Çka është një letër dorëheqjeje dhe pse duhet ta shkruajmë?

5 Dhjetor '19

Çka është një letër dorëheqjeje dhe pse duhet ta shkruajmë?
	 	 

Nëse keni vendosur të largoheni nga një vend pune, pavarësisht rrethanave, konsiderohet shumë profesionale ta shkruani një letër dorëheqjeje që t’ia dërgoni punëdhënësit aktual. Duke dërguar një letër dorëheqjeje, ju do të lini hapësirë edhe për bashkëpunime të tjera të mundshme në të ardhmen.

Çka nënkupton dorëheqja?

Dorëheqja është një akt i njëanshëm i punëmarrësit, e cila nënkupton ndërprerjen e marrëdhënies së punës, me ç'rast punëmarrësi duhet t’i specifikojë arsyet e ndërmarrjes së një veprimi të tillë.

Çka është një letër dorëheqjeje?

Një letër dorëheqje nënkupton shprehjen e dëshirës për t’u larguar nga një vend pune, institucion ose kompani e caktuar. Në këtë letër, duhet të elaborohen arsyet se pse personi po largohet nga ai vend pune.

Pse duhet të shkruhet letra e dorëheqjes?

Letra e dorëheqjes duhet të shkruhet ngase nënkupton një formë profesionale të largimit nga puna, pavarësisht vendit ose pozitës së punës.

Në rast se punëmarrësi me vullnet të tij dëshiron ta shkëpusë marrëdhënien e punës, ai duhet çdoherë ta njoftojë punëdhënësin lidhur me arsyet e shkëputjes së marrëdhënies së punës brenda një afati të arsyeshëm kohor. Ky afat duhet të jetë i paraparë me ligj dhe kontratë të të punësuarit, me ç'rast edhe punëdhënësit i jepet mundësia e gjetjes së zëvendësimit për pozitën konkrete, brenda kohës së aryeshme.

Çka duhet të përmbajë një letër dorëheqjeje?

Një letër dorëheqjeje duhet të përmbajë:

  • Deklaratën se do ta lini punën
  • Titullin e pozitës suaj të punës
  • Datën e fundit deri kur do te jeni në atë pozitë pune
  • Mirënjohje për punëdhënësin tuaj
  • Diçka nga përvoja në kompaninë e caktuar
  • Ofertë për ta ndihmuar personin që do të vijë në pozitën e njejtë
  • Të dhënat tuaja kontaktuese

Shembull i një letre dorëheqjeje:

Përshëndetje (emri dhe mbiemri i personit të cilit po i drejtoheni)

Ju lutem pranoni këtë letër si njoftim për dorëheqjen time nga pozicioni  i (shkruani pozitën e punës të cilën e keni mbajtur) këtu në kompaninë (shkruani emrin e institucionit/kompanisë), me datën e fundit (shkruani datën e fundit deri kur mund të jeni pjesë e kompanisë).

Kam vendosur të largohem për shkak se (cekni arsyen se pse po largoheni, mund të jetë kyçje në një projekt të ri ose ofertë tjetër e punës, planifikim i studimeve jashtë vendit, etj).

Unë jam i gatshëm/ e gatshme për të ndihmuar në rekrutimin dhe trajnimin e personit që do të më zëvendësojë dhe do të sigurohem që të gjitha këto të kryhen para largimit tim, që të mos shtyhet as edhe një proces brenda kompanisë.

Dua t’iu falenderojë shumë për qasjen e mirë dhe vlerësimin e punës sime. Kjo kompani me ka dhënë shumë dhe shpresoj që kjo ka qenë reciproke. 

Pavarësisht largimit, nëse ndonjëherë ju konsideroni që unë mund të ndihmoj për të mirën e kompanisë qoftë edhe nga larg, ndjehuni të lirë të më kontaktoni.

Ka qenë një kënaqësi e madhe të punoj me ju dhe të gjithë stafin dhe definitivisht do të doja të mbesim në kontakt.

Çdo të mirë,

(Emri dhe mbiemri juaj)

(Të dhënat e kontaktit)

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2020 - KosovaJob LLC