Janë duartrokitjet e publikut që ia japin atë energji të pashtershme që e karakterizon atë. Madje për të nuk ka çmim e as shpërblim më të madh se ky. Shengyl Ismaili ka mbi dy dekada që i jep gjallëri publikut përmes artit me punën që ajo bën. Që e vogël, Shengyli nuk ishte publik i zakonshëm. Ajo rrëfen sesi sa herë që ka shikuar ndonjë film a shfaqje imagjinata e saj merrte kahje tjetër.
“Gjithmonë e kam dashtë artin...i kom shiqu filmat me pasion të madh, edhe sa herë kom kqyr naj film, veten e kom paramendu brenda ekranit, njëjtë edhe në teatër, kom qenë e vogël , kur shikojsha ndonjë shfaqje veten e paramendojsha në skenë”, kujton aktorja për Akademi Pune.
E kjo ëndërr e Shengylit po bëhej shumë e madhe, për ta injoruar apo ndrydhur brenda vetes. Ajo thotë që hapin e parë që e bëri në këtë drejtim ishte regjistrimi në fakultetin e arteve, vend ky i cili ia përforcoi ëndrrat e mëdha që i kishte për aktrimin. Por, pas përfundimit të studimeve, aktorja kujton që diçka shkonte ndryshe nga ajo që e kishte imagjinuar gjatë tërë kohës. Ky ishte edhe fillimi i rrugëtimit të saj si aktore.
“Në fillim, ofertat për punë i kisha të pakta dhe përderisa i shihja koleget e mi duke ushtru profesion, unë isha në shtëpi, e dëshpërume, edhe u ndijsha e lanun mas dore, nuk kuptojsha pse nuk po me jepet mundësia të tregoj se sa di e sa vlej si aktore. Ka qenë nji periudhë shumë e randë për mua si Shengyl dhe si aktore.”
Ndërsa, sot ajo është shembull i gjeneratave të reja të aktorëve, për punën dhe përkushtimin e madh, e që i sollën shumë suksese. Të bërit art është qëllimi me të cilin u nis dhe do e përfundojë. E këtë këshillë e ka edhe për aktorët e rinj dhe ata të cilët duan t’i hyjnë udhës së aktrimit.
“Të kenë nji qëllim, e ai qëllim të jetë me sjellë sa më shumë art, jo të jetë qëllimi FAMA, fama vie me kohë...se ndonjiherë kam përshtypjen se arsyeja pse zgjedhin aktrimin asht të bëhen të famshëm...e fama vjen me punë, me shumë punë e përkushtim”, këshillon Shengyli.
Një përjetim për të mos u harruar
Të jetosh për të aktruar – kjo mënyrë jetese sigurisht që do t’i bëj që as momentet e veçanta gjatë karrierës të mos kenë munguar, as për aktoren tonë. Aktorja nuk e ka harruar njërën ndër shfaqjet me përjetimin më të çuditshëm që i dha e, më të cilën e fitoi çmimin si aktorja më e mirë në Festivalin e Dibrës.
“Do ta veçoja nji rol që e kam pasë në Teatrin Dodona "Fundloja e Beketit" me regji të Kastriot Saqipit, unë isha vetëm 26 vjeçare, kisha rolin e një zonje të moshuar 80 vjeçare...e paralizuar në karrocë. Pse pikërisht e përmenda këtë rol asht, sepse gjatë premierës nga përgjegjësia e madhe që kisha për rolin, unë kah gjysma e shfaqjes me të vërtetë fillova mos me e ndi trupin, asgjë në trupin tim nuk lëvizte, madje as tekstin 3,4 minuta nuk kam mujt me e thanë...thjesht ishte një lloj paralize momentale...saqë i kam ngritë sytë kah kabina prej ku ishte i ulur regjisori, edhe doja me i thanë, lëshoji perdet, sepse nuk muj me vazhdu shfaqjen, por nuk me dilke asnjë shkronjë nga goja, isha e palëvizshme...por pas disa minutave gradualisht fillova me i ndi gishtat, trupin, dhe m’u liru goja.
Kurrë në jetë nuk kom me e harru atë moment, kjo ka ndodhë sepse roli ishte shumë i veshtirë shumë rol i madh, për nji aktore të vogël qysh isha une”.
Të lundrosh nëpër role, që secili është më ndryshe se tjetri, të përjetosh momente që mbase as nuk i kishe imagjinuar më parë, e të arrish ta përcjellësh emocionin te secili person veç e veç në publikun që mund të jetë me mijëra, duhet një vullnet i madh. Po ku e gjenë Shengyli atë?
“Fëmijet e mi...dashuria e madhe që e kam për artin, për të bukurën”, shprehet aktorja.
Në mes të dy dashurive - filmit e tetarit
Për aktorët mbase kjo është pyetja më e shpeshtë që u bëhet. Ani pse si për filmin ashtu edhe për teatrin themeli i tyre është arti, në strukturë dallojnë. Për një person si Shengyli të cilën gjallëria e karakterizoi që nga fëmijëria, të dy krijimet, ajo thotë që i japin adrenalinë, por mbase pak më shumë arrinë ta dallojë njërën.
“Paj... teatri është i drejtpërdrejtë, ka adrenalinë më shumë, sepse çdo reprizë është premierë për mu, se dallon publiku...filmi, asht i veçantë se mbetët në arkivë për tanë jetën, po në të njëjtën kohë asht shumë i veshtirë me u realizu, se ke shumë ndërpremje, e aktorit i duhet me qenë i njëjtë, nese 1 skenë xhirohet 10 dubla, pavarësisht çka ndodhë, aktori duhet ta ketë emocionin që i kërkohet nga regjisori.
Dyjat si teatri si filmi janë të vëshira në formën e vet, dyjat të japin adrenalinë... kanë sfida të mëdha... por unë ndihem më Shengyl, më vetvetja në teatër, aty frymoj, aty jetoj.. aty jam UNË Shengyli”, shprehet aktorja.
Pse veçohen “Shpija e Agës” dhe “Bordel Ballkan” nga Shengyl Ismaili?
Për kaq vite sa është pjesë e artit dhe kulturës në Kosovë, aktorja ka kaluar nëpër role të shumta. Por ajo arrinë që dy ti dallojë, pikërisht për shkak të ndjeshmërisë së tyre. Njëra në film e tjetra në teatër, patën një mesazh aq të fuqishëm, sa njeherë u nevojit edhe siguria nga policia që të zhvillohej shfaqja.
“Ka shumë e shumë role... që i du tepër, në film e veçoj rolin te filmi"Shpija e Ages" sepse kam pasë rol shumë kompleks, shumë me përgjegjësi të madhe, luaja rolin e një gruaje të përdhunuar gjatë luftës në Kosovë dhe kisha frikë të madhe sesi do te pranohet ky rol, se a do arrija me e përçu mesazhin në publik.
Në teater e veçoj rolin e Esmës në shfaqjen "Bordel Ballkan" kisha rolin e nji prostitute... nji shfaqje që flet për pas-luftën në Kosovë, nji shfaqje që për 2 vite radhazi asht dhënë në repertoarin e Teatrit Kombëtar... gjithmonë me përcjelljen e forcave policore, sepse kemi pasë kërcënime të vazhdueshme...kjo e ka bo të veçantë si shfaqjen si rolin tim...
Unë revoltën time si qytetare e Kosovës mundem me e tregu vetem nëpërmes artit tim... ehhh kjo revolte disave edhe ju ka pengu...e verteta dhemb por asht e VERTETË”, rrëfen Shengyli.
Dikur një vajzë e re që pati nevojë që ta dëshmonet veten në sytë e regjisorëve, për ta dëshmuar që ajo mundej dhe ishte e aftë ta çonte në fund, atë për të cilën ishte destinuar aktrimi, Shengyli arriti të shkonte në Festivalin Ndërkombëtar të filmit Karlovy Vary, ku u shfaq premiera botërore e filmit “Shtëpia e Agës”.
Kjo për Shengylin ishte pervoja që nuk do ta harronte kurrë dhe pika kulminante në karrierën e saj.
Si është një ditë për Shengylin?
Kafja turke është ajo që ia hapë sytë Shengylit. Ajo e shoqëron në mëngjes herët para se të shkojë në punë. E krahas profesionit si aktore, Shengyli e menaxhon edhe një lokal në kryeqytet, duke e bërë kështu ditën e aktorës edhe më aktive.
“Zgjohna shumë herët, kam dëshirë kafen e parë me pi në shpi, nji kafe turke, pastaj vazhdoj me punë, unë përveç aktrimit menaxhoj nji lokal në Prishtinë, kështu që kam ditë të ngarkuar thujase çdo dite...lokal, teatër, film, prap lokal, kur kam me pak pune mundohem me iu përkushtu fëmive të mi në maximum”, tregon ajo.
Të jesh aktor/e në Kosovë
Me gjithë përkushtimin që kanë aktorët dhe dashurinë e pakufishme që kanë për atë që sjellin, ata përballen më vështirësi të shumta. “Mjerim”, kjo është fjala që e përshkruan më së miri gjendjen e aktorëve në Kosovë thotë aktorja.
“Shumë vështirësi, të jetosh prej artit asht shumë vështirë, unë punoj nganjëherë 20 orë në ditë, xhiroj prej xhirimit vrapoj në teatër etj. dhe ndonjëherë mezi ia dal, sepse pagat janë alarmante në gjendje të mjerueshme, asht turp sesi paguhen aktorët në Kosovë. Po flas unë që punoj shumë, paramendoni sesi i ka punët akorët që nuk janë edhe aq të angazhuar, mjerim”.
Në fund Shengyli ka vetëm një kërkesë “Thjesht të na çmohet puna e mundi jonë...”./Akademi Pune