SI TA SHKRUAJMË NJË LETËR MOTIVIMI PËR PUNË DHE SHEMBUJ TË NDRYSHËM

20 Sep, 2019

SI TA SHKRUAJMË NJË LETËR MOTIVIMI PËR PUNË DHE SHEMBUJ TË NDRYSHËM
	 	 

Çka është një letër motivimi?

Letra e motivimit është një letër e cila shkruhet për të shprehur interesimin për një pozitë të caktuar pune apo edhe kur duam të bëhemi pjesë e trajnimeve ose programeve të ndryshme. Kur një letër motivimi shkruhet për të aplikuar për një vend pune, kandidati nëpërmjet saj duhet të përshkruajë se pse është i interesuar për atë pozitë pune dhe pse ai mund të jetë kandidati më i përshtatshëm për rolin që ofrohet. Një letër motivimi zakonisht i bashkangjitet aplikacionit për punë, bashkë me CV-në apo rezymenë.

Pse ka rëndësi letra e motivimit?

CV-ja është një dokument i shkurtër nëpërmjet të cilit punëdhënesit informohen rreth kandidatëve dhe sigurojnë edhe të dhënat e tyre personale dhe profesionale. Mirëpo, në CV jemi të kufizuar të shprehemi shumë në lidhje me kualifikimet tona. Çdo kompani, institucion, organizatë, ka nevojë të dijë se pse një kandidat është i interesuar për një rol të caktuar, nga buron motivimi i tij, çka mund të ofrojë ai për kompaninë dhe çka e bën atë kandidatin më të mirë për rolin të cilin po e synon. Letra e motivimit shumë shpesh konsiderohet edhe vendimtare për ftesën për intervistë.

Si ta shkruajmë një letër motivimi?

Fillimisht, para se të nisim shkrimin e letrës së motivimit është thelbësore të njihet struktura e saj - pra çka duhet të përmbajë ajo letër. Një letër motivimi duhet të ndahet në tre paragrafë kryesorë:

  • Hyrja
  • Pjesa kryesore
  • Përfundimi

Duhet nënvizuar se letra duhet të ketë edhe një pjesë para-hyrëse. Pra, në krye të letrës sigurohuni t’i shkruani të gjitha informatat personale apo cila është pozita për të cilën jeni duke aplikuar. Shkruani të dhënat tuaja si: emrin dhe mbiemrin, emrin e kompanisë/institucionit ku po aplikoni, detajet e kontaktit duke përfshirë edhe rrjetet sociale dhe e-mailin tuaj.

Hyrja. Paragrafin hyrës niseni duke iu drejtuar kompanisë, grupit, personit etj, me një përshendetje. Vazhdoni duke treguar se pse jeni të interesuar t’i bashkoheni atij ekipi, nga buron motivimi juaj.

Një shembull i hyrjes:

I/e nderuar (emri i personit) ose Përshendetje KosovaJob,

Jam shumë i/e lumtur që kam mundësinë të aplikoj për rolin e (shkruani pozitën e punës)…. Ose: Dua të shpreh interesimin tim për të aplikuar për pozitën/ programin…në X kompaninë (shkruani edhe vendin ku po aplikoni).

Pjesa kryesore apo mesi i letrës. Kjo pjesë konsiderohet thelbësore sepse me atë se çka do të shkruani këtu ju mund të fitoni vëmendjen e punëdhënësit. Në këtë pjesë, mundohuni të përdorni sa më shumë fakte, flisni për arritjet tuaja, tregoni se çka mund t’iu dallojë juve nga të tjerët kandidatë etj.

Përdorni fjali si : Unë e kam vërejtur interesimin tim për fushën e dizajnit qysh kur nisa praktikën e parë në X kompaninë. Puna në një biznes të vogël ishte shumë frytdhënëse për mua dhe më bëri të kuptoj se…

Unë tashmë dua të bashkohem në një mjedis dinamik dhe të fitoj sa më shumë njohuri e detaje rreth programimit. Dua të jap dhe të marrë gjëra cilësore nga një mjedis profesional siç është kompania juaj.

Përfundimi. Në këtë pjesë mundohuni të përmbledhni atë çka u tha në letër, duke përdorur shprehje si: Unë besoj se jam një kandidat i përshtatshëm për kompaninë tuaj sepse (përmendni se çka ju lidhë me kompaninë dhe çka synoni të ofroni në kompani). Në fund, falenderojeni lexuesin për kohën dhe përmbylleni letrën me fjali të tilla si: Shpresoj të më ofrohet mundësia e intervistimit / jam shumë entuziast të paraqitem në intervistë dhe të mësoj më shumë detaje rreth ketij roli, etj.

Kur e shkruani një letër motivimi tentoni të ofroni sa më shumë material bindës që punëdhënësi juaj potencial t'iu ftojë në një intervistë. KosovaJob ju sjellë disa këshilla se në çka të fokusoheni më shumë në letrën e motivimit:

  • Letra gjithmonë le të jetë personale, mos harroni të shkruani emrin dhe mbiemrin se kujt po ia drejtoni letrën.
  • Kushtojini shumë rëndësi gabimeve gramatikore, janë të patolerueshme.
  • Jepni shembuj nga puna juaj dhe jo vetëm fjali, (psh mos thoni që ju keni aftësi të mira udhëheqjeje por tregoni se çka keni arritur të bëni me këto aftësi).
  • Tentoni të jeni origjinalë, mos i kopjoni letrat prej të tjerëve.
  • Ikni nga klishetë.
  • Hulumtoni sa më shumë lidhur me kompaninë, vlerat, vizionin, misionin.
  • Rrëfeni diçka, njerëzit kanë shumë dëshirë të lexojnë rrëfime, tregoni se si keni arritur të tejkaloni një sfidë, çka i keni dhënë kompanisë etj.

Pavarësisht që letra e motivimit nuk është diçka e lehtë për t’u shkruar, në tregun e sotëm të punës, këto lloje letrash janë thelbësore për një punëdhënës.

KosovaJob, sjellë edhe një shembull të plotë se si mund të duket një letër motivimi:

I/e nderuar (shkruani emrin dhe mbiemrin e personit të cilit i drejtoheni apo kujt i referohet letra, nëse nuk e dini se kush do ta pranojë letrën, përdorni zotëri / zonjë)

Po iu shkruaj për të shprehur interesimin tim për pozitën e Menaxherit të Restaurantit në kompaninë (shkruani emrin e kompanisë ku po aplikoni). Përvoja ime dhe aftësitë e mia lidhen shumë mirë me pozitën për të cilën ju jeni duke kërkuar staf.

Si menaxher në X kompaninë (shkruani përvojën tuaj në një kompani të mëparshme dhe rezultatet tuaja), unë kam dëshmuar të jem produktiv dhe shumë entuziast në punë.  Vlerat e mija i kam dëshmuar edhe duke trajnuar ekipin se si bashkërisht të arrijmë synimet në shitje për secilin vit, çka gjithmonë ka rezultuar të ketë sukses, gjë që e konsideroj si një ndër arritjet e mëdha të mija gjatë detyres si menaxher. 

Kompania juaj do të mund të përfitonte nga unë nëse bëhem pjesë e ekipit ngase konsideroj të jem goxha detajist/ e, pra kam një sy të mprehtë që të jemi sa më profesionistë dhe të kemi një nivel të lartë të profesionalizmit si ekip, nga etika ime në punë dhe aftësite e mija të lidershipit, si dhe jam i/e gatshëm/gatshme të punoj nën presion.

Unë dëshiroj të bëhëm pjesë e ekipit tuaj sepse këtë e konsideroj një mundësi shumë të mirë ku mund të jap kontributim tim dhe të fitoj shumë nga cilësia dhe profesionalizmi që e karakterizon kompaninë tuaj.

Do të ishte një privilegj për mua të kem mundësine të diskutoj më detajisht këtë pozitë pune në një intervistë të mundshme.

Falemnderit shumë për kohën tuaj!

Përzemërsisht,

(Emri juaj)

Letër motivimi për pozitën e Dizajnerit Grafik:

leter motivimi dizajner grafik

Letër motivimi për pozitën e Specialistit të Marketingut:

Leter motivimi specialist i marketingut

Letër motivimi për pozitën e Agjentit të Thirrjeve:

Shkarko letër motivimi për Specialist të Marketingut

Shkarko letër motivimi për Agjent të Thirrjeve

Shkarko letër motivimi për Dizajner Grafik

Shkarko letër motivimi për Menaxher të Shitjeve

Shkarko letër motivimi për Menaxher të Restaurantit

Fillo Kuizin
Testojeni veten, mësoni më shumë dhe argëtohuni në të njejtën kohë nëpërmjet kuizeve që ofrojmë ne për ju.
  • Çfarë përbërje kanë kometat?
    A
    Akull uji
    B
    Pluhur
    C
    Dioksik karboni
    D
    Të gjitha këto
  • Cili planet ka më së shumti satelite?
    A
    Toka
    B
    Marsi
    C
    Saturni
    D
    Jupiteri
  • Çka simbolizon kur Hëna është e plotë?
    A
    Ka gjasa të ndodhë eklipsi diellor
    B
    Dielli dhe Hëna janë në anët e kundërta të Tokës
    C
    Dielli dhe Hëna janë në të njëjtën anë të Tokës
  • Çka ndodhet në qendër të galaktikës “Rruga e Qumështit”?
    A
    Një vrimë e zezë e quajtur Sgr A *
    B
    Dy vrima të zeza që rrotullohen rreth njëra-tjetrës
    C
    Materia e errët
  • Kush ishte gruaja e parë që udhëtoi në hapësirë?
    A
    Sally Ride
    B
    Valentina Tereshkova
    C
    Christa McAuliffe
    D
    Stefka Kostadinocva
  • Nëse do të udhëtonim me shpejtësinë e dritës, sa kohë do të duhej për të arritur në galaktikën më të afërt?
    A
    25 vjet
    B
    25.000 vjet
    C
    2.5 milion vjet
    D
    25 milion vjet
  • Përafërsisht sa kohë i duhet dritës për të udhëtuar nga Dielli në Tokë?
    A
    8 sekonda
    B
    8 minuta
    C
    8 orë
    D
    8 ditë
  • Cili planet është më së afërmi Diellit?
    A
    Venera
    B
    Marsi
    C
    Merkuri
    D
    Neptuni
  • Cili është planeti më i madh në Sistemin Diellor?
    A
    Jupiteri
    B
    Urani
    C
    Marsi
    D
    Toka
  • Kush zbuloi se planetët udhëtojnë në formë elipse, e jo në formë rrethore?
    A
    Edwin Hubble
    B
    Isaac Newton
    C
    Johannes Kepler
    D
    Carl Sagan
1
/
10
ARTIKUJ TË NGJASHËM
Gjërat që duhet t’i dini para ngritjes në pozitë
Nëse e doni punën që bëni, pa dyshim që edhe sukseset nuk do të mungojnë. Pa marrë parasysh se ku dhe çka punoni, nëse keni përkushtim në atë që bëni, ngritja në pozitë mund të arrihet shpejt. Mirëpo, ngritja në pozitë nënkupton përgjegjësi dhe sfida të reja për të cilat nevojitet përgatitje paraprake që të mos bëni gabime në hapa.  Akademi Pune ju sjellë me disa këshilla para se ta pranoni ngritjen në pozitë. Rishqyrtoni gatishmërinë tuaj për pozitën e re Mos nxitoni të jepni përgjigje pozitive që në fillim. Duhet të jeni i sinqertë me veten, rishqyrtoni se pse pikërisht ju jeni përzgjedhur për atë pozitë dhe nëse posedoni aftësitë e kërkuara. Pozita e re kërkon përgjegjësi të reja. Prandaj, vlerësoni mirë situatën, përgatitjen tuaj profesionale dhe emocionale para se ta pranoni pozitën e re në kompani. Në pozitën e re mund t’iu delegohen detyra me rëndësi më të theksuar që kërkojnë qasje të një udhëheqësi. Ky tranzicion në pozitën e udhëheqësit mund të jetë mjaft sfidues si për ju, ashtu edhe për ekipin tuaj të punës. Kuptojeni se kush janë njerëzit me të cilët do të punoni nga afër Në pozitën e re, do të punoni edhe me njerëz të rinj që mund t’ju shohin më shumë si konkurrent se sa kolegë pune. Prandaj hulumtoni paraprakisht se nga kush do të rrethoheni në pozitën e re, në mënyrë që ta keni një pikëpamje më të mirë për ta dhe ta filloni bashkëpunimin me qasje të duhur. Shkruani një listë se çka saktësisht mund të pritet nga ju Në rolin e ri që pritet ta merrni mund të ketë raste ku duhet të thoni gjëra që nuk doni t’i thoni, apo të silleni në mënyra që mendoni se janë të papranueshme dhe që mund ta dëmtojnë imazhin tuaj. Hulumtoni të gjitha detyrat, natyrën e punës dhe objektivat që ju presin para se ta pranoni pozitën e re. Përpiloni një plan për detyrat e pozitës së re Hartimi i një plani, do të tregonte se me sa seriozitet e keni marrë ngritjen në pozitë. Caktimi i objektivave dhe synimeve do t’ua lehtësonte punën dhe gatishmërinë tuaj për sfidat që ju presin në pozitën e re. Kësisoj, ju do t’i tregonit punëdhënësit tuaj se posedoni shkathtësitë e kërkuara dhe që nuk ka gabuar në përzgjedhjen e bërë. Ngritja në pozitë ka përparësitë dhe mangësitë e saj. Prandaj, mos u mashtroni nga një pozitë e re që ju ofrohet nga punëdhënësi vetëm nëse paga është më e lartë, por analizoni edhe jetëgjatësinë e asaj pozite qu ju ofrohet, ndikimin që do të ketë në karrierën tuaj dhe kontributin që mund ta ofroni. /AkademiPune
Lexo më shumë
A KANË PËRPARËSI NË TREG TË PUNËS NJERËZIT QË NJOHIN GJUHË TË HUAJA?
"Sa më shumë gjuhë që njeh, aq më shumë njerëz vlen" Përfshirja në tregun e punës, përveç që është sfidë dhe përgjegjësi, konsiderohet edhe privilegj e dëshirë për t’u kyçur në një profesion të caktuar. Përpos arsimimit cilësor dhe përgatitjes se nevojshme profesionale, edhe njohja e gjuhëve të huaja ka një rëndësi të posaçme në sistemimin e një kandidati në një vend të caktuar të punës. Njohja e gjuhëve të huaja, e sidomos e gjuhëve më të rralla, mund të cilësohet si përparësi. Pos pozitave që domosdoshmërisht kërkojnë njohuri të një gjuhe të caktuar, shpesh mund të hasim edhe në konkurse të punës në të cilat preferohet apo ka përparësi edhe njohja e gjuhëve të tjera, që kryesisht lidhen me veprimtarinë e asaj kompanie. Kjo zakonisht haset në industritë ku dominojnë organizatat apo mekanizmat e huaj që ushtrojnë veprimtari konkrete në Kosovë. Prandaj, në shumicën e rasteve zotërimi i një apo disa gjuhëve të huaja cilësohet si avantazh, varësisht prej pozitës në të cilën aplikohet. Shumica e punëdhënësve janë të interesuar të punësojnë kandidatë që përveç se kanë një bagazh të pasur profesional, kanë edhe njohuri të gjuhëve të ndryshme të cilat e favorizojnë atë për një pozitë të caktuar. Në një intervistë për KosovaJob, bashkëthemeluesja e shkollës së gjuhëve të huaja Britannica-ELT, Nasire Bala-Rizaj, foli për rëndësinë që kanë gjuhët e huaja në përgjithësi. Ajo tha se edhe në Kosovë si në çdo vend tjetër të botës, njohja e një apo më shumë gjuhëve të huaja është përparësi për secilin individ, si në rrafshin e punësimit ashtu edhe të ngritjes së karrierës profesionale. “Nga përvoja dhe ekspertiza ime shumëvjeçare mendoj se të mësuarit e një gjuhe të huaj është një vlerë e shtuar për CV-në e secilit person. Pa dyshim se gjuhët e huaja i hapin më lehtë dyert e punësimit në profesionin e dëshiruar, kudo në kompani, në organizata e në institucione që i përshtaten profesionit dhe specializimit përkatës. Ekonomia bashkëkohore e tregut të lirë dhe qarkullimi intensiv i mallrave, dijes dhe njerëzve e ka determinuar pothuaj si domosdo njohjen e gjuhëve të huaja për një punësim dinjitoz. Kontaktet me popujt tjerë janë bërë të përditshme në çdo fushë të jetës, andaj këtu edhe e shoh elementin kyç të ndërlidhjes së gjuhëve të huaja me punësimin në Kosovë”, ka thënë ajo. Ndonëse gjuha angleze dominon gjithandej në botë, ajo theksoi se në Kosovë rrethanat aktuale bëjnë që pas gjuhës angleze, mësimi i gjuhës gjermane të jetë shumë i kërkuar. Bala-Rizaj shtoi se edhe njohja e njërës prej gjuhëve të popujve të Ballkanit Perëndimor është e preferueshme duke qenë se Kosova është pjesë e Gadishullit Ballkanik. “Natyrisht, gjuha angleze sot është gjuhë dominante në mbarë globin por në rrethanat aktuale në Kosovë, mësimi i gjuhës gjermane është bërë shumë i kërkuar. Edhe gjuhët tjera, si frëngjishtja dhe italishtja janë shumë të rëndësishme, sidomos për ata që karrierën profesionale e kanë drejtuar nga fusha e kulturologjisë. Megjithatë, mos të harrojmë se ne jemi pjesë e Gadishullit Ballkanik dhe njohja e njërës prej gjuhëve të popujve të Ballkanit Perëndimor është mjaftë i preferuar”, ka thënë ajo. Bala-Rizaj nuk mendon që niveli i njohurive të gjuhëve të huaja në Kosovë është i ulët, kjo sepse sipas saj të rinjtë tashmë e kanë kuptuar rëndësinë që kanë gjuhët e huaja e kësaj pozivisht i ndikon edhe përdorimi i teknologjisë dhe rrjeteve sociale.  Pavarësisht kësaj, ajo konsideron se  ka akoma nevojë për më shumë avancim në këtë drejtim ngase secili profesion e ka natyrën e vet të gjuhës përkatëse. E krejt në fund, Bala-Rizaj vuri theksin edhe tek njohja e mirëfilltë e gjuhës amtare. Ajo tha se pa njohje të mirë të gramatikës dhe drejtshkrimit të gjuhës shqipe, është vështirë të arrihet nivel i lartë i mësimit të gjuhëve së huaja. “Për njohje sa më të avancuar të cilësdo gjuhë të huaj nevojitet njohja po ashtu e avancuar edhe e gjuhës amtare, të cilit aspekt kryesisht nuk i kushtohet vëmendje e mjaftueshme. Sot më shumë çmohet njohja e gjuhës së shkruar sesa e komunikimit verbal dhe pa njohje të mirëfilltë të gramatikës dhe drejtshkrimit të gjuhës shqipe, vështirë se do të arrihet niveli i lartë i mësimit të gjuhës së huaj”, ka thënë ajo. Në Tetor të vitit 2015, Britannica- ELT lansoi testimin online të nivelit të gjuhës angleze në Kosovë. Në një periudhë prej 7 ditësh, më shumë se 5400 nga 7867 persona arritën të përfundojnë me sukses testin duke plotësuar të gjitha pyetjet. Statistikat treguan se niveli i përgjithshëm është B2 apo Upper Intermediate dhe B1+ apo Intermediate. Për këtë testim, interesim më i madh u vërejt nga mosha 18-24 vjeç ndërsa sa i përket gjinisë statistikat treguan se për një nivel të vogël femrat kanë pasur rezultate më të mira se meshkujt.
Lexo më shumë
Tiparet që kanë punonjësit e dalluar
Të gjithë e kemi një koleg në punë që është më i dalluar, më energjik, më i motivuar si dhe që posedon tipare që e veçojnë nga të tjerët. Në një studim të realizuar me anë të një pyetësori u intervistuan më shumë se 500 udhëheqës biznesi, të cilët u pyetën se si e dallojnë një punonjës nga të tjerët. Hulumtuesit kërkuan ta dinë pse disa njerëz janë më të suksesshëm se të tjerët në vendin e punës. Përgjigjet ishin mjaft befasuese pasi udhëheqësit zgjodhën “personalitetin” si arsyen kryesore.Posaçërisht, 78% e udhëheqësve theksuan se personaliteti është mënyra që veçon punonjësit e dalluar, shifër kjo më e lartë se sa përshtatja kulturore me 53% si dhe më e lartë se sa shkathtësitë e punonjësit 39%. Personaliteti përbëhet nga një sërë preferencash dhe prirjesh të qëndrueshme, e që janë faktorë mjaft të rëndësishëm pasi paraqesin mënyrën e qasjes sonë karshi botës.Tiparet e personalitetit formohen në një moshë të re dhe zhvillohen në fazat e para të moshës madhore. Gjatë jetës suaj ju pësoni shumë ndryshime, mirëpo personaliteti nuk është njëra prej tyre. Akademi Pune ju sjell disa nga tiparet që kanë punonjësit e dalluar: Gjithmonë kërkojnë më shumë Punonjësit e dalluar kanë bindjet e tyre se gjithmonë mund të arrijnë rezultate më të mira. Pavarësisht rezultateve pozitive që i arrijnë, punonjësit e dalluar janë të uritur për përmirësim, pasi që kanë mentalitetin fitues dhe bindjen se kësisoj kanë arritje më të mëdha si personale ashtu edhe profesionale. I menaxhojnë me qetësi mosmarrëveshjet Ata reagojnë me maturi në raste mosmarrëveshjesh me kolegët në punë. Gjithashtu vetëpërmbahen përderisa sqarojnë pikëpamjet dhe idetë e tyre. Nuk reagojnë me vrull në rast se ndihen të rrezikuar, i evitojnë pengesat me lehtësi pasi që në mendjen e tyre kanë qëllime të mëdha. Kontrollojnë egon e tyre Punonjësit në fjalë nuk i kushtojnë shumë rëndësi egos së tyre, sidomos kur është fjala për përmirësimin e punës në grup. Ata janë në gjendje ta pranojnë gabimin si dhe të gatshëm ta vazhdojnë punën duke përkrahur idenë e tjetrit. Kësisoj, ruhet edhe harmonia brenda ekipit të punës. Janë të përgjegjshëm Tipari që e veçon një punonjës të dalluar është marrja e përgjegjësisë kur është nevoja. Ata e zotërojnë punën e tyre, vendimet e tyre, si dhe marrin përgjegjësi për rezultatet e punës së tyre, qoftë ato pozitive apo negative. Janë të guximshëm Pa dyshim se një punonjësi të dalluar nuk mund t’i mungojë guximi dhe vetëbesimi. Punonjësit e dalluar nuk hezitojnë t’i shprehin mendimet e tyre, të bëjnë pyetje apo edhe ta sfidojnë ndonjë vendim të marrë nga anëtarët e tjerë. Kësisoj, ata tregojnë se sa të guximshëm janë dhe se janë të gatshëm që në të ardhmen të marrin vendime të rëndësishme për kompaninë.
Lexo më shumë
3 PYETJE QË TOP KANDIDATËT DUHET T’I BËJNË NË INTERVISTA TË PUNËS
Kur pranohet thirrja për një intervistë pune, të gjithë synojmë të përgatitemi sa më mirë në mënyrë që të dalim të suksesshëm në atë intervistë. Shumica e kandidatëve përqëndrohen se si të japin përgjigjet e duhura duke harruar se shpeshherë vendimtare janë edhe pyetjet e mençura që parashtrohen nga vetë ata (kandidatët). Pyetjet që ju shtroni për intervistuesit tuaj, faktikisht mund të jenë vërtetuese se ju jeni njeriu më i përshtatshëm për pozitën që ata kërkojnë. Erblina Hoxha, Zyrtare e Burimeve Njerëzore në kompaninë Kujtesa, në një intervistë për KosovaJob ka thënë se pyetjet mund të ndikojnë perspektivën e intervistuesit dhe jo rrallëherë mund të përcaktojnë vendimin e panelit intervistues. “Nëse pyetja është jashtë kornizës së pyetjeve klishe, sigurisht që mund të ndikojë perspektiven e intervistuesit, pasi nga mënyra se si i qasemi një situate të caktuar reflektohet edhe sensi i logjikës së një individi. Individët që kanë aftësi analitike, kanë qasje ndryshe ndaj subjektit të diskutimit dhe mënyra se si i formulojnë skenaret e pyetjeve jep një ide vlerësimi aty për aty, mbështetur në horizontin largpamës që nuk kufizohet brenda mureve të një mendimi të ngushtë por shtrihet përtej kufijve të atij analitik. Prandaj, nisur nga ky prizëm vlerësimi, pyetje që drejtohen nga kandidatët jo rrallëherë mund të jenë përcaktuese të vendimit të panelit intervistues”, ka thënë ajo. Sipas saj, profesionistët e burimeve njerëzore duhet t’i motivojnë individët që ata të mendojnë përtej zonës së tyre të rehatisë, ngase aty rezulton ekzistenca e personalitetit te secilit. “Pyetjet kanë të bëjnë me qasjen ndaj çështjes/problemit dhe thellësinë e mendimit që çon direkt tek një rezonim analitik. Nuk ka pyetje idiote, thjeshtë ka pikëpamje që mbështetën në një rezonim logjik dhe largpamës dhe të tjera që shtrihen në nivel sipërfaqësor, prandaj në opinionin tim, një HR nuk do të duhej të bënte një klasifikim dekurajues por do duhej të motivonte që individi të mendonte përtej zonës së tij të rehatisë dhe pikërisht nga aty rezulton ekzistenca e personalitetit të gjithësecilit”, ka thënë ajo. Hoxha thotë se kandidatët duhet të dinë se nuk është e rëndësishme çka nuk duhet pyetur por si duhet pyetur. “E rëndësishme nuk është çfarë nuk duhet të pyesim por si duhet të pyesim. Qasja konkrete çdo herë do të marrë përgjigjen që i takon adresimit të bërë, që në fakt është përtej një kurioziteti rastësor dhe lidhet direkt me fushën e interesit në terma afatgjatë”, theksoi ajo. Ndërkaq, sipas Forbes, për të rritur shancat për punësim në kompaninë e dëshiruar, kandidatët mund të bëjnë 3 pyetje shumë të fuqishme. KosovaJob ju sjellë këto 3 pyetje: Nëse mua me ofrohet ky rol, cilat janë prioritetet ku unë duhet të fokusohem, në 90 ditët e mia të para? Kjo pyetje përçon mesazhin se kandidati veçse ështe duke menduar si të jetë i suksesshëm nëse i ofrohet ky rol. Kjo i mundëson intervistuesve të kuptojnë se kandidati është gati të sfidohet dhe automatikisht ata krijojnë bindjen se ai është kandidati i përsosur. Gjithashtu, kjo pyetje ndihmon edhe vetë kandidatët të nxjerrin më shumë informacione rreth kompanisë dhe pozitës, përtej përshkrimit të punës. Cilat janë cilësitë e tjera që unë duhet të kem në mënyrë që të përshtatem më së miri me ekipin tuaj? Sigurisht që kompanitë duan të punësojnë dikë që do të jetë një aset dhe do të kryejë punën siç duhet por edhe dikë që përshtatet me ekipin. Kjo pyetje krijon mendimin tek intervistuesit se ju doni të shtoni vlerë në një ekip. Po ashtu, ju mundëson edhe juve të kuptoni nëse ekipi i ka cilësitë të cilat ju interesojnë edhe juve, si p.sh nëse ekipi nuk ka frikë t’i shprehë idetë, nëse janë të shpejtë në punë ose nëse kanë nevojë për dikë që i respekton afatet për kryerjen e detyrave. Edhe nëse intervistuesit janë në gjendje të përgjigjen ose jo në pyetjen tuaj, ju do ta keni më të lehtë të vlerësoni nëse ju si person mund të keni një rrugë të gjatë në atë kompani. A ka diçka që ju shqetëson në lidhje me përvojat e mia të mëparshme? Duke e bërë këtë pyetje, ju i hapni rrugë intervistuesve t’ u bëjnë pyetje të tjera të cilat mbase janë ndjerë jo rehat për t’ua bërë. Kur ata ngrenë çështjet që mund t’i kenë penguar, ju mund t’i zbusni shqetësimet e tyre dhe rrjedhimisht t’u jepni shpresë se ju do të jeni i suksesshëm për pozitën që kërkohet.
Lexo më shumë
KosovaJob është rrjeti më i madh i punësimit në Kosovë, i çertifikuar nga Bureao Veritas me ISO 9001: 2015 për Menaxhimin e Cilësisë.