PERPARIM RAMA, ARKITEKT NË ANGLI
“Kurrë mos mendo që je shumë ekspert në diçka dhe nuk ke nevojë për përvojë. Shihe jetën si përvojë e të mësuarit të vazhdueshëm" - Denis Waitley
Shpërngulja nga atdheu mund të duket një rrugë pa kthim. Bredhja me valixhe drejt stacioneve të shteteve të tjera ku askund nuk dëgjohet e flitet gjuha jote, ngjallë në zemrën e secilit një ndjenjë sikur je i humbur, pa fat dhe pa asnjë shpresë për të ardhmen. Mirëpo, dëshira për të qenë i suksesshëm nuk shuhet asnjëherë pavarësisht humbjes së shpresës apo rrethanave të cilat shpesh suksesin e bëjnë te paimagjinueshëm e aq më larg të arritshëm. Storja në vazhdim po aq sa përmban një dëshmi suksesi, përfshinë edhe rrugën plot me sfida drejt një ëndrre, e cila në nisje mund të duket e parealizueshme.
Ishte vetëm 16 vjeçar kur vendosi të largohej nga Kosova. Nën thundrën serbe, pa lirinë e shprehjes e të lëvizjes, e vetmja shpresë për të qe largimi. Perparim Rama, një djalë me shumë aspirata për të ardhmen, në një moshë të njomë rrugëtoi për në Britani të Madhe, që sot të jetë një ndër arkitektët më të njohur në mbarë botën.
Muaj më herët, para se të nisej për në Britani, ai kishte provuar të merrte një vizë për në Paris, në mënyrë që të merrte pjesë në hapjen e ekspozitës personale të babait të tij por ishte e pamundur ta realizonte atë udhëtim. Kësisoj, me ftesë të vajzës së axhës së tij, Ilirjanës, mori rrugën për në Londër, meqë atëbotë nuk nevojitej vizë për në Britani të Madhe.
Gjatë intervistës për KosovaJob, Rama rrëfen sfidat e largimit nga atdheu i tij si dhe peripecitë e integrimit në një vend të huaj. 16 vjeçar, plot vullnet e entuziazëm, Perparimi filloi të kërkonte për një punë në Londër.
“Në vitin 1991 kur shkova në Londër nuk e kuptova që edhe Britania asokohe po kalonte nëpër sfidë ekonomike. Ishte shumë e vështirë të gjindej punë e posaçërisht për një djalë 16 vjeçar - pa përvojë pune siç isha unë mirëpo e dija se duhej patjetër të gjeja punë dhe së paku t’i shlyeja borxhin familjes, që kishin marrë për ta mundësuar udhëtimin tim”.
Në Londër, ai rrëfen se si puna e tij e parë ishte enëlarës, pastaj gatuante sanduiçe, punonte nëpër klube vallëzimi, si barman e si kamarier. Gjatë kësaj kohe ai vazhdonte edhe studimet. Ndonëse nuk e kishe shumë të lehtë t’i realizonte ëndrrat e tij, Perparimi thotë se kishte punuar me shumë zell.
“Inspirimi im është njeriu dhe natyra”
Gjatë karrierës së tij, Rama realizoi një mori projektesh, me të cilat përfaqësoi Kosovën gjithandej botës. Në vitin 2012, në Bienalen e Arkitekturës ne Venecia, Rama përfaqësoi Kosovën për herë të parë në histori me Pavilionin ‘Filigree Maker’’ ose ‘’Punuesi i filigranit’’, i cili u mirëprit pozitivisht nga mediet ndërkombëtare e posaçërisht nga Presidenti i Bienales Paulo Barata, i cili e quajti këtë projekt "Architecture Democracy". Ai si projekt madhor të tij e përmend edhe Hamam Jazz Bar, projekti që fitoi vendin e parë në botë në vitin 2013 si dhe H House apo Shtëpia H në Prishtinë, projekt i cili poashtu është fitues i disa çmimeve dhe që u publikua edhe nëpër mediet botërore si shumë unik dhe madhor.
“Me këtë pavilion kam shtjelluar efektin/ndërlidhshmërinë emocionale të urbanizmit dhe arkitekturës së Kosovës në njeriun. Pavilioni ka qenë interaktiv dhe u ka mundësuar vizitorëve nga e gjithë bota të njoftohen për së afërmi me arkitekturën e Kosovës. Edhe Hamam Jazz Bar, ka qenë i punuar terësisht me produkte vendore, të Kosovës. Ky projekt ka qenë shumë eksperimental dhe ka pasur një ndikim pozitiv në të gjithë komunitetin tonë. Inspirimi im është njeriu dhe natyra. Gjithmonë ndërlidhem me projektet të cilat ia rrisin namin për të mirë Kosovës”.
“Hamam Jazz Bar”, sipas Ramës ka përçuar mesazhin se edhe shqiptarët mund të mbërrijnë majat e botës nëse besojnë në vete dhe nuk i frikësohen sfidave por përfaqësohen në mënyrë unike.
Cilësitë që duhet të ketë një arkitekt i mirë dhe perspektiva per arkitektët kosovarë
Rama jep disa këshilla për të rinjtë që duan të ndërtojnë karrierën e tyre në arkitekturë, të cilët i këshillon të nisin punën vetëm në rast se e bëjnë këtë profesion me shumë pasion. Profesioni i arkitekturës është shumë i vështirë, por sipas tij në qoftë se kryhet me dëshirë, nuk krijon ndjesinë e lodhjes apo monotonisë. Ai si cilësinë kryesore të një arkitekti të mirë nënvizon të qenurit njeri i mirë, pra të mendojë për të mirën e njerëzimit.
“Një arkitekt i mirë duhet të jetë njeri i mirë. Të jetë empatik dhe ta kuptojë sa më thelbësisht njeriun si qenie dhe lidhshmërinë e tij me natyrën, ta kuptojë efektin e hapësirës, masës, natyrës, në dijen dhe mendjen e njeriut. Duhet ta kuptojë se nuk ka asnjë zhvillim urban e arkitektonik i cili është neutral. Çdo zhvillim është ose pozitiv ose negativ, pra ose jetështues ose jetëmarrës. Arkitekti i mirë duhet të ketë interes për çdo lëmi dhe të thellohet në lëmi të ndryshme varësisht nga projektet, klientët me të cilët merret. Të jetë i uritur gjithmonë për më shumë dije. Të kuptoj jetën sa më thellësisht. Të ketë mundësi t’i abstraktojë dhe t’i rikonstruktojë elementet për të mirën e njerëzimit, të mos jetë egoist. Duhet të jetë i hapur, komunikativ, të bëj pyetje me rëndësi. Duhet të jetë njeri i mirë”
Si një ndër momentet kulminante në karrierën e tij krahas projekteve të suksesshme, ai përmend edhe përfundimin e studimeve Master dhe rrëfen një moment me babain e tij, tashmë të ndjerë.
“Përfundimi i studimeve Master me bën të ndjehem shumë krenar sepse e di se sa është gëzuar babi, i cili ishte i sëmurë asokohe, ishte në fakt vera e fundit së bashku dhe une mora librat me vete në vitin 2003 dhe kalova 2 muaj në Shtoj me babin, ku edhe vazhdova të shkruaj tezën. Babi e ndjente veten keq sepse mendonte që po më pengon ne studime. Prandaj, kur e lajmërova se kam marrë notën më të lartë të dhënë ndonjëherë në atë institut, ai filloi të qante nga gëzimi, e kështu u përlotëm së bashku”.
Sa i përket përspektivës për arkitektët e rinjë në Kosovë, Rama tha se ka mundësi ani pse nevojitet më shumë investim në qendrat e edukimit. Kjo, sepse sipas tij problemi kryesor qëndron tek mënyra e edukimit, ku përdoren metodat e vjetra të mësimit. Ai nënvizoi se Kosova është akoma në hapat e parë të zhvillimit dhe kur të nxjerren arkitektë të mirë, edhe mundësitë do të jenë akoma më të mëdha.
Dëshira për të arritur sukses aq sa duket e bukur, në vete ngërthen sfida dhe përpjekje të cilat na duken të paarritshme. Në rrugëtimin drejt suksesit, si ky i Përparimit, është e rëndësishme të mos ndalosh, të mos ndalosh por të punosh drejt tij deri sa të arrihen objektivat për të cilat ja vlenë që të fillojmë nga pika zero.