Cila është mënyra e duhur për ta refuzuar një ofertë pune

31 Tetor '20

Cila është mënyra e duhur për ta refuzuar një ofertë pune
	 	 

Jo gjithmonë jeni në kërkim të një pune, nganjëherë ndodhë që papritur ja vjen një ofertë për të. Në shumicën e rasteve për punët me ofertë, nuk është entuziazmi i duhur dhe kjo për arsye të ndryshme. E rëndësishme është të dini sesi ta refuzoni atë punë me mirësjellje në rast se nuk ju përshtatet.

Ajo çfarë thuhet apo shkruhet kur refuzohet një punë varet nga arsyet që i keni. Për shembull, nëse nuk ju ka pëlqyer puna, por keni qenë i kënaqur me kompaninë, thuani në përgjigjen tuaj se ishit impresionuar nga kompania, por ishte lloji i punës ai që nuk ju ishte përshtatur.

Në përgjigje mund të përfshini gjithashtu edhe aftësitë që dëshitoni t’i përdorni në atë vend pune, nivelin e përgjegjësisë që dëshironi të keni, apo edhe të përmendni elemente që mungonin në atë punë, por që për juve janë shumë të rëndesishme. Kjo do ta bëjë punëdhënësin që në rast se hapet një pozitë e tillë të ju ketë juve parasysh.

Këshilla për refuzimin e një oferte pune

Përpara se ta dërgoni një letër refuzimi, tentoni që ta negocioni ofertën, në pjesët ku keni pakënaqësi, sepse kur një letër refuzimi dërgohet një herë, nuk do të ketë kthim prapa.

Sidoqoftë, në rastet kur i keni peshuar të gjitha mundësitë dhe e keni marrë vendimin që përfundimisht ta refuzoni atë punë, është mirë që letrës t’i bashkangjitni edhe disa fjalë të mira falënderimi dhe mirësjelljeje për punëdhënësin. Këto fjalë do të jenë të domosdoshme që të mbani marrëdhënie të mirë, sepse nuk do ta dini kurrë se ku dhe kur do të ju takojë jeta përsëri. Nëse tani nuk keni pasur nevojë për këtë punë, për tjetrën nuk do të mendoni dy herë.

Kur nuk pëlqeni kompaninë

Në rast se nuk ju pëlqen kompania për shkak të mënyrës sesi funksionon, për shkak të produktit, shërbim apo çfarëdo arsyeje tjetër që nuk përkon me juve, thuani: faleminderit për mundësinë duke i bashkangjitur edhe arsyen pse nuk është një mundësi e përshtatshme për periudhën e tanishme.

Kur paga nuk është e mjaftueshme

Ka mundësi që gjithçka te një punë do të ju pëlqejë, që prej pozitës dhe përgjegjësisë që do të keni, e deri tek kompania në përgjithësi, por nuk jeni i kënaqur me pagën. Nuk duhet të hiqni dorë menjëherë, por duhet të tentoni të bëni një zgjidhje në këtë aspekt. Edhe atëherë kur edhe pas përpjekjeve nuk bëhet asgjë në këtë drejtim, përsëri mos e humbisni mirësjelljen. Shkruani letrën e refuzimit duke treguar që gjithçka tjetër ka qenë e përsosur, por fatkeqësisht do të ju duhet që ta refuzoni kërkesën për shkak të pagës.

Çfarë të përfshihet në letrën apo emailin e refuzimit të punës?

Janë dy elemente të rëndësishme që duhet të përfshihen patjetër në këtë lloj letre:

  1. Të shpreheni sesa shumë e vlerësoni atë ofertë
  2. Refuzimi me shkrim

Filloni letrën duke ju drejtuar personit i cili ua ka ofruar pozitën, por fillimisht përfshini informacionet kontaktuese që ndihmojnë të lidhen me juve, si; numri i telefonit, adresa madje edhe datën, tregon Akademi Pune.

Nuk është e nevojshme që të tregoni në detaje se për çfarë arsye nuk po e pranoni punën. Mos përfshini arsye fyese, të tilla si; mjedis i punës është i dobët, apo po ndihem i/e pasigurtë për të ardhmen. Por, është me vend që të tregoni shkurtimisht një arsye për refuzimin. Mund të thoni që keni pranuar një punë tjetër, apo dëshironi që të qëndroni në punën aktuale.

Një model sesi të shkruani një letër refuzimi për ofertë pune

Subject: Emri Mbiemri i juaj – Pozita e ofertës

I dashuri ose E dashura z./znj. Mbiemri

Faleminderit shumë që më ofruat mundësinë për të punuar në (Emri i kompanisë). Fatkeqësisht, nuk do të mund ta pranoj pozicionin e ofruar, pasi nuk i përshtatet rrugës që po ndjek për të arritur qëllimet e mia në karrierë.

Edhe një herë, unë do të doja të shpreh mirënjohjen time për ofertën që ma keni bërë, e po ashtu edhe keqardhjet e mia që nuk mund të jem pjesë e juaja! Uroj që shumë shpejt ta gjeni një person të përshtatshëm për këtë pozitë!

Sinqerisht,

Emri juaj

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2022 - KosovaJob LLC