Vendosmëria për të arritur ëndrrën, një uragan që shkatërron çdo sfidë

05 Nov, 2019

Vendosmëria për të arritur ëndrrën, një uragan që shkatërron çdo sfidë
	 	 

LUMNIJE BERISHA, GAZETARE

"Gjithmonë duket e pamundur, derisa realizohet" - Nelson Mandela

Pothuajse çdo ditë përballemi me shumë sfida. Mirëpo, dëshirën dhe vullnetin për t’u bërë dikush në jetë nuk e ndal asnjëra, për aq gjatë sa frymojmë e punojmë. Historia e Lumnije Berishes është një histori mahnitëse, diçka që të ngjallë shumë vetëbesim e kurajo për të ecur tutje në jetë, një rrugë e cila mund të duket e pafund , plot me tunele në mes por që të lehtë e ka bërë Lumja - ashtu siç e thërrasin të gjithë personat që e njohin.

Për Lumniije Berishen, sfidat filluan qysh në moshën 4 vjeçare – kur aksidentalisht humbi shikimin por kurrë vizionin për të ardhmen.  Si shkak i kësaj, Lumnija bashkë me të ëmën u zhvendosen të jetonin në qytetin e Pejës, që ajo të mund të vijonte mësimet që nga klasa e parë në shkollën speciale për të verbërit në Pejë. Në po të njejtën shkollë, përfundoi edhe shkollimim e mesëm. Pas përfundimit të shkollës së mesme, ajo vijoi një mori trajnimesh e në mesin e tyre edhe trajnime për medie – çka nxiti dëshirën e Lumës që të merrej me profesionin e gazetarisë.

Punën e saj të parë e filloi në Radio Kamenica ku punoi për 6 muaj rresht, duke vazhduar me punën e saj të dytë në Radio 24. Edhe gjatë kësaj kohe, Lumja merrte pjesë në trajnime te ndryshme mirëpo siç rrëfen ajo për KosovaJob, trajnimet zgjasnin pak muaj dhe përsëri kthehej në monotoninë e njejtë – të cilën ajo nuk e dëshironte.

Realisht, këto trajnime zgjasnin 3-6 muaj dhe prapë mbetesha në shtëpi sa që një ditë prej ditëve vendosa të largohem nga Kosova. Kësisoj, unë u shkruaj shumë ambasadave që të shoh se çka mund të më ofrojnë ato dhe nga të gjitha ambasadat e mundshme në Kosovë, përgjigje mora nga tri prej tyre. Më serioze doli të jetë ambasada amerikane. Ata më morën, më intervistuan, me pyeten për arsyet se pse dua të largohem nga Kosova dhe pas shpjegimit tim, ata më thanë që unë duhet të rri në vendin tim, të vazhdoj shkollimin e të kontribuoj këtu.  Pastaj, vendosa të regjistrohem në fakultetin filologjik, në departamentin e gazetarisë dhe këtu mande fillon krejt sfida - se nuk e quaj problem ngase kjo ka qenë një sfidë që unë pavarësisht vështirësive, e kam tejkaluar”, shpjegon Lumnija.

Ajo rrëfen se sa e rëndësishme ka qenë për të raporti i mirë me kolegët edhe në fakultet por edhe në punë për të arritur rezultatet e dëshiruara. Gjatë studimeve, Lumes iu desh që të gjitha shënimet e marra nga koleget t'i përshtate në alfabetin Braille sepse ka qenë e pamundur që dikush t'ia lexonte të gjitha ato libra voluminozë. Me plot përkushtim e vullnet, Lumja punonte dhe studionte në të njejtën kohë. “Disa thonë vullneti, e ndoshta edhe vullneti sepse e kam pasur të vështirë të gjej përgjigje se si kam arritur deri këtu ku jam sot, mirëpo edhe une them se vullneti për punë më paska pru deri këtu”, rrëfen Lumnija.

Përmes gazetarisë, Lumja kontribuon për personat me aftësi të kufizuara

Në vitin 2013, ajo nisi të punonte në Radio Kosova e në të njejtën kohë vazhdonte edhe studimet në departamentin e Gazetarisë.  Pas përfundimit të studimeve, Lumja nisi emisionin e saj autorial, një javor, të titulluar “Për një botë më të mirë” ku trajtohen tema që kanë të bëjnë me personat me aftësi të kufizuara. Ajo thotë se është krenare që nëpërmjet këtij emisioni ka arritur sadopak të ngrisë vetëdijen e njerëzve e të institucioneve që edhe personat me aftësi të kufizuara i takojnë kësaj bote, i takojnë Kosovës dhe janë njerëz që duhet përkrahur e dhënë shtysë.  Për të mos u ndalur asnjëherë, Lumja vazhdoi edhe studimet master duke nxjerrë në shitje edhe librin e saj të parë të titulluar “Qasja e institucioneve dhe medieve ndaj personave me aftësi të kufizuara në Kosovë”.

Lumnije Berisha Radio Kosova

"Në fund të studimeve, unë për temë zgjodha qasja e institucioneve dhe medieve ndaj personave me aftësi të kufizuara në Kosovë – kur e kam mbrojtë temën, atëherë profesori Ramë Buja me propozoi që këtë temë ta bëj libër sepse është diçka që nuk ka në vendin tonë ende. Edhe unë ashtu veprova dhe të gjitha kopjet i kam shpërndarë për njerëzit, gjithmonë me shpresë se do t’iu hyjnë në punë informacionet që i gjejnë aty brenda”

Që nga muaji mars, Lumja udhëheq edhe një emision të ri të titulluar “Kaleidoskop”, i cili transmetohet në valët e programit të parë të Radio Kosovës çdo të enjte dhe trajtohen tema nga më të ndryshmet.  

Vendosmëria, përgjegjshmëria dhe sinqeriteti – 3 tiparët e Lumës

Njerëzit parimorë, gjithmonë i hapin dyert vetës për të arritur sukseset në jetë. Lumja thotë se ndër parimet më të fuqishme që ajo ka në jetë është vendosmëria. Ajo thotë se lufton shumë për të arritur atë që do.

“Kur e marrë një punë,  i di edhe përgjegjësitë e mija. Përpiqem që të jem shumë e sinqertë me njerëzit dhe natyrisht të jem edhe e drejtpërdrejtë. Të jesh i drejtpërdrejtë për mua vlen shumë. Nëse këto i posedon atëherë vërtetë gjithmonë do ia dalësh sepse të gjitha këto të çojnë drejt suksesit por pa vendosmëri mendoj që nuk mund të arrijmë asgjë, edhe në karrierë vendosmëria është numër një"

Ndër tjera, ajo thotë se i ndjek me shumë ëndje të gjithë njerëzit e suksesshëm në fusha të ndryshme. Prej tyre, Lumja mundohet të nxjerrë më të mirat që ato pastaj t’i përdorë qoftë në jetën e përditshme e qoftë në profesion. Ndërkaq, të rinjtë e tjerë që presin të kyçen në treg të punës, ajo i këshillon që para se t’i hyjnë një profesioni të qartësojnë se çka duan të bëjnë në jetë dhe të mos thonë vetëm dua të bëhem por të hulumtojnë e lexojnë sa duhet dhe të mos lejojnë që vetëm kur të dalin në tregun e punës ta kuptojnë se nuk e duan vërtetë profesionin që kanë zgjedhur. 

Puna, një vend që bashkëdyzon idetë, detyrat dhe sakrificat për njëri tjetrin

Ambienti i punës konsiderohet një vend ku bashkëdyzohen idetë, detyrat e nganjëherë edhe sakrificat për njëri tjetrin. Edhe për Lumnije Berishën në karrierë kanë luajtur shumë rol raportet e mira që ajo ka pasur me kolegët qysh në fakultet e gjithashtu edhe në punë. Ndërkaq mbështetja më e madhe gjatë rrugëtimit të saj, padyshim që ka qenë familja, e sidomos nëna e saj e cila e ka përcjellur në çdo hap.

Mbështetja ime më e madhe kanë qenë normalisht familja por ajo që gjithmonë me ka ndihmuar ka qenë nëna ime, e cila në çdo hap me ka asistuar qoftë kur jam përgatitur për provime sepse na është dashtë të konsultojmë shumë literature, gjatë vitit të parë m'u gjet shkolla në Pejë, shoqata m’i ka shtypur tre libra, ishte fjala për Hyrje në Gazetari, Bazat e Komunikologjisë dhe Zhanret e Gazetarisë, ato trija i kam pasur dhe që të trija pastaj i kam lënë në fakultet. Nëna më ka ndihmuar shumë, këtu e gjej rastin t’i falenderoj edhe kolegët, që të gjithë i kam pasë krah për vite me radhë, kemi qenë shumë bashkëpunues e edhe sot kemi kujtime shumë të mira dhe gjithmonë u kthehemi atyre ditëve” theksoi Lumnije Berisha.

Krejt në fund,  ajo pati edhe një thirrje për të gjithë personat me nevoja të veçanta në Kosovë, që të jenë sa më të zëshëm dhe të arsyeshëm në të gjitha kërkesat që bëjnë. 

Fillo Kuizin
Testojeni veten, mësoni më shumë dhe argëtohuni në të njejtën kohë nëpërmjet kuizeve që ofrojmë ne për ju.
  • Which one of these words is spelled in British English?
    T
    Pretence
    F
    Pretense
  • Which spelling is used in American English?
    T
    Draft
    F
    Draught
  • The word "pediatric" is spelled in:
    T
    British
    F
    American
  • Which spelling is used in British English?
    T
    Plough
    F
    Plow
  • "Dreamed" is spelled in:
    T
    American
    F
    British
  • The word "Sulphur" is spelled in:
    T
    British
    F
    American
  • Which one of these words is spelled in American English?
    T
    Whisky
    F
    Whiskey
  • Which spelling is used in British English?
    T
    Programme
    F
    Program
  • "Travelling" is spelled in:
    T
    American
    F
    British
  • "Skillful" is spelled in:
    T
    American
    F
    British
1
/
10
ARTIKUJ TË NGJASHËM
Fotografia, arti i të jetuarit në një nivel tjetër
Me foto aparatin e tij, ka arritur të kapë imazhe nga më të bukurat, e sidomos në vendlindjen e tij në Kosovë. Puna prej kameramani dhe fotografi në të njejtën kohë, e ka dërguar në vende të ndryshme, duke e bërë pjesëmarrës edhe në ngjarjet më të rëndësishme për Kosovën. I lindur në Artanë, Arben Llapashtica është një ndër fotografët e suksesshëm në Kosovë që veprimtarinë e tij artistike e ka mbushur me plot suksese edhe në nivel ndërkombëtar.   Me shpirtin e tij artistik, Arbeni përmes fotografisë arrinë të na dërgojë në bjeshkë, në det, qytete e vende të ndryshme, edhe në ato vende pothuajse të harruara. Fotografia e tij, jo vetëm që na bën të ndjejmë një realitet ndryshe, ajo njëkohësisht kontibuon që ta shndërrojë Kosovën në një shtet kurioz për t’u vizituar nga turistët e huaj. Si kameraman, karrierën e nisi gjatë vitit 2001, si fotograf aktiv, pak më vonë. Kontaktin e parë më fotoaparat profesional thotë se e pati gjatë kohës sa ishte pjesë e një shkolle për gazetari, një projekt norvegjez por i cili është quajtur Instituti Kosovar për Gazetari (KIJAC).  Gjatë asaj kohe, Arbeni tregon se kishte konkurruar në një garë për fotografi me ç’rast kishte zënë vendin e parë. Kjo ngjarje kishte qenë edhe një motivim për hapat e tjerë në karrierë. “Unë e dërgova një fotografi të një lope të regjistruar, e konsiderova vlerë evropiane për shkak se në atë kohe nuk ishte bërë akoma regjistrimi i popullësisë, ndërkaq regjistrimi i kafshëve po“ , thekson Llapashtica. Arben Llapashtica është më shumë një fotograf i fotografive spontane dhe pasionant i trashëgimisë kulturore, arkeologjike. Një tjetër pasion i tij është mbledhja e fotografive të vjetra. Ai thotë se i pëlqen të fotografojë kudo që has nëpër arkiva të Kosovës, në monografi të vjetra.  Në krijimtarinë e tij të pasur, bijnë në sy hapësirat e braktisura, natyra, kafshët e egra të cilat rrallë mund t’i shohin njerëzit. Duke qenë edhe fotograf zyrtar i Filharmonisë së Kosovës, ai është vazhdimisht pjesëmarrës në koncerte dhe çka i pëlqen më shumë në karrierën e tij si fotograf janë pikërisht momentet e dirigjentëve. “Më lënë përshtypje momentent e dirigjentëve, instrumentistëve. Më herët, kam pasur edhe ekspozita për këto momente. Përveç profesionit si kameraman jam edhe autor i dokumentarëve. Të dyja i bëj me shumë pasion. Si fotograf jam goxha aktiv, nuk dalë kurrë nga shtëpia pa e pasur çantën, nuk di të ecë pa çantë. Janë disa vende që i frekuentoj gati çdo javë dhe mendoj që Kosova ofron shumë, sidomos për fotografët. Ka objekte, trashëgmi kulturore, e shumë gjëra të bukura“, shprehet Arbeni. Jo pak foto të Arben Llapashticës janë realizuar edhe me dron. Ai është ndër të parët fotografë që e kishte fotografuar Bibliotekën Kombëtare të Kosovës nga lart.  Aftësitë që i nevojiten në karrierë një fotografi Si në çdo profesion tjetër, edhe në atë të fotografit dhe kameramanit kërkohen disa aftësi specifike për të qenë i suksesshëm në punë. Ndër të parat patjetër që duhet të jetë të qenit i shkathët. Mirëpo, shumica e kameramanëve dhe fotografëve, Arbeni thotë se janë më shumë zanatlinj dhe të gjitha mësimet i marrin gjatë rrugës. “Tek ne nuk ka ndonjë shkollë specifike për kamerë. Në kuadër të fakultetit të arteve është vetëm si lëndë. Pra, ne jemi më shumë zanatlinj. Ka rëndësi të veçantë të qenit i shkathët në këtë profesion si dhe momenti se ku qëllon për të shkrepur gjëra interesante. Natyrisht luan rol edhe performanca teknikisht, edhe ajo është aftësi” Gjatë intervistës, Arben Llapashtica kujton se pasluftës në Kosovë, fotografët aktivë kanë qenë pak më të rrallë, ndërkaq sot fotografët shqiptarë konkurrojnë edhe me fotografë botërorë dhe ka edhe prej atyre që punojnë për agjenci të njohura në botë. Sfidat e profesionit të një fotografi dhe kameramani Kur flet për vështirësitë që ka hasur gjatë rrugëtimit të tij si kameraman e fotograf, Arbeni ndër të parat që përmend janë trazirat e 17 marsit. “Ndoshta si sfidë mund t‘i konsideroj trazirat e marsit, kur kam shkuar në ndërrim të një kolegu ne Graçanicë dhe ai nuk guxonte as ta ngriste kamerën lart sepse konflikti ka qenë i tillë. Mbaj mend një moment kur e plagosën një protestues dhe gjysma e njerëzve më thoshin ta xhiroja ndërsa gjysma tjetër mos e xhiro. Ajo ka qenë vërtetë sfidë, nuk dija çka të bëj dhe nuk arrija as të tërhiqem“, rrëfen Arbeni. Mbrojtja e krijimtarisë origjinale, paraqet një sfidë të vazhdueshme në shumë profesione. Këtë shqetësim Arbeni e ngreh edhe për fotografët. Ai thotë se fotografët shumë shpesh hasin në vështirësi ngase u vjedhen fotografitë dhe nuk citohet autori e madje edhe ua fshijnë emrin. Ndonëse në Kosovë është themeluar një agjension për mbrotje të autorit, ky agjension është i kufizuar me kompetenca dhe funksionon vetëm për brenda Kosovës. Si shkak i kësaj, Arbeni thotë se fotografët e dëmtuar nga vjedhja e krijimtarisë nuk kanë se ku të drejtohen në shumë raste. "Enciklopedia Wikipedia është e lirë, kur ngarkon foto aty secili ka të drejtë t’i përdorë kudo por tërë kohën duke e përmendur emrin. Fotografitë e mija më së shumti janë keqpërdorur pikërisht përmes kësaj metode, sepse e marrin fotografinë dhe nuk e cekin autorin e as burimin ku e kanë marrë atë fotografi.  Këtu është krijuar një agjension për mbrojtje të autorit por i cili funksionon vetëm për brenda Kosovës. Jo vetëm unë por shumica e fotografëve jemi të dëmtuar për shkak të keqpërdorimeve dhe nuk është se kemi ku drejtohemi për ankesa. Por shpresoj që do të rregullohet edhe kjo.“ Arben Llapashtica, promovues i gjërave të rralla në Kosovë Arbenin nuk e gjen kudo. Është ky mbase një element që e bën të veçantë dhe të suksesshme krijimtarinë e tij. Janë disa vende të cilat ai i frekuenton zakonisht. Në ato vende ka shkrepur edhe fotografi nga më magjepsesët në Kosovë. “Unë nuk pëlqej të shkoj aty ku shkojnë të gjithë. Më lënë përshtypje vendet ku dominojnë malet, andej nga Rugova por edhe Sharri. Janë një mrekulli e vërtetë“ Blinaja është një vend afër Prishtinës, ku bota shtazore është shumë e pasur. Aty mund të hasën rreth 1 mijë kafshë të egra. Të pakët janë njerëzit që kanë mundësi ta shohin këtë vend, ndërsa Arbeni e sjellë shumë shpesh përmes fotografisë së tij.  “Kur i kam publikuar fotografitë për herë të parë, askush nuk mund ta besonte së ky vend është vetëm 20 km larg Prishtinës dhe se ekziston një mrekulli e tillë“ Vendi i origjinës, Artana, është një vend tjetër që Arbeni thotë se ka dëshirë ta promovojë shumë, një vend i pasur me trashëgimi kulturore, një vend multi kulturor. Aty e gjen pothuajse çdo javë. Përveç natyrës, Arben Llapashtica përmes fotografisë së tij mundohet t’i mbajë në jetë edhe zanatet e vjetra, të harruara nga koha. Një gjë e tillë, i bën fotografitë e Llapashticës edhe më unike dhe konkurruese në gara botërore. “E kam pasur edhe një ekspozitë me zanatlinjt, këpucëtarë, nallban, e shumë zanate tjera. Të tilla zanate më shumë hasen në Gjakovë. Punimet janë unike por diçka që dita e ditës mund të shuhet dhe nuk duhet të lejojmë që të shuhen sepse kjo mund të jetë diçka atraktive edhe për turistët, të shohin se si bëhet nje zbukurim ose mbathje për kuaj“ Fotografia arrin të përçojë mesazhe të ndryshme, që nga ato më të bukurat e deri tek ato më të ndjeshmet.  Një ekspozitë tjetër shumë interesante që i shton vlerën ende më shumë karrierës së Arben Llapashticës është edhe promovimi i gjidhënies. “Promovimi i gjidhënies, një temë që më pati lënë përshtypje shumë. Nënat tona gjithmonë i kanë ushqyer fëmijet me gji por zakonisht janë mbuluar, janë fshehur nga turpi. Prandaj pata vendosur t‘i fotografoj disa nana, kryesisht në publik duke ushqyer fëmijët me gji, temë e cila ka qenë vërtetë shumë tabu“ Arben Llapashtica ndër tjera njihet edhe si promovues i tolerancës fetare. Në shumë prej fotografive të tij vërehet mesazhi për tolerancë fetare. Ai thekson se mundohet të kapë nga një kënd Kishën e Xhaminë, çka njerëzit nuk arrijnë ta shohin ashtu, mirëpo ai arrin të gjejë perspektiven, në një vijë ku Kisha dhe Xhamija duken në një oborr.  Të tilla shkathtësi e kanë bërë atë edhe fitues të shumë çmimeve për fotografi. Krejt në fund të bashkëbisedimit, Arbeni ka edhe një këshillë për të rinjtë që presin të kyçen në tregun e punës. Ai i këshillon ata të mos tentojnë të arrijnë karrierën e ëndrrave përmes një rruge të shkurtë.  E për fotografët e rinj, sipas tij mundësitë sot janë shumë, mirëpo i sugjeron ata që në fotografi të bëjnë sa më pak ndërhyrje dhe të mos ia humbin origjinalitetin fotografisë.  “Pas luftës në Kosovë, kanë qenë gjithsej vetëm tre televizione nacionale dhe burimi kryesor i informacioneve kanë qenë vetëm ato, edhe kameramanë e fotografë ka pasur pak. Sot, teknologjia e ka bërë të veten, tash është më e lehtë në këtë aspekt. Mirëpo, tek fotografitë sot ka më pak shpirt, sepse po bëhen intervenime brenda fotografisë, çka sugjeroj të preken sa më pak. Fotografitë e kanë vlerën e vet, mesazhin e vet, sa më pak intervenime“, përfundon Arben Llapashtica. Arben Llapashtica, tash e 20 vite punon në televizionin nacional KTV.  Ka qenë udhëheqes i grupit të kameramanëve ndërsa momentalisht ushtron detyrën e drejtorit të fotografisë dhe kameramanit në këtë televizion.
Lexo më shumë
Rrugëtimi i aktivistes dhe regjisores së njohur Zana Hoxha
Jeta është një rrugëtim i bukur drejt një ëndrre që synon ta kapësh. Ky rrugëtim ndonëse ka sfida që duket sikur nuk do të mbarojnë kurrë, në vete ngërthen ambicie, punë dhe rezultate në fund. E lidhur ngushtë me artin dhe kulturën, e rritur në një familje ku filmi, letërsia dhe kultura në përgjithësi kanë luajtur rol në formësimin e saj intelektual, ajo është përballur edhe me sfida qysh në moshën e adoleshencës. Pikërisht atë kohë, lufta kishte pezulluar pothuajse gjithë jetën në Kosovë. Është kjo Zana Hoxha, regjisore profesionale e teatrit dhe drejtuese e OJQ-së së quajtur Artpolis, organizatë e cila promovon artin dhe diversitetin nëpërmjet dialogut shoqëror dhe ndërtimit të komunitetit. Është Zana, storja dhe suksesi i së cilës do t’ua mundësojnë ta shikoni jetën dhe punën nga kënde të ndryshme. “Qysh në klasën e 4-të ose të 5-të, e mendoja se si do të mund t’i realizoja filmat më ndryshe, më pëlqente një stil i caktuar, një film i caktuar, në përgjithësi kinematografia evropiane. Ishte vëllai im ai që më tha se unë do të bëhesha regjisore dhe qysh atëherë më pëlqeu përcaktimi që ai ma dha”, rrëfen fillimisht Zana Hoxha. Ndonëse shkollën po e përfundonte në një kohë të pakohë, gjatë luftës në Kosovë, atëherë kur bombardimet e NATOS dëgjoheshin gjithandej Kosovës, Zana ishte ende nxënësja e dalluar e shkollës. Ajo filloi të punonte me organizata ndërkombëtare qysh në moshën e adoleshencës. Duke marrë leje nga arsimtarët, asaj iu mundësua të punonte por edhe të vazhdonte vitin e fundit të shkollës së mesme. Gjatë asaj periudhe, Zana punonte si përkthyese në organizata të huaja, kryesisht me ato që merreshin me shkeljen e të drejtave të njeriut gjatë luftës në Kosovë. Duke përkthyer historitë e të mbijetuarve, ajo qysh në moshën 17 vjeçare u njoh nga afër me mizoritë dhe format e ndryshme të dhunës që ushtrohej gjatë luftës në Kosovë. “Edhe pse isha vetëm 17 vjeç, fillova të jem shumë më e vetëdijshme rreth asaj që kishte ndodhur, isha vetë dëshmitare e ndodhive. Familja ime nuk lëvizi nga Gjakova, mirëpo puna që bëja atëherë ma impontonte të shkoja nëpër fshatra e vende të ndryshme të Kosovës dhe unë kështu u njoftova me rrëfimet e tmerrshme të dhunës në Kosovë” Ndonëse thellë brenda vetes, ëndërr kishte të bëhej regjisore dhe t’i realizonte një ditë të gjitha ato storje që kishte në kokën e saj, Zanën e shoqëruan edhe mëdyshje se cili do të ishte profesioni i duhur për të. Ajo tregon se nëna e saj ishte një shtysë e madhe në jetë dhe atëbotë edhe ajo po e këshillonte të studionte për regji, dhe se ndjeu një gëzim kur edhe vëllai i saj e kontaktoi në telefon dhe iu drejtua me fjalët “Ku je regjisorja e ardhshme e Kosovës? Aty thashë, po po i kthehem ëndrrës sime" Viti që punoi me organizata ndërkombëtare, Zanës i ndikoi po ashtu shumë pozitivisht në profesionalizmin e saj në fushën e regjisë. Gjithsesi, gjatë intervistës me AkademiPune, ajo tha se nuk e konsideron veten vetëm si artiste apo aktiviste. “Unë nuk mund të them kurrë që jam vetëm artiste ose vetëm aktiviste. Prej vitit 2000 e deri sot, unë e kam krijuar identitetin e një gruaje e cila është pikërisht një artiste që i adreson të drejtat e njeriut përmes artit, në të njejten kohë në art gjithmonë jam e vetëdijshme që të kem parasysh edhe të drejtat e artistëve, të punëtorëve, për të krijuar një ambient më të mirë dhe profesional” Përparësitë si grua në shoqëri Një dëshirë tjetër e Zana Hoxhës, gjithmonë ka qenë edhe ngritja e çështjeve që ndërlidhen me gratë. E grave në Kosovë shpeshherë iu duhet të kalojnë sfida të shumta për t’i arritur ëndrrat.  Mirëpo, për vete ajo tregon se kur nisi punën me organizatën Artpolis, si grua pati më shumë përparësi sesa vështirësi.  “Kam pasur një bashkëpunim dhe një përkrahje të madhe të Rrjetit të Grave të Kosovës, në veçanti zonjës Igballe Rugova dhe një përkrahje të aktivisteve vendore dhe të huaja, një përkrahje gjithashtu edhe prej artisteve tona, të cilat kishin nevojë për një ambient, për mundësi të krijimit të përbashkët si artiste në një hapësirë të sigurtë, ku jo domosdoshmërisht si artiste duhet të jesh objekt i seksit ose në shërbim të shfaqjeve, filmave, veprave ku burrat do të udhëheqin dhe e kanë një mënyrë se si menaxhojnë gjërat në skenë dhe në art” Themelimin e organizatës Artpolis, Zana thotë se e pa si nevojë por ishte edhe diçka që lidhej me identitetin e saj feminist. Sot, ajo thekson se është e lumtur që organizata nuk identifikohet vetëm me të, por identifikohet me punën që bëhet aty dhe me aktivizmin. “Në fillim kanë thënë: organizata e Zanës, e tash nuk thonë kështu dhe unë jam e lumtur për këtë”, thotë gjatë intervistës Zana. Sfidat gjatë rrugëtimit në karrierë Në rrugëtimin e saj nuk munguan edhe shumë sfida, e të cilat ajo thotë se ishin më shumë në rrafshin personal. Duke qenë person shumë familjar, sfidat më të mëdha për të ishin atëherë kur dikush i afërm kishte probleme shëndetësore, e që asaj i është dashur të punonte edhe kur ishte gati e pamundur. Balanca mes jetës private dhe profesionale ka qenë po ashtu një sfidë e vështirë, mirëpo Zana thotë se gjithmonë e kishte ditur se në cilat vlera bazohet kur punon dhe kurrë nuk e ka përdorur punën si justifikim për të qenë person negativ. Sfidë për të sot, është të shohesh se si dominon një sistem ku shumë njerëz shkelin vlerat e personave të tjerë për të ndërtuar karrierën e tyre. Ndonëse u bë nënë në moshë të re dhe obligimet e përgjegjësitë veç sa iu shtuan, ajo për vite me radhë kishte qenë edhe mbështetësja kryesore e familjes.   “Kur je nanë, prioriteti kryesor janë fëmijët dhe koha që e kalon me ta. Jeta që unë ua jap fëmijëve të mi nuk është vetëm në shtëpi, është e tillë që unë i marr me vete në trajnime, festivale, në shfaqje. Vajzat e mija kanë qenë vullnetare në FemArt kur skanë pasur mësim ose pasdite, pra unë jam munduar të krijoj një lloj identiteti timin si nanë, jashtë pritjeve që i ka shoqëria ose jashtë asaj se si shoqëria pret që të sillem si nanë” Kësisoj, Artpolisin tregon se e krijoi me shumë mund, duke u munduar të jetë aty edhe për familjen por edhe ta jetësojë ëndrrën e saj. “Në momentin që i kam vënë fëmijët në gjumë, kam punuar gjatë natës, që të vazhdoj ta ndjekë ëndrrën që e kam pasur për ta krijuar Artpolisin në nivelin që është tani dhe sot kemi arritur në një pikë që Artpolisin e bëjnë shumë kolege të mijat të cilat janë shumë të zonjat, shumë të përgjegjshme, i bëjnë punët me dashuri dhe pasion dhe mbi të gjitha e dinë se çka bëjnë” Sot, Zana thotë se organizata Artpolis është në një nivel shumë të mirë dhe ka kapacitete të mjaftueshme, si dhe shpreson që kur të largohet nga organizata, ta lë atë në një pozitë shumë të mirë, që personat që vijnë ta udhëheqin dhe ngrisin edhe më tej. Çka e bën Zana Hoxhën të suksesshme në punën e saj? Rezistenca, inspirimi dhe krijimi janë disa veti që Zana thotë se e kanë bërë të suksesshme ndër vite, e të cilat i ka pasur edhe si moto në jetë. Kur flet për rezistencën, ajo thotë se gjithçka që ndodhë në jetë, të mirat, të këqijat, duhet të shfrytëzohen për të na bërë njerëz më të qëndrueshëm. Duhet të shfrytëzohet gjithçka që të rritet një rezistencë brenda njeriut, që ai të jetë më i fortë për sfidat që mund të vijnë. “Edhe kur kam pasur momente të vështira, edhe kur ka qenë jo e lehtë, gjithmonë kam menduar se çkado që bëj në jetë duhet ta bëj me dinjitet dhe të mos e humbas dinjitetin, pra çfarëdo zgjedhje që më është ofruar, e kam pyetur veten çka nëse e bëj këtë zgjedhje? A e humbas dinjitetin tim? Ose a do të ndikojë kjo që unë të jem më dinjitoze ne jetë? Të gjitha këto pyetje më kanë ndihmuar të marrë vendime të mira në jetë” Një prej arsyeve pse Zana preferon të udhëtojë shumë është inspirimi. Ajo thotë se kërkon inspirim kudo, qoftë në vendet e suksesshme, qoftë në ato që kanë vuajtur shumë, tek njerëzit që nuk i ka njohur më herët por edhe tek ata që i njeh me vite të tëra. Mirëpo, edhe ajo vetë mundohet të jetë inspirim për të tjerët, me mënyrën se si jeton, se si punon, por gjithmonë duke qenë autentike. “Edhe pse mund të ketë keqkuptime, paragjykime, kjo jam unë dhe kështu kam vendosur ta jetoj jetën time, pavarësisht se si më shohin të tjerët” Si veti të fundit, ajo përmend krijimin, thotë se ka një nevojë të vazhdueshme për të krijuar diçka dhe se krijon me shumë dëshirë e pasion. “Krijimi më ka mundësuar që ta zhvilloj veten, identitetin tim dhe të ndërtoj lidhje të tilla me njerëz që vetëm proceset krijuese t’i mundësojnë, pra jo domosdoshmërisht vetëm arti, por proceset krijuese edhe të ndonjë trajnimi, punëtorie, ligjerate ku ti thjeshtë ofron hapësirë, mundësi për mendim të përbashkët, një atmosferë më të mirë, një dëshirë për ta bërë këtë vend më të mirë dhe natyrisht krejt dëshira dhe pasioni im ka qenë që të gjitha këto vlera që i përmenda t’i zbatoj këtu, jo jashtë Kosovës” Kush janë njerëzit model për Zanën? Shumë njerëz, kanë persona të tjerë të cilët u shërbejnë si udhërrëfyes të jetës, për t’i arritur caqet që i vënë vetes. Si shembull i parë në jetë për Zana Hoxhën ka qenë gjyshja e saj, një grua humaniste dhe e cila siç e përshkruan Zana ka pasur një identitet shumë të veçantë sepse në një periudhë kur jetesa është shoqëruar me shumë paragjykime, ajo ju ka dalë në ndihmë nevojtarëve e mbi të gjitha u ka dhënë zemër grave të asaj kohe. “Unë jam rritur me njëfarë iluzioni, njëfarë dëshire që të bëhem si gjyshja, e cila iu ka dalë kundër te gjithëve vetëm për t’i mbrojtur të pafuqishmit” Një model tjetër për Zanën ka qenë edhe nëna e saj, një grua ambicioze e shumë punëtore dhe e cila i ka dhënë vazhdimisht mbështetje në jetë. E në adoleshencë ajo tregon se model e ka pasur Hilary Clinton, fjalët e të cilës kanë pasur ndikimin e vet tek Zana. Ndërkaq, karrierën e saj gjithmonë ka pasur dëshirë ta ndërtojë duke ecur në hapat e aktorit të njohur Istref Begollit, “Se kush më ka inspiruar prej burrave, kanë qenë gjyshi im, babai im dhe aktori i ndjerë Istref Begolli i cili ka pasur një sharm gati të një aristokrati në art dhe kam dashur ta ndërtoj karrierën time sikur ai. Ai e ka ndërtuar karrierën në Kosovë, ka pasur një reputacion, mënyra se si i ka zgjedhur veprat, ka qenë e ndërlidhur me vlerat dhe parimet e tij” Ajo nënvizon se model ka edhe gjithçka tjetër të mirë, gjithçka që asaj i ndihmon të jetë çdo ditë një person akoma më i mirë.  Sa ka perspektivë për artistët e rinj në Kosovë? Profesioni i artistit në Kosovë, nganjëherë ndeshet edhe në paragjykime të ndryshme. Zana si profesioniste në fushën e artit, thotë se artistët nuk duhet të ndalojnë së gjeturi zërin e tyre dhe t’i kërkojnë mundësitë për të punuar me artistë nga vende të ndryshme të botës. Ajo shton se perspektiva varet se si shikohet, ndërsa në Kosovë për dallim nga disa vende të tjera të botës, nëse je artist dhe e kërkon një mundësi për ta provuar veten, shumica e njerëzve do të ta japin atë shancë. E si artist, Zana thotë se ekziston mundësia edhe për të krijuar gjëra të reja të cilat janë falas dhe për të dëshmuar se je person që të tjerët mund të besojnë edhe financiarisht tek ty. Ajo shton se përmes Artpolis, organizatës të cilën ajo drejton, kanë krijuar mundësi te shumta për artistët e rinj, në mënyrë që ata të krijojnë identitet, të mësojnë, të zhvillohen dhe të bëhen të dukshëm, e të cilët me kalimin e kohës janë bërë individë që e kanë ditur se çka duan në jete. “Jam shumë krenare që në karrierën time kam qenë pjesë e zhvillimit të potencialit të artistëve të rinj dhe krijimit të hapësirave e mundësive” Një këshillë për të rinjtë Për ta gjetur veten më së miri në karrierë, Zana thotë se njeriu duhet të kërkojë punën dhe kjo nuk do të thotë se duhet të ndodhë vetëm me dërgimin e CV-së apo materialeve të ndryshme për aplikim. Ajo ka një sugjerim më ndryshe për të rinjtë në Kosovë. “Është shumë e rëndësishme të trokisni në derën e dikujt edhe t’ju tregoni se dëshironi të bëheni pjesë e stafit. Shkoni, kërkoni mundësitë, dikush mund t’ua mbyllë derën por gjithmonë do të jetë dikush tjetër që e hapë atë për ju. Bëhuni fleksibilë, punëtorë, shfrytëzoni gjitha talentët që keni për me e mbajtë punën, është shumë e rëndësishme me ra në sy të mirë, bëjëni një punë që e keni pasion ose ndjeheni mirë, një punë që përputhet me vlerat e juaja, nëse vlerat tuaja janë ndryshe nga ajo që bëni, lëjeni atë punë” Gjersa këshillon të rinjtë, ajo tregon edhe se si 70 përqind e stafit në organizatën Artpolis, janë bërë pjesë e organizatës pa ndonjë konkurs, pra kanë kërkuar të jenë vetë pjesë sepse pritshmëritë e organizatës nuk kanë qenë që të kenë staf 100 përqind të gatshëm. Ajo thotë se puna e ndërton njeriun shumë, se gjatë viteve të kaluara ka mësuar shumë në punën e saj, ka arritur t’i zhvillojë kapacitetet e brendshme të saja duke mësuar fusha të ndryshme, qoftë në shkrim, përkthim, etj. "Kam mësuar edhe në momentet kur më është dashur vetëm të ulëm në një tavolinë dhe të dëgjoj të tjerët, dhe të gjitha këto me kanë dhënë mundësinë të jem kjo që jam sot, pra karriera e ëndrrave nuk arrihet shpejt, ajo ndërtohet dhe duhet kohë që të mësosh, të zhvillohesh dhe të jesh aty ku dëshiron të jesh” Një këshillë tjetër që Zana ua jep të rinjve, është të jenë mirënjohës për të gjithë njerëzit e mirë që ua kanë dhënë mundësitë të zhvillojnë kapacitetet e tyre , si dhe të mos i abuzojnë ato mundësi. “Të rinjtë vetëm të mos heqin dorë, të kërkojnë mundësi dhe nëse dikush e lexon këtë intervistë dhe mendon që unë mund t’i ndihmoj diçka, të më shkruajë dhe unë do t’i përgjigjem”, përfundon regjisorja e njohur Zana Hoxha. Zana ka drejtuar rreth 20 performanca teatrale të cilat kanë qenë të prodhuara dhe prezentuara në teatret më të mëdha në Kosovë. /AkademiPune
Lexo më shumë
Si e krijova kompaninë time në moshën 22 vjeçare?
RILIND ELEZAJ, THEMELUES I KOMPANISË "SEO TACTICA" “Unë gjithmonë kam dashur që të kem biznesin tim – të ofroj shërbime për klientët e mi, si ekspert i kësaj fushe” Të fillosh një punë, çfarëdo qoftë ajo, ngërthen shumë sfida në vete. Rruga përmes të cilës fillon e gjithë përpjekja për të korrur rezultate jo çdoherë do të jetë e drejtë mirëpo guximi dhe vendosmëria janë dy shtyllat kyçe që e mbajnë në vijë të drejtë idealin për të bërë diçka. Nuk e thonë kot se mosha është vetëm një numër ngase ajo nuk  përkon me mundësitë, rezultatet apo suksesin që një njeri mund të arrijë në jetë. Storja në vijim na ndihmon të mësojmë se nga të nisemi dhe si t’i arrijmë majat e asaj që duam.   Rrugëtimin e vet në fushën e biznesit e nisi qysh në moshën 20 vjeçare. Përfshirja në projekte të ndryshme të cilat investonin në marketingun digjital, Rilind Elezajn, e shtynë drejt themelimit të kompanisë Tactica - kompani në fushën e SEOs (Search Engine Optimization - Optimizim i Makinave Kërkuese) dhe te shërbimeve të tjera digjitale. “Kam punuar për shumë vite në sektorin e marketingut digjital, e specifikisht ne SEO. Unë u përfshiva në zhvillimin dhe menaxhimin e marketingut te produkteve te ndyshme në tregjet anglezo-folëse. Ishte një përvojë e shkëlqyeshme ku u përfshiva në të gjithë procesin e zhvillimit të marketingut nga dizajni i produkteve, hulumtimi, e deri te marketingu dhe shitja. E dija që kjo është ajo që doja të bëja gjatë gjithë jetës, andaj edhe hapa kompaninë Tactica”. Muajt e lodhshëm, puna 15 orëshe në ditë, e bënë Rilindin që të angazhonte më shumë persona që i njihte për t’i ndihmuar. Kësisoj, ai arrinte t’i menaxhonte punët më mirë dhe të hapte më shumë kërkesa për klientët e rinjë. Duke e parë se sa frytdhënëse ishte kjo mënyrë,  ai vendosi të themelonte kompaninë e tij. Në Janar të vitit 2018, nisi punën kompania Tactica, me vetëm 4 të punësuar. Që nga krijimi, Tactica u zhvillua shumë dhe tani punëson 15 persona dhe ka disa produkte në treg. Rilindi arriti të ndërtojë bashkëpunim me rreth 20 klientë nga industri të ndryshme nga tregjet anglezo-folëse, duke përfshirë SHBA-në, Mbretërinë e Bashkuar, Australinë dhe Kanadanë si dhe bashkëpunime në shtete të tjera si Kina, Izraeli, Zvicra etj. Sot, si lider i një kompanie të suksesshme, dita e tij nisë me kafen e mëngjesit të cilën e pi së bashku me ekipin e kompanisë. Ai del i fundit nga zyra dhe plotëson rreth 9 -10 orë punë. “Zakonisht kafen e mengjesit e pi së bashku me ekipen e Tactices ku edhe bisedojmë për agjendën ditore si dhe planet dhe objektivat. Shumicën e kohës jam duke komunikuar me klientët, duke krijuar strategji dhe mënyra të ndryshme për rritje të vizibilitetit online. Rreth 1/3 e ditës sime shpenzohet në implementimin e strategjive për klientë të ndryshëm si dhe duke u marrë me ekzekutimin e tyre. Analizimi i strategjive dhe rritja e bizneseve të klientëve po ashtu është pjesë e rutinës sime ditore. Gjatë ditës, përveç shpenzimit të kohës duke menduar për klientët tanë, po ashtu kaloj kohën duke u interesuar për rritjen e Tactices si dhe bashkëpunimet dhe drejtimin e kompanisë. Këtu përfshihen edhe produktet e reja, analiza e produkteve në treg si dhe kompletimi i misioneve të kompanisë.” Etika në punë, diciplina dhe përkushtimi për të mirën kolektive janë shprehi që të çojnë drejt suksesit Një lider i suksesshëm medoemos duhet të ketë disa aftësi e edhe zakone që e bëjnë të arrijë suksesin. Rilindi thotë se qysh prej fillimit të karrierës së tij, ka synuar të jetë korrekt dhe i disciplinuar, gjë që i ka ndihmuar çdoherë. Ndër tjera, ai rrëfen se në çfarëdo marrëdhënie të punës që përfshihet, mendon për të mirën e bashkëpunimit dhe jo vetëm për interesin individual. Kjo sipas tij, e bën edhe bashkëpunimin më të frytshëm. “Organizimi i punës në bazë të agjendës është po ashtu diçka kyçe. Gjithmonë ke një plan ditor të cilin e ndjekë dhe mban shënime. Përpos këtyre zakoneve në punë, mendoj që aktivitetet fizike janë po ashtu esenciale për cilindo sepse ato të bëjnë me produktiv gjatë orarit të punës, shtojnë kreativitetin si dhe rrisin përqëndrimin - 3 gjëra që janë shumë të rëndësishme gjatë orarit të punës” . Me suksesin, vijnë edhe shumë sfida e vështirësi. Me rritjen e shpejtë të biznesit, rriten edhe përgjegjësitë. Për Rilindin, pas themelimit të kompanisë, sfidë ka qenë punësimi i personave të rinjë dhe të kualifikuar. Mirëpo, ai konsideron që edhe këte barrierë ka arritur ta tejkalojë shpejt, duke zhvilluar metoda unike për përzgjedhjen e stafit. Themelimin një biznesi të suksesshem në moshë të re, që është i qëndrueshëm si dhe punëson shumë të rinjë, ai e konsideron si një arritje të madhe, duke ia shtuar edhe faktin që ai me kompaninë e tij synon të kontribuojë shumë në punësimin dhe fuqizimin e të rinjëve dhe specifikisht femrave në industrinë e marketingut.  Stafi i punësuar në këtë kompani është në moshën mesatare 23 vjeç dhe mbi 50% janë femra. Së fundmi, ai ka lansuar edhe webfaqen www.probleme.me e cila ofron për publikun e gjerë informata të rendësishme mbi të jetuarit shëndetshëm si dhe enciklopedinë e parë informative të sëmundjeve në gjuhën shqipe. Kjo faqe tashmë ka mbi 50,000 vizita në muaj dhe po rritet dita ditës. Çka e bën një biznes të suksesshëm? Si udhëheqës i një kompanie të suksesshme në fushën e SEOs, Rilindi thotë se e ka kuptuar që një biznes i suksesshëm është një biznes i cili gjithmonë gjen dhe ndjekë mënyra për t’u përmirësuar dhe rritur.  Sipas tij, kjo ndodhë përmes ngritjes së kuadrove, përmirësimit të cilësisë së shërbimeve si dhe marrjes së projekteve dhe klientëve me të mëdhenj që kanë sfida më të vështira për t’i kaluar. “Industria e SEO-së është një industri 80 miliardë dollarëshe e cila vazhdon të jetë në rritje. Çdo biznes që synon rritje dhe prezencë të gjerë digjitale duhet ta ketë të integruar në strategjinë e marketingut. Çdo person që pretendon të ketë karrierë në marketing digjital duhet ta njohë mirë ketë fushë, pasi që gjithmonë do të ketë kërkesë për këto produkte. SEO poashtu ka të bëjë 100% me mënyrën se si të ndërtosh një produkt/kompani që ka për synim zgjidhjen e nevojave të konsumatorëve, gjë e cila është menyra kryesore e rritjes së një biznesi. Kur të kuptosh këtë, atëherë mund ta kuptosh shumë mirë psikologjinë e të shiturit dhe ta përdorësh në avantazhin tënd – në krijimin e produkteve të reja.” Rilindi dhe ekipi i tij tashmë përmbushin edhe nevoja të tjera të klientëve ndërkombëtarë, si zhvillimi i uebfaqeve dhe aplikacioneve, menaxhimi i rrjeteve sociale, shkrimi i content-it, analiza të tregut, etj. Krejt në fund, ai ka një këshillë të cilën e konsideron të domosdoshme për të rinjtë që janë duke studiuar – që sa më parë të fillojnë t’i testojnë aftësitë e tyre në tregun e punës. Studimet janë shumë të rëndësishme, mirëpo sot praktika është po aq e rëndësishme.
Lexo më shumë
Ndërmarrësia, sfidë dhe sukses
ARDIAN HOXHA, NDËRMARRËS “Një ndërmarrës gjithmonë kërkon ndryshim, i përgjigjet atij ndryshimi dhe e përdorë atë si mundësi” - Peter Drucker Të jesh ndërmarrës do të thotë të arrish t’i realizosh detyrat dhe prioritetet që ia vendosë vetes. Ndërmarrësia është një pikënisje e secilit mendim, ide apo ambicie. Ndërmarrësia si term ekonomik nuk është diçka e re, ky term daton që nga kohët e vjetra, atëherë kur njerëzit kishin parë që të realizohet diçka nevojitet që planet në mendje medoemos të vendosen edhe në letër dhe më pas të realizohen në veprime. Në ditët e sotme, ndërmarrësia bashkon dy qëllime, dëshirën për të qenë i suksesshëm dhe nëpërmjet atij suksesi fuqizimin e shoqërisë me hapjen e vendeve të reja të punës. Edhe Ardian Hoxha, ndërmarrësinë e pa si rrugën kryesore drejt suksesit, jo vetëm për të krijuar të mira materiale por edhe për të dhënë kontributin e tij si qytetar i botës. I lindur në qytetin e Shkupit, ai rrjedh nga një familje patriotike e në të njejtën kohë edhe një familje ndërmarrësish, të cilët u morën me biznesin e argjendarisë qysh para 54 viteve. I frymëzuar nga babai dhe duke pasur edhe vetë shpirtin ndërmarrës, Ardian Hoxha sot është një ndër biznismenët më të njohur në Kosovë dhe më gjerë. Në rrugëtimin e tij si ndërmarrës, ai pati edhe shumë sfida, të cilat thotë se gjithmonë u mundua t’i kthejë në sukses. Në një intervistë për KosovaJob, Ardian Hoxha rrëfen se si sfida e parë me të cilën u ndesh qysh në fëmijëri ka qenë jetesa nën regjimin serb, duke e detyruar atë që bashkë me familjen e tij të largoheshin nga Kosova dhe të zhvendoseshin në Shkup. Për 4 vite rresht, jetuan aty e pastaj lëvizen në Tiranë, ku po aty u ballafaqua edhe me zhdukjen e babait të tij, eshtrat e të cilit nuk janë gjetur as 24 vite pas. Mirëpo, kjo nuk e ndali atë të shndërrohej në një shtyllë mbrojtëse për pjesën tjetër të familjes por edhe të punonte drejt qëllimit për t’u bërë një ndërmarrës i suksesshëm. “Vijnë momente kur realisht ballafaqohesh me sfida të natyrave të ndryshme, sfidat jo që bëhen më të lehta po njeriu bëhet më i fortë dhe më i aftë të ballafaqohet me to. Kështu që, sfidat janë pjesë e jetës, pjesë e punës dhe janë normale, nuk janë asgjë. Unë jam mbështetur përherë në thënjen: çka nuk më mbyt, me bën më të fortë”, thotë ai. Ne moshën 18 vjeçare, Ardiani ka punuar edhe si taksist, për të bindur veten dhe familjen se është puntor dhe nuk i vjen turp nga puna e ndershme, e më pas arriti deri tek themelimi i American School of Kosova - ASK, Green and Protein, Glam Radio, SuchiCo, TravelMate dhe Duplex Club, të cilat sot janë ndër bizneset më të suksesshme në Kosovë. Gjatë intervistes, ai nënvizoi se pse zgjodhi ndërmarrësinë si profesionin e tij. “Zgjodha ndërmarrësinë në njëfarë mënyre edhe për të arritur sukses, si në aspektin financiar po ashtu edhe për të dhënë kontribut. Kontributet si ndërmarrës janë: krijimi i vendeve të punës, sigurimi i të ardhurave për shumë familje, krijimi i shërbimeve apo produkteve për një shtet, dmth kontributi në prodhimin e brendshëm bruto, kontributi në arken e shtetit, etj. Mirëpo, një ndërmarrës gjithashtu zhvillon njerëz profesionalisht sepse ata fillojnë me një nivel profesional të caktuar dhe pastaj qoftë prej punës që e bëjnë, qoftë prej trajnimeve që i marrin - ngriten profesionalisht dhe bëhen më të suksesshëm”. Veprimtaria e tij e parë e vërtetë në vitin 2003 ishte American School of Kosova, qëllimi i të cilës ishte nxjerrja e njerëzve të suksesshëm në fusha të caktuara që edhe ata pastaj të japin kontributin e tyre për vendin. Misioni i kësaj shkolle është arsimimi i liderëve të së nesërmes - për një të ardhme më të mirë. Duplex Club është biznesi i dytë i Ardian Hoxhës me të cilin arriti të ndikojë pozitivisht në tregun kosovar, duke sjellë edhe shumë bashkëatdhetarë e nacionalitete të ndryshme për vizita në Kosovë, e kështu duke krijuar "sezonin turistik" veror dhe dimëror. Në vitin 2013, Duplex Club mori edhe çmimin Fashion TV Nightlife Award gjatë Festivalit të Kanës, si një prej diskotekave më të mira në botë për vitin 2013. Në gjithë keto vite Kosovës i është bërë PR dhe marketing prej qindra miliona Eurosh nëpër botë vetëm nga rrjetet sociale që diaspora jonë përdor, duke u treguar miqëve të tyre nëpër vendet ku ata jetojnë se çfarë atmostere dhe jete bëhet në Kosovë. Pjesë e rrugës drejt suksesit, janë edhe dështimet - si mësuesit më të mirë të njeriut. Albafone, një telefoni mobile që i adresohej popullit shqiptar në Maqedoni ishte një biznes tjetër i themeluar nga Hoxha por që nuk mundi të zhvillohej tutje, kjo si shkak i një aksidenti që ai pati bashkë me të shoqën. Mirëpo, Hoxha thotë se kjo ndodhi e ka bërë edhe më të fortë për jetën por edhe më të përgatitur si ndërmarrës.   Në Mars të vitit 2017, ai bashkë me dy miq të tij, themeluan edhe një radio pak më të veçantë në Kosovë, e quajtur Glam Radio, e cila funksionon pa ndonjë donacion dhe është fitimprurëse. Ndërkaq, Green and Protein nisi nga ideja e vëllait dhe motrës se tij, Qëndresës dhe Flakëronit, qëllimi i të cilit biznes është të ushqyerit shëndetshëm, që të gjithë njerëzit të jenë më energjik, më produktiv dhe të sëmurën më pak. Duke e parë potencialin e këtij biznesi, Hoxha vendosi që të zhvillojë edhe modelin e Franchise dhe t’u japë të drejtën e operimit njerëzve të interesuar për të investuar në këtë fushë. Ai thotë se këtë po e nisë me Tiranën, duke vazhduar me Zvicrën, me synim zgjerimin nëpër Evropë e pas vitit 2023 edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Green and Protein do të jetë ambasador i brendeve të Kosovës”, thekson Ardian Hoxha. Në vitin 2018, edhe një biznes tjetër nën drejtimin e Hoxhës, iu shtua tregut të Kosovës. Si ndërmarrës, ai pati udhëtime të shumta gjithandej botës. Duke i parë shërbimet e cilësisë së lartë në fushën e turizmit, ai u inspirua për të hapur agjensionin turistik “TravelMate”, duke sjellë në Kosovë shërbime të cilat nuk ishin ofruar ndonjëherë më parë. Zingjirit të bizneseve nën udhëheqjen e tij, iu bashkua edhe lokali SushiCo, si koncept shumë i veçantë, ku njerëzit sot mund të shijojnë ushqime si ato të vendeve aziatike edhe në Kosovë. “Përqëndrimi është ndër çelësat kryesorë drejt suksesit” Një ndër vetitë e shumta të njeriut të suksesshëm është edhe përqëndrimi. Pa pasur përqëndrim, nuk mund të ketë as sukses. Këtë teori e mbështet edhe Hoxha, i cili thotë se nuk duhet lejuar kurrë të humbet fokusi apo të zhvendoset vëmendja në disa punë në të njejtën kohë, sepse edhe rezultati kësisoj nuk do të jetë i mirë. “Nëse e humb fokusin, fillon të merresh me disa punë njëkohësisht, asnjëra prej tyre nuk do të përfundohet si duhet dhe do të rrezikohen që të gjitha. Kur niset një punë, ajo duhet të përfundohet me shumë sukses. Vetëm në rast se ka kapacitet shtesë për të vazhduar edhe me diçka tjetër, atëherë mund të bëhet, përndryshe dëmtohen që të gjitha punët e nisura.” Krahas fokusit, si një prej pikave kryesore Ardiani thotë se është edhe të mësuarit e vazhdueshëm. Për të arritur sukses, sipas tij nevojitet shumë punë e ndonjëherë edhe fat po ky i fundit shpeshherë vjen bashkë me punën. Mirëpo, në jetë vijnë edhe periudha kur njerëzit nuk arrijnë të zhvillohen më tepër, e kështu nuk duhet mbështetur vetëm në rrjedhën por sipas Hoxhës duhet të mësohet më shumë e gjithsesi të bëhet vetë-reflektim. Duhet reflektim se çka i nevojitet njeriut në një moment të caktuar, cilën aftësi duhet ta përmirësojë, çka po e lë prapa apo çka do t’i ndihmonte të zhvillohej tutje. Sipas tij, ndërmarrësit, liderët apo përgjithësisht njerëzit e suksesshëm edhe mund të lindin të tillë por edhe mund të bëhen. Aftësitë, Ardiani konsideron se janë të mësueshme, mund të mos kemi ndonjë një aftësi por ta shndërrojmë prej zeros në njëqind, e pastaj ajo të shndërrohet edhe në veti. Ai thotë se gjatë karrierës ka mësuar edhe teknika të ndryshme dhe ndër to përmend “mendo në letër”, një teknikë e rekomanduar nga Brian Tracy, çka i zhvillon njeriut mendimin kritik. “Unë mendoj që e kam pasur të qartë se pse ekzistoj si Ardian dhe çka dua të bëj në jetën time, çfarë kontributi dua të jap. Pastaj jam munduar të krijoj një vizion për veten, që të shoh se ku mund të shkoj në një të ardhme dhe duke e pasur vizionin e një ndërmarrësi të suksesshëm, i kam vënë vetes qëllime. Kur ekziston edhe vizioni edhe misioni atëherë është shumë më e lehtë ta motivosh veten dhe bën matje se ku qëndron ti në krahasim me ato qëllime. Gjatë rrugëtimit, jam mësuar të jem këmbëngulës, të mos dorëzohem, të jem i guximshëm sepse edhe guximi është aftësi dhe nuk është mungesë e frikës, por menaxhim i frikës. Të gjitha keto i kam mësuar dhe forcuar gjatë rrugës duke përfshirë edhe vetinë e komunikimit, të menduarit kritik dhe gjithçka tjetër që më është dashur për të shkuar një hap tutje”, shpjegon Ardian Hoxha. Papunësi apo papunëtorë? Për të ndikuar edhe më pozitivisht në tregun e punës së ditëve të sotme, Hoxha është në mbarim të një libri me titull “Papunësia apo papunëtori”. Në këtë libër, ai po trajton problemet e tregut të punës në Kosovë, meqënëse në Kosovë shkalla e papunësisë është e lartë por ka edhe shumë vende të punës të hapura që nuk gjejnë kuadro, e në të njejtën kohë ka edhe të punësuar  por që nuk janë punëtorë. Libri sjellë shumë teknika se si të shndërrohemi në punëtorë, si t’ia caktojmë të ardhurat vetes, sa të fitojmë etj. Të gjithë të rinjve të cilët po presin të kyçen në treg të punës, bazuar në përvojat personale, Hoxha i këshillon të nisin një punë pa pagesë. Sipas tij, do të ishte shumë frytdhënëse nëse një i ri e zgjedh një kompani për të cilën ka pasur gjithnjë dëshirë të punojë, i dërgon kompanisë një CV dhe deklarohet se do të punojë pa pagesë rreth një vit. “Kompanitë kanë nevojë për njerëz punëtorë dhe nëse një punëdhënës e sheh se dikush është shumë punëtor dhe i gatshëm të punojë pa pagesë, nuk pret gjatë dhe e vendosë në listë të pagave. Po ta zëmë që për një vit duhet të punosh pa pagesë, prapë bëje sepse përfitimi do të jetë i joti. Do të shndërrohesh në punëtor, do të hysh në treg të punës, do të fitosh përvojë dhe do të jesh shumë i vlefshëm si person, ani pse realiteti mund të të shqelmoj pak – ti do të kalitesh për jetë dhe gjithmonë do të kesh mundësi të tjera punësimi. Refuzohu 200 herë, punësohu 1 herë”. Krejt në fund, ai theksoi se nëse punohet më shumë se sa që kërkohet, suksesi nuk do të mungojë në çfarëdo fushe. Nëse një punëdhënës nuk e di vlerën e një punëtori, gjithmonë do të jetë një tjetër që do ta vlerësoj atë punëtor më shumë. Ndërkaq, sa i përket synimeve të tij të së ardhmes ai thotë se kryesorja është suksesi global dhe kontributi i vazhdueshëm për vendin dhe popullin e tij. “Unë gjithmonë kam dashur t’i tregoj vetes se jam punëtor, t’i tregoj botës se sa punëtor është Ardian Hoxha dhe që nuk me vjen turp të punoj, të punoj punë të ndershme gjithmonë. Tash, qëllimi im madhor është të bëhem njëri prej njerëzve më të suksesshëm në botë dhe si ndërmarrës të kontribuoj sa më shumë për popullin dhe vendin tim, për rajonin dhe botën”.
Lexo më shumë
KosovaJob është rrjeti më i madh i punësimit në Kosovë, i çertifikuar nga Bureao Veritas me ISO 9001: 2015 për Menaxhimin e Cilësisë.