"Receta nuk ka shpirtë. Ti si kuzhinier, duhet t’i japësh shpirtë recetës."
-Thomas Keller-
Marrja e udhës së gjatë për në Mbretërinë e Bashkuar, në një ditë të ngrohtë qershori 30 vite më parë, bëri që vendi i Ilirit në shkollën e mesme “Sami Frashëri” të mbetej i zbrazët, ende pa e përfunduar atë. Ishte ky udhëtim në moshë të re që ia përcaktoi shpirtin e tij të aventurës, e atë aventurë “ta shënonte” brenda hapësirës së tij krijuese të kuzhinës.
Mendja kureshtare e Ilir Havollit nga Kosova e shtyu atë të endej rrugëve të Londrës, jo vetëm për ta njohur lagjen ku ishte vendosur, por edhe rrethin me njerëz e zakone në atë kryeqytet anglez. Për të gjithçka ishte ndryshe, interesante, që të bënte të zhyste në mendime për ta gjetur përgjigjen, e të linin pa frymë.
“Më kujtohet se bleja biletën ditore të transportit publik dhe dilja e shëtitja tan ditën, e kisha si cak që ti' vizitoja të gjitha ato rrugë dhë monumente që kisha mësuar në shkollë. Më fascinonte gjithçka, makinat lëviznin në anën e kundërt të rrugës, autobusët nuk kishin derë fare dhë ishin në dy kate, pazaret ishin shumë të pasura dhe mund të gjeje gjithçka, e plot e plot gjana të ndryshme që mua më dukeshin shumë interesante! Kur i ndëgjoja njërzit duke folur, wow më dukej se nuk kisha mësuar asnjë fjalë anglisht në shkollë, disi tingëllonte shumë më ndryshe se ç'kishim mësuar!”, rrëfen Iliri fillimin e tij për Akademi Pune.
Pasi kishte eksploruar në imtësi gjithë vendin, Iliri tregon që kishte ardhur koha të gjente diçka për të punuar. Shitja e farmerkave në Pazar të Soho-s ishte puna e parë që kishte bërë ndonjëherë. Por, nuk shkoi shumë gjatë dhe u largua nga aty, sepse siç thotë Iliri, ajo punë nuk ishte për të.
Ai vendim nuk i hapi vetëm një derë, por shumë tilla. Puna e re në një restorant të Londrës nuk i dha vetëm të ardhura, por edhe frymëzim dhe njerëz që ai do t’i mbajë gjithmonë në kujtesë. Ai kujton sesi pasi e kishte kuptuar që i pëlqente shumë të punonte me njerëz, i lindi ideja që, pse të mos e kishte edhe ai një biznes të vetin një ditë?! Si një adoleshent vetëm 17 vjeçar, nuk u përmbajt dot dhe këtë i ngazëllyer ia tha pronarit të atij restoranti. “Ai më shikoi dhe më tha, nësë vërtetë dëshiron ta bësh, nuk do të këtë forcë që të të ndal”, tregon Iliri.
Ishte kjo një fjali që u tha me aq lehtësi, saqë prej atij momenti e tutje asgjë nuk e ndaloi të riun kosovar që të punonte në drejtimin e ëndrrës së tij të madhe!
ÇFARË DO TË THOTË TË MOS PUNOSH VETËM PËR VETEN?
Pas disa kohësh, vërtet që ëndrra e tij u bë realitet, jo sepse fati e deshti kështu, por sepse ai punoi fort për të dhe në fund u shpërblye. Sigurisht motivi i tij nuk përfundoi këtu, madje atëherë motivimi dhe energji u shumëfishua, jo vetëm për ta mbajtur Cafe Phillies në këmbë, por sepse vendi për të cilin pati aq shumë mall nuk njihej nga mysafirët.
“Sa herë që iu kam treguar njerëzve së nga jam dhe ata nuk e kan ditë së ku është ai vend, jam motivuar për të punuar më shumë në mënyrë që më punë të arrijmë dhe të gëzojmë respektin e komunitetit ku tanimë ishim ba pjesë përbërëse dhe ishim të mirëpritur më krahëhapur!”, tregon Iliri.
Sot Cafe Phillies, është një institucion në një vend të këndshëm të Kwnsington, që respektohet dhe shihet me aq dashamirësi nga komuniteti por, edhe më gjerë. “Buzëqëshja në ftyra të mysafirëve, mirënjohja dhe shprehja e falënderimit dhe respektit për punën që bëjmë, është motivimi që më zgjon nga gjumi!”, shprehet Iliri.
ÇFARË E BËN TË VEÇANTË “STROFKËN” E ILIRIT?
Për shumë të njohur të botës së artit, politikës, sportit, medias e shkencës kafja e Ilir Havollit kishte qenë ndalesë e këndshme dhe relaksuese. Kjo edhe është ajo që e bën të veçantë hapësirën e dashur të tij.
“Ne frekuentohemi nga figura të njoftuna publike te sferave të ndryshme, si gazetarë, sportistë, aktorë të ndryshëm, politikanë, shkëncëtarë e afaristë të ndryshëm! Po i ceki vetëm disa : Piers Morgan (gazetar), Roman Abramovich (Oligark), Shefki Kuqi, Përparim Rama (arkitekt) Jimmy Page(led zeppelin), The Edge(U2), Randy Jackson (vëllau i M.Jackson të famshëm), Uma Thurman ( aktor) John Terry (futbollist) Brian Cox( shkëncëtar) e plot e plot tjerë që në Kosovë njifen më pak!”, i përmend kosovari vetëm disa nga ata që kanë qenë aty.
TË JESH I MOTIVUAR, PËR T’I MOTIVUAR TË TJERËT
Për ta arritur një sukses të tillë, sigurisht që jo gjithçka ka shkuar ujë. Një profesion i tillë kërkon energji dhe përkushtim të madh. Presioni i madh për qenë gjithçka e pastër, e rregullt dhe e shpejtë për një kohë shumë të shkurtër, është një vrimë e zezë që i përpinë të gjitha ata që punojnë në të. Prandaj, barrën për të mos e lejuar këtë e ka sigurisht Iliri i cili është një lider i lindur.
“Unë gjithmonë udhëheq nga fronti dhe me mangë të përkëdhelta, pra me shembull. Me komplimente kur e meritojnë, si më fjalë po ashtu edhe më stimulim financiar, por më së shumti duke i mbajtur të entuziazmuar për punë, më risi dhë bartje të përgjegjësisë që secili të ndihet së është pjesë ë rëndësishme e punës!”, tregon Iliri.
Këta punonjës që e kanë fatin ta kenë një udhëheqës si Iliri, shumica prej tyre janë shqiptarë tregon pronari i Cafe Phillies. Edhe ata pak shqiptarë që jetojnë në lagjen e ngrohtë, ku lokali mikëpritës Phillies i mban gjithnjë dyer e hapura, hyjnë përmes tyre sa herë që dalin. “Por brumi i punës sonë është më njerëzit lokal, ata që punojnë në zyret dhe bizneset përreth dhe turistët që në Londër vijnë nga të gjitha anët e botës!”, vazhdon ai.
TË HASH PO, POR ÇFARË?
Shërbimi, ushqimi i shijshëm dhe i llojllojshëm janë ato që e bëjnë një vend për pushim të lakmueshëm. Si person, shpirti aventurier i të cilit doli në pah që prej moshës 17 vjeçare, Iliri ka vazhduar ende që t’i “shijojë” pothuajse të gjitha qendrat kryesore të botës. Dashuria e madhe për ushqimin dhe kontakti me njërëz ka bërë që shporta e tij të mbushet me recetat më të mira të këtyre viseve.
“Gjatë udhëtimeve të mia jam frymëzuar nga shijet e ndryshme dhe kam bërë për vete disa lloje të ndryshme të ushqimeve që në vazhdimësi i servojmë në lokal!”, shprehet Iliri.
Me pasion të madh ai përgatitë dhe zgjedhë ushqim organik për të ushqyer mysafirët dhe punonjësit e tij.
ÇFARË E BËN KAQ PASIONANT DHE ENERGJIK ILIR HAVOLLIN?
Edhe pas orarit jashtëzakonisht aktiv të punës, në njëfarë mënyre Iliri ende nuk ndahet nga ajo. Fryma krijuese e ndjek edhe gjatë kohës sa gjendet në shtëpinë e tij të dashur. Gjimanstika, sporti dhe sportet marciale e meditimi para gjumit, këto janë ato që e ndihmojnë të jetë i suksesshëm në profesionin e tij.
“Kam shumë dëshirë dhe besa e ndiej si nevojë që gjithmonë të krijoj diçka. Në shtëpi kam një kopsht të vogël ku shpesh merrem me të dhe mbjell erëza dhe lule të ndryshme, kam ca mollë, qershi e fig. Po ashtu kam pasion për të ndërtuar mobilie të oborrit dhe i bëj me dru që zakonisht i gjej kur njerëzit e hedhin nga përdorimi. Ushtroj, vrapoj dhe luaj futboll një herë në javë dhe mirrem me Tai Qi, Qi Kung dhe Wing Chun.(sporte marciale kineze). Çdo mbramje para se me ra me fjet, meditoj në qetësi totale për gjysmë orë!”.
NJË UDHËZIM I SINQERTË PËR TË GJITHË TË RINJTË
Kosova është “parajsa” e atyre që karrierën e tyre duan ta drejtojnë në fushën e gastronomisë. E për të gjithë ata që po hamenden dhe ende nuk e kanë marrë plotësisht vendimin, Iliri i ka pesë pyetje.
“Për njërëzit që kanë vullnet të mirren me gastronomi si profesion, unë i kisha këshilluar ta pyesin veten: Pse Gastronominë? A kanë pasion dhe dashuri për të shërbyer dhe respektuar njerëzit me buzëqeshje në fytyrë? A kanë dashuri për ushqim të mirë dhe pije kualitative? A janë lider të mirë kompetentë dhe Team Players? A janë kreativ dhe me plot energji? Nesë përgjegja është pozitive në të gjitha këto pyetje atëherë unë i këshilloj që të merren me mikëpritje sepse do të kenë një jetë të pasur dhe me plot kujtime të mira”, këshillon Iliri.
Në mes të Kosovës e Anglisë, Iliri gjendet në dilemën e atyre që në moshë të njomë janë vendosur në një vend tjetër. Ai thotë që nuk e ndjen veten plotësisht si në shtëpi në Angli e as kur kthehet në Kosovë, por në një vend ai padyshim që ka lëshuar rrënjë: Në kuzhinën e tij. /Akademi Pune