Piktori kosovar rrëfen “sekretin” për të kapërcyer pengesat e artistit

18 Tetor '19

Piktori kosovar rrëfen “sekretin” për të kapërcyer pengesat e artistit
	 	 

SUAD RAMA, PIKTOR

 “Unë i ëndërroj pikturat e mija, pastaj e pikturoj ëndrrën time” - Vincent van Gogh

Arti është pjesë e pandashme e shoqërisë dhe gjithmonë kontribuon në afirmimin e vlerave apo virtyteve të një vendi. Piktura apo përgjithësisht arti qëndron gjithmonë pranë nesh, në çfarëdo rrethane. Përmes artit, njeriu ka aftësinë t’i transmetojë jashtë ndjenjat, emocionet, dëshirat, ëndrrat, rrëfimet si dhe çdo gjë tjetër që na rrethon në secilën ditë të jetës sonë.

Të jesh artist do të thotë të jesh kreativ, gjërat që i sheh jashtë, përmes aftësive tua t’i kthesh lehtësisht në art. Njerëzit që e duan artin, thuhet të jenë shumë emocionalë. Këta njerëz e duan natyrën dhe të gjitha krijesat e saj dhe vetëm me një laps e një letër mund të bëjnë shumëçka.

Piktura, kryesisht është një pasion i lindur. Edhe për Suad Ramën, dëshira për t’u marrë me pikturë u vërejt qysh në vegjëli. Në një intervistë për KosovaJob, ai shpjegon se si gjithmonë e kishin tërhequr filmat e animuar, lëvizjet e figurave, kombinimi i ngjyrave, realizimi i skicave etj. Një gjë e tillë thotë se e ka shoqëruar gjatë gjithë jetës dhe se gjithçka për të ka qenë vetëm art.

Suad Rama

Qysh fëmijë e kam vërejtur ngacmimin e parë për pikturë. Ka nisur me filmat e animuar, me kanë interesuar gjithmonë format, lëvizjet e figurave, kombinimi i ngjyrave dhe aty e kam kuptuar që unë dua të bëj diçka që lëvizë përmes vizatimit, përmes pikturës. Aty ka nisur gjithçka dhe kurrë nuk jam ndalur. Edhe në shkollë çdo orë për mua ka qenë art. Pra, kam qenë i sigurt që unë dua të merrem vetëm me art”, shpjegon fillimisht Rama.

Ai rrëfen se ndonëse e kishte ndarë mendjen për profesionin e tij, qysh në fillim u refuzua të niste studimet në Universitetin e Prishtinës. Mirëpo, Suadi thotë se kjo nuk e kishte dëshpëruar fare sepse ai besonte që patjetër do t’i ofrohej rasti të tregonte talentin e tij. Suadi, të gjitha pengesat që kishte hasur gjatë rrugëtimit në karrierën e tij si piktor, i shprehte në pëlhurë sepse sipas tij, jo gjithçka që thuhet e ka fuqinë e imazheve që shihen në pëlhurë. Kjo bëri që Suad Rama sot të jetë piktor i njohur ndërkombëtarisht duke sjellë një krijimtari shumë të pasur për të gjithë artdashësit.

Sfida ime e parë ka qenë 4 vjet pritje që të bëhem student në fakultet të arteve. Pas katër viteve, u pranova në universitet. Nuk jam dëshpëruar asnjëherë, përkundrazi kam marrë energji dhe vetëbesim që unë patjetër të kem rastin të tregoj atë që duhet ta tregoj. Si piktor, je gjithmonë duke hulumtuar, duke eksploruar gjëra të reja, teknika të reja, mirëpo këto i kalon çdo njeri. Për mua, sfida kanë qenë edhe projektet e mëdha që i kemi realizuar për të lobuar për Kosovën, gjithmonë kam dashur të bëj diçka për vendin tonë nëpërmjet artit, por edhe t’i lehtësoj rrugët për artistët e rinjë që ata  t’i kapërcejnë ato pengesat që i përcjellin aritstët jo vetëm në vendin tonë por në të gjithë rajonin”.  

“Dashuria për profesionin i mund të gjitha pengesat”

Në jetë, njeriu ekspozohet ndaj situatave të ndryshme, shpeshherë jo shumë të këndshme. Edhe në profesion, përvojat ndonjëherë mund të jenë të hidhura. Suad Rama thotë se një njeri që dëshiron të jetë i suksesshëm në një fushë të caktuar, pavarësisht përvojave negative që mund të hasë gjatë rrugës, nuk duhet të ndalojë por qetësisht të punojë drejt qëllimit të tij.

Duhet patjetër të jesh i qetë dhe ta duash profesionin. Dashuria e madhe për profesionin do t’i mposhtë të gjitha pengesat, nuk guxon të rrëzohesh e të mos ngritesh. Pavarësisht situatave apo njerëzve me të cilët ballafaqohesh çdo ditë, duhet të luftosh ta tregosh atë që të veçon dhe që atë që dëshiron të dalë prej teje

Sipas tij, truri nuk duhet të pushojë në profesion. Rama thotë se ai nuk rresht se pikturuari, qoftë edhe në mendje, ndërkaq kur është para pelhurës i shpreh te gjitha storjet e krijuara gjatë ditës. Në profesionin e piktorit, ai thotë se duhet mësuar se pikturohet edhe pa brum, pa laps, dhe kjo është diçka që atë e ka përcjellur gjithmonë, edhe si student por edhe tani si profesor i arteve.

Piktor Suad Rama

Ai e konsideron veten fatlum që nëpërmjet artit arrin të thotë atë që dëshiron por edhe sepse bën diçka edhe për të mirën e të tjerëve, qoftë duke i lehtësuar rrugën dikujt, qoftë duke adresuar ose edhe zhdukur krejtësisht një problem. “Për ta arritur këtë, arti është mënyra më mirë, jam me fat që punoj edhe me të rinjë dhe arrij të ndajë energjinë time me ta”.

Profesionin e artistit, e sidomos të piktorit, e shoqërojnë edhe shumë paragjykime. Suadi thotë se qysh në fillim të karrierës, edhe ai vetë është ndeshur me paragjykime të llojit “kjo është lojë fëmijësh”, e me shumë paragjykime të tjera sikur ky nuk është një profesion fitimprurës. Mirëpo, Rama këshillon të rinjtë të cilët e kanë pasion pikturen të mos i pranojnë paragjykimet e njerëzve por të ecin drejt qëllimit.

Unë mendoj që në çdo profesion nëse je i përkushtuar dhe e do me zemër atë profesion, e sheh që ke potencial me thënë dhe me kriju diçka që është e nevojshme për kohën e sotit, patjetër që do të kesh sukses. Këshilla ime është të mos ndalosh, të ndjekesh ëndrrën dhe të mos pranosh dështimin e as paragjykimet e të tjerëve, të cilët paragjykojnë sepse nuk e dinë realisht se çka është art".

Përfitimet e piktorit janë të shumta

Çdo punë e cila bëhet me pasion dhe përgjegjshmëri, patjetër që sjellë përfitimet e saja. Për Suad Ramën suksesi në aspektin financiar me pikturë nuk ka qenë synimi kryesor. Ai thotë se e rëndësishme për të ka qenë te shprehej ndërsa ndjehet krenar që krijimtaria e tij i ka ndihmuar shumë njerëz në situata të caktura, kur kanë pasur nevojë pikërisht për një vepër arti. Mirëpo, përfitimet gjithmonë vijnë duke pasur shkathtësi dhe duke punuar në atë drejtim.

Për mua ka qenë e rëndësishme të shprehem, e pastaj njerëzit të gjejnë, të kontaktojnë disi, tash nëpër rrjete sociale është me e lehtë. Mua me kanë kontaktuar shumë galerista, me kanë propozuar të dërgoj ndonjë punim, të aplikojë në ndonjë galeri dhe sot mendoj që kam arritur të njihem ndërkombëtarisht dhe të shtrij tregun tim gjithandej botës”.

Rama thotë se të rinjtë e Kosovës janë shumë te talentuar dhe këtë më së miri e ka kuptuar duke punuar si profesor në Universitetin e Prishtines. Kur vjen puna tek karriera në arte, ai thekson se të rinjtë ballafaqohen me pengesa dhe dëshpërohen para kohe sepse ndikon stili i jetesës, traditat e disa gjëra që e ndalojnë një person t’i ndjekë disa gjëra që i kërkon arti. Ai i këshillon ata të jenë guximtarë, të kenë vetëbesim dhe të mos ngurrojnë të shprehin atë që dëshirojnë.

Suad Rama piktor

Gjithmonë e kam potencuar dhe vazhdoj ta them, nuk guxon te ndalosh, një qëllimi duhet t’i shkohet deri në fund, asnjëherë nuk do të humbasësh, do të përfitosh shumë sepse e di se çka nënkupton të shkosh nga A-ja deri në pikën e fundit të qëllimit”.

Inspirimin, Suadi thotë se e gjen në çdo fjalë, në çdo storje, në çdo rrugëtim të dikujt dhe atë mundohet ta nxjerrë në formën më të bukur. Sado e shëmtuar që mund të jetë një diçka, ai thotë se i jep një kuptim tjetër dhe njerëzit e duan edhe më shumë atë punim, kur e kuptojnë edhe konceptin e tij.

Ndonëse për të çdo vepër është një copë shpirti apo një reflektim, si një ndër veprat më personale të tij ai e veçon një skelet të shtrirë në një kub, nëpërmjet të cilës vepër Rama thotë se e ka shprehur një moment shume personal, kur ai vetë kishte qenë mes dy zjarrëve, punim ky i cili u vlerësua po ashtu me superlativa prej profesionistëve të artit.

Suad Rama, që nga viti 2011 është profesor në Universitetin e Prishtinës, Fakultetin e Arteve. Ai ka marrë pjesë në rreth 90 ekspozita kolektive në vende të ndryshme, përfshirë Kosovën por edhe në Shqipëri, Maqedoni, Kroaci, Austri, Turqi, Belgjikë, Francë, Gjermani, Egjipt, Itali, Poloni.

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2022 - KosovaJob LLC