SI E NDIKOJNË RRJETET SOCIALE PUNËSIMIN?

18 Shtator '19

SI E NDIKOJNË RRJETET SOCIALE PUNËSIMIN?
	 	 

Teknologjia moderne e ditëve të sotme konsiderohet njëra ndër arritjet më të mëdha të shekullit. Rrjetet sociale mund të cilësohen si një bosht rreth të cilit rrotullohen informacionet e ndryshme anëmbanë botës. Me përparimin e teknologjisë dhe ardhjen e rrjeteve sociale janë lehtësuar shumë gjëra në jetën e njeriut. Ato kanë arritur të kenë ndikim të madh në lehtësimin e shumë procedurave në aspekte të ndryshme të jetës sonë. Rrjetet sociale mund të na ndikojnë në mënyrë pozitive por edhe negative, edhe kur vjen puna tek punësimi - që nga aplikimi online e deri tek përzgjedhja e kandidatëve.

Sot, përmes rrjeteve sociale, punëdhënësit dhe punëkërkuesit mund të zbulojnë shumë informacione për njeri tjetrin. Prandaj, duhet të kemi shumë kujdes se si i përdorim dhe çfarë mesazhi përçojmë nëpërmjet tyre.

Një studim i realizuar nga CareerBuilder, gjeti se 60% e punëdhënësve i kishin përdorur rrjetet sociale për të vlerësuar nëse kandidatët i plotësonin të gjitha kriteret për punë. CareerBuilder i ka anketuar më shumë se 2,000 menaxherë dhe profesionistë të burimeve njerëzore. Studimi gjeti se 51% e punëdhënësve të cilët i përdoren rrjetet sociale për hulumtim të kandidatëve nuk është se i punësuan ata, kjo për shkak të përmbajtjeve që kishin publikuar. Arsyet ishin si vijojnë:

  • Kandidatët kishin publikuar foto / përmbajtje provokative ose të papërshtashme (46%).
  • Kishin gjetur dëshmi të përdorimit të drogës ose alkoolit (41%).
  • Postime diskriminuese (28%).
  • Emra të papërshtashëm (21%).

I njejti studim zbuloi se 33% e punëdhënesve gjithashtu gjeten edhe informacione që i shtynë ata t’i punësojnë kandidatët.

Në një intervistë për KosovaJob, Marigona Beqiri, Menaxhere e Burimeve Njerëzore në kompaninë Kosbit, ka thënë se nëse rrjetet sociale përdoren në mënyrën e duhur, atëherë ndikimi do jetë shumë pozitiv dhe rezultatet që merren në fund do të jenë shumë fitimprurëse për të gjitha palët. Ajo tha se rrjetet sociale po ashtu u ndihmojnë punëdhënesve të ndërtojnë një spektër më të gjerë të kandidatëve potencialë dhe t’i shqyrtojnë ata për pozita të ndryshme të punës.

KosovaJob Kosbit

Në krahasim me metodat tradicionale të punësimit, e kam kuptuar që rrjetet sociale po na ndihmojnë në identifikimin e shumë kandidatëve me cilësi të mirë që poashtu mund të jenë edhe pasivë (duke mos kërkuar punë). Megjithëse Facebook është globalisht plaftorma më e madhe e mediave sociale, për ne nuk është platforma më e popullarizuar ose efektive për rekrutim. Mund të them se kur bëhet fjalë për rekrutim, unë jam e fokusuar më shumë në Linkedin sepse mendoj që përmes kësaj platforme zbulojmë më shumë kandidatë sesa në Facebook, Twitter apo ndonjë platformë tjetër”, ka thënë ajo.

Beqiri shtoi se Kosbit si kompani është shumë aktive në rrjete sociale dhe Linkedin-in e përdorin ekskluzivisht për ndërtimin e marrëdhënieve profesionale dhe rekrutimin e personave të kualifikuar në pozita të menaxhmentit të lartë, të mesëm dhe poashtu pozita fillestare. Sipas saj, nëpërmjet rrjeteve sociale edhe kandidatët por edhe punëdhënësit mësojnë shumë detaje profesionale e personale përmes profileve të ndryshme. Beqiri nënvizoi se ndonjëherë kandidatët bëjnë gabime trashanike në rrjete sociale, çka edhe mund t’i  diskualifikojë ata për ta marrë vendin e punës.

Në 100% të rasteve të kontrollimit të profileve të kandidatëve, nuk lejoj që informacione lidhur me moshën, gjininë, racën, etnicitetin, preferencen seksuale, aftësinë e kufizuar ose fenë të ndikojnë në vendimin tonë për marrje në punë të kandidatëve.  Sipas meje, janë disa gabime që mund ta diskualifikojne një kandidat që përfshijnë postimin e fotografive komprometuese ose të shkrimeve/përmbajteve provokative dhe të papërshtatshme, postime dhe sjellje diskriminuese, deklarimi i pavërtetë mbi eksperiencën e punës, certifikimeve dhe/ose edukimit formal”

Ajo theksoi se që të gjithë duhet të jenë të sinqertë me veten duke e pranuar se fakti që kemi profile online nuk na lejon të jemi shumë privat për jetën tonë e duhet edhe të presim që profilet tona mund të kontrollohen për arsye të ndryshme. Ndonëse ajo thotë se nuk preferon të monitorojë aktivitetet e përditshme të stafit të kompanisë meqenëse secili respekton vendin ku punon, ajo gjithashtu konsideron se monitorimi i stafit online nuk ka të bëjë me mosbesim por me ‘mbrojtjen’, për të shmangur ndonjë situatë të pakëndshme (sociale ose ligjore).

Sipas studimeve, thuhet se nëntë nga dhjetë rekrutues ose persona të angazhuar në Burime Njerëzore tani kontrollojnë profilet e kandidatëve potencialë në rrjete sociale përpara se t’i punësojnë ose edhe para se të vazhdojnë me proceset e intervistimit/rekrutimit.

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2023 - KosovaJob LLC