7 pyetjet që i trembin kandidatët dhe si duhet të përgjigjen

7 Shkurt '22

7 pyetjet që i trembin kandidatët dhe si duhet të përgjigjen
	 	 

Edhe ftesa për intervistë është sukses në vete, e në qoftëse keni mbërritur këtu, mundohuni që të mos largoheni nga aty pa e marrë një ofertë pune. Si ta arrini këtë? Kjo bëhet duke u përgatitur për përballjen me intervistuesit. Por, Akademi Pune, gjatë këtij rrugëtimi ju ndihmon, duke jua treguar pyetjet që i trembin më së shumti kandidatët. Mos ngurroni të përgjigjeni edhe ju, mësoni sesi ta bëni!

Na trego rreth vetes

Të përgjigjurit në këtë pyetje e jep përshtypjen e parë që është themelore. Ngecja jep menjëherë një ngjyrim negativ. Përgatitni fillimisht se çfarë do të thoni, në mënyrë që ta prezantoni veten pasër dhe rrjedhshëm. Këtë përgjigje kufizojeni në 1 deri në 2 minuta. Filloni duke treguar se çfarë jeni duke bërë aktualisht e mandej kthehuni te e kaluara. Gjatë kësaj kohe përmbledhni punët, përvojat e praktikës, kurset, projektet dhe aftësitë që janë të lidhura me pozitën.

Pse jeni të interesuar për këtë pozitë dhe kompaninë tonë?

Nuk mund të thoni thjesht “Sepse e pashë që keni vend të lirë për këtë pozitë”. Në vend të kësaj hulumtoni për kompaninë dhe shihni se çfarë e bën atë të veçantë. 

Është ueb-faqja dhe faqja në LinkedIn hapësira ku mund të merrni më së shumti informacione për to. E nëse dikush ju tregon diçka shumë të mirë për kompaninë , duhet të filloni prej saj. Ndërsa, në lidhje me pozitën, thuani që ajo ju lejon t’i shfaqni aftësitë që i keni mbledhur për kaq vite.

Na trego për dobësinë më të madhe

Kjo është pyetja më e vështirë, për t’u përgjigjur. Disa kandidatë përgjigjen duke thënë që nuk kanë asnjë dobësi, por edhe kjo është gabim. Madje, për shumë rekruterë kjo është një përgjigje aq irrituese sa nuk kanë më motiv të vazhdojnë të jenë të përkushtuar në intervistë. Prandaj mos e bëni!

Kur të përgjigjeni në këtë pyetje, përmendni diçka të vogël e shmangni dobësitë e mëdha, jo prej atyre që ndikojnë jashtëzakonisht në punë. Për shembull, nëser keni problem të flisni në publik, thuani: “Bëhem paksa nervoz/e kur flas në një mas të madhe të njerëzve”.

Por, gjithmonë tregoni që keni punuar me veten, për t’i larguar ato dobësi dhe nuk e keni më problem në masën sa e keni pasur më parë.

Çfarë pritshmërish keni për pagën?

Kjo pyetje nuk duhet të bëhet në intervistë të punës. Paga duhet të diskutohet pasi të merrni ofertë të punës. Sidoqoftë, pasi të bëhet pyetja duhet ta keni edhe përgjigjen gati. Një shifër e vogël mund t’jua dëmtojë të ardhmën e pagës, ndërsa një numër i madh mund t’jua humbasë ofertën.

Cila pra është forma e duhur? Para intervistës hulumtoni se cila është paga mesatare në vendin ku jetoni, për atë pozitë të punës. Shembull mund ta vizitoni Rroga.com për ta gjetur përgjigjen.

Përgjigja më e mirë pasi të keni hulumtuar është: “Do të isha i kënaqur me një pagë në mes të___ dhe ___.”

Ku e shihni veten pas pesë vjetësh?

Mos shkoni intervistë e të përgjigjeni në këtë pyetje duke thënë që dëshironi të avancoheni sa më shpejt që të jetë e mundur. Ju duhet ta jepni një plan që është real dhe në një vijë me biznesin dhe industrinë.

Përshkruani se si mundësitë e kompanisë dhe aftësitë tuaja, do t’i përdorni për t’i mbështetur të gjitha aspiratat e karrierës!

Na trego për ndonjë përvojë të keqe me punëdhënësin/shefin/kolegun/en!

Është e pamundur që të mos e keni pasur së paku një përvojë të keqe ne vendet tuaja të punës. Kështu që, kjo pyetje zakonisht hedh në pah një përgjigje negative, që mund t’ju kushtojë në shansat që i keni për t’u punësuar.

Pavarësisht se çfarë ka ndodhur, ose si jeni trajtuar duhet ta tregoni veten që nuk jeni person që futeni shpesh në telashe. Dhe mbani mend, gjithmonë merrni shembuj raste të vogla dhe tregoni që keni marrë mësim!

Pse duhet t’ju punësojmë?

Kjo pyetje zakonisht bëhet pothuajse në fund të intervistës. Ajo ju lejon që t’i përmbledhni pikat tuaja të forta.

Në këtë pyetje nuk ka asgjë të keqe t’i përsërisni kualifikimet tuaja dhe aftësitë që përshtaten me punën që do të bëni. Përshtypja e fundit është po aq e rëndësishme sa edhe e para në intervistë të punës.

Si përfundim, pasi i keni mësuar pyetjet më të vështira, mësoni ato dhe shkoni pa u trembur! /Akademi Pune

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2022 - KosovaJob LLC