“Imagjinata është burimi i të gjitha arritjeve njerëzore dhe kreativiteti është dhurata më e madhe e inteligjencës njerëzore”
Sir Ken Robinson
Fëmijët dhe të rinjtë e Kosovës tashmë e kanë një vend ku mund të shkojnë jo vetëm për të mësuar por edhe t’i praktikojnë ato mësime. Atje ata fillojnë të marrin përgjigje për gjërat që deri vonë kishin vetëm pikëpyetje për to. Ky vend është BONEVET, hapësira e cila i shuan kureshtjet duke nxitur të reja.
Që nga viti 2014 kur ky institucion arsimor është themeluar qindra fëmijë, janë përgatitur edhe për gjërat më elementare për jetë. Përmes lojës dhe teknologjisë, ata kanë arritur t’i njohin aftësitë e tyre, por duke mos u ndalur këtu, sepse kanë vazhduar t’i zhvillojnë ato edhe më tutje.
E Besfort Behrami nga BONEVET, thotë që viti 2014 ishte viti vendimtar për të krijuar diçka, nga i cili do të dilnin breza të fortë të së ardhmes, për t’i bërë ballë sfidave që lindën bashkë me shekullin e ri.
“Arritja e një misioni të tillë është i vazhdueshëm dhe afatëgjatë, mirpo ne besojmë se rezultate të jashtëzakonshme mund të arrihen vetëm nga njerëz të cilët janë vazhdimisht duke mësuar dhe duke u avancuar. Stafi dhe mentorët tanë punojnë shumë që të rrisin njohuritë dhe aftësitë e tyre dhe të motivojnë fëmijët që të mësojnë me pasion dhe dashuri, dhe kështu synojmë të vazhdojmë”, tregon Behrami për Akademi Pune.
KU NISI GJITHÇKA?
Shtatë vjet më parë BONEVET u hap fillimisht në Gjakovë, një “ringjallje” në këtë qytet i cili u dërrmua nga lufta e fundit në Kosovë. Të rinjtë jo vetëm që u interesuan mjaft, por fituan aftësi të menaxhimit, aftësinë e punës në grupe, fituan vetëbesim dhe më e rëndësishmja, e kuptuan që këmbëngulja çon në përfundimin e gjërave të cilat duken pothuajse të pamundura.
Kështu që, dy vite me vonë, në vitin 2016, gjashtë adoleshentë korrën suksesin e parë, duke arritur që ta shndërrojnë në automjet elektrik një që më parë ishte një automjet i zakonshëm me karburant. Ky projekt “krijoi valë të mëdha motivimi për të gjithë fëmijët në Kosovë”, thonë nga BONEVET.
Interesimi u rrit, sepse vetëm deri në vitin 2018 mbi 600 mendje krijuese iu bashkuan kësaj hapësire shpresdhënëse për të ardhmen tonë. Ndërsa, në vitin 2017 edhe kryeqyteti hapi hapësirën e BONEVET, e më pas edhe tjetra në Kaçanik.
Tashmë këta qindra fëmijë në qytete të ndryshme mbushin klasat e robotikës, shkencës, matematikës, shahut, artit, gjuhës, e në anën tjetër të rriturit ndjekin trajnime profesionale për CNC, 3D Dizajn, elektronikë kreative, dizajn grafik dhe gjuhë programuese.
Megjithë sukseseve të shumta dhe vizioneve afatgjata për të gjitha komuniteteve të Kosovës, Behrami thotë se BONEVET përballet ende me sfida edhe pse kanë kaluar pothuajse një dekadë që prej themelimit.
“Sfidë me të cilen përballemi ende janë diversitetet kulturore në vend, vetëdijësimi rreth rëndësisë së edukimit adekuatë dhe ndikimet psikologjike të hershme të fëmijëve të shekullit XXl”, shprehet ai.
ÇFARË PËRFITOJNË TË RINJTË?
Aftësitë që pjesëmarrësit i fitojnë nëpër kurset e BONEVET nuk zhduken me përfundimin e tyre. Ato ua përcaktojnë dhe ua bëjnë të qartë atyre sesi do të orientohen gjatë karrierës në të ardhmen.
“Ne duam që brezi i ri të përgatiten dhe të pajisen me aftësitë dhe njohuritë e domosdoshme për të përballuar ndryshimet dhe sfidat e shekullit XXI. Ne i mbështesim ata në përzgjedhjen dhe ndërtimin e karrierës së tyre për t’u bërë punëtorë të kualifikuar dhe të zellshëm të së nesërmes, ndërmarrës krijues dhe të guximshëm që do të rrisin punësimin e të rinjve dhe një gjeneratë të re udhëheqësish që do të organizojnë institucionet tona shoqërore, politike dhe ekonomike me kompetencë dhe drejtësi për ta bërë Kosovën një vend më të mirë për të jetuar”, thonë nga BONEVET.
E këta të rinjë arrijnë që ta ndjenjë që nga përfundimi i kurseve. Behrami tregon sesi anëtarët vjetorë të cilët vazhdojnë studimet tregojnë sukses të jashtëzakonshëm kudo që ata shkojnë. Madje, shumica e tyre kanë përfituar edhe bursa për studime jo vetëm në Kosovë por edhe në Evropë e Amerikë.
Ndërsa, “Këta të rinjë, shpesh edhe vazhdojnë të jenë pjesë e BONEVET si staf, ku ata fitojnë pozita si mëntorë, staf teknik e më tepër”, tregon Behrami.
SI U PËRBALL BONEVET ME PANDEMINË?
Shfaqja e kreativitetit në pjesën praktike, për këtë hapësirë arsimore ishte vështirë kur bota u prek nga virusi Covid-19. Që në muajin mars të vitit të kaluar çdo aktivitet u zhvillua online. Madje, që nga muaji prill deri në shtator BONEVET ofroi edhe mësime pa pagesë për fëmijët dhe të rinjtë kosovarë.
Behrami thotë që edhe kjo kohë ishte mjaft produktive, pjesëmarrësit punuan intensivisht për prodhimin e mburojave të fytyrës me printerë 3D, e duke i shpërndarë ato në të gjitha institucionet shëndetësore në Kosovë.
BONEVET vazhdon të jetë vendi ku në çdo pjesë të saj shfaqet imagjinata e pakufishme e të rinjëve të Kosovës. Kurse Behrami në fund ka një këshillë për fëmijët dhe të rinjtë: Ekspozoni veten ndaj mundësive për të mësuar dhe punuar dhe të punoni në arritjen e qëllimeve tuaja! /Akademi Pune