Argenita Fetahu, artistja e re me çmime ndërkombëtare

4 Shkurt '21

Argenita Fetahu, artistja e re me çmime ndërkombëtare
	 	 

Ëndrra e saj po bëhet realitet. Si një artiste që gjithmonë e kishte endërruar ta pëfaqësonte Kosovën në vende të ndryshme të botës, ajo jo vetëm që po e përfaqëson, por po shpërblehet me vendet e para në mesin e mijëra artistëve të tjerë. Është kjo Argenita Fetahu, e cila fitoi vendin e parë “INTERNACIONAL ARTIST AWARDEE”, në festivalin e artit dhe kulturës në Indi, nga 1167 artistë që ishin pjesëmarrës. Madje, kjo nuk ishte ekspozita e vetme, Argenita morri pjesë edhe në vende të tjera si: Londër, Nju Jork, Tajlandë, Norvegji, Meksikë e ne vende të tjera.

Artistja tregon që veprat me të cilat u paraqit, e të cilat morrën vëmendje të madhe nga publiku i huaj, kishin si pikë referimi eksperiencën e vetë artistes, ndjeshmërinë e raportin në mes të tashmes dhe të shkuarës. Ndërsa, këto nuk janë pjesëmarrjet e vetme për Argenitën, sepse trendi i ri i ekspozitave virtuale kanë krijuar mundësi të mëdha, për të hapur rrathë të rinjë të komunikimit me artistët dhe publikun.

argenita2

Kush është Argenita Fetahu?

E lindur në Gjakovë, artistja e re përfundoi studimet në Bachelor dhe master në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Hapat vendimtar i mori në drejtimin e pikturës, e në klasën e një piktoreje të njohur siç është Zake Prelvukaj. Ajo tregon që si fëmijë kishte nje interes të veçantë për këtë fushë, e pastaj derisa po rritej arriti që të gjitha veprat e saj t’i ekspozonte, në ngjarje të ndryshme brenda dhe jashtë vendit. Bagazhi i saj i deritanishëm mbanë edhe librin ilustrues “The stars sparkling”, të cilin e ka botuar në vitin 2014.

“Që nga fëmijëria kam qenë e dhënë pas vizatimit, atëherë ku nuk dija të dalloja vizatimin nga piktura, por përdorja edhe lapsin edhe ngjyrën. E përkrah thënien “një për qind talent, nëntëdhjetë e nëntë për qind punë”, sepse dhe talenti fillon e zbehet kur nuk tenton ta ushtrosh e ta përfeksionosh”, kujton artistja për Akademi Pune.

argenita3

Arti është i tillë në çdo material

Argenita nuk është përqëndruar vetëm në pëlhurë, ngjyrat, imagjinatën, lëvizjet plot kujdes dhe përqëndrimin më të madh e bartë edhe në mur. Muralet e saj mund t’i gjesh pothuajse në çdo lloj objektesh, sidomos në kafiteritë e qyetit. Arti i saj “bashkëbisedon” më mysafirët gjatë gjithë qëndrimit të tyre në këto vende.

“Me pikturimin e muraleve ka kohë që merrem, mirëpo pas studimeve Master jam përkushtuar me shumë, duke e parë që ky rrugëtim i ri po më bën të përjetoj sfida të ndryshme dhe kjo më jep energji dhe inspirim që të vazhdoj tutje. Ajo që më shtyu më shumë ishte përballja e publikut, apo më mirë do të thoja e artëdashëve, që gjithnjë e përkrahën punën time duke më motivuar që të mos ndalem”, shprehet Argenita.

Në është piktura në pëlhurë apo në mur më e dashur për artisten, ajo thotë që nuk di t’i dallojë. Për të imagjinata dhe emocionet qëndrojën në të njëjtin nivel.

“Do thoja që të dyja, sepse secila e ka veçantinë e saj. Në çdo vepër, qoftë në mur apo në pëlhurë, krijuesi e shpreh imagjinatën apo fantazinë. Të punosh në çfarëdo niveli që do të jetë vepra artistike, do të varet nga gjendja emocionale e krijuesit. Dhe këto vepra rrezatojnë gjithnjë dhe në çdo kohë”, pohon Argenita Fetahu.

argenita4

Të jesh artist në mjedise paragjykuese

Pavarësisht se sa e dashur është piktura për Argenitën, sa më dashuri humbet dhe punon në veprat e saj, ajo thotë që është përballur me sfida të ndryshme pothuajse që nga fillimet e saj.  Për dikë sfida më e madhe është të fitojë para nga veprat e tyre, por krijuesja e re nuk e sheh këtë si sfidën më të madhe të saj.

“Sfida më e madhe për mua ka qenë të pasurit guximin dhe besimin për të ndërmarrë rreziqe. Për shkak se ne artistët jemi kryesisht të vetëpunësuar, kjo na bën shumë elastikë, shpesh të zënë në luftë me veten. Unë jam munduar të gjenerojë kriteret e mia në mënyrën se si të fitoj para. Krijimi dhe (vetë) justifikimi i punës sonë është gjëja më e vështirë, pasi që kjo është ajo që na parandalon të bëjmë para. Arti mund të jetë ndonjëherë më shumë si një dashuri e pashpërblyer dhe një dashuri që nuk vlerësohet, apo kuptohet”, shprehet krijuesja.

Sfidë tjetër për Argenitën është pikërisht të zgjedhurit në mesin e mundësive të shumta, e përveç kësaj edhe t’i arrijë pritshmëritë që ajo ka për veten, sepse artistja pohon që ato janë të mëdha.

“Sfidë tjetër, është të fusim në vetveten tonë të brendshme, qenien tonë dhe të gjejmë forma dhe ngjyra që komunikojnë me botën e jashtme”, vazhdon ajo.

argenita5

Teksa Argenita flet për sfidat me të cilat përballet edhe artisti më i madh, ajo kujton se sa shpesh ishte gati të rrëzohej nga lartësi shumë të mëdha, në kohën kur punonte në murale të larta. Për dikë si Argenita, të tilla raste nuk kalojnë si diçka parëndësi.

“Gjatë punës në murale shpesh punoj në mure të larta që paraqesin edhe rrezikshmëri për mua. Ka patur momente kur isha afër rrëzimit dhe me gjasë do të përfundoja me lëndime të mëdha, por gjithçka në sekonda është anashkaluar pa pësuar lëndime. Këto janë momente nëpër të cilat kalojnë ata që kanë ambicie të mëdha për t’i realizuar projeksionet e së ardhmes. Andaj pas çdo rreziku është edhe arritshmëria më e madhe dhe mendoj që këto janë shembuj që nuk harrohen dhe më bëjnë që çdo herë të luftoj drejt ëndërrave të mia”, tregon piktorja.

argenita6

Motivimi dhe këshilla e Argenitës

“Çdo fëmijë është artist. Problemi është si të mbesim të tillë pasi të rritemi”, është kjo shprehje nga i madhi Pablo Picasso, që e ka përcjellur Argenitën gjatë gjithë jetës së saj artistike. Në çastet e dekurajimit dhe mungesës së frymëzimit krijues ishte pikërisht kjo që e mbajti të motivuar atë.

“Çdonjëri ka talent për diçka, por sa punojmë që të mbesim të tillë? Dhe kjo do të thotë se sa punojmë në drejtimin e të qenurit artist. Duke pasur si model veten dhe të tjerët si dhe situatat reale të përjetuara, kjo më ka inspiruar shumë që pikturat e mia të kenë një ide të kristalizuar dhe elemente konkrete, që janë të gërshetuara me realen dhe fiksionalen”.

“Sfidat do të jenë përherë në mesin e dilemave dhe vendimeve tona, por nuk duhet të na ndalojnë së ndjekuri ato”, këshillon Argenita të rinjtë. /Akademi Pune

 

 

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2023 - KosovaJob LLC