Ishte viti 1972 kur Kosova për herë të parë u bë me trupë të baletit. Dikur 25 valltarë të arsimuar në shkollën e mesme të baletit në Shkup, u kthyen në Prishtinë. Ky grup profesional performoi në gjithë ish-Jugosllavinë, derisa kjo filloi të shpërbëhej e bashkë me të edhe trupa e baletit. Ajo nuk mundi t’i rezistonte dhunës dhe spastrimit etnik që kishte filluar në atë kohë.
E hapat e profesioneve të gjeneratës së parë po i ndjekin, sot, 23 anëtarët e Trupës së Baletit të Kosovës. Një grup i cili me gjithë mungesat e shumta me të cilat përballet çdo ditë nuk ndalet së përcjelluri artin përmes shfaqjeve të shumta.
Në trupën profesionale të Kosovës është edhe Sead Vuniqi, i cili u bë pjesë e saj ende pa përfunduar shkollën e mesme të muzikës dhe baletit. Megjithëse vallëzimi kishte qenë gjithmonë pasioni i Seadit, qëllimet e tij të para për shkollim nuk ishin për të, por për muzikën. E meqë fati po e drejtonte që të ishte njëri ndër përfaqësuesit e Kosovës në balet, në atë kohë nuk pati vende të lira në degën muzikore. Kështu që, pasi u njoh më afër me baletin Seadi e zgjodhi përfundimisht atë.
Ai kujton ditën e parë kur si student i baletit shkoi në Teatrin Kombëtar të Kosovës, aty ku i lindi dashuria për të, derisa po i shihte balerinët profesional teksa ushtroheshin.
“Si sot i mbaj ditët e para kur në atë kohë na dërguan në Teatrin Kombëtar të Kosovës, aty ku Trupa e Baletit të Kosovës ushtron profesionin e baletit brenda Teatrit Kombëtar. Për ne ishte emocion i bukur, sepse aty takuam trupën e baletit duke bërë ushtrimet e baletit klasik, kështu që njëri nga profesorët tanë në tregoi në pika të shkurtra rreth baletit në përgjithësi. Ajo ditë, për mua ka qenë dita më e bukur e jetës time, sepse në momentin kur e kam parë se çfarë është baleti dhe çfarë do të thotë balerin profesional, në atë moment i kam thënë vetes se ky është profesioni që unë dua ta kem, të merrem me të dhe ta jetoj!”, rrëfen Seadi për Akademi Pune.
Nuk kaloi shumë kohë edhe ai u bë njëri ndër ta, për të performuar përpara publikut artdashës shfaqje e vallëzime nga më të ndryshmet: klasik, modern, neoklasik, bashkëkohor, dance etj., por Seadi në gjithë numrin e madh të tyre arrin që ta veçojë një.
“Do ta kisha veçuar shfaqjen time të parë “Mbrëmje e baletit klasik”. Arsyeja se përse po e veçoj këtë shfaqje është sepse është hera ime e parë, dhe shfaqja ime e parë që kam dalë para publikut në skenë në e Teatrin Kombëtar të Kosovës, si dhe bashkëpunimi im i parë me Trupën e Baletit të Kosvës. Në atë kohë isha ende student i shkollës së mesme dhe kur e pata marrë lajmin nga profesori im Januz Beqiri se isha i përzgjedhuri për shfaqje për mua ka qenë gëzimi më i madh!”, shprehet Seadi.
Dikur një fëmijë që i pëlqente vallëzimi, por pa imagjinuar më shumë, sot ai bashkë me balerinët e tjerë ka arritur që ta prezantojë Kosovën, madje edhe ku lindi vetë baleti, Itali e Francë, por edhe më gjerë.
Çfarë është baleti për Seadin dhe me çfarë sfidash përballet?
“Baleti për mua është vetë jeta. Tani që kam disa vjet që merrem me balet do të thoja që nuk mund ta shoh veten në ndonjë profesion tjetër, përveç baletit. Jam shumë me fat që kam pasur mundësi që të merrem me këtë profesion dhe lirisht mund të them se pa baletin jeta ime nuk do të kishte kuptim!”, thotë balerini.
E me tërë këtë pasion, ai ka kaluar nëpër ato sfida që çdo fillestar i kalon, mirëpo nuk dëshiron që të ndalet te këto. Sipas tij, kur dikush dëshiron që me të vërtetë të jetojë me diçka i tejkalon të gjitha problemet dhe ecën përpara. Për të sfidë shqetësuese vazhdon të jetë mungesa e Teatrit dhe Operas së Baletit në Kosovë.
“Të them të drejtën sfida me të cilën përballemi ende, unë si balerin i Baletit Kombëtar të Kosovës e shoh mungesën e Teatrit dhe Operas së Baletit në Kosovë. Sfida më e madhe që ne si balerinë jemi përballë është mungesa e kushteve, me të cilat vazhdimisht kemi problem”, thotë Seadi.
Emocionet përmes lëvizjeve në shfaqjet e ndryshme, ky grup arrin t’i transmetojë në mënyrë të shkëlqyeshme, sepse ndryshe nuk do të shpjegohej interesimi i publikut të Kosovës. Sallat e mbushura, thotë balerini, e zbusin mungesën e përkrahjes nga shteti për këta artistë.
"Nuk ka profesion më të mirë se baletin"
Kjo është ajo se çfarë mendon Suadi për baletin, prandaj i këshillon të rinjtë që të mos hezitojnë të merren me të. “Baleti të ofron shumë mundësi në jetë dhe shumë kënaqësi gjatë gjithë kohës. Jeta e një balerine dhe balerini është e mrekullueshme!”, vazhdon ai.
T’i bësh "mjellmat të fluturojnë"
Një sallë ku ushtrohet baleti nuk është vetëm kaq. Ajo ruan hapat e vegjël e të dobët, pastaj rritjen e tyre, forcën dhe në fund shkëlqimin e një trupi që lëvizë deri në përkryerje. Për këtë Suadi punon jo vetëm me veten, por edhe me një numër balerinësh të vegjël që janë pjesë e studios „Angels“.
Këtë studio Suadi e themeloi bashkë me bashkëshorten e tij Vlorën, e cila është po ashtu pjesë e Trupës së Baletit të Kosovës.
„Duke e parë mungesën e një shkolle profesionale të baletit dhe dëshirën e shumë fëmijëve për t’u bërë balerina dhe balerinë, na ka shtyrë neve personalisht të hapim studion tonë personale të baletit në Prishtinë dhe Lipjan“, tregon Suadi.
Në këtë studio mund të shkojnë fëmijët që nga mosha dy apo tre vjeçare, sepse mund të fillojnë një lloj mësimi i cili njihet si klasa para-baleti, duke i përgatitur këta fëmijë me disa aftësi të cilat do t’u nevojiten kur kalojnë në klasat e plota. Suadi tregon që interesimi i prindërve për fëmijët e tyre është i madh, sepse baleti ka një numër të madh përfitimesh fizike, mendore dhe sociale.
„Fleksibiliteti i ofruar përmes klasës së baletit do të ndihmojë vogëlushin të mbetet i shëndetshëm dhe të ndërtojë bazat e një jetese fizikisht aktive. Këto përfitime janë të paçmueshme, nëse fëmiu i juaj planifikon të marrë klasa vallëzimi për shumë vite. Baleti kultivon një dashuri për muzikën klasike dhe një kuptim të strukturës së saj“, shprehet ai.
Por edhe pse studioja e Suadit dhe Vlorës është e hapur për fëmijë, për fund ai ka një këshillë: Kurrë nuk jeni shumë të vjetër për ta filluar baletin dhe as madhësia e trupit nuk mund t’ju pengojë. /Akademi Pune