Nga kush dhe si ta kërkosh një letër rekomandimi

19 Tetor '20

Nga kush dhe si ta kërkosh një letër rekomandimi
	 	 

Ndoshta më parë keni ngurruar që të kërkoni rekomandime për punë, sepse kjo ju është dukur e turpshme, apo nuk e keni ditur se nuk ka asgjë të keqe në të kërkuarit e një letre rekomandimi. Në fund të fundit të gjithë e dimë se sa e rëndësishme është të kemi një stabilitet financiar, sepse të gjithë ndonjëherë e kemi përjetuar se si është të gjendemi në vështirësi të këtij lloji.

Një letër e mirë rekomandimi, e poseduar nga personi i duhur mund t’ju hap rrugë në rrugëtimin që veçse e keni marrë.

Këtu mund t’i gjeni disa këshilla të rëndësishme se si mund ta kërkoni një rekomandim të mirë pune.

Kujt t’ia kërkosh një letër rekomandimi?

Zakonisht punëdhënësit kërkojnë mesatarisht 3 referenca nga secili kandidat. Ndoshta nuk do të keni mjaftueshëm persona rreth vetes, të cilët mund të të ndihmojnë në këtë aspekt, por gjithashtu është shumë e rëndësishme, që ai të jetë dikush i cili i njeh mirë aftësitë tuaja, që do të ndërlidhen më kompaninë ku po aplikoni për punë.

Nëse dikush që e njeh nuk mund të të jap një letër rekomandimi për një punë, kjo nuk do të thotë që në një punë tjetër nuk mund të të ndihmojë.

  • Zgjidh personat të cilët japin miratim të fuqishëm.  Është shumë e rëndësishme t’i zgjedhni ata të cilët do të jenë rekomanduesit tuaj. Juve do t’ju duhet dikush, i cili ka peshë në atë që e thotë, dikush që mund të tregojë disa detaje të fuqishme rreth jush. Me një fjalë dikush që tregon se pse do të jeni punëtori më i mirë, për atë pozitë.
  • Rekomanduesit nuk duhet të jenë punëdhënësit e kaluar. Do të bënit mirë sikur të mos kërkoni letër rekomandimi një punëdhënësi me të cilin keni punuar më herët. Po kujt tjetër mund t’ia kërkoni? Një njohësi të biznesit, profesorit apo asistentit në universitet, klientëve, apo edhe ndonjë tregtari tjetër.

Por, në rast se dëshironi të merrni një letër rekomandimi nga një vend pune, është mirë që këtë ta kërkoni nga menaxheri menjëherë pasi të vendosni që të largoheni, e sidomos në rast se raportet në atë punë i keni mbajtur të mira. Do të ishte ide e mirë ta bëni menjëherë, sepse me kalimin e kohës stafi mund të ndryshojë, e po ashtu ata edhe mund të harrojnë se sa të mirë kanë qenë punëtorët.

Rekomandimi

Si ta kërkojmë një letër rekomandimi?

Ndodhë që ne tashmë e dimë se cili është personi më i përshtatshëm, që të na jap një letër rekomandimi, por nuk e dimë ende se si duhet t’i qasemi. Kjo është diçka që na vjen paksa e vështirë, sepse e dimë që po na bëjnë një nder.

Mos pyet vetëm “A mund të ma shkruash një letër reference?”, në vend të kësaj, është më mirë të pyesësh “A ndiheni që e dini mjaftueshëm punën time sa të ma shkruani një referencë të mirë? Ose “ A ndiheni i gatshëm të ma jepni një referncë të mirë?” Në këtë mënyrë ju mund ta dini nëse ata nuk do të jenë rehat për ta shkruar një letër rekomandimi, apo në rastin e kundërt dikush do të jetë aq entuziast sa do ta kuptosh se prej tij do të vjen një letër rekomandimi e mrekullueshme.

Florence Le Bras, në librin e tij “Si të sillemi bukur”, thotë se nuk duhet kurrsesi që të këmbëngulim tek dikush, nëse e shohim që ai nuk është ai , që mund të na plotësojë kërkesën.

Ai madje thotë që në rast se një mik i yni kërkon një letër rekomanduese nga ne, duhet t’i tregojmë menjëherë nëse nuk mundemi. Madje të mos na vije keq t’i themi që ajo punë nuk është për të, nëse e shohim që nuk i përshtatet. Në vend të saj ta këshillojmë për fusha të tjera.

Këshilla tjera

Nëse dikush ka pranuar t’ua shkruaj një letër referimi, por nuk e din sesi, nuk duhet t’ia leni atij në dorë për të vendosur sesi, por duhet të hulumtoni në internet për t’ia gjetur disa forma.

Kur ta keni marrë atë që kërkoni, mos harroni që ta falënderoni shkruesin e rekomandimit. Njerëzit kanë nevojë që të dëgjojnë fjalë të mira, e sidomos kur e dinë që ajo që kanë bërë është një ndihmë e madhe për ju. Një email falënderimi është diçka e mirë, por një letër e shkruar me dorë e cila tregon kujdes, do të ishte e mrekullueshme./Akademi Pune

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2021 - KosovaJob LLC