Ju kaluat proceset e vështira të intervistës për një punë që vërtet dëshironit dhe arritët në fazën ku prisni ofertën për punë. Megjithatë, kompania që ishit për intervistë nuk ju ka telefonuar dhe nuk ka paraqitur ofertën e saj, edhe pse ka disa ditë që kanë kaluar.
Kur bëhet fjalë për fazën e ofertës pas një interviste të mirë për punë, fillon një pritje emocionuese për kandidatët. Dhe ata mund të kenë në kokën e tyre pyetje si: Kur do të telefonojnë? A do të ofrojnë pagë të kënaqshme?
Sipas Robin Ryan që është këshilltar për karrierë, ju duhet të vazhdoni të kërkoni një punë derisa të merrni zyrtarisht një ofertë pune dhe ta pranoni atë. Pra, edhe nëse jeni i sigurt se do të vijë një ofertë, është më mirë që të vazhdoni të kërkoni punë.
Pse mund të vonohet oferta për punë?
Shqyrtimi i kandidatëve tjerë
Fatkeqësisht, të qenit në listën e shkurtër të punëdhënësve nuk garanton që ju do të merrni patjetër një ofertë. Një menaxher rekrutimi mund të dëshirojë t'i bëjë një ofertë prioritare një kandidati tjetër që ai ose ajo e gjen të përshtatshëm.
Planifikimi i buxhetit
Në disa kompani, pas përfundimit të fazave të intervistës, futet në punë buxheti për pagën që do t'i jepet personit që do të rekrutohet. Koha që merr për përmbylljen e këtij procesi mund të ndryshojë ndërmjet kompanive.
Sa duhet të prisni për ofertë?
Nëse mendoni se oferta juaj e punës është vonuar, nuk duhet të prisni shumë për të kërkuar arsyen e vonesës. Më së largu, pas një jave, mund t'u dërgoni një e-mail zyrtarëve të cilët ju kanë intervistuar apo departamentit të burimeve njerëzore të asaj kompanie, duke deklaruar se dëshironi të informoheni për procesin.
Është gjithmonë ide e mirë të keni shumë mundësi sesa pak, kjo vlen veçanërisht kur jeni duke kërkuar për një punë të re. Prandaj, kur nuk merrni informacion të qartë në lidhje me datën e ofertës suaj, mund të shfletoni shpallje të reja për punë dhe të vazhdoni aplikimet tuaja për të pasur një plan të dytë.
Nëse oferta që mezi po e prisni nuk vjen, duhet të vazhdoni pa humbur motivimin tuaj. Mos harroni, shumë shpallje të reja për punë postohen për ju çdo ditë në KosovaJob.