Me shfaqjen e virusit Covid-19 në Kosovë, në fillim të vitit 2019, çdo fushë pësoi goditje. Ndryshimi që pasoi i la vend frikës, kundrejt një situate të papërjetuar më parë. Edhe pse pothuajse i gjithë meraku u përqendrua në ekonominë e vendit, një fushë tjetër ishte shqetësimi më i madh.
Shkollat nuk e kishin më vetëm barrën e mësimnxënies, ishin mësuesit ata që përveç se nuk duhet t’i lejonin nxënësit të mbesnin pas me dije të reja, e kishin në dorë një moshë të ndjeshme, që një situatë e tillë rrezikonte të kishte pasoja afatgjata.
Përmes një studimi nga Universiteti i Pensilvanisë dhe Universiteti Djuk, u zbulua një lidhje e rëndësishme në mes të aftësive sociale si fëmijë dhe suksesit si të rritur dy dekada më vonë. Pa e marrë parasysh këtu edhe përfshirjen e situatave të vështira në familje gjatë izolimit.
Se si ka qenë periudha e mësimit nga shtëpia tregon edhe mësimdhënësja nga shkolla “Meto Bajraktari” në Prishtinë, Hilmije Zogjani. Ajo ka rrëfyer për Akademi Pune, se sa sfiduese kanë qenë këto dy vjet për mësimdhënësit, ani pse ajo ka filluar të japë mësim në kohën e pasluftës, por vështirësia e mësimdhënies në kohë pandemie shkonte përkrah, mbase ishte edhe më sfiduese.
“Unë kam filluar mësimdhënien rreth dy dekada më herët, pra në vitet e para pas përfundimit të luftës, kur Kosova po bënte vetëm hapat e parë drejt krijimit të një sistemi modern arsimor. Rrjedhimisht, mësimdhënësit, ashtu siç vlen dhe për profesione të tjera, janë përballë vazhdimisht me vështirësi në punën e tyre. Gjithsesi, besoj që nuk e teproj kur them se dy vitet e fundit në sektorin e arsimit kanë qenë mbase më sfidueset”, tregon Zogjani.
E megjithëse, edhe për mësimdhënësit ishte diçka plotësisht e re, e panjohur, ata u përqëndruan po ashtu edhe në shëndetin mendor të nxënësve të tyre, në të një kohë kur këtë po e bënin edhe me familjarët e tyre njëkohësisht.
“Përtej shqetësimit primar që lidhet me shëndetin tonë dhe të njerëzve që na rrethojnë, ne jemi përballë edhe me shqetësimin për nxënësit tanë, të cilëve për shkak të rrethanave të shkaktuara nga pandemia, jemi shtrënguar t’ua prezantojmë një realitet krejtësisht të ri nga ai që ishin mësuar. Në fakt, një realitet të tillë nuk e kishim parashikuar as vetë ne mësimdhënësit”, shprehet mësimdhënësja.
TË GJESH EDHE TË MIRA NË VËSHTIRËSI TË MËDHA
Përveç sfidës që situata në të cilën po kalonim të mos ndikonte në shpërqendrimin e fëmijëve në mësime, e që ishin mosha shumë te reja, mësuesja Hilmije thotë që ka qenë edhe një sfidë tjetër mjaft e madhe, që deri atëherë kishte munguar në shkollat tona, e që ishte përfshirja teknologjike.
“Sfidë tjetër ka qenë përfshirja e shpejtë e mjeteve teknologjike dhe platformave online në mësim. Një gjë e tillë ka qenë risi për të gjithë ne dhe jemi shtrënguar që planet tona mësimore t’i përshtatim me kushtet e reja mësimore. Natyrisht, përkundër mundësive që kanë ofruar këto mjete dhe platforma online, kemi qenë më të kufizuar që t’u ofrojmë mbështetje nga afër nxënësve, ashtu sikurse do ta kishim bërë po të kishim qenë në klasë me prezence fizike”, rrëfen mësuesja.
Por, përkundër të gjitha vështirësive dhe mëdyshjeve që i ka çdo fillim, kishte edhe diçka pozitive që kanë arritur ta përvetësojnë si mësimdhënësit ashtu edhe nxënësit tanë.
“Përkundër sfidave, e gjithë kjo situatë ka pasur edhe anët e saj pozitive. Ta zëmë, ne tashmë jemi bërë më të aftë në përdorimin e mundësive teknologjike, dhe kjo e shton cilësinë e mësimdhënies dhe ofron mundësi shtesë edhe për nxënësit”, shton Zogjiani.
SI NDIKOI KJO PERIUDHË TE FËMIJËT DHE MËSIMDHËNËSIT?
Ndjenja e solidaritetit ishte njëra ndër gjërat e mira që i solli izolimi nga pandemia dhe, distanca nga njerëzit që na rrethonin. Këtë e përjetuan më së shumti fëmijët, për të cilët lojëra dhe dhënia e marrja kanë domëthënie të jashtëzakonshme.
“Vërej se tek fëmijët është krijuar një lloj ndjenje solidariteti e afërsie mes tyre, meqë, sado që janë në moshë të re, arrijnë ta kuptojnë që së bashku kemi kaluar në një situatë jo të lehtë dhe për fat, ia kemi dalë mbanë. Gjithashtu, kam vërejtur se ekziston një energji e grumbulluar, të cilën duhet të punojmë që ta shfrytëzojmë për të dalë sa më mirë në mësime. Besoj ngjashëm vlen edhe për mua si mësuese e tyre”, thotë Zogjani.
RIKTHIMI NË BANKAT “E HARRUARA”
Më në fund, virusi filloi “të dobësohej” hapja filloi e bashkë më te edhe ngazëllimi u kthye, sidomos nëpër oborret e shkollave. Pas rikthimit në bankat shkollore, ato gumëzhinin si asnjëherë më parë. Mësuesja e kujton atë ditë si një ditë plot emocione.
“Ka qenë mjaft emocionuese, por duhet thënë edhe paksa situatë e çuditshme, sepse ne për ca kohë u mësuam ta shohim e dëgjojmë njëri-tjetrin vetëm përmes kompjuterëve. Besoj edhe për ne si mësimdhënës por edhe për nxënësit, rikthimi në banka është një përvojë që do të jetë në kujtesën tonë shumë gjatë”, kujton ajo.
PRODUKTIVITETI I FËMIJËVE MË I MADH NË KLASË APO ONLINE?
Hilmije Zogjani, e thotë pa asnjë mëdyshje që “mësimi në klasë i bën nxënësit më produktiv”, kjo sepse sipas saj, vullneti i fëmijëve është më i madh për të mësuar teksa i kanë shokët e shoqet e tyre pranë, duke i bërë të njëjtat gjëra, por edhe ndjenja e përgjegjësisë rritet kur mësuesja e tyre është aty për ta.
“Pastaj, të mos harrojmë dhe kjo është tejet e rëndësishme, se nxënësit sërish sapo të shkojnë në shtëpitë e tyre, ata përsërisin mësimet edhe me prindërit e tyre, që rrjedhimisht e bën thuajse të dyfishtë angazhimin e tyre për mësimet”, vazhdon ajo.
URIMI I MËSUESES HILMIJE PËR 7 MARS
Mësuesja Hilmije, i ka falënderuar sidomos prindërit që i kanë mbështetur mësimdhënësit e ua kanë lehtësuar këtë periudhë me barrë të madhe, në mënyrë që nxënësit të mos e humbasin mësimin dhe ekuilibrin e jetës.
Por, edhe për “fëmijët e saj” ajo ka një urim në këtë ditë të veçantë.
“Këtë 7 Mars do të kërkoj nga nxënësit që t’i shtojmë përpjekjet e përbashkëta për mësim dhe edukim. Fëmijët janë e ardhmja jonë dhe në nuk duhet të ndalemi së punuari për ta çdo ditë. Unë uroj që këta nxënës e fëmijë të na bëjnë të gjithëve krenarë”, përfundon mësimdhënësja. /Akademi Pune