Gjuha e trupit është shumë më shumë sesa thjesht lëvizje me gjymtyrë ose mimika. Ajo flet për qëllimet dhe aftësitë që keni dhe tregon shumë për brendësinë që keni. Nëse dikush thotë që mendja nuk mund të lexohet, atëherë e ka gabim sepse, të gjithë ne përmes gjuhës së trupit e shpërfaqim të gjithë atë që e bartim, edhe në thellësitë tona më të mëdha.
Prandaj, kujdes me gjuhën e truptit kur dilni përpara intervistuesve për punë! Punëdhënësit nuk po kërkojnë thjesht dikë me përvojë dhe kualifikime të mëdha, ata mbi të gjitha po kërkojnë njerëzit të mirë, për t’i bërë pjesë të “shtëpisë” së tyre.
Akademi Pune, padyshim që do t’jua tregojë mëposhtë disa nga shenjat e gjuhës së trupit që, duhet t’i shmangni kur të shkoni në intervistë pune.
Mungesa e buzëqeshjes
Një gabim i zakonshëm është nëse shkoni në dhomën e intervistës dhe nuk keni shenja buzëqeshjeje në fytyrë. Pse konsiderohet si gabim? Sepse nëse nuk qeshni, rekruterët do të mendojnë që nuk jeni të lumtur dhe të entuziazmuar për të punuar në atë kompani. Duhet pasur parasysh që, punëdhënësit ju shohin edhe si do të dukeni përpara klientëve, ata kërkojnë që të keni komunikim dhe energji të mirë me klientët e tyre dhe, jo të shkoni i mrrolur. Praktikoni për t’u përgjigjur gjersa jeni duke buzëqeshur! Pas kësaj do ta shihni efektin.
Mungesa e kontakteve me sy
Nëse nuk e shikoni bashkëbiseduesin gjatë gjithë kohës në sy, nuk është pabesi siç e quajnë disa. Por, nëse bëni kontakte me sy kohë pas kohe me bashkëbiseduesin, atëherë do të krijohet një raport i mirë mes jush. Vështrimet në masë të duhur, tregojnë që jeni me vetëbesim dhe, jeni shumë të sigurt që dëshironi të bëheni pjesë e asaj kompanie.
E nëse çaloni në këtë pjesë dhe jeni të vetëdijshëm për këtë, atëherë pse nuk e merrni një shok ose shoqe dhe të mundoheni ta zgjasni shikimin, atëherë kur duhet? Shokët janë edhe për këto gjëra.
Përkulja
Nëse e lëshoni trupin, sikur nga çasti në çast do t’ju bie të fikët, tregon që nuk keni energji për atë intervistë. Për më tepër, ju bën që të dukeni të papërgatitur dhe jo në gjendje për ta mbajtur atë bashkëbisedim, mesazh i cili duhet të jetë i fundit për t’ua dhënë rekruterëve. Mbani volumin e zërit në gjendje të baraspeshuar! Praktikoni gjithashtu përpara pasqyrës, mbani krahët drejt dhe mjekrrën e ngritur, madje edhe kur keni të ulur në karrige! Po, kështu do t’ju marrin seriozisht!
Kryqëzimi i krahëve në gjoks
Kryqëzimi i krahëve e jep përshtypjen që jeni të rezervuar, të pasigurt, jo rehat dhe në mbrojtje, gjëra negative që nuk duhet t’ui pasqyroni në intervistë. Mbani një qëndrim të mirë, duke vendosur duart në prehër ose në anash, për t'ju ndihmuar të mbani nën kontroll këtë gabim të gjuhës së trupit! Kur e gjeni veten duke kryqëzuar krahët në mënyrë të pandërgjegjshme, ulini ato dhe përpiquni të ushtroni presion mbi këmbët tuaja! Kjo këshillë do t'ju ndihmojë të mbani mend të mbani krahët pa kryqëzuar.
Lëvizjet e egra të krahëve ose duarve
Mundohni që ta mbani nën kontrollë entuziazmin, duke e praktikuar frymëmarrjen përpara intervistës në mënyrë që të qetësoheni! Gjestet e duarve janë të rëndësishme për vendimet për çështje të punës, por sigurisht kur ato bëhen në formën e duhur. Nëse bëni lëvizje të ashpra të duarve, atëherë jeni duke i bërë intervistuesit që të shpërqëndrohen, në vend që të përqendrohen në atë që po thoni. Nëse bëni lëvizje të këtilla atëherë do të mbaheni mend si kandidat për diçka negative.
Nuk e përshëndesni intervistuesin
Kur jeni duke hyrë në intervistë, gjëja e parë që duhet të bëni është ta përshëndesni intervistuesin nëse është një, ose t’i përshëndesni të gjithë nëse intervista mbahet në panel. Ndoshta tashmë nuk është e lejueshme t’i kapni duart, gjatë pandemisë, por të paktën duhet t’i përshëndesi. Nëse përshëndesni përdore, atëherë kujdesuni që të tregoni përzemërsi! Mund të shtoni po edhe fjali të tilla si: “Mezi kam pritur për këtë moment!”, ose “Është kënaqësi t’ju takoj!”. Përshëndetja e punëdhënësve ju bën që të mbaheni mend si person i sjellshëm.
Të ngacmuar
Gjatë intervistës, tregoni kujdes për këmbët tuaja dhe gishtërinjtë. Mos luani me gishtërinjë dhe objekte të tjera kur ndiheni më nervoz! Loja me gjëra të tjera gjatë bisedave është shenjë e parehatisë dhe e mërzitjes. Do të dukeni sikur “keni gjëra më të rëndësishme për të bërë sesa intervistë të punës”. Shmangni orët, stolitë, lapsat ose objekte të tjera që jua humbasni përqendrimin! Momentet e nervozës nuk mbarojnë te gishtërinjtë. Disa njerëz luajne me këmbët e tyre ose me flokë, që gjithashtu janë gabime. Përpiquni që të ushtroheni para pasqyrës! /Akademi Pune