Si duhet të visheni në një intervistë pune?

22 Nëntor '19

Si duhet të visheni në një intervistë pune?
	 	 

Ndonëse për shumë njerëz veshëmbathja në një intervistë pune nuk përbën diçka të një rëndësie të veçantë, ndër përshtypjet e para të një punëdhënësi është edhe stili i veshjes. 

Kësisoj, krahas aftësive profesionale, veshja luan një rol të rëndësishëm po ashtu. Ka shumë opsione të cilat mund t'i konsideroni për t’i veshur në një intervistë pune, varësisht prej kompanisë ku keni aplikuar.

Në vazhdim, ne ju sjellim disa sugjerime se çka mund të vishni në një intervistë pune:

  • Veshje profesionale. Për burrat, kjo mund të nënkuptojë kostum - setër dhe pantallona, një këmishë dhe kravatë. Për gratë, një bluzë dhe pantallona më zyrtare apo ndonjë fustan.

Pavarësisht gjinisë, do të duhej t’i kushtoni rëndësi edhe ngjyrave që përzgjedhni për veshjen në intervistë. Shmangni gjithçka që mund të jetë shumë e ndritshme.

  • Veshje e thjeshtë. Nëse keni aplikuar në një mjedis jo shumë zyrtar, atëherë ju mund të përzgjedhni veshje të cilat janë më pak zyrtare, krahasuar me kostumet por patjetër që duhet të jenë më profesionale se sa një maicë apo sandale.

Është mirë që të dini pak edhe për kodin e veshjes. Nëse nuk jeni të sigurtë, lexojeni edhe njëherë profilin e kompanisë në të cilën keni aplikuar. Kështu, ju do të orientoheshit më saktë rreth asaj se çfarë duhet veshur. 

Për burrat:

  • Kostum me ngjyra të mbyllta si e zezë apo e hirtë
  • Këmishë me mëngë të gjata, me ngjyrë të bardhë ose e kombinuar me kostumin
  • Rrip lëkure
  • Kravatë
  • Çorape të errëta dhe këpucë lëkure

Per gratë:

  • Veshje me ngjyrë të zezë ose gri 
  • Kostume nën gjunjë
  • Bluzë të kombinuar me kostumin
  • Këpucë më zyrtare
  • Grim të lehtë (nëse përdorni)
  • Jo shumë bizhuteri

Si ndikon ana e jashtme në një intervistë pune?

Me anën e jashtme nënkuptohet ndikimi që veshëmbathja e kandidatit ka tek intervistuesit në mënyrë direkte. Veshëmbathja e duhur për një intervistë pune kryesisht varet nga pozita dhe kompania në të cilën keni aplikuar, mirëpo ajo mund të varet edhe nga faktorë tjerë si stina apo edhe preferencat tuaja.

Nëse keni aplikuar në ndonjë kompani që merret me fushat si: kontabiliteti, drejtësia, punët qeveritare, banka, etj, veshëmbathja juaj në intervistë duhet të jetë serioze. Mirëpo, nëse p.sh jeni artist , atëherë nuk është e nevojshme të shkoni me një kostum. 

Si ndikon ana e brendshme në një intervistë pune?

Rrobat që ju përzgjedhni për t’i veshur në një intervistë pune tregojnë po ashtu edhe: 

  • Profesionalizëm. Kur i kushtohet rëndësi veshjes në detaje, kandidati arrin të përçojë tek punëdhënësi mesazhin se i njeh normat dhe është i gatshëm t’i pranojë rregullat e punës.
  • Vetëbesim. Veshëmbathja ka ndikim të madh në mendjen dhe në nivelin e rehatisë tuaj gjatë intervistës. Kur ndjeheni rehat në veshje, vetëbesimi mund të jetë më i lartë. Nëse ju keni vetëbesim dhe ndjeheni rehat me veshjen tuaj, zgjedhja e veshjes nuk do të ketë shumë rëndësi, për shkak se ju do transmetoni energji dhe pozitivitet dhe karakteri juaj do të jetë ai i cili do të tërheqë vëmendjen e intervistuesve.
  • Respekt. Veshja e duhur në një intervistë pune tregon që kandidati përpos aftësive profesionale, i njeh rregullat dhe standardet e kompanisë dhe do ta respektojë kompaninë si edhe klientët.

Gjithsesi, rehatia juaj me veshjen ka më shumë rëndësi se veshja specifike të cilën mund ta përzgjedhni. 

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2023 - KosovaJob LLC