Flakron Zhitija, make-up artisti 23 vjeçar i pëlqyer edhe nga të famshmit në Gjermani

18 Nëntor '21

Flakron Zhitija, make-up artisti 23 vjeçar i pëlqyer edhe nga të famshmit në Gjermani
	 	 

Ai është vetëm 23 vjeçar, por ka arritur që të bëhet njëri ndër make-up artistët më të kërkuar në botën e grimit. Që gjithçka filloi nga fëmijëria nuk është veçse diçka klishe, sepse ishin produktet kozmetike të mamasë së tij që e tërhoqën që kur ishte i vogël. Që atëherë, ai e kujton se sa shumë e tërhoqën flokët dhe bukuria e tyre. Është ky Flakron Zhitija, i cili e ndau me Akademi Pune suksesin në filizat e parë, megjithëse rruga e tij është ende shumë e gjatë. Suksesi sipas tij fillon në një pikë: në pozitivitetin që përçon.

KUSH ËSHTË FLAKRON ZHITIJA?

Flakroni u njoh për së afërmi me botën e grimit, fillimisht në shkollën e mesme, ku e kreu zanatin si stilist i flokëve, mandej punoi për dy kompani të njohura botërisht, 2 vjet për “Mac Cosmetics”, ndërsa një vit tjetër për kompaniën “Dior”. Kjo përvojë ia hapi të gjitha dyert, që sot të jetë themelues i biznesit të tij “Glam by loni”, që në vitet e hershme të të njëzetave. E në një moshë kaq të re, Flakroni është i kërkuar nga fytyra të njohura të ekranit si në Gjermani ashtu edhe në Kosovë.

Brumi i gjithë kësaj nisme, artisti kujton që u gatua që në kohën sa ishte fëmijë.

“Mbaj mend që kam qenë fëmijë i gjallë. Kam pasur dëshirë të vallëzoj, të këndoj, të gatuaj, të gjitha i kam bërë. Asnjëherë nuk kam qenë fëmijë negativ, gjithmonë kam qenë fëmijë i urtë, por energjik. Kam qenë fëmijë që ka bërë humor dhe çdoherë kam qenë unë ai që i ka mbledhë të gjithë bashkë”, kujton ai.

Flakroni thotë që ende e mban mend buzëkuqin e mamasë, që ajo e mbante gjithmonë me vete dhe, ngjyra e tij që e tërhiqte gjithnjë. Ngjyrat, stilet, e bukura në përgjithësi ishin diçka që ia kultivuan dëshirën që, sot të jetë make-up artist, mbase edhe në ndërdije të tij. Sepse siç thotë ai kurrë nuk kam pasë ndjenja për ta përfundu si shkollë ose profesion. Deri pasi e kam përfunduar shkollën, por shumë herët e kam kuptuar që po më pëlqen grimi”.

Make-up artisti e kishte aftësinë për të mësuar vetë. Fillimisht ai tregon që merrej vetëm me stilime të flokëve për meshkuj dhe femra. Por, duke qenë se klientët ndaheshin shumë të kënaqur me punën e tij, nuk mjaftoheshin vetëm me kaq, sepse e pyesnin nëse mund t’ua bënte edhe grimin.

Pas kësaj kam filluar për ta mësuar edhe grimin. Në fakt grimin e kam mësuar vetë, nga rrjetet sociale, Instagram, ose Youtube duke shikuar video të të tjerëve make-up artistë, se si i grimonin. Gjatë punës time kur e kam marrë zanatin e kam mësuar edhe grimin. Hapat e mi të parë kanë qenë në vitin 2014, ndërsa në vitin 2015 kam filluar që të grimoj. Ka 6 vite që grimoj, ndërsa 7-8 që stiloj flokë”, tregon Flakron Zhitija.

modele1

A KA BOTA E BUKURISË SFIDA?

Artisiti dhe stilisti thotë që sfida fillon që në momentet e para, vetë puna me persona që kujdesen shumë për dukjen e tyre dhe i shikojnë detajet në imtësi, është sfidë në vete. Prandaj, ai thotë që për t’u nisur në këtë rrugëtim duhet të jetë një dashuri e madhe në mes.

Ky është profesion që nuk mësohet. Mësohet se si të lirohet dora, ose të mësohen teknikat më të mira, ose për të punuar më pastër, por duhet ta kesh që në fillim në gjak këtë profesion. Siç e thash, që në fëmijëri kam dashur që të punoj me flokë.”, thotë ai.

modele3

NUK DO TË THOTË VETËM TA HAPËSH NJË SALLON

“Ky është profesion që mund ta bëjnë të gjithë, por jo të gjithë dijnë ta bëjnë”.

Kështu shprehet Flakroni për botën e grimit. Prandaj, ai mendon që për të pasur sukses duhet që ta bësh punën sa më pastër që të jetë e mundur, e po ashtu duhet që secili grimer/e ta ketë një pikë që e dallon nga të gjithë të tjerët. Por, sipas tij duhet që gjithmonë të jeni të gatshëm për të mësuar nga të tjerët, por edhe të tjerët të kenë çfarë mësojnë nga ti.

“E kur njerëzit ta vlerësojnë punën, është një lloj pagese shtesë që e merr, është konfirmim i punës tënde”, shton Flakroni.

Por si merret ky vlerësim? Artisiti kosovar thotë që merret përmes respektimit të klientit. Nëse vetë grimerët dhe stilistët nuk kanë paraqitje të mirë kur dalin përpara klientëve, kjo ua jep atyre ndjenjën e pasigurisë, e duke i bërë kështu të ndihen në duar të pasigurta. Në të gjitha profesionet e bukurisë, vetë duhet të prezantohesh mirë, që klienti të ndjehet mirë. Këto pra janë shumë me rëndësi që t’i pëlqesh klientit, por kryesorja është që t’ia japësh energjinë e mirë”.

modele2

ÇFARË DO TË THOTË GRIMI PËR FLAKRONIN?

Për Flakronin grimi nuk është vetëm hedhje ngjyrash në fytyrën e dikujt dhe thjesht përfitim. “Make-up për mua është art dhe shprehje e emocioneve”, thotë ai.

E shikoj si i ka vijat e fytyrës, si i ka vijat e syve, si i ka vetullat, si i ka buzët, çfarë mund të bëj, çfarë i përshtatet me konstruktin e fytyrës, si mund ta ndryshoj, jo për ta ndryshuar personin, por për t’ia nxjerrë bukurinë”. Këto janë vetëm disa nga pyetjet që i vijnë në kokë atij, sa herë që artisti e ka dikë përpara. Për të, ato janë tablo, por prej atyre të gjallave.

Unë dua që me make-up-in që e bëj personat përballë t’i gëzoj, sidomos nuset, sepse dita e nuses është dita më e rëndësishme për të. Pra, grimi për mua është art dhe mjet për ta gëzuar dikë”.

modele4

TË FRYMËZOHESH NGA TË TJERËT

Njerëzit që punojnë për rrugën e tyre, janë ata në të cilët Flakron Zhitija gjen frymëzim. Ata që përballen me gjithçka vetëm për të qëndruar në këmbët e tyre, por në të njëjtën kohë e ruajnë ende qëndrimin e tyre të mirë.

“Mua më inspirojnë ata make-up artistë që punojnë, që postojnë gjithë kohën grime, që nuk i postojnë vetëm klientët, por bëjnë foto-sesione, marrin modele, punojnë për punën e tyre dhe për ta treguar punën e tyre. Më inspirojnë njerëzit që kanë pozitivitet sepse edhe unë jam shumë njeri pozitiv.”, tregon ai.

Madje, Flakroni ka një moment që nuk do ta harrojë asnjëherë, sepse aty e ka kuptuar se pavarësisht se ku mund të arrish, ndjenja e mirë, përulësia duhet të jenë pjesë e karakterit të njeriut.

Më kujtohet kur kam qenë në Master Class, te njëri ndër grimerët më të famshëm në botë Makeup by Mario. Ai ka qenë inspirim për mua dhe e kam ndjekur për një kohë shumë të gjatë. Kur e ka pasur një Master Class në Shqipëri, unë menjëherë kam shkuar. Në momentin kur ka dalë në skenë e ka prezantuar veten, na ka falënderuar që kemi ardhë edhe, menjëherë ka filluar që të grimojë, pa bërë asnjë show. Ka qenë një person shumë më këmbë në tokë.”, rrëfen ai.

modele4

ÇFARË I MUNGON BOTËS SË GRIMIT NË KOSOVË?

Për cilësinë e grimit në Kosovë, artisti i njohur është shumë i entuziazmuar. Ai thotë jo vetëm që grimerët në Kosovë janë jashtëzakonisht të mirë këtu, por janë edhe jashtë kufijve të Kosovës.

“Botës së grimit në Kosovë nuk i mungon asgjë. Kosova është njëra ndër vendet më të njohura që është përhapur në gjithë botën për grim. Makeup artistët më të njohur në botë janë prej Kosovës, që i ndjekin ndjekësit prej të gjitha kontineteve dhe inspirohen prej tyre”, shprehet ai.

Ka vetëm diçka që u mungon make-up artistëve kosovarë sipas tij, ato janë produktet e shtrenjta, të cilat nuk gjenden këtu. Makeup artistat shkojnë i blejnë jashtë edhe i bijnë në Kosovë, në vend që t’i kenë në Kosovë dhe t’i blejnë këtu”, vazhdon ai.

modele5

KËSHILLA PËR TË RINJTË

E, megjithëse make-up artisiti e dashuron grimin dhe thotë që ai u jep femrave më shumë energji ai ka një këshillë të vyeshme për të gjithë të gjitha të rejat që kanë dëshirë të grimohen.

Unë them gjithmonë për bajzat e reja që me pasë shumë kujdes, që të mos lyhen tepër sepse lëkura është ende shumë e mirë dhe shumë e butë, pa probleme. E nëse grimin nuk e pastroni mirë, fytyra mund të iu infektohet. Edhe kur grimoheni keni kujdes se çfarë produktesh zgjedhni, jo produkte false. Pak concealer, pak masacara, pak lip gloss, mjafton për përditshmërinë.

Për fund, Flakroni ka një këshillë për të gjithë ata që dashurinë për grimin duan ta kthejnë në profesion, sidomos për të rinjtë: Të mos e fillojnë si diçka vetëm për të bërë para, por ta shohin si art, sepse qenia njerëzore është arti vetë.

Se gjithçka vetëm sa ka filluar për të, e pohon edhe Flakroni, ai thotë që rruga e tij është e gjatë, e me plane që disa i ka të gatshme që tani. /Akademi Pune

 

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2023 - KosovaJob LLC