar t’i përdorin drogat, por edhe për trajnimin e prindërve të këtyre fëmijëve, shërbime këto plotësisht pa pagesë. Për të gjithë rrugëtimin e saj, ajo ka rrëfyer për Akademi Pune, jetën e saj që nga fëmijëria.
Kush është Arjeta Musliu?
Arjeta, tregon që është fëmija i parë në familjen e saj në Ferizaj. Ëndrra e saj e parë kishte qenë që një ditë t’i përkushtohet gjuhës angleze. Ishte “imponimi pozitiv” nga nëna e saj, siç e quan Arjeta që ajo t’ drejtohej fushës së mjekësisë dhe sot të jetë një infermiere e zellshme.
“Nënën e kam nga Maqedonia, është rritur në një kulturë tjetër, bota femrore ka qenë më e kufizuar në atë periudhë. Ëndrra e nënës time, për me qenë një mantilbardhë një doktoreshë, ka mbetur e përgjymsuar. Mandej më ka parë mua si vazhduese e mantilit të bardhë dhe fatmirësisht unë kam arritur ta realizoj këtë”, tregon Arjeta.
Tashmë ajo ushtron dy profesione: infermierinë dhe psikologjinë. Ndonëse ëndrra e parë për studimin e gjuhës angleze ra, ajo e vazhdoi një tjetër ëndërr - studimin e degës së psikologjisë. Kjo ëndërr lindi më shumë nga nevoja që pati dikur Arjeta për t’u njderë e mbrojtur si gjini femrore në qytetin e saj të lindjes. Këtë psikologia nuk e priti t’i vinte nga dikush, por vendosi që ajo të jetë “dikush” që do t’i mbështeste femrat shqiptare.
Se Arjeta është grua e vendosur tregon fakti që ajo psikologjinë e filloi në një moshë tjetër, jo menjëherë pas shkollës së mesme siç ndodhë zakonisht. “Pothuajse paralelisht me vajzën kemi garuar në rrugëtimin e dijes”, kujton Arjeta.
Vendosmëria e madhe që një gjë ta çonte deri në fund, bëri që ajo të vazhdonte menjëherë nivelin master, pas kësaj edhe subspecializmin për arterapi në Maqedoni. E në fund edhe trajnimet profesionale të traumaterapisë, përmes lëvizjes së syve. Tenikë kjo shumë e avancuar, që e përdorin edhe në qendrën Ri – Jeta.
E përveç gjithë arritjeve të saj, ajo ndihet me shumë fat, sidomos për familjarët, miqtë e mikeshat që e rrethojnë, e këtyre njerëzve që e kanë mbështetur që ta kalojë dhimbjen e saj.
“Sepse me jetu prindi pa fëmijë është njëra ndër sprovat dhe dhimbjet më të mëdha që mundet me u përballë individi. Por falë Zotit që ma ka ruajtur mendjen e shëndoshë dhe ma ka shtuar dozën e durimit, përkrahjen, sepse kjo është primare, kur të kupton dhe, kur të mbështetë dikush dhe jam ku jam në shërbim të rinisë dhe qytetarëve të Kosovës”.
Hapja e “Qendrës së Shpresës”
Megjithëse shkaku i lindjes së qendrës së këshillimit është i dhimbshëm, ai gjithsesi mbetet fisnik.
“Pas ikjes fizike të djalit tim, katër vite, mund të them që individi shpërndahet në mijëra copa rreth ambientit ku jeton. E njëjta ka ndodhë edhe me mua. Duhet me kalu nëpër disa faza për ta pranuar realitetin që ka ndodhë. Ne jemi qenie njerëzore dhe nuk mundemi me i ikë, atyre stadeve që duhet t’i kalojmë. Por prap e them që ndoshta nuk di edhe ta përshkruaj si ka ndodhë që të kem forcë kaq të madhe t’i rikthehem normalitetit”, kujton me dhimbje nëna e Riadit.
Edhe pse Arjeta i kishte të drejtat për pushime si punëtor shëndetësor që ishte, ajo tregon që e dinte se nuk duhet të qëndronte në shtëpi. Si psikologe që ishte, ishte e vetëdijshme që izolimi në dhimbje sjellë periudha të stresit, ankthit, madje edhe depresion. “Edhe mendova, duke e vlerësuar të mirat që më rrethonin, unë duhet t’ia nis punës”, tregon karakterin e saj optimist edhe në momentet më dërrmuese të jetës.
Arjeta ende e kujton bisedën torturuese me veten ato ditë kur luftonte me gjithë qenien.
“Ka qenë ditë e mërkurë, isha e dërrmuar në të gjitha aspektet. U nisa deri jashtë që të shkoja në punë dhe u ktheva, më kaploi një ndjenjë e papërshkrueshme dhe thash “Jo, çka më duhet më punu” dhe u ktheva prap në shtëpi. “Nesër kom me shku, sot nuk janë në gjendje” E njëjta ndodhi edhe të nesërmen, dështova. U ktheva në shtëpi. E premtja në mëngjes, dilemë, kompromis me veten. Me një anë i jipsha hapësirë, duke i thënë vetes që është dita e fundit e javës, më mirë që të filloj të hënën, në anën tjetër u nisa dhe i thash vetes “nëse ti nuk shkon sot në punë, kurrë nuk ke me shku”.
Pas “rikthimit” të Arjetës, gjithçka filloi të kthjellohej për të, çdo bisedë me të birin, një djalë që edhe pse nuk gjendet më fizikisht, idetë e tij dhe ndjenjat e mira vazhdojnë ende të rrezatojnë. Arjeta thotë që “doza e krenarisë vjen duke u rritur me djalin tim” e për këtë ajo ka një arsye të fuqishme.
“Vazhdimisht m'u përsëritshin fjalët, kur jemi ballafaquar me shumë vite me mundime me djalin tim që “Mam kemi me bo ni diçka të tillë”. Kemi qenë duke e kërkuar ndihmë në repartin e sëmundjeve të varësisë në nivel të klinikës psikiatrike në Prishtinë. Ndodhi një ditë vikendi, një abstenencë e shkurtër, disa ditë pa drogë për djalin tim edhe i pëlqej shumë ambienti. Aty ishte një shtrat spitali, asgjë nuk pat për t’u përlqyer, por ai dhe shpirti i tij u ndi mirë, edhe tha “mami kemi me bo diçka të tillë të mirë, se po ndihem mirë, edhe profesioni yt ta lejon si psikologe, edhe përvoja jonë shumëvjeçare”, ishte dëshira e tij e madhe për t’i thënë jo drogës”, kujton Arjeta.
Fjalët që do t’i thoshte më pas Riadi, do t’i kumbonin si këmbana në brendësinë e Arjetës, deri në ditën kur e realizoi ëndrrën e kahmotshme të tij.
“Pa menduar dy herë i thash “po mam kemi me e bo”. Ai tha: “kam me qenë unë ai që kam me dëshmu se lihet droga, sepse tha: "mam kam një ushtri me shokë që po e vuajnë sikur unë". Ajo fjali e tij ma dyfishoi përgjegjësinë”, rrëfen psikologia.
T’ia dalësh në një shoqëri që “shumë lehtë gjykon”
Pavarësisht që Arjeta punonte edhe më një orar si infermiere, ishte aq energjike sa të mos e ndalonte kjo që ta çonte “amanetin” në vend. Ajo e kishte vetëm një shqetësim: frikën nga paragjykimi.
“Nuk i frikohesha nevojës, sa kemi me pasë nevojë, por gjithmonë stigmës, që do të na kufizonte, sepse gjithmonë ka qenë e pamundur dyt nana apo dy familje të bisedojnë që fëmija im është përdorues i drogës. Sepse ne shumë lehtë i zgjidhim problemet e të tjerëve, shumë lehtë gjykojmë, shumë lehtë akuzojmë familjen, është fajtor prindi, është nëna, është baba pse nuk është kujdesur, ndërsa plotësisht ndryshe qëndron problematika e konsumimit të drogës”, shprehet Arjeta.
Pasi i bëri disa trajnime në lidhje me përdorimin e substancave narkotike dhe gjetjen e ambientit, Arjeta tregon që filloi të bisedonte për këtë çështje me disa kolegë. “Janë vu baste që nuk do t’ia dal, edhe nëse filloj do të dorezohem shumë shpejt. Jam përgëzuar, jam duartrokitur, për këtë ide timen, kështu që në heshtje me mbështetjen e vajzës time e kemi krijuar këtë ambient ku jemi tash”.
Fati punonte në të gjitha drejtimet që të mos e linte Arjetën në gjysmë të rrugës, me qëllimin e saj aq human të parealizuar. Ajo tregon se si një ditë gjersa ishte në shtëpinë e shëndetit, po bisedonte me shoqen e saj për atë se çfarë po bënte. Rastësisht atje kishte qenë një gazetare lokale që e kishte dëgjuar bisedën e tyre dhe i kishte kërkuar ta bënin një intervistë bashkë. Pas asaj interviste ishte rritur dukshëm interesimi.
Ndenja e përgjegjësisë për Arjetën po rritej me ritme të shpejta. Atëherë, ajo tregon që u detyrua që të shkonte te kryetari i komunës dhe t’i tregonte për risinë që po ndodhte në qytetin e Ferizajt. Një nismë e tillë u mirëprit edhe nga krytari, prandaj u vendos që të bëhej një hapje më solemne.
“Ajo ka qenë një ndër ditët më të lumtura të jetës sime, edhe pse fizikisht ka munguar djali im atë ditë, vullneti është rritë atë ditë”, kujton Arjeta.
Historia e Ditarit të Ditëve të Mira
Ditën e hapjës së Qendrës Ri – Jeta, Arjeta trgon se si pasi kishte përfunduar dita, ajo kishte shkruar disa fjalë në “fletoren e lumturisë”, fletore kjo që për psikologen peshon më shumë se gjithçka tjetër në botë.
“Kam lidhë disa kujtime, disa shkrime të djalit tim në një fletore, ku gjysma ka qenë e mbushur nga ai, dhe gjysmën ma la mua dhe më tha “mami ke me i shkru gjërat më të mira në këtë fletore”. Gjatë një periudhe kur kërkonim trajtim, në mungesë fizike për dy muaj. Ku ru kthye prej atij vendi më tha “mami ma jep fletoren t’shoh çka ke shkru aty”, fletorja ishte e zbrazët. Më tha “pse nuk ke shkru” i thash “tash po më duket herët, edhe unë po du me e mbush me gjëra të mira, kështu që na duhet edhe pak kohë me e kalu këtë situatë”.
Ajo fletore ishte destinuar që të plotësohej edhe me ditën e hapjes së qendrës së këshillimit. Ishte një mjet për t’ia kumtuar lajmin Riadit që dëshira e tij më në fund u bë realitet, përmes qenies më të shtrenjtë që kishte: nënës së tij.
“Atë ditë kur kemi ardhë në orët e hershme të mengjesit ia kam dhënë lajmin ma të mirë të mundshëm, kam shkruar disa rreshta edhe i dëshmova që ai ka një nanë të fortë, vazhdon me jetu e fortë, falë forcës që më ka lënë ai dhe, duke i ndihmu rininë dhe shokët e tij unë çdo ditë po bëhem më e fortë dhe po përmbushem, duke e ndihmu rininë e shtetit tonë dhe më gjerë, sepse nuk është vetëm një i ri që kërkon ndihmë në qendrën tonë. Ne kemi nga Maqedonia, pjesa e Preshevës, Bujanocit, kemi nga Shqipëria. Para disa ditësh pata një familje Ulqini”, rrëfen Arjeta.
“Zhgënjimi im dhe sfida ime është vetëm mungesa e mbështetjes institucionale”
Arjeta apelon që të hapen qëndra të tilla edhe në qytete të tjera të Kosovës. Në mënyrë që të mos kenë nevojë që qytetarë të vendeve të largëta të shkojnë deri në Ferizaj, marrë parasysh që disa mund të mos i kenë as mundësitë.
“Kështu që unë përmes kësaj interviste apeloj që të hapen qendra të tilla. Unë e kam bërë vetëm një hap, pse të marrë mundin një qytetarë i Gjakovës ose i Prishtinës të vijë deri këtu, ku e njëjta qendër mund të funksionojë në çdo qytet”, thotë psikologia.
Ajo tregon se si shumë njerëz profesionistë ia kanë kërkuar që të hapë edhe qendra të tjera, por buxheti dhe kapaciteti i saj nuk ia lejojnë të ndërmarrë hapa më të mëdhenj.
E, pavarësisht se është vetëm një qendër Arjeta tregon që deri tash janë arritur deri në 30 abstenues, të konsumimit të substancave narkotike.
“Fatmirësisht po ndodhë mrekulli çdo ditë, falë besimit dhe vullnetit të atyre individëve që kërkojnë ndihmë, sepse çdo përdorues i drogës kërkon ndihmë. Por ne jemi ata që nuk ua ofrojmë, ndërsa frika mbizotëron te ata persona, sepse janë shumë të gjykuar , të etiketuar, vlerësohem shumë lehtë me fjalët “drogagjinj”, “narkomanë” “drogirashë”, gjykohen dëbohen nga shtëpia, nga familja”, vazhdon Arjeta duke uruar që të vetëdijësohemi si shoqëri, sepse sipas saj, për ta përkrahur në rrugën drejt shërimit nuk ka nevojë të ketë diplomë një person.
Sot, numri i të rinjëve që kërkojën ndihmë është aq i madh, sa Arjeta ka arritur në atë pikë sa nuk ka kohë mjaftueshëm as për familjen e saj. Kjo e dëshmon energjinë e saj të pashtershme për të qenë në shërbim të të gjithë të rinjëve, por dëshira është aq e madhe për t’i arritur të gjithë e këtë nuk po mundet ta bëjë më e vetme.
“Nuk e kam ditë që do të vjen një ditë që do të shqetësohem, që do të vjen fundi i muajit dhe do ta kem të vështirë që t’i mbulojë shpenzimet bazike në qendrën tonë. Unë kam menduar që brenda vitit do të zgjerohem si staf, sepse profesionalisht nuk mund të jem një Arjetë e pazëvendësueshme. Një fond, buxhet ose dicka rrjedhëse, unë vazhdoj të mos ta kem që dy vite e gjysmë, ma pamundëson që unë te kem një staf profesional. Zakonisht unë i mbaj 4 deri në 5 seanca gjatë ditës, sepse ua jap hapësirën atyre që vetëm se janë bindë që të vinë. E nëse u thua që “jo sot nuk ka termin, atëherë atyre ju humbet durimi”.
Këshilla e Arjetës për prindërit
Psikologia e pohon që ka mungesë të njohurive dhe përgatitjeve për drogat, gjë që reflekton edhe te fëmijët e tyre. Sipas saj, ka nëna të cilat e ngushëllojnë veten duke thënë që fëmija i saj, ka ndryshuar pak sjellje, por është duke e përdorur vetëm një cigare. “Ndërsa nuk e din që aty është pikënisja e së keqes”.
“Qasja po ashtu është gabim. Një babë që mendon se duke e kushtëzuar, duke e larguar nga shtëpia, duke e ndalur prej shkollës apo ndonjë marrëdhenie pune që e ka, ai është krimi më i madh që mundet prindi me vepru te fëmija, gjithmonë duke menduar që ajo është më e mira për fëminë e vet. Kujdesi i prindërve dhe shkuarja në shkolla është thuajse zero”, shprehet e shqetësuar Arjeta.
E fare në fund, psikologia ka një këshillë për prindërit që i mbulon të gjitha, e që sipas saj mungon ende në familjet tona dhe ai është komunikimi me fëmijët. /Akademi Pune