Si të përgjigjeni në 10 pyetjet më të zakonshme në intervista të punës

12 Nov, 2019

Si të përgjigjeni në 10 pyetjet më të zakonshme në intervista të punës
	 	 

Nuk ka ndonjë mënyrë se si ta dimë se cilat pyetje mund të parashtrohen saktësisht gjatë një interviste pune. Duke qenë se intervistat e punës dallojnë nga kompania në kompani, edhe pyetjet mund të ndryshojnë. Mirëpo, disa pyetje lehtë mund të prisni që do t’iu bëhen sepse ato tashmë janë bërë të zakonshme në intervista të punës.

Nëse i përgatisni përgjigjet në këto pyetje, do të keni mundësinë të lini një përshtypje të veçantë tek intervistuesi. Nëse jeni shumë të përgatitur dhe jepni përgjigje të duhura, do të jetë shumë më e lehtë ta merrni vendin e punës.

KosovaJob, ju sjellë disa nga pyetjet më të zakonshme që bëhen në intervista të punës si dhe përgjigjet që mund të sjellin më afër përzgjedhjen për atë vend pune. Ka kompani të cilat mund të mos e bëjnë ndonjërën nga pyetjet e mëposhtme mirëpo këto konsiderohen si pyetjet më të shpeshta. 

  1. A mund të na tregoni pak për veten? Kur i përgjigjeni kësaj pyetjeje, tentoni të mos flisni në detaje për veten. Mundohuni t’i tregoni vetëm pikat tuaja kryesore. Fokusohuni në ato pika që lidhen me pozitën e punës për të cilën po intervistoheni. Tregoni se pse ju jeni personi i duhur për atë punë dhe flisni për gjërat kryesore që mendoni se duhet t’i dijë intervistuesi. 
  2. Ku e keni parë shpalljen e punës? Duke u përgjigjur në këtë pyetje, do të keni mundësinë t’i tregoni kompanisë se jeni në rrjedha me të rejat nga kompania. Tregoni sinqerisht se ku e keni parë konkursin, qoftë nëse ua ka treguar një shok, nëse e keni parë në platforma punësimi, rrjete sociale etj.
  3. Çka dini për kompaninë tonë. Kjo pyetje cilësohet si pyetja me e zakonshme në intervista të punës dhe është thuajse e pamundur të mos bëhet. Pothuajse çdo kompani, çfarëdo industrie, do t’ua bëj kandidatëve këtë pyetje. Të gjithë kandidatët inkurajohen të lexojnë paraprakisht rreth kompanisë, të mësojnë më shumë për qëllimet dhe misionin e kompanisë që këto pastaj t’i nënvizojnë në intervistën e punës. Ideale do të ishte nëse një kandidat arrinë t’i lidhë mendimet personale me misionin e kompanisë, kësisoj intervistuesi do të kuptojë se çka e lidhë një kandidat me kompaninë.
  4. Si e kuptoni pozitën e punës? Në këtë pyetje do të keni mundësinë të tregoni se me sa precizitet e njihni rolin i cili do të mund t’iu ofrohet. Definojeni mirë pozitën e punës, flisni për aftësitë që kërkohen për atë pozitë dhe tregoni nëse mendoni që ju i posedoni ato.
  5. Pse e dëshironi këtë punë? Kompanitë duan të punësojnë gjithmonë njerëz të cilët janë të apasionuar pas punës, tregoni se pse personaliteti juaj lidhet shumë mirë me këtë punë, jepni lëvdata kompanisë për punën të cilën e kryejnë. Nëse pozita e punës p.sh lidhet me marrëdhënie me publikun, ju mund të thoni se keni shumë dëshirë të jeni në kontakt me njerëzit.
  6. Pse po e lë punën e tanishme ose pse e keni lënë punën e mëparshme? Edhe kjo pyetje ka shumë gjasa që mund të bëhet. Mundohuni ta ruani anën pozitive dhe kurrë të mos flisni keq për punëdhënësit e kaluar. Këtu mund të tregoni se jeni në kërkim të një pune më sfiduese ose sepse mendoni që në atë pozitë dhe atë kompani do ta gjeni veten më mirë.
  7. Cilat janë dobësitë tuaja? Punëdhënësit duan të dinë edhe për dobësitë e kandidatëve. Mos u ndjeni keq të flisni mirëpo tregoni edhe për masat që keni ndërmarrë ose po ndërmerrni për t'u përmirësuar.
  8. Cilat janë pikat tuaja të forta? Gjithçka që konsideroni si pikë tuajen të fortë, mos ngurroni ta thoni, vetëm mos e teproni sepse mund të dukeni sikur po mburreni. Në pika të shkurtra flisni për disa nga aftësitë e juaja - mundohuni t’i lidhni me rolin për të cilin keni aplikuar.
  9. Cilat janë pritshmëritë e juaja për rrogën? Gjithmonë cekni një shumë, qëndroni në një mes dhe patjetër lini hapësirën për diskutim.
  10.  A keni ndonjë pyetje? Pavarësisht nëse shumicën e gjërave i keni të qarta, mos dilni nga zyra pa e bërë ndonjë pyetje. Kështu kuptohet se ju jeni të interesuar për kompaninë dhe rolin që po ofrohet.
Fillo Kuizin
Testojeni veten, mësoni më shumë dhe argëtohuni në të njejtën kohë nëpërmjet kuizeve që ofrojmë ne për ju.
  • Cili qytet ishte kryeqendra e Ardianëve?
    A
    Shkodra
    B
    Ulpiana
    C
    Durrësi
    D
    Ohri
  • Cili fis ilir banonte në territorin e Kosovës së sotme?
    A
    Taulantët
    B
    Dardanët
    C
    Enkelejtë
    D
    Albanët
  • Cili ishte mbreti i parë ilir?
    A
    Bardhyli
    B
    Pirroja
    C
    Sirra
    D
    Agroni
  • Kush ishte udhëheqës i Lidhjes së Pejës?
    A
    Haxhi Zeka
    B
    Sulejman Vokshi
    C
    Bajram Curri
    D
    Kadri Bajri
  • Kur filluan sulmet e NATO-së kundër forcave serbe në Kosovë?
    A
    Më 20 shkurt 1999
    B
    Më 23 shkurt 1999
    C
    Më 24 mars 1999
    D
    Më 27 mars 1999
  • Kur dhe ku u miratua Kushtetuta e Republikës së Kosovës?
    A
    7 shtator, 1990 në Kaçanik
    B
    7 nentor, 1990 në Pejë
    C
    10 shtator, 1992 në Prizren
    D
    10 tetor, 1992 në Prishtinë
  • Kush ishte kryetari i parë i Kosovës së çliruar?
    A
    Ibrahim Rugova
    B
    Fatmir Sejdiu
    C
    Hashim Thaçi
    D
    Isa Mustafa
  • Çka nënkupton sot shprehja "Fitore e Pirros"?
    A
    Fitore e arritur me sakrifica të mëdha
    B
    Fitore e madhe
    C
    Fitore e përjetshme
  • Çka ndodhi në shtator të vitit 1999, pas një marrëveshje të nënshkruar mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe KFORIT?
    A
    Filluan sulmet e NATOS-së kundër caqeve serbo-jugosllave
    B
    U nënshkrua marrëveshja e Kumanovës
    C
    UÇK shndërrohet në Trupat Mbrojtëse të Kosovës
  • Kur u organizua një nga demonstratat më masive në Prishtinë, ku u kërkua lirimi nga burgu i protestuesve të marsit dhe u paralajmërua revolta popullore kundër shtypjes që i bëhej Kosovës në Jugosllavi?
    A
    1 prill, 1981
    B
    11 mars, 1981
    C
    20 prill, 1968
    D
    24 dhjetor, 1968
1
/
10
ARTIKUJ TË NGJASHËM
PROFESIONET MË TË MIRA PËR NJERËZIT EKSTROVERTË
Nëse ju pëlqen puna në grup sepse ndjeheni më produktiv, jeni shumë të shoqërueshëm dhe nuk rezervoheni,  atëherë ju keni një personalitet të ekstrovertit - njerëzit ekstrovertë kanë kryesisht këto tipare. Për dallim nga introvertët të cilët e duan më shumë punën individuale, ekstrovertët motivimin e gjejnë edhe nga njerëzit e tjerë. Ekstrovertët konsiderohen njerëz shumë entuziastë, komunikativë, shumë të shoqërueshëm dhe që e duan qendrën e vëmendjes. Kësisoj, profesionet të cilat lidhen më njerëz, u përshtaten më së miri personaliteteve ekstroverte. KosovaJob ju sjellë disa profesione, në të cilat njerëzit ekstrovertë mund të krijojnë karrierë shumë të suksesshme. Rekruterë, këshilltarë të burimeve njerëzore. Ekstrovertët kanë aftësi shumë të mira të komunikimit. Atyre iu pëlqen të njohin njerëz të rinjë dhe të bashkëpunojnë me ta. Ekstrovertët ndjehen mirë edhe duke ndihmuar të tjerët. Prandaj, ky profesion u përshatatet shumë mirë sepse vazhdimisht do të takojnë njerëz të rinjë dhe vazhdimisht do të jenë në komunikim me të tjerët. Zyrtarë për marrëdhënie me publikun. Të jesh një zyrtar për marrëdhënie me publikun do të thotë se do të mund të ndërtosh ura me profesionistë të mediave dhe të përfshihesh në aktivitete të ndryshme. Derisa një introvert do ta kishte shumë më të vështirë të dilte dhe të fliste para një audience, ekstrovertët mund ta bëjnë këtë shumë lehtë. Përfaqësues të shitjeve. Puna në shitje po ashtu kërkon aftësi të mira të komunikimit. Përfaqësuesit e shitjeve takohen me klientë për të diskutuar përfitimet dhe shitjen e produkteve. Ata demonstrojnë produkte, artikuj dhe u përgjigjen pyetjeve, negociojnë çmimet dhe kontratat dhe këtë duhet ta bëjnë me klientë të ndryshëm. Infermierë. Një tjetër karakteristikë e ekstrovertëve është dëshira për t'i ndihmuar të tjerët, pra të jenë altruistë.  Duke marrë parasysh këtë, puna si infermierë mund t'u shëbejë shumë ekstrovertëve. Ata do të dinë si t’i këshillojnë dhe trajtojnë pacientët. Mësuesit. Për introvertët, mendimi për të qëndruar para një klase nuk është shumë i rehatshëm, ndërkaq një ekstrovert ka dëshirë të jetë në qendër të vëmendjes. Mësuesit kanë aftësi për të bashkëpunuar dhe komunikuar me një shumëllojshmëri të njerëzve, që nga nxënësit e tyre të rinjë deri tek të moshuarit e tjerë. Aktorë. Një aktor duhet të jetë komunikativ, të jetë i aftë për t'u shprehur.  Padyshim që kjo nuk është një punë për introvertët por vetëm për ekstrovertët të cilët duhet të performojnë para turmave të mëdha.
Lexo më shumë
Përgatitja psikologjike për intervistë pune
Për të pasur sukses në një intervistë pune, duhet të punohet edhe me anën psikologjike. Ka shumë njerëz të cilët kanë CV shumë të mira apo kualifikime të duhura, mirëpo në intervista të punës nuk ia dalin mbanë. Kjo sepse në intervistë kanë tingëlluar pesimistë, kanë pasur stres apo edhe kanë humbur përqëndrimin gjatë intervistës. Kësisoj, para se të shkoni në një intervistë pune, mundohuni të bëni përgatitjen e duhur psikologjike. Mendoni rreth pyetjeve të mundshme dhe si do të mund të përgjigjeshit më së miri, hulumtoni rreth kompanisë dhe nënvizoni informacionet kryesore, mendoni edhe ju disa pyetje që mund t’ia bëni punëdhënësit, relaksohuni dhe mos mendoni nëse intervista mund të shkojë keq. Një qasje pozitive iu ndihmon shumë sepse edhe e ulë stresin por edhe iu krijon vetëbesim. Vetëbesimi është shumë i rëndësishëm sepse një kandidat me vetëbesim është aktiv në intervistë dhe arrin të përçojë pozitivitet edhe tek punëdhënësi. Ndërkaq, duke u treguar pasivë, mund të jepni mesazhin se ndjeheni të pasigurtë. Një metodë tjetër që mund të ndikojë mirë tek ju para se të shkoni në intervistë është vizualizimi. Paramendojeni veten sikur keni shkuar në intervistë dhe keni pasur një performancë shumë të mirë - truri reagon në atë mënyrë sa që ju ndjeheni sikur vërtetë keni pasur përvoja pozitive në intervistë.  KosovaJob sjellë disa teknika të cilat mund t’i përdorni në një intervistë pune: Buzëqeshja. Pozitiviteti në një intervistë pune është i këshillueshëm për kandidatët por jo gjatë gjithë kohës sa zgjatë një intervistë. Preferohet që kandidatët të buzëqeshin më shumë në fillim të një interviste dhe në fund të saj. Ndërkaq, në mes të intervistës nevojitet përqëndrim në përgjigje. Përdorimi i emrit të intervistuesit tuaj. Duke mbajtur mend emrin e intervistuesit tuaj, do ta bëni atë të ndjehet më mirë në raport me ju. Patjetër që nuk është e nevojshme të përdoret gjatë gjithë kohës por të paktën disa herë gjatë intervistës. Të dëgjuarit me vëmendje. Kjo nënkupton të dëgjuarit me kujdes se çka po flasin intervistuesit dhe përsëritjen ndonjëherë të deklaratave të tyre me fjalët e juaja. Një gjë e tillë rritë shancat për ta fituar vendin e punës meqenëse të dëgjuarit reflektiv tregon se ju e keni kuptuar saktë çka është thënë në intervistë. Gjuha trupore. Komunikimi jo verbal është veçanarisht i rëndësishëm. Në një intervistë pune rekomandohet të tregohet një nivel i lartë i energjisë dhe entuziazmit. Një këshillë e vyeshme: Para intervistës, kujtoni momentet kur jeni ndjerë të suksesshëm në jetë, kjo do të rrisë vetëbesimin tuaj dhe gjasat për ta fituar vendin e punës.
Lexo më shumë
Gjërat që nuk duhet t’i shkruani kurrë në një email pune
E-mail është një ndër format më profesionale të komunikimit që padyshim luan një rol të rëndësishëm në shkëmbimin e informacioneve në mes të personave të ndryshëm. Është gjithashtu e pamohueshme që posta elektronike, ditëve të sotme ka një rëndësi të madhe në komunikim edhe në botën e biznesit. Mirëpo, kur shkruani një email pune profesional, duhet të keni kujdes sepse ka disa gjëra të cilat nuk është mirë t’i përdorni. Ka disa fjalë apo fraza problematike dhe gabime që njerëzit bëjnë kur shkruajnë email. Këto 8 gjëra nuk duhet t'i përfshini kurrë në një email profesional: Përshëndetjet joformale Hyrjet joformale në një email si "Hej” apo “çkemi" janë përshëndetje të çastit dhe nuk rekomandohen të përdorën në një email profesional. Në vend të këtyre, rekomandohet të përdorni fjalë si: “Përshëndetje” apo i/e nderuar”. Mbylljet joformale Edhe një mbyllje në mënyrë jo zyrtare në një email pune mund të jap mesazhin e gabuar. Mundohuni ta mbyllni emailin me fjalë si: Gjitha të mirat, përzemërsisht, çdo të mirë, etj. Humori Humori dhe sarkazma, nuk duhet assesi të përdorën në emaile profesionale të punës. Përjashtime mund të bëhen vetëm nëse jeni duke i dërguar email ndonjë kolegu shumë të afërt. Thashethemet Thashethemet për pjesën tjetër të kolegëve janë gjithmonë të dëmshme. Mirëpo, ka shumë njerëz që përhapin thashetheme edhe nëpërmjet emails. Një gjë e tillë mund t’ju dëmtojë tejmase marrëdhëniet me kolegët. Emojis Kur dërgoni një email pune, mos përdorni emojis sepse nuk janë komunikim profesional. Shkurtesat Në komunikimin e përditshëm, shpesherë përdorim shkurtesa si: flm, sps apo klm. Mundohuni t’i evitoni shkurtesat e tilla sepse nuk rekomandohen aspak në emaile profesionale të punës. Përjashtimet edhe këtu mund të bëhen vetëm nëse jeni duke komunikuar me një koleg/e shumë të afërt të zyrës por jo kur komunikohet me klientë. Mos shkruani vetëm me shkronja të mëdha Një tjetër gjëje që duhet t'i kushtoni rëndësi kur dërgoni një email pune, është përdorimi i shkronjave. Kur e shkruani një email pune, mos i përdorni vetëm shkronjat e mëdha. Kushtoni rëndësi drejtshkrimit Emailet profesionale duhet të jenë sa më formale që është e mundur. Kjo do të thotë se duhet t'i kushtohet rëndësi gramatikës, pra shenjave të pikësimit dhe përdorimit të shkronjave.  
Lexo më shumë
7 libra që duhet t'i lexojë çdo ndërmarrës
Jo më kot thuhet që libri është miku më i mirë i njeriut, në të ndeshemi me realen, imagjinatën, situatat dhe subjektet që e karakterizojnë jetën tonë. Librat janë shtyllë e ndërtimit të personalitetit dhe intelektit të njeriut. Sa më shumë që lexojmë dhe kuptojmë, aq më mirë do të arrijmë të pasqyrojmë dhe njohim çdo gjë rreth nesh. Andaj të posedosh një libër, do të thotë të kesh një pasuri të madhe nga e cila çdoherë do të korresh fryte. Edhe në biznes, librat janë gjithmonë një burim i mirë për të nxjerrë ide të reja dhe për të rritur mundësitë drejt suksesit. AkademiPune ju sjellë një listë me disa libra, të cilët është mirë të jenë pjesë e bibliotekës së secilit ndërmarrës. 1. “Zero te një” Peter Thiel bashkë me Blake Masters I pari në listën tonë është “Zero të një”, një libër i shkruar nga bashkëthemeluesi i PayPal dhe investuesi i parë i jashtëm i Facebook, bashkë me studentin e tij Blake Masters. Ky libër nga fusha e ekonomisë sjellë ide inovative për bizneset fillestare dhe ka të bëjë me mënyrën e krijimit të kompanive që sjellin gjëra të reja.   2. “Si të flasim me këdo” Leil Lowndes Në librin "Si të flasim me këdo", autorja e njohur Leil Lowdnes ka shpalosur sekretet e komunikimit të suksesshëm me të tjerët. Ky libër i domosodosshëm për të gjithë ndërmarrësit, mëson 92 mjeshtëri të vogla për të pasur sukses të madh në fushën e gjerë të komunikimit. 3. “Më mençur, më shpejt, më mirë” Charles Duhigg Fitues i çmimit Pulitzer dhe autor i librit të njohur “Fuqia e shprehisë”, Charles Duhigg me këtë libër ju mëson sekteret për të qenë më produktiv në jetë dhe në biznes, duke u bazuar në kompani dhe individë të suksesshëm. Siç e thotë edhe titulli, me pak fjalë, ky libër mëton t'ju mësojë të veproni më mençur, më shpejt dhe më mirë. 4. “Deep work” Cal Newport "Deep work" apo në shqip "puna e thellë" është një udhëzues i domosdoshëm për të gjithë ata që duan të jenë të suksesshëm në një botë të shpërqëndruar. Në librin Puna e thellë: Rregullat për sukses të përqendruar në një botë të shpërqëndruar, profesori Cal Newport flet për zhvillimin e aftësive të nevojshme për të arritur kulmin e produktivitetit. 5. “Mendësia” Carol Dweck Një bestseller botëror, ky libër patjetër që duhet të jetë pjesë e bibliotekës se çdo ndërmarrësi. Përpos biznesit, libri "Mendësia" shërben edhe si një udhëzues për vlera në familje, jetë bashkëshortore apo edhe shkolla. Në këtë libër, autori jep këshilla dhe teknika së si të realizojmë potencialin brenda nesh duke ndryshuar mënyrën e të menduarit. 6. “Meetings Suck” nga Cameron Herold Të gjithë janë të kënaqur kur takimet janë efektive. Eksperti i njohur i biznesit, Cameron Herold në këte libër jep këshilla sesi të mbahen takime efektive për t’i ndihmuar të gjitha ndërmarrjet të jenë të suksesshme.  7. “7 zakonet e njerëzve të suksesshëm” nga Stephen R. Covey Botuar për herë të parë në vitin 1989, “7 zakonet e njerëzve të suksesshëm” nga Stephen R. Covey është një libër biznesi i jashtëzakonshëm. Me më shumë se 15 milionë kopje të shitura, në këtë libër autori jep leksione për ndryshimin individual.
Lexo më shumë
KosovaJob është rrjeti më i madh i punësimit në Kosovë, i çertifikuar nga Bureao Veritas me ISO 9001: 2015 për Menaxhimin e Cilësisë.