Si të bëni një aplikim të suksesshëm për punë?

21 Nëntor '19

Si të bëni një aplikim të suksesshëm për punë?
	 	 

Në mbarë botën, punëdhënësit përdorin forma të ndryshme të aplikimit për të mbledhur të dhënat e nevojshme për kandidatët. Aplikimi mund të bëhet përmes dorëzimit fizik të dokumenteve, internetit apo edhe telefonit. Zakonisht, kompanitë caktojnë një formë aplikimi dhe kandidatët duhet ta ndjekin atë formë.

Aplikacionet zakonisht dorëzohen në disa mënyra:

  • Nëpërmjet e-mail adresës së kompanisë
  • Nëpërmjet formave të gatshme në webfaqet e kompanive
  • Nëpërmjet ndonjë portali të jashtëm të punësimit.

Edhe nëse keni gjetur një punë të cilën e konsideroni të përshtashme për veten, mos e plotësoni menjëherë aplikacionin. Paraprakisht, tentoni t’i jepni kohë vetes që ta rishikioni atë dhe kështu do të ketë më pak gjasa të bëni ndonjë gabim.

Në qoftë se kompania kërkon që kandidatët të aplikojnë nëpërmjet e-mail, atëherë në e-mail ju duhet të nënvizoni:

  • Pozitën për të cilën aplikoni (në subject të e-mailit)
  • Të bashkangjisni C.V-në tuaj dhe letrën e motivimit
  • Kopjen e çdo dokumenti shtesë të kërkuar nga kompania

Nëse në shpalljen e punës shkruan që aplikimi duhet të bëhet nëpërmjet webfaqes së kompanisë, atëherë juve ju duhet të hulumtoni pak në faqen e tyre zyrtare që të orientoheni më mirë. Ndërkaq, nëse aplikoni përmes ndonjë portali të punësimit, duhet t’i ndiqni të gjitha udhëzimet  e cekura në përshkrimin e punës.

Sa i përket aplikimit nëpërmjet telefonit, krejt çka nevojitet është të kontaktoni kompaninë direkt në telefon dhe të shprehni interesimin tuaj për të punuar në vendin e ri të punës që ata kanë hapur. Përfaqësuesit e kompanisë pastaj mund t’iu japin më shumë informacione.

Një formë tjetër e aplikimit është dorëzimi i dokumenteve direkt në zyret e kompanive. C.V-ja, letra motivuese dhe çdo dokument tjetër duhet të jenë të printuara dhe të mbyllura në një zarf  të cilin duhet ta dorëzoni në zyret e kompanisë. 

Çka duhet të përfshihet në një aplikim pune?

Në mënyrë që të nxisni kurreshtjen e një punëdhënësi për t’iu ftuar në intervistë dhe për t’i demonstruar pastaj aftësitë tuaja, aplikimi duhet të jetë unik. Disa nga punëdhënësit mjaftohen vetëm me CV-në dhe letrën motivuese por jo të gjithë. Ka prej atyre që duan më shumë informacion rreth kandidatit.

Kësisoj ju mund të bashkangjisni edhe dokumente të tjera të cilat japin më shumë detaje për ju. Arsyet se përse punëdhënesit zakonisht kërkojnë më shumë informacione rreth një kandidati është ngase duan të krijojnë një pasqyrë më të mirë rreth tij. 

Ndërkaq, gjërat që medoemos duhet të përfshihen në një aplikim pune janë: informatat personale, edukimi, përvoja e punës dhe deklarata personale ku ju e argumentoni se pse jeni personi i duhur për atë punë.

Çka nuk duhet të përfshihet në një aplikim pune?

Kur aplikoni për punë, ju nuk jeni të obliguar të cekni moshën, nacionalitetin, religjionin apo orientimin seksual.

Ju duhet të jepni vetëm të dhënat të cilat e mbështesin aplikimin tuaj. Ndërkaq,  të dhëna të tjera mund t’i shpalosni më pas në një mënyrë më konfidenciale.  Gjithashtu, gabimet drejtshkrimore në një aplikacion pune janë të patolerueshme pavarësisht pozitës së punës për të cilën aplikoni.

Ndonjëherë format e aplikimit kanë edhe rubrika ku kërkohen arsyet pse e keni lënë punën e mëparshme, kështu që kujdesuni që të mos shkruani gjëra negative për punët e kaluara ngase kjo mund të vë në pikëpyetje përformancen tuaj.

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2021 - KosovaJob LLC