Janë një numër pyetjesh që bëhen zakonisht në intervistat e punës, disa prej tyre pavarësisht që e dimë së do të na bëhen nganjëherë nuk e kemi të qartë, se cila është mënyra e duhur për t’u përgjigjur. E tillë është edhe pyetja: Çfarë ju motivon?
Kur këtë pyetje e bën intervistuesi ai kërkon që të gjejë tek ju, pse dhe nga çfarë motivoheni, në mënyrë që t’i arrini qëllimet e atij vendi të punës. Në bazë të kësaj, ai e kupton nëse gjërat që ju motivojnë juve përputhen me qëllimet e kompanisë dhe rolin që do të keni aty, në kohën sa jeni në marrëdhënie pune me atë vend.
Kjo pyetje mund të tingëllojë e lehtë, por zakonisht kur jemi të vetëdijshëm që ato pytetje po bëhen për t’u punësuar, atëherë bëhet paksa e vështirë. Njerëz të ndryshëm motivohen nga gjëra të ndryshme përfshirë pagën, prestigjin, të bërit e ndryshimeve, rezultatet, apo bashkëveprimi me njerëz interesantë.
Është një diferencë e madhe në mes të kandidatit, i cili motivohet duke krijuar grupe dhe lidhje të fuqishme me bashkëpunëtorët, me një kandidat që dita më e mirë e të cilit është kur punon në mënyrë të pavarur në një raport dhe përmirëson linjën e kompanisë. Të dy këta sjellin argumente të forta, por janë rekruterët ata që e konsiderojnë se cili lloj i kanidatit është më i përshtatshëm për atë kompani.
Si të përgjigjeni në pyetjen “Çfarë ju motivon”
Shpenzoni pak kohë që të bëni kërkime rreth kompanisë dhe prioriteteve të punës, përpara se të shkoni në atë intervistë. Sa më shumë të dini për atë vend pune, aq më të përgatitur do të jeni kur të shkoni në një intervsitë.
Është pak e vështirë që të jepet përgjigje për një pyetje të tillë, për sa kohë që kërkohet një reflektim personal. Por, më e mira është që të mendoni rreth punëve që keni pasur me herët.
Ndonjë takim i suksesshëm me klientët, një projekt kompleks, të cilin e keni realizuar shumë mirë, ndonjë aftësi që e keni fituar, apo ndonjë gjë tjetër. Rikujtoni këto momente për ta përgatitur përgjigjen.
Shembull: Unë jam vërtet i nxitur nga rezultatet. Më pëlqen kur kam një qëllim konkret për të përmbushur dhe kohë të mjaftueshme për të gjetur një strategji të fortë për ta realizuar atë. Në punën time të fundit, qëllimet tona vjetore ishin shumë agresive. Megjithatë bashkë me menaxherin dhe pjesën tjetër të ekipit punuam shumë për të gjetur një strategji, që muaj pas muaji të përmbushnim qëllimet e fundvitit. Ishte një punë e jashtëzakonshme për t’u bërë, por në fund ja dolëm! Përgjigje e duhur sepse: Është e përqëndruar në arritjet dhe rezultatet. Është diçka pozitive, sepse tregon se çfarë një kandidat ka arritur. |
Çfarë nuk duhet të themi?
Të mos jetë përgjigje personale: Kur të përgjigjeni është mirë që të përqëndroheni në gjëra të punës që ju motivojnë. Për shembull, në vend që të thoni se dëshironi të paguheni më shumë sa herë që keni fluks më të madh pune, është më mirë të diskutoni përgjegjësitë në punë, të cilat ju mbajnë të interesuar dhe të gatshëm për sfida!
Mos belbëzoni: Jepni një përgjigje të pastër dhe të përqëndruar! Mos i bini përqark përgjigjes, që ta bëni konfuz intervistuesin, duke i dhënë më shumë informacion sesa duhet!
Mos u tregoni tip pesimist: Përqëndrohuni në përgjigje pozitive! Për shembull, nuk do të ishte mirë të thoni se do të jeni i motivuar, vetëm për shkak se nuk dëshironit që të pushoheni nga puna, për përformancë të pa kënaqshme! /Akademi Pune