T’i njohësh nxënësit, kur ata ende nuk e njohin vetveten

7 Mars '21

T’i njohësh nxënësit, kur ata ende nuk e njohin vetveten
	 	 

“Populli nuk e pëson duke qenë i ditur”

                                                                             -Bogdani-

Mësimdhënia mund të duket si një profesion që i mban mësimdhënësit brenda kornizave të rutinës. Diçka ditë pas dite e njëjtë, e shtruar, e që e lejon kohën të kalojë pa u ndjerë. Por, në fakt rrëfimet e tyre nuk e thonë këtë. Çdo ditë e tyre është ndryshe, jo për faktin që numrat në kalendar nuk janë njësoj, por që bashkë me ta vijnë edhe ndryshimet. Nxënësit përballë tyre ndryshojnë çdo ditë, jo vetëm për shkak të përjetimeve të tyre dhe viteve që mbushin, por sidomos për shkak të dijes që çdo minut grumbullojnë nga mësuesit e tyre. Dhe nuk është aspak e lehtë të arrish të komunikosh me qindra nxënës, kur secili prej tyre është i veçantë dhe brenda tyre fshihen histori që nuk ngjasojnë me njëra - tjetrën, e përsëri me vullnetin më të madh të shkosh në shkollë, pavarësisht se çfarë mund të ketë ndodhur ditën e kaluar.

Me këto u përball edhe Sakibe Doli, profesoresha e gjuhës dhe letërsisë, që për dyzet vite me radhë "rriti" breza të tërë dhe i përgatiti për fusha të ndryshme, ani pse ishe profesoreshë e një lënde. Ajo rrëfen për Akademi Pune, fillimet e saj të vështira, si një vajzë e re që për shkak të bindjeve të saj politike u detyrua që të jap mësim në një fshat të Gjakovës, në një kohë kur gjithçka ishte ndryshe.

"Në arsim jam inkuadruar në vitin 1978, menjëherë pas diplomimit. Fillimisht jam punësuar në një shkollë fillore në fshatin Demjan të komunës së Gjakovës, fshat i largët për kohën, jo për shkak të largësisë gjeografike, por për shkak të infrastrukturës rrugore, e cila ka qenë në gjendje të mjerueshme dhe autobusi nuk qarkullonte gjatë stinës së dimrit. Në fillim u hamendësova për të vazhduar mësmdhënien atje, ngase të gjitha mikeshat e mia ishin punësuar në Gjakovë, isha e vetmja unë që nuk me lejohej për shkak të "pëlqimit ideopolitik" ishte një masë e caktuar nga komiteti i pushtetit të atëhershëm komunist“, kujton Doli.

E pavarësisht vështirësive të njëpasnjëshme që ajo hasi që në fillimet e saj, ishte diçka që e mbante "me një vullnet të hekurt". Me kalimin e kohës dhe me shumë mund ajo arriti të përshtatej atje, madje ajo tregon që ato vite të shërbimit në atë fshat të thellë për atë kohë, i kultivuan dashurinë e madhe për mësimdhënien që do të zgjaste për dekada me radhë.

"E fillova si një ,"Aferditë" e inspiruar nga romani i S.Spasses për të ndryshuar sadopak një kulturë plot stereotipe që mbizotëronte në atë fshat. Kështu, pas dy tre viteve të angazhimit tim atje unë inkurajova shumë vajza  të ndiqnin mësimet në shkollën e mesme, ky ishte një sukses që më shtonte motivin edhe më shumë, krahas dashurisë dhe respektit që më ofronin, jo vetëm nxënësit, por edhe prindërit dhe komuniteti i fshatit në përgjithësi. Kam punuar fort dhe me ndërgjegje e përkushtim, sepse nxënësit kishin shumë nevojë për arsim të mirëfilltë", tregon Doli.

Më në fund, gjithë sakrifica dhe mundi i saj u shpërblye, sepse siç thotë profesoresha, ndodhi rrëzimi i komitetit, kështu që i mundësoi asaj të punësohej në gjimnazin "Hajdar Dushi" në Gjakovë. Këtë herë ajo u përball me sfida të tjera, por për të kjo rrugë tashmë ishte e njohur dhe e dinte mirë se si t’ia dilte mbanë.

"Tashmë kisha nxënës më të rritur dhe më energjikë. Mundohesha që t‘i kuptoja me gjitha teket e tyre të moshës, duke mos i gjykuar, por gjithnjë duke i motivuar dhe inkurajuar për mësim me vetëdeshirë. Unë kurrë nuk i kam vendosë nxënësit notë të dobët, sepse kështu kam arritur që të zgjoi interesim edhe tek ata nxënës që ishin më pasiv, duke i përfshirë në proces për të vazhduar pastaj me vetiniciativë", tregon ajo.

Sakibe Doli bashkë me gjithë kolegët e saj të kohës shërbyen në kohë të trazuara, të cilat ndryshonin vazhdimisht. Ishte pikërisht arsimi i cili u godit më së shumti, e u përball me padrejtësi të shumta si para luftës ashtu edhe pas saj. E, në të tilla rrethana Doli thotë, që ishte dashuria e nxënësve që e kishte motivuar, buzëqeshja e çiltër e nxënësve, poezitë, esetë e bukra të tyre dhe çdo gjë që ata kishin arritur ta kryenin me sukses.

"Ne punuam ne rrethana te pushtimit. Para shkollës kujdestaronin tanket serbe, brenda saj ne mësonim për lirinë, e cila kërkonte gjak dhe sakrifica. Ne kishim shkrimtarët e Rilindjes që na motivonin për atdhedashurinë dhe gjuhën shqipe, andaj kisha nder dhe kënaqësi që nxëneëit merrnin njohuri në këtë lëndë dhe ndërlidhjen që bënin me lëndët tjera, ngase gjuha shqipe njësoj si lëndët e tjera e ka këtë mundësi. Për dyzet vite rrjesht jam ndier e vlerësuar, nga të gjithë. Nuk ka asgjë më shpërblyese se sa të shohësh ndryshimin dhe ndikimin  që ke bërë në jetën e dikujt dhe të arriturat që ky ndryshim ka sjellë te nxënësit e tu".

sakibe

Doli ishte mësuesja dhe gruaja që shfrytëzoi çdo mundësi që pati, qoftë në kohën sa ishte brenda dyerve të shkollës, qoftë jashtë saj, për ta ngritur dhe arsimuar vajzën dhe gruan në Kosovë. Këtë ajo e vlerëson si arsyen më të madhe që e mbajti të angazhuar për 4o vite me radhë në fushën e arsimit.

"Po arsimove gruan ke arsimuar kombin thoshte Samiu", kujton ajo fjalinë e intelektualit të madh shqiptar.

Çfarë do të ndryshonte Sakibe Doli po të mund ta kthente kohën?

Profesoresha e letërsisë tashmë e ka përfunduar përkushtimin e saj të përditshëm në shkollë. Për dikë që ka kaluar kaq shumë vite në arsim çdo ditë të jetës, është e vështirë t’i ndahet, por ajo e plotëson këtë pjesë me energji dhe aktivitete të pandalshme. Sikur të mund ta kthente kohën, ajo thotë që në rrafshin personal nuk do të ndryshonte asgjë, por në vetë sistemin e arsimit nevojiten mjaft ndryshime.

"Është investuar shumë në zhvillimin profesional të mësimdhënësve, por s‘ka rezultate. Politikat që janë ndjekur shpeshherë nuk kanë arritur objektivat e caktuara. Kurrikula e re ka pretenduar ndryshime, por kanë munguar mjetet për ta zbatuar. Tekstet e vjetra në shërbim. Mungon monitorimi i vazhdueshëm i mësimdhënësve gjatë procesit mësimor. Nuk na duhen menaxherë që bërtasin korridoreve të shkollave, por të tillë që i prijnë ngritjes së cilësisë në arsim".

Por çfarë këshille ka Doli, një mësimdhënëse që ka kaq shumë vite përvojë në arsim?

"Është një thënie që shpesh ua thosha nxënësve: Gjeniun e krijon puna, punë angazhim dashuri, afërsi, sa më shumë për ta, në mënyrë që  të mendojnë në mënyrë kritike, të japin ide dhe të sjellin përmirësime në nxënie, e cila zgjatë gjatë gjithë jetë", përfundon ajo.

Të jesh mësimdhënës në kohën e teknologjisë

"Falemnderit juve, profesor, sepse keni besuar tek ne edhe kur ne nuk kemi besuar në vetvete”, është kjo fjalia nga një nxënëse që regjistrohet në fakultetin e ëndrrave, që e kujton mësimdhënësi Mentor Mani.

"Kjo ka qenë një prej bisedave më motivuese për mua si mësimdhënës“, tregon Mani, profesor i gjuhës dhe letërisë shqipe që nga viti 2013, në gjimanzin "Eqrem Qabej" në Vushtrri.

Si një mësimdhënës i ri e që ka edhe shumë rrugë për të bërë, ai thotë që sekreti për ta dashur këtë profesion është raporti me nxënësit.

"Unë mendoj që nëse një mësimdhënës e do profesionin e tij, atëherë edhe raportet me nxënës do t’i ketë të shkëlqyera", shprehet Mani.

mentor

Janë mësuesit e tij dhe profesorët në kohën sa ishte në bankat shkollore si nxënës, që e nxitën dhe i morri shembull, për të qenë sot ai vetë mësimdhënës. Ndërsa, për plot tetë vjet, që kur ka filluar karrierën e tij si mësimdhënës ai thotë që motivin për të filluar një ditë te re e merr pikërisht nga nxënësit e tij.

"Motivi kryesor për të shkuar në puna, jo vetëm për mua, por besoj edhe për mësimdhënësit tjerë, janë nxënësit, veçanërisht nxënësit e zellshëm e pozitivë nga të cilët presim shumë dhe e ndjejmë që puna jonë po reflekton me sukses tek ata", thotë ai.

Por, pavarësisht se sa i përkushtuar është ai dhe kolegët të tjerë të tij, ai thotë se arsimit në Kosovë i duhen ndryshime të mëdha.

"Do të investoja shumë në tekste kualitative. Po ashtu, do të doja të ndryshohej infrastruktura shkollore dhe që nxënësit tanë të shkollohen në hap me arritje teknologjike, sikurse nxënësit e gjithë Botës", diçka që sipas Manit do të ndihmonte të kursehej koha dhe do t’i bënte orët e mësimit më produktive.

E, në fund Mani ka këshillë për të gjithë të rinjtë që një ditë mendojnë të bëhen mësimdhënës në Kosovë.

"I këshilloj ta duan punën e mësimdhënësit me zemër, ngaqë siç e thotë e Eqrem Çabej: “Mësimdhënia nuk është profesion, por mision”, prandaj nëse e shohim vetëm si profesion, atëherë rezultatet do të mungojnë, sepse nxënësit janë subjekte delikate dhe në formim e sipër të personalitetit të tyre, ku nëse na dështojnë nxënësit, na dështon shteti ynë". /Akademi Pune

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2023 - KosovaJob LLC