“Askush nuk është bërë i varfër duke dhënë”
Anne Frank
Nganjëherë janë gjërat e vogla ato të cilat na lënë më shumë përshtypje e na bëjnë më të lumtur. Sidomos kur marrim gjëra me dashuri dhe ato për të cilat kemi pasur nevojë për një kohë të gjatë. Në fund të ditës, ndihemi të lumtur vetëm kur kujtojmë që dikujt kemi arritur t’ia sjellim buzëqeshjen. Janë pikërisht këto çaste që na bëjnë të ndihemi më njerëzor se asnjëherë më parë dhe ta kuptojmë se që ta gëzojmë veten dhe dikënd, nuk është aq e vështirë se sa e kemi menduar më parë.
Me pak filloi edhe Edita Dula, që sot bashkë me shumë miq të saj arritën që t’i gëzojnë pothuajse 700 familje. Edita, fillimisht shkëmbente gjësende me shoqet e saj, por më vonë duke e parë nevojën e familjeve të shumta, ato hapën një grup në rrjetin social facebook “Shes dhe fal gjëra për fëmijë”, në vitin 2015. Ajo se çfarë sjelli kjo faqe bëri që një vit më pas të lindte organizata humanitare, që sot mbanë emrin “Nëna dhe Fëmijë të Lumtur”.
“Gjithçka filloi nga përvoja ime me shoqe se si ne në secilin takim i ndërronim mes vete gjërat shembull lodrat, rrobat e fëmijëve, karrocat etj., me pas duke e parë gjendjen e familjeve në nevojë e hapa faqen ne Facebook me miken time Qendresa Bujupi Ymeri "shes dhe fal gjërat për fëmijë". Më pas në këtë grup gratë me shumë jepnin gjëra falas se sa që blenin nga njëra – tjetra, kështu që gjërat i grumbulloja në një dhomë në banesën time e me pas caktonim një vend takoheshim dhe i shpërndanim ndihmat”, kujton Edita për Akademi Pune.
Më vonë, kur kjo nismë u shndërrua në një organizatë humanitare, ato u përballën me një sfidë të re: Si do ta gjenin një vend të cilin mund ta përballonin për t’i grumbulluar gjërat? Por, edhe njëherë u dëshmua se për të hedhur në dritë diçka të mirë, mjafton vetëm t’ia fillosh, sepse pak më vonë atyre ju dhurua një lokal pa qira.
“Zotëri Nexhat Kryeziu na dhuroi pa qira objektin ku funksionojmë tash e 6 vite. Sfidat gjithmonë janë të pranishme, sidomos për të krijuar një fond të qëndrueshëm për shpenzime komunale, por edhe një punëtor të rregullt duke cekur gjithmonë që të gjithë punojmë vulnetarë”, tregon ajo.
Emërtimi i organizatës mbase nuk ka qenë edhe i vështirë për t’u vendosur, ai madje ishte pothuajse i gatshëm. Edita tregon, se si ishte lumturia e nënave dhe fëmijëve, pasi merrnin dhuratat, ajo që ndikoi për ta vendosur këtë emër të organizatës.
Si bëhen nënat dhe fëmijët e lumtur?
Edita Dula i është mirënjohëse secilit që kontribuon që kjo organizatë të gëzojë kaq shumë persona. Dyert janë të hapura për këdo që dëshiron të ndajë diçka nga gjërat e tij. Nuk ka rëndësi në është ushqim, veshëmbathje, orendi shtëpie, ilaçe apo të holla, “Nëna dhe fëmijë të lumtur” do të jetë gjithmonë aty.
“Fokusi kryesor organizata siguron ushqim, veshëmbathje, orendi shtëpiake, siguron ilaçe, të holla etj., për pothuajse 700 familje, të cilat grumbullohen në organizatë nga njerëzit e vullnetit të mirë nuk kemi mbështetje nga institucionet përveç nga Drejtoria e Mirëqenies Sociale nga Komuna e Prishtinës, Dren Kukaj që na ka përkrahë në vazhdimësi shoqaten”, vazhdon Edita.
Artistja tregon që organizata përbëhet nga persona energjik, që plot entuziazëm kryejnë funksionet e tye brenda saj.
“Organizata përbëhet nga shumë persona kuvendi i anëtarëve, bordi, vullnetarët secili prej tyre kryen funksionin e vet. Ata janë shumë aktiv, sidomos disa prej tyre që i kisha cek për punë të mrekullueshme në ojq janë Anisa, Fitore, Rina, Arta, Liria, Edelina, Mimoza, Blerina e shumë të tjera....”, falënderon Edita këto aktiviste të palodhshme.
Po ku e gjejnë çdo ditë motivimin të gjithë pjesëtarët e kësaj organizate, që janë të gjithë vullnetarë dhe përveç kësaj kjo punë kërkon përkushtim maksimal? Ajo tregon se janë buzëqeshjet e nënave që ua ngrohin zemrën dhe jo vetëm.
“Secilën ditë më motivojnë veprat e mira që i bëjmë në vazhdimësi, na motivojnë buzëqeshjet e nanave, na motivojnë uratat e nanave, e shumë e shumë besa na motivojnë dashamirët që vazhdimisht përkrahin punën tonë, e disa të tjerë që na thumbojnë kohë pas kohe edhe ata na motivojnë me vazhdu”, shprehet Edita.
Momente të shkruara tek “Nëna dhe Fëmijë të Lumtur”
Shpirti human është ai çfarë i karakterizon kosovarët thotë Edita, sipas saj mungon vetëm vullneti dhe iniciativa për të filluar diçka, sepse posa dikush merr guximin shumë janë pas tij/saj.
Nëna dhe Fëmijë të Lumtur mundësoi, ndoshta që edhe shumë endrra të bëhen realitet. Këto janë momentet që nuk do të harrohen kurrë nga të gjithë pjesëtarët e saj, sepse ajo se çfarë kishin ndierë ata në ato momente dhe më pas ka qenë e jashtëzakonshme. Disa prej tyre Edita i ndanë edhe me ne.
“Momenti që nuk e harroj kurrë, eshte ai kur me Rina Shalën e patëm dërgu një nanë në spital duke e përcjellur në gjitha kontrollat, kur e kemi dërgu një djalosh të vogël në kontrolla dhe ia grumbulluar fondet për shërim jashtë vendit, kur dy nana të vetme me kushte shumë të kqija i vendosëm në banesa me qera, kur organizuam ekspozitë për një nanë dhe shitëm pikturat e saj”, kujton ajo.
“Përgatite dhuratën vet, jep dashni për dikë që s’e pret”
Ekipi entuziast i kësaj organizate humanitare pati shumë projekte për ditë të shënuara, të cilat rezultuan mjaft të suksesshme. “Shtatori sivjet me çantën komplet”, “8 Marsi dhuroje për nanën”, “Dreka e Bajramit” dhe “Kur të rritem do të bëhem”, janë vetëm disa nga aktivitetet që dhanë shumë për të bërë familje të tëra që sado pak të jenë të lumtura. Por, suksesin më të madh Edita e konsideron këtë të fundit.
“Suksesin më të madh e konsideroj kursin për fëmijë "Kur të rritem do të bëhem", që e kemi zhvilluar për fëmijët që kanë dhunë në familje, e që jetojnë në kushte të rënda, të cilët kanë shumë nevojë të kenë aktivitete të ndryshme: gjuhë shqipe apo punë dore. Mysafirë të ndryshëm nga profesione të ndryshme kanë ardhë dhe vullnetarisht kanë dhënë ligjerata për këta fëmijë. Ky projekt ishte mbështetur nga Dren Kukaj, Drejtoria për Mirqëqenie Sociale. Do të doja shumë, që ky projket të vazhdonte për një numër më të madh të fëmijëve, të cilët kanë nevojë për aktivitete të tilla”, uron aktivistja.
Projekti i fundit në të cilin po punojnë, Edita tregon që është aktiviteti për fundvit “Pëgatite dhuratën vet, jep dashni për dikë që s’e pret”. Organizata është e hapur për të gjithë ata që duan të ndihmojnë për familjet në nevojë. Ajo po ashtu, njofton se ata do të jenë të gatshëm për të grumbulluar shujta për këto familje, lodra, fletore, lodra, por jo edhe veshëmbathje.
Këshilla për të rinjtë
Duke qenë se e rinia është e ardhmja e një vendi, Edita ka një këshillë për të gjithë të rinjtë që sado pak kanë dëshirë të merren me aktivitete të këtij lloji.
“Këshilla ime për të rinjët të angazhohen në punë vullnetare ,të organizojnë takime për një kauzë të mirë, të shpërndajnë energji pozitive, sepse ndjenja që të jep kjo punë eshtë e papërshkrueshme, edhe pse eshtë shumë e veshtirë, lodhesh, mërzitesh, ndonjëherë edhe qanë, por kryesisht buzëqeshë dhe zemren e ke plot”, përfundon ajo. /Akademi Pune