Bora Kelmendi, arkitektja e re në rrugën e sukseseve të mëdha

21 Nëntor '20

Bora Kelmendi, arkitektja e re në rrugën e sukseseve të mëdha
	 	 

Dashuria për artin dhe shkencën ishin bashkëdyzuar në një vend, për t’i dhënë aftësinë e ndryshimeve, të krijojë hapësira tërësisht të reja, apo t’i transformojë disa prej tyre.

Bora Kelmendi, kujton sesa shumë ngjyra kishte fëmijëria e saj. Derisa ajo vetë rritej, rriteshin edhe njohuritë për artin, sepse që e vogël ishte pjesë e diskutimeve rreth tij. Si vajzë e dy prindërve krijues, arriti t’i njihte pothuajse të gjitha rrymat e artit. Por, ishte lëvizja e suprematizmit ajo që do t’i ngjallte asaj dëshirën dhe aftësinë të ishte një arkitekte në të ardhmen.

”Te dy prindërit e mi merren me profesione krijuese në një formë ose një tjetër. Jam rritur mes diskutimeve për artin, erës ngjyrave të vajit në studion e nënës time artiste, në mes të librave të; Matisse; Chagall; Serra, ndër të preferuarit ishin të periudhës ‘suprematism’ fokusuar më shumë mbi kompozicionin, hapësirën dhe dimensionin. Mendoj që gjithmonë kam pasur dëshirë të merrem me diçka që qëndron brenda fushës së krijimit por, njëkohësisht më kanë interesuar shkencat”, rrëfen Bora.

Por, kush është Bora Kelmendi?

Si studente e diplomuar për arkitekturë në Univeristetin e Prishtinës „Hasan Prishtina“, Bora tashmë është pothuajse në përfundim të doktoraturës në njërin prej univeristeteve më të mirë për arkitekurë në botë, në Universitetin La Sapienza në Romë, e që ajo e konisderon si arritjen më të madhe të jetës së saj. Përveç projekteve të realizuara me kapacitete të ndryshme si: shtëpi banimi, objekte industriale dhe shumëbanesore, karriera e saj mban edhe shumë projekte të tjera të rëndësishme.

Ajo ka qenë pjesë e shumë bashkëpunime në projekte, së fundmi atë të Universitetit të Pavia, ku ka projektuar ide mbi mënyrat e reja për shfrytëzimin e territoreve nëpërmjet arkitekturës mobile.

Projektet te tjera janë të ndryshme duke filluar nga angazhimi në projektet e ‘Komisionit Evropian’ për objektet në komunat e Kosovës e më pas me ato të ‘KFOR’.  Përveç kësaj, ka realizuar hulumtime me përkrahje nga CEEPUS .

Në tetor të këtij viti, Bora së bashku me Lum Beqiraj, kanë qenë të ftuar me studion B17, në festivalin e arkitekturës në Romë, në të cilin ishin pjesë edhe shumë arkitetë të famshëm botërorë, ashtu edhe në sferën akademike sikur: Fala Atelier, Orazio Carpenzano shef i departamentit te arkitekturës ne ‘Sapienza’ etj. Përgjatë atyre ditëve ata prezantuan punën e tyre dhe qasjen në trashëgimi përmes punëve të reja. Duke dhënë kështu, një tablo të gjendjes së arkitekturës në Kosovë, përmes disa segmenteve që japin asaj kuptim.

festivali

Përpara se të ndodhnin shumica prej këtyre projekteve, Bora e kujton projektin e parë, në të cilin kishte punuar me përkushtim të madh në njërën nga kafiteritë e Prishtinës, që ende vazhdon të presë e të përcjellë musafirë, në të gjitha stinët e vitit tash e pothuajse 5 vite më parë.

"Projekti i parë ka qenë në vitin 2016 ende pa mbaruar studimet master dizajni i një bar/kafe që tani është ndër më të njohurat në Prishtinë sot. Diskutimet me investitorin mundësia për të kuptuar qartë atë që pritej dhe krijimi i një hapësire me atmosferë, që të fton dhe nuk të imponon kanë sjellë rezultatin që ende i qëndron kohës. Për mua, është shume e rëndësishme sesi ndihet një njeri në hapësirat që ne krijojmë“, tregon Bora.

Themelimi i studios “B17 Architects”

Entuziazmi i vlerësimit të punëve bëri që një vit më pas ajo dhe Lum Beqiraj ta krijonin studion e tyre. Ata tashmë po arrinin të krijonin projekte të ndryshme ende pa përfunduar studimet master, prandaj, përtej dëshirës u krijua një nevojë që ato projekte të kishin një emër.

"Studio B17 Architects është themeluar në vitin 2017, ideja për të themeluar studion bashkë me arkitektin Lum Beqiraj ishte më shumë e nevojshme se një dëshirë, kohë para se të diplomoja në master ne kishim filluar te realizonim disa projekte të vogla, pasi filluam të realizonim projekte të tjera erdhi e nevojshme të themelonim zyrtarisht studion. Tani të dy jemi të licencuar dhe në Shqipëri për të projektuar“, rrëfen arkitektja për Akademi Pune.

Sfidat e para dhe ato që ende vazhdojnë

Bora tregon që vetë themelimi i studios ishte një sfidë në vete. Ata e dinin që nuk ishte vendosja e thjesht një emri studioje, por prapa saj kishe shumë më shumë se kaq. Por, për Borën sfidat në punë janë diçka që sjellin të mira, sepse përballja me to i bën ata më kreativ, më fleksibil e mbi të gjitha më krijues. Madje, ato nuk do të përfundojnë kurrë, sepse për të në arkitekturë çdo projekt lind me një sfidë, për të cilin duhet të punohet deri në detaje, që nga nisja deri në finalizim.

“Nëse flasim për arkitekturën si praktike, sfida parë është themelimi i studios B17 përkushtimi, përgjegjësia dhe sfidat për ngritjen dhe zhvillimin e studios. Arkitektura është njohja hapësirave e me pas dhe hulumtimet profesionale po ashtu një proces në vete ne vazhdim është dhe logjistika mbrapa një studio arkitekturë, këto janë elemente te rëndësishme përbërëse për të qenë koherent me kohën“, shprehet arkitektja.

objekt

Gratë në arkitekturë

Deri vonë arkitektura është konsideruar si një profesion “për burra” prandaj, kjo fushë ishte e dominuar nga kjo gjini. Në përgjithësi numri i arkitektëve, duke u nisur edhe nga e kaluara ka qenë i vogël, por jo edhe ndikimi që ato kanë pasur. Bora konsideron që këto arkitekte për shkak të disa rrethanave historike në arkitekturë, fatkeqësisht kanë mbetur nën hije. Por, ishin pikërisht ato që i hapën rrugët për gratë e brezave që erdhën më pas.

“Nëse kthehemi mbrapa në kohë mund të përmendim emra arkitektesh sikur Katherine Briçonnet(1510) e cila cilësohet nga femrat e para që ka ushtruar profesionin e arkitekturës, duke pasur në mendje se arkitektura filloi të licencohet si profesion në vitin 1857. Më pas Elizabeth Wilbraham, Louise Blanchard Bethune, Eileen Gray, Sophia Hayden Benett etj. Listës të arkitekteve i shtohen dhe emra tjerë me rëndësi të kohës tonë Odile Decq, Kazuyo Sejima, Frida Escobedo…” tregon Bora për disa gratë të fuqishme në profesionin e tyre dhe numrit që gjithnjë e më shumë po i shtohen emra të rinj.

Për Borën janë pikërisht përgjegjësitë e reja dhe e panjohura ato që e motivojnë. E, duke qenë kështu gjithmonë e motivuar, sepse e panjohura është gjithmonë aty dhe përgjegjësitë e reja në fushën e arkitekturës nuk mbarojnë pothuajse kurrë, ajo ka qëllime të cilat rriten, me rritjen e punës. Duke e krahasuar kështu qëllimin, si një pe me gjilpërë, që çdo shpim i fundit i hap rrugë të riut.

“Mbetet një formë e krijimit, një proces i vazhdueshëm, qëllimi ka të bëj më shumë me idenë e asaj se në çfarë po shndërrohen hapat që ne marrim, njësoj si një pe me gjilpërë, që kalon nga një pikë në tjetrën. Lëvizjet janë të njëjta por njëra pikë është e kaluara dhe tjetra e ardhmja, të cilat do krijojnë imazhin e fundit”, shprehet arkitektja.

Angazhimi dhe puna e madhe e përqëndruar në çdo detaj, arrin të kurorëzohet në momentin kur planit të krijuar dikur në letër, tashmë i është dhënë shpirtë dhe këtë Bora e konsideron si momentin më të bukur. Kjo energji pozitive, u hap rrugë edhe shumë projekteve të tjera, për t’i dhënë suksese të vazhdueshme asaj.

“Puna në studio ndahet në disa forma te hulumtimit, projektimit dhe zbatimit. Krijimi i urës midis arkitekturës praktike dhe asaj teorike që studiohet në akademi sjellë rezultate në terren. Duke qenë se hapësirat mbeten struktura për funksion, fryma teorike zbërthen aspektet komplekse, në këtë formë krijohen mjete për t‘i zbatuar gjatë krijimit të këtyre hapësirave. Energjia që japim në çdo projekti bënë që ato të përcillen me kërkesa për projekte të tjera“

„Të qënurit i suksesshëm është më pak të qënurit në qendër të vëmendjes e më shumë krijimi i bashkëpunimeve të reja“, vazhdon Bora Kelmendi.

galeria

Këshilla e Borës për të rinjtë

Arkitektura është diçka që ndryshon vazhdimisht, që ecë me kohën. Ajo nuk do të thotë vetëm ndërtim i objekteve të reja, por krijim i mundësive dhe hapësirave që do të sjellnin mirëqenie për të gjithë. Prandaj, Bora nuk i shtyen të rinjtë vetëm të bëjnë plane, këshilla e saj është pak më ndryshe!

“Në botë në fakt nuk ka nevojë më (ndoshta) për arkitekt që thjesht krijojnë plane apo ndërtojnë ndërtesa, ajo që do të mbetet është ri diskutimi rreth arkitekturës dhe se si krijimi i hapësirave mund të përdoret si mjet për të ndikuar në shoqëri apo jetët e njerëzve. Pra, nuk do të kisha një këshillë për të dhënë vetëm do të thosha që arma më e fortë është të ngrihen pikëpyetje mbi çdo gjë qe shfaqet si normë: pra ëndërro dhe realizo!”. /Akademi Pune

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2023 - KosovaJob LLC