I lindur në Kosovë, por i rritur në Vjenë, mori gjithë shkëlqimin e këtij kryeqyteti, për të kultivuar brenda vetës ndjenjën e të bukurës dhe artit. Rrugicat e sheshet e qytetit austriak, e përgatitën shumë për një udhëtim të gjatë, në një kontinent krejtësisht tjetër.
Rinor Raqi bashkë me familjen u larguan nga Kosova në vitin 1992. Për ditën kur mallëngjyeshëm u bashkuan me babanë që deri atëherë punonte në Austri, do të dëgjonte shpesh nga anëtarët e rritur të familjes, sepse ai atëherë nuk ishte ende as 2 vjeç.
Megjithëse gjatë gjithë fëmijërisë e ndjeu se ajo nuk ishte vendlindja e tij, familja e madhe, energjia pozitive dhe mbështetja e pafund, ia lehtësuan këtë ndjesi, duke i dhuruar vetëm ditë të mira.
Pas mbërritjes në Amerikë, shpirti artistik i Rinorit u bë pjesë e botës së modës e të artit. Aty u njoh me brendet më luksoze të botës, me bazë në New York. E duke qenë se ai nuk ishte i pavëmendshëm dhe sipërfaqësor ndaj gjërave të veçanta, e pa se edhe ai mund të ishte një faktor më shumë në gjithë këtë shkëlqim. Kështu hapi studion e tij për dizajn enterieri “RinorDesign”.
“Para tri vitesh ishte puna e fundit që kam bërë përpara se të bëja diçka timen, me “RinorDesign”. Isha me fat që të përfshihesha në botën e artit, modës, dizajn enterierit dhe një mënyrë jetese të shëndetshme për markat më luksoze me bazë në New York. Aty u njoha me arkitekturen dhe dizajnin e enterierit, dhe e gjeta veten duke u ndikuar në stilin tim personal dhe syrin artistik. Kështu, një ditë e pashë vetën që mund të krijoj diçka vetë, sepse gjithmonë doja të isha i pavarur. Gjithçka filloi me një klient, i cili ishte i interesuar në stilin dhe dizajnin tim. Ai më mbështeti në idenë time dhe më dha punën e parë të pavarur, por me pagesë. I jam mirënjohës gjithmonë, sepse prej atëherë i kam thënë “po” çdo projekti që më është ofruar”, kujton Rinori për Akademi Pune.
Si çdo fillim edhe fillimi i Rinorit ishte i vështirë për të. Ai kishte ende dilema nëse e kishte gjetur stilin të cilin e kishte kërkuar klienti. Kjo nuk isht diçka e lehtë, në morinë e gjithë atyre zgjedhjeve dhe marrë parasysh që në fillimet e tij ai punonte vetëm. E vetëm kur kërkesat u rritën, në ndihmë i erdhi edhe vëllau i tij, Mustafa.
“Profesioni im më ka mësuar që të bëj zgjedhjet duhura shpejt edhe në jetën personale. Është kënaqësi të shoh krijimtarinë time të përfshihet dhe të rritet derisa unë vazhdoj të bëj më shumë dhe e sfidoj gjithë procesin dhe poashtu edhe mendimet e mia”, vazhdon ai, teksa hedh në pah mësimet që nxori nga kjo punë.
Rinori thotë që përzgjedhjen e dizajneve e bën vetë ai, pastaj ia tregon ato klientëve. Klientët e tij ai i çmon shumë, sepse ai ka arritur të krijojë një lidhje plot besim, pavarësisht se kjo kërkon kohë të ndërtohet.
“Përzgjedhaj e dizajneve është punë e imja, madje është pjesa më e mirë për të shprehur idetë, humorin dhe një tregim që fshihet pas atij stili të dizajnit. Fillimisht bisedoj me klientët rreth asaj se çfarë dëshirojmë që në fund të arrijmë me atë dizajn.Unë kam krijuar lidhje plot besim me klientët e mi, pavarësisht që ky besim merr kohë që të ndërtohet”, tregon artisti.
Nga të gjitha projektet që Rinori arriti t’u jap jetë, ai e veçon një: është holli "CharlieWest", një bibliotekë prej 100 rafteve të mureve, të gjitha të dizajnuara nga ai, me bazë në Manhattan, e që do të jetë pjesë e New York-ut përgjithmonë.
Stili personal, ky është mjeti që Rinori mendon që e dërgoi në rrugën e suksesit. Sipas tij kur të krijosh atë askush do të mund të të kopjojë, madje as të të thotë jo në asnjërin nga propozimet.
“Ajo çfarë më bëri të suksesshëm në Amerikë mendoj që është merita ime dhe besimi tek stili dhe dizajni im personal. Do të gjesh gjithmonë njerëz, të cilët e duan stilin tuaj dhe mendoj se nëse përqëndrohesh të rritesh në stilin personal, do të krijosh shije aq unike sa askush nuk do të të mund të kopjojë. Të gjithë do të të thonë: po, në çdo projekt të cilin ua ofron. Por patjetër që do të bësh gabime, nëse nuk e ke bërë kurrë më parë”, shprehet ai.
Sfidat dhe mësimet që nxorri Rinori nga puna e tij
Pavarësisht sesa rruge të gjatë që ai ka bërë në profesion, pavarësisht sesa e dashuron atë, e sa mirë e zotëron, dizajneri thotë se ka sfida të vazhdueshme që përballet çdo ditë me to. Por ndihet mirë kur nuk varen plotësisht nga ai. Mbase ato ia nxerrin edhe më në pah zotësinë e tij.
“Për fat të mirë, sfidat e mia shumica janë të përfshiera në proceset e projektit, ku kemi probleme të shpërndarjeve apo ndonjë pjesë shumë e nevojshme është shitur, apo kur vjen dërgesa diçka vjen e dëmtuar dhe është shumë vonë për të rregulluar ndonjë gjë. Pas kësaj je i detyruar të ndryshosh dizajnin në momentin e fundit dhe përveç që duhet të jetë gati, duhet të duket edhe bukur”, flet për sfidat Rinori.
Edhe pse tashmë ka angazhime të shumta në Amerikë dhe ka krijuar jetën atje, ai nuk e ka harruar Kosovën, sepse gjatë verës së këtij viti ishte këtu. Madje syrit të tij kritik nuk i shpëtuan as kësaj radhe gjërat që i pëlqyen dhe ato që nuk do të dëshironte t’i shihte më.
“Pashë shumë vende interesante dhe dizajne të bukura gjatë kohës sa qëndrova në Kosovë. Ka ende hapësirë për më shumë llojshmëri të dizajneve, të cilat mund të vijnë prej shqiptarëve kreativ. Besoj në të ardhëmn e afërt. Do ta vlerësoja nëse njerëzit do të ishin më serioz që ta mbanin vendim më pastër, kështu që ata do të jetonin në dizajne të mrekullueshme dhe jetesë të pastër. Më pëlqyen të gjitha llojet e stileve dhe dizajneve të kafiterive në qytet, gjëra që vlerësoheshin nga njerëzit. Mund t’u thuash pronarëve ta përdornin më shumë kreativitetin e tyre për biznes”, shprehet artisti.
Sigurisht që Rinori ka arritur të akumulojë mjaftueshëm mësime nga gjithë përvoja tij e suksesshme. Ai madje nuk ngurroi që atë ta ndante me të gjithë të rinjtë, që në mesin e ëndrrave gjendet dikund edhe dëshira t’i japin shpirtë hapësirave me idetë e tyre.
“Mendoj që nuk duhet t’i mendoni shumë dizajnin, stilin dhe hapat që i merrni. Provoni gjëra të ndryshme dhe do të stilin dhe mënyrën sesi do të bëni diçka. Të jeni të hapur rreth kësaj dhe tregoni shoqërisë dhe klientëve tuaj potencial se ju mund të bëni shërbime dizajni. Duhet të besosh që t’i mund ta transformosh hapësirën e ta bësh atë më të mirë. Gjithmonë sigurohuni që ta gjeni një rrugë, që t’i tregosh klientit stilin tënd dhe mundësitë që ofron puna që bëni. Në fillimet tuaja nëse keni probleme të gjeni stilin e duhur, inspirohuni nga librat për dizajn.
Dhe mos harro, nuk po dizajnon për vetën, por për klientët”, përfundon Rinor Raqi./Akademi Pune.