Një pjesë e konsiderueshme e ditës na kalon gjatë orarit të punës dhe kjo patjetër do të ndikojë në mënyrën sesi ne ndihemi dhe sesa kemi vullnet, jo vetëm për punën në zyrë, por edhe jashtë saj. Ka shumë faktorë të cilët ndikojnë në produktivitetin në punë. Krijimi i marrëdhënieve të mira me kolegët, apo departamentet e tjera brenda kompanisë, puna në grupe, vlerësimi i punës nga drejtorët, të gjitha këto janë pjesë shumë të rëndësishme, por kohëve të fundit po flitet për rëndësinë që ka dizajni i ambientit ku punohet, e që në sytë e shumë personave konsiderohet si “qershia mbi tortë”.
Por në bazë të hulumtimeve, dukja e vendit ku punohet është diçka themelore. Sipas tyre, ajo ka ndikim serioz në sjelljen, përceptimin si dhe në produktivitetin e punëtorëve.
Çka është produktiviteti?
Produktiviteti është bërja e punëve në mënyrën më efetive të mundshme. Humbja e motivit për të punuar, nga dita në ditë e dërgon një pjesëtar të kompanisë drejt largimit. Prandaj një sipërmarrës i mirë nuk kërkon vetëm një punë të përfunduar nga punëtori, por fillimisht mirëqenien e tij, sepse ai e di me saktësi se ajo sjell të mira të mrekullueshme për kompaninë.
Akademi Pune ua tregon disa këshilla se çfarë duhet t’i shtoni hapësirës tuaj të punës, jo vetëm për të ruajtur angazhimin e punëtorëve, por edhe për ta rritur atë.
Silleni gjelbërimin brenda
Tashmë është bërë e njohur këshilla që punëtorët të shkojnë nëpër vende ku ka gjelbërim, për ta larguar stersin e punës, por çka nëse atë gjelbërim tentojmë ta sjellim ne brenda ambienteve të punës? Një studim i Universitetit të Exeter ka zbuluar se vendosja e bimëve në zyrë, e nxitë produktivitetin për 15%. Kjo vjen sepse ajri i pastër dhe ngjyra e gjelbër ndikon në qetësim e rrjedhimisht në koncentrimin e punëtorëve.
Lejoni që të ketë sa më shumë dritë
Studimet po ashtu kanë treguar ndikimin e niveleve të ndryshme të dritës, në punën brenda një kompanie. Një zyrë e zbehtë, e vjetër dhe me pak dritë (sidomos natyrale) ka ndikim të madh në disponim, duke e zvogëluar dëshirën për punë. Pas një hulumtimi të bërë në vitin 2018 “Cornell University” ka rënë në përfundim se një zyrë e ndriçuar mirë i ulë për 85 për qind simptomat si: djegie e syve, dhimbje të kokës dhe pamje të turbullt, e që të gjitha këto gjëra ndikojnë në produktivitet.
Mendoni për ngjyrat
Ndoshta nuk e keni menduar ndonjëherë, por ngjyrat kanë ndikim shumë të madh në mënyrën sesi ne mendojmë dhe ndihemi. Disa ngjyra na bëjnë më të lumtur, e disa jo vetëm që nuk na bëjnë të tillë, por edhe na largojnë atë.
Ngjyrat natyrale dhe nuancat e ngjyrës së kaltër janë të destinuara për të nxitur koncentrimin.
E gjelbra ka efekt të balancimit, ndërsa
E verdha stimulon aktivitetin mendor
Zyret moderne tashmë po përdorin ngjyra të theksuara më ato të lehta duke i harmonizuar ato në mënyrë të mrekullueshme.
Por duhet ta keni parasysh, që përpara se të vendosni ta ngjyrosni zyrën, fillimisht duhet të analizohet madhësia e hapësirës së saj, sepse një zyrë të vogël nuk mund ta ngjyrosësh me ngjyra të errëta, apo të theksuara.
Kujdesuni për hapësirë të mjaftueshme në zyrë
Pavarësisht se disa persona mund ta bëjnë të njëjtën punë, ata kanë karakteristika të ndryshme. Një punëtor mund të jetë në gjendje të mos lëvizë nga karriga për asnjë çast, por një tjetër mund të jetë më aktiv duke e bërë kështu të lëvizë më shumë brenda zyrës. Kjo i mund t’i bëjë ata të ndihen më mirë për ta kryer një punë. Prandaj duhet të mendohet edhe pjesa e hapësirave ku punohet. Është mirë që punëtorët me njëri - tjetrin të kenë hapësirë të mjaftueshme në mes.
Përveç kësaj, një ambient pune do të ishte i kompletuar nëse do të kishte një hapësirë të veçantë, ku punëtorët mund të largoheshin për pak çaste.
Punonjësit e zyrave e kalojnë pjesën më të madhe të ditës të ulur në vendin e tyre, por kjo ka pasoja shëndetësore të shumta. Zyret duhet të përcaktohen në atë mënyrë që anëtarët e saj të lëvizin lirshëm gjatë gjithë ditës.
Ushtrimet e rregullta, madje edhe atë më të lehtat, çlirojnë serotoninën (hormonin e lumturisë), rrisin moralin si dhe zvogëlojnë shanset për t’u sëmurë. Për më tepër ato rrisin qarkullimin e gjakut në tru, duke i mbajtur punonjësit vigjilent dhe rritur energjinë.
Studimet kanë treguar që puna pa pushim për periudha të gjata, mund ta bëjë trurin tonë që ta përceptojë një detyrë si më pak të rëndësishme./Akademi Pune