“Ne duhet të mësojmë dhe gradualisht po mësojmë se si të shkruajmë historinë me ndihmën e arkeologjisë.”
-Michael Rostovtzeff
E kaluara është copëza mbetjesh e kujtimesh të lëna tek - tuk. Me vetëdije apo pa të, janë lënë aty për t’u gjetur më qindra mbase edhe me mijëra vite pas. Ajo është e ka qenë gjithmonë, diçka e mbështjellur me pikëpyetje që i ka tërhequr të gjithë. Që nga hulumtimi i mënyrës së thjeshtë të jetesës e deri te çështjet e mëdha të qytetërimeve të fuqishme dikur. Grupe të tëra njerëzish janë përgatitur e vazhdojnë të përgatiten, që faktet e palosura me shekuj t’i hedhin në pah.
Një ndër ta është edhe Edona Arifi, një historiane e diplomuar në Universitetin e Prishtinës, e njohu mirë rëndësinë që ka arkeologjia në krijimin e ngjarjeve historike, prandaj nuk hezitoi t’i përvishej edhe fushës së arkeologjisë, duke vazhduar post-diplomike në Universitetin e Tiranës, në departamentin e Arkeologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore. Të mësosh fakte dhe t’i ndërtosh ato vetë janë dy çështje të ndryshme.
Fillimisht si studente e më vonë edhe si bashkëpunëtore e institucioneve që veprojnë në fushën e arkeologjisë dhe trashëgimisë kulturore, Edona rrëfen për Akademi Pune, që i kishte vështirësitë e veta. Ritmi i punës e ambienti ishin diçka që me kohë u mësua, për t’u bërë kështu puna në terren pjesë e jetës së saj.
"Puna gjatë një gërmimi arkeologjik mendoj që është një punë delikate dhe që kërkon përkushtim maksimal, për faktin se asgjë nuk mund të kthehet siç ka qenë. Për shembull nëse gjatë gërmimit heq apo gërmon një shtresë ose edhe lëviz një gurë pa i kryer proceset adekuate mund të themi lirisht që është bërë një shkatrrim i një fakti historik. Pra njëra ndër sfidat kryesore për mua ka qenë njohja dhe përvetsimi i teknikave dhe metodave të gëmimit arekologjik", tregon Edona sfidat e para.
Çfarë bëjnë arkeologët gjatë një ditë?
Zakonisht kur flitet për arkeologët na shkon mendja të persona që punojnë në kohë shumë të nxehta të vitit dhe, mbajnë në kokë kapela për t’u mbrojtur nga dielli përvëlues. Por, çfarë bëjnë me të vërtetë arekologët? Këtë profesion në mënyrë të detajuar na shpjegon Edona Arifi.
"Dita e akeologëve sigurisht që fillon herët, pra në orët e para të mengjesit, sidomos kur puna duhet të kryhet në terren dhe zakonisht gjatë ditëve të verës kur temperaturat janë të larta. Për arkeologun asnjë ditë pune nuk është e njejtë dhe nuk shkon në bazë të planifikimeve sepse pas çdo veprimi gjatë gërmimit haset në gjëra të reja dhe kjo e bën që dita të mos jetë rutine”!
Gërmimi është një proces që pa të është pothuajse e pamundur që arkeologjia ta kryejë funksionin që ajo ka. Me anë të pajisjeve për gërmim si: mistria, pajisjet për matje dhe ato që ndihmojnë në orientim,"synohet të zbulohen, nxirren në pah dhe dokumentohen e artefaktet dhe strukturat me qëllim që të rindërtohet një aktivitet njerëzor që ka ndodhur në të kaluarën. Dhe këtë proces e kryejnë arkeologët në bashkëpunim me historianë, arkitektë, skicografë, historianë të artit, antropologë, gjeologë etj.", tregon Edona.
Si e njohin arkeologët zonën që ka një histori?
Gjurmët e vjetra mund të jenë kudo, në vendet ku ne jetojmë apo përreth, prandaj nevojitet një sy profesionistësh për t’i analizuar ato. I gjithë ky proces, që nga njohja e lokalitetit e deri te gërmimi kalon përmes disa fazave. Studimi i burimeve historike është pothuajse faza më e rëndësishme e gjithë këtij procesi të gjatë, por jashtëzakonisht të rëndësishëm.
"Fillimisht bëhen përnjohje (survey) për të lokalizuar lokalitetin arkeologjik, studimi i burimeve historike, fotografive ajrore, incizimet gjeofizike, mblidhet materiali arkeologjik sipërfaqsor të cilat mund të jenë fragmente qeramike, mbetje arkitektonike si tulla apo tjegulla etj., bëhet studimi i tyre më qëllim që të bëhet edhe një datim paraprak i atij lokaliteti, pastaj mund të vendoset për fillimin e një gërmimi të mundshëm", përshkruan gjithë procesin Edona.
E në rastet kur këto zona janë të dukshme, por janë në rrezik të dëmtimeve, arkeologia thotë se gëmimi fillon menjëherë, gërmim ky i njohur si gërmim shpëtimi.
Edhe pse përkushtimi i arekologëve dhe profesionistëve të fushave të tjera është në nivelin më të lartë të mundshëm, duke punuar në kushte nga më të ndryshmet, largimi i shtresave për t’i gjetur „thesaret“ ndonjëherë merr vite të tëra të atij përkushtimi. Në fund të fundit, u deshën shekuj që ato të mbuloheshin në heshtje. Edona Arifi, tregon gjatësinë e disa projekteve në të cilat ishte vetë pjesë e tyre.
"Gërmimi në lokalitetin neolitik në fshatin Varosh, Ferizaj, edhe pse si lokalitet është evidentuar shumë kohë më parë, gërmimi është bërë para disa viteve, ku kemi hapur një sondë dhe është gërmuar deri në shtresën e fundit ( shtresa sterile). Janë marr rezultatet e kërkuara, pra është dëshmuar jeta në atë lokalitet që prej fillimit të epokës neolitit, dhe gërmimi si proces ka përfunduar. Pastaj kemi shembullin e lokaliteteve të mëdha, kemi gërmimet sistematike në qytetin antik të Ulpianës, tash Parku Arkeologjik Ulpiana, në të cilin kam punuar disa vite. Për të nxjerr në sipërfaqe këtë qytet bashkë me rrethinën punohet dhe do të punohet për vite të tëra".
Çfarë është arkeologjia për arkeologen Edona Arifi?
"Arkeologjia është libër historie që në vend të faqeve ka shtresat arkeologjike, artefaktet e monumentet arkitektonike", e për t’i "shkruar" këto faqe, Edona na kujton se sa shumë punë duhet, në temperatura të larta apo të ulta, me një punë shumë dinamike.
Por për të, këto sfida i sjellin vetëm kënaqësi. Si një person i etur për gjëra të reja, ajo thotë që një profesion i tillë bën që të njeh vende e njerëz të ndryshëm që kanë gjithmonë gjëra të bukura për të treguar.
Në më shumë se një dekadë përkushtim në këtë fushë, arkeologia ka marrë pjesë në shumë projekete që përfshinin vende e periudha të ndryshme historike, që nga ato neolitike e deri në antikitetin e vonë mesjetar. Duke qenë për kaq kohë pjesë e kësaj punë dhe duke e bërë atë me kaq pasion ajo kujton që kishte momente të veçanta gjatë kësaj kohe, e të cilat i ndanë me ne.
"Një prej momenteve ka qenë në vitin 2011 gjatë gërmimit në një mauzeleumi (varr me përmasa monumentale) në Fushë Vrrinë, pranë Butrintit zbulimi I një monedhë ari gjatë pastrimit të një varri. Gjetje kjo e cila vërtetonte teorinë e pagesës të rrugës për në botën ë përtejme të të vdekurit. Moment tjetër do të veçoja zbulimin e mozaikut shumëngjyrësh në vilën perandorake në lokalitetin arkeologjik të Dresnikut, pastaj procesi i gërmimit dhe zbulimit të Cardo Maximus (rruga kryesore në qytetet e periudhës romake e cila lidh pjesën veriore të qytetit me atë jugore) në Ulpianën Antike dhe shfaqja e fazave të përdorimit të kësaj rruge, e të tjera".
A është gërmimi puna e vetme që e bëjnë arekologët?
Zakonisht, posa përmendet fjala arkeologji gjëja e parë që na vjen në mendje është gërmimi. A gërmojnë të gjithë arekologët? Edhe për këtë Edona nuk heziton që të na japë një përgjigje të detajuar, se çfarë mund të bëjnë tjetër të gjithë ata që i futen fushës së arkeologjisë në Kosovë.
"Puna në terren e një arkeologu përvec që shërben për zbulimin e monumenteve arkitektonike si dhe gjetjeve të luajtshme ajo shërben edhe për mbledhjen e informacioneve të cilat I merr fal mbledhjes së materialit arkeologjik të zbuluar dhe situatave që paraqiten gjatë gërmimit. Pra përveç procesit të gërmimit në arkeologji është edhe procesi i postgërmimit. Ky procesi i post gërmimit nënkupton punën në kabinet/laborator, ku kryhet përpunimi dhe studimi i materialit të zbuluar gjatë punës në terren e që përfshihet pastrimi, selektimi, skicimi, fotografimi, përshkrimi, inventarizimi, kartelizimi e deri te botimi i atij materiali".
Përveç sfidave gjatë procesit të punës me të cilat përballen profesionistët e fushës, një sfidë tjetër me të cilën përballet arekologjia në Kosovës, sipas Edonës është edhe avancimi i kuadrove në fushat specifike, si dhe sistemimi i tyre nëpër institucionet përkatëse. Gjithashtu, shqetësim tjetër mbetet ende mungesa e hapësirave për studim, sic janë laboratorët ku mund të kryheshin analizat e mostrave. Këto të fundit, ende dërgohen jashtë vendit.
"Pastaj si sfidë më e madhe është vetëdijsimi qytetar në lidhje me vlerat arkeologjike (edhe pse kohëve të fundit janë të shpeshta rastet kur qytetatrët lajmërojnë për ndonjë gjetje të mundshme) dhe kontrollimi i gërmimeve klandestine", tregon arkeologia për një sfidë tjetër shqetësuese.
Çfarë këshille ka Edona Arifi për të rinjtë që e duan arkeologjinë?
Çdo profesion i kërkon disa shkathtësi që duhet t’i kenë ata që i futen rrugës së tij. Arkeologjia ëshë një fushë e cila kërkon kohë e kujdes deri te rezultatet. Ajo se çfarë ka mësuar Edona që nga fillimet e saj e deri më sot, thotë që janë durimi gjatë punës, ka mësuar të jetë një bashjëpunëtore e mirë. Sipas saj, puna në ekip është shumë e rëndësishme.
"Këshilla ime do të ishte që me durim, vendosmëri, bashkëpunim, vullnet dhe normal me punë mund të arrihen dhe të dëshmohen vepra të mëdha", përfundon ajo. /Akademi Pune