Çka nuk duhet të bëni në intervista të punës?

09 Dec, 2019

Çka nuk duhet të bëni në intervista të punës?
	 	 

Në intervista të punës, qëllimi kryesor i të gjithë kandidatëve është të lënë një përshtypje të mirë që të ngelin në mendjen e rekruterit ose punëdhënësit, dhe si rrjedhojë ta marrin atë vend pune. Po aq sa është e rëndësishme të përgatiteni se si t’i përgjigjeni disa pyetjeve të mundshme, ju duhet të keni parasysh edhe se çka duhet të shmangni në intervistë, pra cilat veprime nuk duhet t’i bëni apo çka nuk duhet të thoni.

Bashkëthemeluesi i kompanisë së rekrutimit, Mercurius Consulting, Shkumbin Ibraimi, njëkohësisht rekruter me përvojë, në një intervistë për KosovaJob, foli rreth disa shprehive të cilat kandidatët duhet t’i shmangin në intervista të punës.

Gabime ne intervista te punes

Vonesa në intervista të punës. Në një intervistë pune duhet të respektohet orari që iu është caktuar. Kandidatët që vonohen do të japin sinjalin se mund të mos jenë profesional dhe nuk kanë diciplinë. Ibraimi këshillon kandidatët që të jenë aty 5 ose 10 minuta më herët.“Menaxherëve të burimeve njerëzore nuk u pëlqen nëse vonoheni për intervistë. Unë rekomandoj të shkoni aty 5 ose 10 minuta më herët. As më shumë se 10 jo, sepse nëse shkoni shumë herët mund ta vëni kompaninë në vështirësi apo të pengoni intervistën paraprake. E them këtë ngase ka kompani që nuk duan t’i takojnë kandidatët njëri me tjetrin”.

Mos gënjeni në intervista të punës. Një tjetër shprehi negative të cilën Shkumbini e përmend është gënjeshtra në intervista të punës. Ai thotë se kandidatët shpeshherë shtojnë në CV-të e tyre përvoja që nuk i kanë pasur realisht më herët, vetëm që ta kalojnë fazën e parë të intervistës. Sipas Ibraimit, kjo është e patolerueshme dhe lehtë mund të kuptohet. Shumica e punëdhënësve kërkojnë nga kandidatët ta elaborojnë një përvojë pune dhe nëse i njejti nuk arrinë të jetë bindës, ai do ta humb mundësinë qysh në fazën fillestare.

Mos i jepni intervistës frymë negative. Duke u bazuar në përvojën e tij shumëvjeçare në rekrutim, Shkumbin Ibraimi thotë se ka shumë kandidatë të cilët i japin intervistës një frymë negative, e shohin nevojën të arsyetohen, të mbrohen vazhdimisht. “Ne, kur i marrim në intervista, tentojmë që ta ruajmë pozitivitetin, mundohemi të fokusohemi vetëm në gjërat qe janë pozitive tek një kandidat. Edhe kandidatët duhet të kenë kujdes që të mos e shpiejnë bisedën kah negativiteti sepse këto gjëra nuk u pëlqejnë as intervistuesve. Arsyetimet në intervista nuk janë të mira, nuk i rekomandoj, duhet ta ruajmë neutralen dhe pozitiven”, theksoi ai.

Mos tingëlloni sikur e doni atë vend pune me çdo kusht. Ka shumë kandidatë të cilët gjatë gjithë intervistës e potencojnë se sa e duan atë vend pune, çka nuk rekomandohet të bëhet. Shkumbini thotë se punëdhënësve duhet t’iu bëni pyetje në intervista, të interesoheni edhe ju pak rreth tyre dhe jo vetëm ata rreth jush. Kjo konsiderohet si diçka që e balancon intervistën.

Mos shkoni të papërgatitur. Ndër gjërat tjera që intervistuesit nuk rekomandojnë është edhe shkuarja të papërgatitur në intervista të punës, dmth, pa lexuar pak rreth kompanisë, kulturës së tyre, produkteve, etj. Mirëpo, rol të rëndësishëm luan edhe paraqitja. “Unë jam dëshmitar i shumë intervistave dhe kandidatët nuk i pyes nëse kanë njohuri për kompaninë ose jo sepse ne nuk e përmendim klientin, mirëpo në rastin tonë, pas intervistave të para kandidatët veç informohen për klientin dhe unë pres prej tyre që në fazat tjera të vijnë të informuar rreth kompanisë” .

Ai nënvizoi se edhe  paraqitja duhet po ashtu të jetë në nivel. Kur flet për paraqitjen, ai thotë se duhet të jetë profesionale. Edhe pse kompanitë kërkojnë talentin, ka edhe kompani që i kushtojnë goxha rëndësi paraqitjes, ndaj është mirë të keni një prezantim të duhur.

Mos flisni keq për punëdhënësin e kaluar. Ka edhe raste kur kandidatët fajësojnë kompaninë ose kolegët apo i tregojnë vetëm anët negative të kompanisë ku kanë punuar në të kaluarën. Kjo nuk do t’i pëlqejë punëdhënësit potencial. Ibraimi këtu thekson se të gjithë punëdhënësit në raste të tilla mund të mendojnë se si do të flisni ju në të ardhmen për ta, në rast se bëheni pjesë e kompanisë. “Kur ju pyesin se pse dëshironi të bëheni pjesë e kompanisë, më e mira që mund të thoni është se jeni të interesuar për një përvojë të re, në një industri të re por assesi të flisni keq për kompaninë ku keni punuar” .

Mos u ndjeni të rezervuar në pyetje të vështira. Një ndër pyetjet më të zakonshme në intervista të punës por njëkohësisht edhe më e vështira për kandidatët, është : “Cilat janë dobësitë tuaja?”. Mos jepni përgjigje klishe, p.sh unë jam punëtor shumë i madh, në asnjë mënyrë mos e shndërroni dobësinë tuaj në aftësi,më mirë do të ishte nëse e tregoni një përvojë kur keni dështuar në një rast dhe pastaj e tregoni se si keni arritur ta menaxhoni apo çka keni mësuar prej asaj përvoje”.

Mos lini përshtypje se do të punoni për një kohë të shkurtë. Diçka që punëdhënësit nuk e pëlqejnë është nëse ua krijoni përshtypjen se do të qëndroni vetëm afatshkurtë në një ambient të punës.  Kjo mund të jetë edhe më e dukshme në Kosovë, pasi që emigrimi është akoma i shpeshtë. “Një prej pyetjeve që zakonisht mund të shtrohet në intervista të punës është edhe ku e sheh veten kandidati në 3 apo 5 vitet e ardhshme, e ka edhe prej atyre që thonë se duan të largohen nga shteti, të studiojnë jashtë, të hapin ndonjë dyqan online, etj. Në bazë të përvojës time, një punëdhënës kur e merr dikënd në punë, pret që ai person nuk do të largohet nga puna të paktën 3 deri në 5 vite”.

Mos pyesni për pagën. Si e fundit por jo më pak e rëndësishme është edhe kureshtja për pagën. Sipas Shkumbin Ibraimit, intervistat ndahen në disa faza, prandaj kandidatët duhet të kenë durim të presin fazën kur shtrohet në tavolinë edhe çështja e pagës.

Krejt në fund, ai theksoi se një intervistë e mirë konsiderohet të jetë ajo intervistë që zgjatë 30 deri në 40 minuta ani pse varet edhe nga pozita e punës për të cilën intervistohet personi. Pas 45 minutave, ai thotë se intervista mund të kalojë në monotoni.

Fillo Kuizin
Testojeni veten, mësoni më shumë dhe argëtohuni në të njejtën kohë nëpërmjet kuizeve që ofrojmë ne për ju.
  • Pas Google, cila është faqja e dytë më e popullarizuar në botë?
    A
    Facebook
    B
    Baidu
    C
    Youtube
    D
    Twitter
  • Cila nga këto rrjete sociale nuk përdorë hashtag (#) ?
    A
    Facebook
    B
    Instagram
    C
    Snapchat
    D
    Twitter
  • Cila platformë raportohet të jetë më e dobishmja për tregtarët socialë për të arritur qëllimet e tyre?
    A
    Facebook
    B
    Instagram
    C
    Linkedin
    D
    Youtube
  • Cila formë e postimeve tërheqë më shumë shikueshmëri në Facebook dhe Instagram?
    A
    Videot
    B
    Figurat
    C
    Postimet me tekst
  • Sipas statistikave të këtij viti, sa përdorues aktiv ka Facebook brenda muajit?
    A
    Rreth 2.4 miliardë
    B
    Rreth 1.5 miliardë
    C
    Rreth 500 milion
    D
    Rreth 600 milion
  • Cila është platforma më e popullarizuar në rrjete sociale, e përdorur nga njerëzit që janë mbi 50 vjeç?
    A
    LinkedIn
    B
    Facebook
    C
    Youtube
    D
    Instagram
  • Në cilin vit u zbulua rrjeti i parë social i quajtur Six Degrees?
    A
    1994
    B
    1997
    C
    1998
    D
    2000
  • Cili rrjet social nuk lejon të postoni foto apo video përmes kompjuterit?
    A
    Facebook
    B
    Instagram
    C
    Twitter
  • Cila nga këto nuk është rrjet social?
    A
    Vkontakte
    B
    Renren
    C
    Ektorp
    D
    Weibo
  • Kur u themelua YouTube?
    A
    10 janar, 2004
    B
    14 shkurt, 2005
    C
    5 shtator, 2007
    D
    12 prill 2008
1
/
10
ARTIKUJ TË NGJASHËM
ÇKA DUHET TË BËNI NËSE JENI PUSHUAR NGA PUNA?
Të pushohesh nga puna, mund të jetë shumë stresuese. Kur e merrni një lajm të tillë, mbase qysh në momentet e para do të dëshironi të largoheni nga zyra. Kjo, sepse humbja e punës mund t’iu ndikojë në shumë mënyra. Në përgjithësi, gjithandej në botë ekziston një stigmë për njerëzit që janë pushuar nga puna, e kjo është akoma më e dukshme kur ndodhë në vendet e vogla, ku ka pak kompani që operojnë në treg dhe të cilat janë në kontakt me njëra-tjeren vazhdimisht. Kështu që, nëse ndonjëherë gjendeni përballë një situate të tillë, kur punëdhënësi juaj ju thërret për t’ua kumtuar lajmin se jeni pushuar nga puna, është shumë e rëndësishme t’i keni parasysh disa gjëra dhe jo vetëm të dilni nga zyra. Informohuni saktë. Kur merrni lajmin se punëdhënësi juaj dëshiron të shkëpusë marrëdhënien e punës me ju, sigurohuni t’i bëni pyetjet e duhura që t’i merrni faktet se pse ai ka ardhur deri tek një vendim i tillë. Pyeteni punëdhënësin tuaj: Pse jam pushuar nga puna sepse nuk dua t’i bëj gabimet e njejta në të ardhmen. Kështu, ju mund të analizoni se si ai i justifikon shkaqet në mënyrë që të përcaktoni saktë se a ka bazë vendimi i tij. Diskutoni kushtet e largimit. Sigurohuni që para se të nënshkruani ndonjë dokument për ndërprerje bashkëpunimi, t’i analizoni mirë të gjitha aspektet. Sigurohuni që shkëputja e kontratës suaj ka bazë ligjore apo që kontrata nuk është shkëputur për arsye diskriminimi ose tjera. Kjo ngase varësisht nga rasti, juve mund t’u takojë dëmshpërblim. Rregullojeni menjëherë CV-në tuaj. Asnjëherë nuk është fundi dhe asnjëherë nuk është vonë për të nisur diçka të re. Filloni të aplikoni për punë të tjera ku mund ta gjeni veten. Rregullojini të gjitha detajet, cekni edhe punën e fundit nga e cila jeni pushuar, si dhe të gjitha aftësitë që i keni fituar gjatë asaj kohe. Po ashtu, edhe çdo detaj tjetër të cilin nuk e keni pasur të nënvizuar në CV deri në atë moment. Gjatë vitit 2018, një studim 10 vjeçar me më shumë se 2,600 drejtorë zbuloi se të gjithë ata individë që dikur u pushuan nga puna (91 përqind e tyre)  kishin gjetur një punë të mirë apo edhe më të mirë se ajo që kishin pasur më herët.  Ky studim u publikua në librin e titulluar “Dera tjetër e drejtorëve”. Të largohesh nga puna nuk duhet të jetë diçka demoralizuese. Kjo duhet t’iu shërbëjë të reflektoni edhe me veten por edhe me ngjarjet përreth që mund të kenë shpierë deri tek pushimi nga puna. Cilado qoftë arsyeja e largimit tuaj, ju mund ta shihni anën e ndritshme të të gjithë ndodhisë dhe të jeni më të matur që në të ardhmen të mos lejoni të përsëriten situatat e ngjashme.
Lexo më shumë
Rekrutimi online: Si realizohet intervistimi për punë?
Varësisht nga natyra e punës, shumica e bizneseve janë duke vazhduar punën nga distanca, si shkak i pandemisë që ka kapluar botën së fundmi. E ato biznese që mision i kanë njerëzit, mund ta kenë pasur pak më të vështirë praktikimin e punës në këtë formë, ani pse firmat e rekrutimit këtë mënyrë pune e kanë aplikuar edhe më parë. Zanë Havolli - Veseli, Senior Recruiter në kompaninë e rekrutimit HumanPower, tregoi për AkademiPune se si po menaxhohet i gjithë rekrutimi nga shtëpitë për kompanitë vendore dhe ato ndërkombëtare. Ajo thotë se ndonëse një gjendje e tillë e ka prekur pak procesin e rekrutimit vendor, në të njejtën kohë i ka mësuar njerëzit të praktikojnë dhe të gjinden edhe me metoda të tjera të punës. "Kriza e virusit korona na ka detyruar të gjithëve të përqafojmë mënyra të reja të punës. Thirrja për të qëndruar në shtëpi dhe për të respektuar distancën sociale, nuk nënkupton që duhet ndëprerë punën. Kjo gjendje e ka vështirësuar pak procesin e rekrutimit dhe është diçka e re për të intervistuarit dhe intervistuesit. Shumë njerëz të cilët janë mësuar me intervista “face to face” do të duhet të kalojnë për herë të parë në proceset e shqyrtimit virtual dhe të zbulojnë mënyra të reja për të njohur më mirë veten dhe kompanitë për të cilat kanë aplikuar” Organizimi i intervistave online Rekrutuesit tashmë veç kanë kaluar në mbajtjen e të gjitha intervistave online. Aplikacionet që përdorën kryesisht janë: Skype, Google Meet, WhatsApp dhe të tjera. "Momentalisht, të gjitha intervistat jemi duke i zhvilluar online, nëpërmjet google.meet, por natyrisht që po përdorim edhe aplikacione të tjera si Skype dhe në rast nevoje edhe WhatsApp. Teknologjia mundëson që njerëzit të lidhen kudo në botë, me këdo, në çdo kohë. Kjo ndryshon mënyrën e punës së njerëzve por e bën më të lehtë punën konstante me kolegët që ndodhën në vende apo kontinente të ndryshme. Ne si HumanPower, e kemi databazën me kandidatë që veç kanë aplikuar online dhe kjo do të thotë që filtrimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve e bëjmë nëpërmjet softuerit që posedojmë” Sfidat kryesore gjatë intervistimit online të kandidatëve Zakonisht rekrutimi në këtë formë i ka edhe anët e mira por edhe ato të këqija. Havolli thotë se rekruterët mund ta shohin si sfidë rekrutimin vetëm nëpërmjet video-komunikimit, çka mund të marrë më shumë kohë dhe më shumë përpjekje. Mirëpo, ajo thotë se sfidë kryesore e rekrutimit online mund të jetë gjetja e kandidatëve të duhur. ”Unë si rekrutere mendoj që në keto raste kur edhe jemi duke punuar nga shtëpitë tona, një disavantazh i rekrutimit online është se kandidatët mund të mos e shfaqin veten njësoj dhe mund të na mashtrojnë. Kjo do të thotë që ne mund të përfundojmë duke u interesuar për dikë që nuk i plotëson kriteret e punës, por prapë e pretendon atë. Ndërkaq avazhtazhi është se tani është më e lehtë të kontaktosh kandidatët pasi që ata nuk janë të bllokuar në takime ose udhëtime“ Ndonëse filtrimi, selektimi, mbajtja e intervistave të punës si dhe përzgjedhja e kandidatëve final mund të bëhet edhe online, Havolli ka një këshillë për të gjithë kandidatët që intervistohen për punë në këtë periudhë. “Kandidatët dhe të gjithë të tjerët që janë duke punuar nga shtëpia të jenë të durueshëm pasi që e gjithë kjo situatë do të kalojë dhe patjetër që do t’i kthehemi jetës normale. Gjatë kësaj periudhe, shfrytëzojeni kohën për të ndjekur ndonjë webinar online, kurse online, që të jeni sa më produktivë dhe të mësoni gjëra të reja“ përfundoi Havolli. Disa këshilla për kandidatët: Sigurohuni që të keni internet. Testoni internetin dhe aplikacionet për video-komunikim, që të jenë duke funksionuar mirë para intervistës. Keni parasysh veshjen. Edhe pse intervistat do të mbahen online dhe me video, veshjes duhet t’i kushtoni rëndësi njësoj sikur ta kishit pasur intervistën ballë për ballë me rekruterët. Përgatituni. Bëni përgatitjet e njejta si për intervistat e mëhershme. Përgatitni përgjigjet në pyetjet që mund t’ju bëhen si dhe pyetjet që do t’ua bëni ju intervistuesve. Mos u shpërqëndroni. Fokusohuni plotësisht në intervistë dhe kujdesuni që të mos shpërqëndroheni me gjëra tjera në ambientin e shtëpisë apo me telefon. Falënderoni intervistuesit. Mos harroni të dërgoni edhe një e-mail për t’i falënderuar intervistuesit për kohën e tyre. Disa këshilla për intervistuesit: Përgatituni. Kujdesuni që të informoni edhe pjesëtarët e tjerë të panelit të rekrutimit rreth kandidatit, duke prezantuar CV-në e tij. Po njësoj informoni edhe kandidatin rreth intervistës, kohës, fazave të intervistimit. Kontrolloni internetin. Njësoj si kandidatët që do të intervistohen, edhe rekrutëret duhet të kontrollojnë teknologjinë para fillimit të mbajtjes së intervistave. Mos u shpërqendroni. Tregoni respekt për kandidatët sikur të ishit duke mbajtur intervistën ballë për ballë, largoni telefonat dhe gjithçka që mund t’ju shpërqëndrojë. Jepni kohë kandidatëve. Duke pasur parasysh edhe gjendjen, mos i bëni pyetjet njëra pas tjetrës, lejoni kandidatët të bëjnë pauza në mes të përgjigjeve. /AkademiPune
Lexo më shumë
7 libra që duhet t'i lexojë çdo ndërmarrës
Jo më kot thuhet që libri është miku më i mirë i njeriut, në të ndeshemi me realen, imagjinatën, situatat dhe subjektet që e karakterizojnë jetën tonë. Librat janë shtyllë e ndërtimit të personalitetit dhe intelektit të njeriut. Sa më shumë që lexojmë dhe kuptojmë, aq më mirë do të arrijmë të pasqyrojmë dhe njohim çdo gjë rreth nesh. Andaj të posedosh një libër, do të thotë të kesh një pasuri të madhe nga e cila çdoherë do të korresh fryte. Edhe në biznes, librat janë gjithmonë një burim i mirë për të nxjerrë ide të reja dhe për të rritur mundësitë drejt suksesit. AkademiPune ju sjellë një listë me disa libra, të cilët është mirë të jenë pjesë e bibliotekës së secilit ndërmarrës. 1. “Zero te një” Peter Thiel bashkë me Blake Masters I pari në listën tonë është “Zero të një”, një libër i shkruar nga bashkëthemeluesi i PayPal dhe investuesi i parë i jashtëm i Facebook, bashkë me studentin e tij Blake Masters. Ky libër nga fusha e ekonomisë sjellë ide inovative për bizneset fillestare dhe ka të bëjë me mënyrën e krijimit të kompanive që sjellin gjëra të reja.   2. “Si të flasim me këdo” Leil Lowndes Në librin "Si të flasim me këdo", autorja e njohur Leil Lowdnes ka shpalosur sekretet e komunikimit të suksesshëm me të tjerët. Ky libër i domosodosshëm për të gjithë ndërmarrësit, mëson 92 mjeshtëri të vogla për të pasur sukses të madh në fushën e gjerë të komunikimit. 3. “Më mençur, më shpejt, më mirë” Charles Duhigg Fitues i çmimit Pulitzer dhe autor i librit të njohur “Fuqia e shprehisë”, Charles Duhigg me këtë libër ju mëson sekteret për të qenë më produktiv në jetë dhe në biznes, duke u bazuar në kompani dhe individë të suksesshëm. Siç e thotë edhe titulli, me pak fjalë, ky libër mëton t'ju mësojë të veproni më mençur, më shpejt dhe më mirë. 4. “Deep work” Cal Newport "Deep work" apo në shqip "puna e thellë" është një udhëzues i domosdoshëm për të gjithë ata që duan të jenë të suksesshëm në një botë të shpërqëndruar. Në librin Puna e thellë: Rregullat për sukses të përqendruar në një botë të shpërqëndruar, profesori Cal Newport flet për zhvillimin e aftësive të nevojshme për të arritur kulmin e produktivitetit. 5. “Mendësia” Carol Dweck Një bestseller botëror, ky libër patjetër që duhet të jetë pjesë e bibliotekës se çdo ndërmarrësi. Përpos biznesit, libri "Mendësia" shërben edhe si një udhëzues për vlera në familje, jetë bashkëshortore apo edhe shkolla. Në këtë libër, autori jep këshilla dhe teknika së si të realizojmë potencialin brenda nesh duke ndryshuar mënyrën e të menduarit. 6. “Meetings Suck” nga Cameron Herold Të gjithë janë të kënaqur kur takimet janë efektive. Eksperti i njohur i biznesit, Cameron Herold në këte libër jep këshilla sesi të mbahen takime efektive për t’i ndihmuar të gjitha ndërmarrjet të jenë të suksesshme.  7. “7 zakonet e njerëzve të suksesshëm” nga Stephen R. Covey Botuar për herë të parë në vitin 1989, “7 zakonet e njerëzve të suksesshëm” nga Stephen R. Covey është një libër biznesi i jashtëzakonshëm. Me më shumë se 15 milionë kopje të shitura, në këtë libër autori jep leksione për ndryshimin individual.
Lexo më shumë
CILËSITË E NJË LIDERI TË SUKSESSHËM
"Liderët bëhen të mëdhenj, jo për shkak të fuqisë së tyre por për shkak të aftësisë së tyre për t’i fuqizuar të tjerët" - John Maxwell Lidershipi ose udhëheqja është proces i ndikimit të një individi mbi një grup të caktuar njerëzish, në arritjen e qëllimeve të përbashkëta. Me këtë nënkuptohet krijimi i raporteve reciproke mes liderit dhe grupit duke ndikuar realizimin e synimeve të një organizate nëpërmjet veprimeve të përbashkëta. Për një organizatë, lidershipi është shumë i rëndësishëm kur vjen puna tek procesi i organizimit dhe menaxhimit të situatave, zhvillimit apo mbarëvajtjes së punës në atë organizatë. Një lider duhet të jetë vizionar, të ketë për vizion arritjen e qëllimeve të përbashkëta por edhe të jetë i hapur ndaj grupit (pasuesve të tij) dhe të pranojë edhe pikëpamjet e pjesëtarëve të grupit. Procesi i lidershipit nuk duhet të përjashtojë as edhe një anëtar të grupit për të shfaqur vizionet dhe mënyren e tij të realizimit të qëllimeve. Christian Francis, Drejtor i Teleperformance Prishtina, në një intervistë për KosovaJob ka thënë se lidershipi është shumë i rëndësishëm për t’i përqëndruar njerëzit në atë që duhet bërë, prandaj sipas tij gjithmonë nevojitet një njeri që ta orientojë një grup njerëzish. “Në një punë ideale, lidershipi është i nevojshëm thjesht sepse njerëzit e dinë saktësisht se çfarë duhet të bëjnë dhe të bëjnë gjithçka mirë për të parën herë. Lidershipi dhe hierarkia janë të nevojshme për t’ i përqëndruar njerëzit në atë që duhet bërë dhe prandaj ata kanë nevojë për një person ose disa persona në kompani, që në fakt mund t’ua tregojnë të tjerëve rrugën apo t’iu japin direktiva se ku t’i fokusojnë përpjekjet e tyre, çka të përmirësojnë”, ka thënë ai. Sipas tij, secili njeri do të mund të punonte individualisht dhe mbase gjërat do të shkonin mirë mirëpo lidershipi shërben edhe për t’i motivuar të tjerët dhe sidomos nëse është duke u punuar në diçka që është shumë më e ndërlikuar, më e madhe, të cilën nuk mund ta menaxhojë një person i vetëm. Prandaj, nevojitet dikush që shpjegon se pse njerëzit duhet të kryejnë një punë të caktuar dhe pse ajo punë është e rëndësishme. Francis tha se shumë njerëz kur shkojnë në punë, nuk ia kanë idenë se pse janë duke e bërë atë punë, kësisoj duhet dikush t’ua rikujtojë atyre pse puna që po bëjnë është në të vërtetë e rëndësishme për të arritur objektivin e përgjithshëm të kompanisë. Cilat janë top karakteristikat e një lideri të mirë? Ndër cilësitë e një lideri të mirë në punë konsiderohen komunikimi i ideve, dëshira për të punuar me njerëz dhe të qenurit i besueshëm. Këtë pohim e mbështet edhe Francis. Ai tha se janë njerëzit ata që zgjedhin një lider dhe si i tillë ai duhet të jetë në gjendje të komunikojë me ta, të jetë gjithmonë i besueshëm dhe i hapur ndaj tyre. "Ndër cilësitë e para është të punohet shumë. Unë besoj se kjo është diçka që njerëzit thjesht e presin nga ju. Duhet të punoni shumë, edhe më shumë se njerëzit që ju rrethojnë.  Cilësi e dytë është të jeni në gjendje të komunikoni idetë, e treta është të pëlqeni të punoni me njerëz. Ju gjithnjë do të jeni në kontakt me njerëz, duhet t’i bindni se ju jeni personi i duhur për t’i udhëhequr sepse janë vetë njerëzit ata që e zgjedhin liderin e tyre.  Lideri nuk emërohet, njerëzit e zgjedhin atë. E që ata t’ju zgjedhin për lider të tyre, ju duhet të jeni në gjendje të komunikoni me ta dhe më e rëndësishmja është të jeni të besueshëm. Duhet t’i mbani të gjitha premtimet e juaja por gjithashtu t’u tregoni njerëzve rregulla të qarta dhe atë që prisni prej tyre”.Liderët kanë edhe shumë përgjegjësi sepse marrin vendime edhe për të ardhmen e njerëzve. Francis për KosovaJob sqaroi se një lider i mirë duhet të jetë edhe i drejtë. Patjetër që interesi i kompanisë duhet të merret parasysh por edhe i njerëzve gjithashtu. Jo të gjitha vendimet janë të mirëpritura nga njerëzit që punojnë për një kompani të caktuar prandaj ai theksoi se atyre duhet t’iu krijohet bindja se kompania ka edhe interesat e tyre në mendje dhe jo vetëm interesat e veta. Liderët duhet të jenë të gatshëm të kontribuojnë në çdo rrethanë në punën e tyre. “Liderët e mëdhënj në histori gjithnjë kanë qenë njerëz të cilët e kanë sakrifikuar tërë jetën e tyre për një kauzë, pa marrë parasysh sigurinë e tyre personale apo gjëra të tjera ”, tha Francis. Problemi tek liderët e rinj është bindja se janë të përsosur Të rinjtë kryesisht mendojnë se nuk bëjnë gabime. Këshillat që jep Francis për të gjithë të rinjtë është të kenë dëshirë të përmirësohen vazhdimisht dhe të mos hezitojnë të kërkojnë komente lidhur me punën të cilën e kryejnë. “Gjëja më e rëndësishme për të rinjtë është që të vazhdojnë të përmirësohen dhe të marrin komente rregullisht se si po e bëjnë një punë, është shumë e rëndësishme që të rinjtë të kenë parasysh se nuk janë të përsosur kur janë të rinj. Kur unë isha i ri, dikund 30 ose 35 vjeç, besoja se gjithçka ishte e përkryer dhe mendimi im ishte i duhuri. Mendoj që problemi më i madh që liderët e rinj kanë është se ata nuk dëgjojnë dhe hyjnë në dhomë me një ide të qartë rreth problemit dhe si ta zgjidhin atë, derisa kurrë nuk mund të dihet se cili është saktësisht problemi dhe si të zgjidhet”. Si rol kryesor të liderëve, Francis përmendi lehtësimin e komunikimit rreth problemit dhe daljen me një sërë zgjidhjesh, ku të gjithë mund të japin një kontribut dhe jo thjesht të hyjnë në dhomë duke menduar se veç e kanë planin në duar. Shumica e njerëzve mendojnë që lidershipi është të qëndrosh i pari, duke u treguar të tjerëve se cili është plani por një udhëheqje e mirë sipas tij është kur diskutohet edhe me njerëz të tjerë që dinë më mirë dhe më pas zbatohet zgjidhja e gjetur së bashku me ekipin. “Problemi i dytë që kanë udhëheqësit e rinj është se ata janë tepër optimistë, mendojnë se kurrë nuk do të bjerë shi, se asgjë nuk do të shkojë keq dhe pastaj zhgënjehen nëse dicka nuk shkon siç duhet. Kjo është diçka, në të cilën udhëheqësit e rinj kanë nevojë të punojnë, jo të gjithë por shumica e tyre. Këshilla e fundit është investimi në karrierë, liderët e rinj duhet të përpiqen të përmirësojnë rezultatet dhe të kërkojnë koment mbi punën e tyre. Shumica e njerëzve nuk duan të dëgjojnë komente sepse mund të jenë negative, të gjithë kanë frikë nga refuzimi dhe kjo është një nga disavantazhet që kanë udhëheqësit e rinj”, përfundoi ai.
Lexo më shumë
KosovaJob është rrjeti më i madh i punësimit në Kosovë, i çertifikuar nga Bureao Veritas me ISO 9001: 2015 për Menaxhimin e Cilësisë.