Si e krijova kompaninë time në moshën 22 vjeçare?

18 Shtator '19

Si e krijova kompaninë time në moshën 22 vjeçare?
	 	 

RILIND ELEZAJ, THEMELUES I KOMPANISË "SEO TACTICA"

“Unë gjithmonë kam dashur që të kem biznesin tim – të ofroj shërbime për klientët e mi, si ekspert i kësaj fushe”

Të fillosh një punë, çfarëdo qoftë ajo, ngërthen shumë sfida në vete. Rruga përmes të cilës fillon e gjithë përpjekja për të korrur rezultate jo çdoherë do të jetë e drejtë mirëpo guximi dhe vendosmëria janë dy shtyllat kyçe që e mbajnë në vijë të drejtë idealin për të bërë diçka. Nuk e thonë kot se mosha është vetëm një numër ngase ajo nuk  përkon me mundësitë, rezultatet apo suksesin që një njeri mund të arrijë në jetë. Storja në vijim na ndihmon të mësojmë se nga të nisemi dhe si t’i arrijmë majat e asaj që duam.  

Rrugëtimin e vet në fushën e biznesit e nisi qysh në moshën 20 vjeçare. Përfshirja në projekte të ndryshme të cilat investonin në marketingun digjital, Rilind Elezajn, e shtynë drejt themelimit të kompanisë Tactica - kompani në fushën e SEOs (Search Engine Optimization - Optimizim i Makinave Kërkuese) dhe te shërbimeve të tjera digjitale.

“Kam punuar për shumë vite në sektorin e marketingut digjital, e specifikisht ne SEO. Unë u përfshiva në zhvillimin dhe menaxhimin e marketingut te produkteve te ndyshme në tregjet anglezo-folëse. Ishte një përvojë e shkëlqyeshme ku u përfshiva në të gjithë procesin e zhvillimit të marketingut nga dizajni i produkteve, hulumtimi, e deri te marketingu dhe shitja. E dija që kjo është ajo që doja të bëja gjatë gjithë jetës, andaj edhe hapa kompaninë Tactica”.

Muajt e lodhshëm, puna 15 orëshe në ditë, e bënë Rilindin që të angazhonte më shumë persona që i njihte për t’i ndihmuar. Kësisoj, ai arrinte t’i menaxhonte punët më mirë dhe të hapte më shumë kërkesa për klientët e rinjë. Duke e parë se sa frytdhënëse ishte kjo mënyrë,  ai vendosi të themelonte kompaninë e tij. Në Janar të vitit 2018, nisi punën kompania Tactica, me vetëm 4 të punësuar. Që nga krijimi, Tactica u zhvillua shumë dhe tani punëson 15 persona dhe ka disa produkte në treg. Rilindi arriti të ndërtojë bashkëpunim me rreth 20 klientë nga industri të ndryshme nga tregjet anglezo-folëse, duke përfshirë SHBA-në, Mbretërinë e Bashkuar, Australinë dhe Kanadanë si dhe bashkëpunime në shtete të tjera si Kina, Izraeli, Zvicra etj.

Sot, si lider i një kompanie të suksesshme, dita e tij nisë me kafen e mëngjesit të cilën e pi së bashku me ekipin e kompanisë. Ai del i fundit nga zyra dhe plotëson rreth 9 -10 orë punë.

Zakonisht kafen e mengjesit e pi së bashku me ekipen e Tactices ku edhe bisedojmë për agjendën ditore si dhe planet dhe objektivat. Shumicën e kohës jam duke komunikuar me klientët, duke krijuar strategji dhe mënyra të ndryshme për rritje të vizibilitetit online. Rreth 1/3 e ditës sime shpenzohet në implementimin e strategjive për klientë të ndryshëm si dhe duke u marrë me ekzekutimin e tyre. Analizimi i strategjive dhe rritja e bizneseve të klientëve po ashtu është pjesë e rutinës sime ditore. Gjatë ditës, përveç shpenzimit të kohës duke menduar për klientët tanë, po ashtu kaloj kohën duke u interesuar për rritjen e Tactices si dhe bashkëpunimet dhe drejtimin e kompanisë. Këtu përfshihen edhe produktet e reja, analiza e produkteve në treg si dhe kompletimi i misioneve të kompanisë.”

Etika në punë, diciplina dhe përkushtimi për të mirën kolektive janë shprehi që të çojnë drejt suksesit

Një lider i suksesshëm medoemos duhet të ketë disa aftësi e edhe zakone që e bëjnë të arrijë suksesin. Rilindi thotë se qysh prej fillimit të karrierës së tij, ka synuar të jetë korrekt dhe i disciplinuar, gjë që i ka ndihmuar çdoherë. Ndër tjera, ai rrëfen se në çfarëdo marrëdhënie të punës që përfshihet, mendon për të mirën e bashkëpunimit dhe jo vetëm për interesin individual. Kjo sipas tij, e bën edhe bashkëpunimin më të frytshëm.

“Organizimi i punës në bazë të agjendës është po ashtu diçka kyçe. Gjithmonë ke një plan ditor të cilin e ndjekë dhe mban shënime. Përpos këtyre zakoneve në punë, mendoj që aktivitetet fizike janë po ashtu esenciale për cilindo sepse ato të bëjnë me produktiv gjatë orarit të punës, shtojnë kreativitetin si dhe rrisin përqëndrimin - 3 gjëra që janë shumë të rëndësishme gjatë orarit të punës” .

Me suksesin, vijnë edhe shumë sfida e vështirësi. Me rritjen e shpejtë të biznesit, rriten edhe përgjegjësitë. Për Rilindin, pas themelimit të kompanisë, sfidë ka qenë punësimi i personave të rinjë dhe të kualifikuar. Mirëpo, ai konsideron që edhe këte barrierë ka arritur ta tejkalojë shpejt, duke zhvilluar metoda unike për përzgjedhjen e stafit.

Themelimin një biznesi të suksesshem në moshë të re, që është i qëndrueshëm si dhe punëson shumë të rinjë, ai e konsideron si një arritje të madhe, duke ia shtuar edhe faktin që ai me kompaninë e tij synon të kontribuojë shumë në punësimin dhe fuqizimin e të rinjëve dhe specifikisht femrave në industrinë e marketingut.  Stafi i punësuar në këtë kompani është në moshën mesatare 23 vjeç dhe mbi 50% janë femra.

Së fundmi, ai ka lansuar edhe webfaqen www.probleme.me e cila ofron për publikun e gjerë informata të rendësishme mbi të jetuarit shëndetshëm si dhe enciklopedinë e parë informative të sëmundjeve në gjuhën shqipe. Kjo faqe tashmë ka mbi 50,000 vizita në muaj dhe po rritet dita ditës.

Çka e bën një biznes të suksesshëm?

Si udhëheqës i një kompanie të suksesshme në fushën e SEOs, Rilindi thotë se e ka kuptuar që një biznes i suksesshëm është një biznes i cili gjithmonë gjen dhe ndjekë mënyra për t’u përmirësuar dhe rritur.  Sipas tij, kjo ndodhë përmes ngritjes së kuadrove, përmirësimit të cilësisë së shërbimeve si dhe marrjes së projekteve dhe klientëve me të mëdhenj që kanë sfida më të vështira për t’i kaluar.

“Industria e SEO-së është një industri 80 miliardë dollarëshe e cila vazhdon të jetë në rritje. Çdo biznes që synon rritje dhe prezencë të gjerë digjitale duhet ta ketë të integruar në strategjinë e marketingut. Çdo person që pretendon të ketë karrierë në marketing digjital duhet ta njohë mirë ketë fushë, pasi që gjithmonë do të ketë kërkesë për këto produkte. SEO poashtu ka të bëjë 100% me mënyrën se si të ndërtosh një produkt/kompani që ka për synim zgjidhjen e nevojave të konsumatorëve, gjë e cila është menyra kryesore e rritjes së një biznesi. Kur të kuptosh këtë, atëherë mund ta kuptosh shumë mirë psikologjinë e të shiturit dhe ta përdorësh në avantazhin tënd – në krijimin e produkteve të reja.”

Rilindi dhe ekipi i tij tashmë përmbushin edhe nevoja të tjera të klientëve ndërkombëtarë, si zhvillimi i uebfaqeve dhe aplikacioneve, menaxhimi i rrjeteve sociale, shkrimi i content-it, analiza të tregut, etj.

Krejt në fund, ai ka një këshillë të cilën e konsideron të domosdoshme për të rinjtë që janë duke studiuar – që sa më parë të fillojnë t’i testojnë aftësitë e tyre në tregun e punës. Studimet janë shumë të rëndësishme, mirëpo sot praktika është po aq e rëndësishme.

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2022 - KosovaJob LLC