Sabahete Çavdarbasha – personi që vazhdon të frymëzoj rininë për rëndësinë e librit

13 Shtator '20

Sabahete Çavdarbasha – personi që vazhdon të frymëzoj rininë për rëndësinë e librit
	 	 

Dashuria për librin për zonjën Sabahete filloi qysh në moshë të hershme. Ajo, pas përfundimit të gjimnazit në Pejë, studimet e saj i vazhdoi në Universitetin e Prishtinës në drejtimin e gazetarisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare ku i takoi gjeneratës së parë të këtij drejtimi. Krahas studimeve, ajo gjithashtu ushtroi profesionin e gazetares në Radio Prishtina ku punoi për 13 vite.

Në vitin 1990 si pasojë e ndërprerjes së punës nga uzurpuesi serb, 4 vite brenda periudhës 90-99 ajo ishte e papunë. Ajo thotë se pavarësisht ndërprerjes së punës, në asnjë moment nuk ka pushuar së angazhuari, sidomos me bashkëshortin e saj, që ishte skulptori i njohur Agim Çavdarbasha.

“Nga viti 95 Agimi ka qenë bursist i një fondacioni gjerman afër Kelnit. Unë vizitova atë për një muaj dhe në një nga ekspozitat e Agimit pata fatin ta takoj drejtorin gjerman të radio stacionit “Deutsche welle” dhe në bashkëbisedim i lashë përshtypje, dhe pasi u ktheva në Kosovë më kontaktuan dhe nga 95 deri 2004 kishim bashkëpunim të ngushtë”, rrëfen fillimisht ajo.

Fillimi i punës në librari

Në vitin 2000 u hap Libraria Dukagjini, fat i mirë dhe i madh për zonjën Sabahete që ishte shumë e lidhur me librin. Miqtë e saj të cilët ishin pronarë të Dukagjinit, z. Agim Lluka bashkë me Eqrem Bashën i cili ishte udhërrëfyes për hapjen e librarisë, e ftuan të shkoj ne librarinë Dukagjini, dhe që nga viti 2000 e deri më sot ajo është pjesë e kësaj librarie.

Sa i përket fillimeve të para rreth punës në librari ajo shprehet:

“Ne filluam me entuziazëm të madh, ishim 4 kolegë që ishim njohës të mirë të librit. Kishim vullnet shumë të madh qysh në fillimet e para edhe pse libri mungonte te ne. Për ne ka qenë kënaqësi e madhe te merreshim me këtë profesion dhe nga një hapësirë e vogël sa ishte gradualisht është rritur kjo librari. Që nga fillimi jemi munduar ta pasurojmë librarinë me zhanre të ndryshme të librave në mënyrë që lexuesit e librit të ndaheshin sa më të kënaqur”.

Sipas saj, vlen të ceket se dita ditës janë zhvilluar dhe kanë krijuar një kulturë sidomos tek të rinjtë që të lidhen sa më shumë me librin. Ata që kanë vizituar vazhdimisht librarinë e tyre që nga fëmijëria, vazhdojnë ta ndjekin dhe lexojnë titujt që kjo librari sjell.

“Edhe pse jemi rritur me hapësirë tashmë me qinda metra katrorë, prap nuk ka vend për të gjitha librat që i posedojmë. Ne i kemi afërsisht mbi 25.000 tituj në librarinë tonë".

“Mezi pres që të filloj dita, ta hap librarinë dhe ta pershëndes atë me mirëmëngjes”.

Dallimi si gazetare dhe librare

Zonja Sahahete përveç punës në librari ka ushtruar edhe profesionin e gazetares. Për të nuk ka paraqitur problem ushtrimi dy profesioneve pasi që ajo thotë se gazetaria dhe libri janë te lidhura shumë me njëra tjetrën.

“Libri është si frymëzim, pasi që të hapë rrugë gjithkah, jo vetëm për gazetari por për çdo lami. Shoh se disa njerëz mendojnë se duhet të lexojnë vetëm atë fushë që studiojnë, mirëpo gëzohem kur vjen një person që studion ta zëmë inxhinierinë mirëpo ka interesim për histori. Intelektuali nuk krijohet vetëm në një drejtim, ndërkaq kur diapaziani i tyre hapet në sfera të ndryshme atëherë janë të përmbushur”.

Autorët e huaj apo vendorë, cilët preferohen më shumë?

Zonja Sabahete tregon se libraria që ajo udhëheq është e pasur me tituj të shumtë si nga autorët vendorë, po ashtu edhe nga ata të huaj.

“Te ne shumica e autorëve botërorë janë të përkthyer edhe në gjuhën shqipe, ku lexuesi mund të bëj përzgjedhjen nëse do librin e autorit në gjuhën angleze ose shqipe. Kemi libra në gjuhë të ndryshme si frengjisht, spanjisht dhe gjuhë tjera, por gjuha angleze dhe shqipe dominojnë më shumë”.

Angazhimi në fondacionin dhe muzeun “Çavdarbasha”

Përveç punës në librari si përgjegjëse e librave, zonja Sabahete ka edhe një aktivitet tjetër pasi e udhëheq fondacionin  “Agim Çavdarbasha”, në kuadër të fondacionit ajo angazhohet edhe me muzeun “Çavdarbasha” që ndodhet në hyrje të Prishtinës. Pavarëisht angazhimeve të shumta, ajo mundohet që të mos e lë anash dhe ta kaloj kohën me nipa dhe mbesa.

Shkrimtarët e preferuar

Si e re, zonja Sabahete ishte e fasionuar nga shkrimtarë të ndryshëm vendorë dhe të huaj. Nga shkrimtarët vendorë ajo kishte të preferuar Ismajl Kadare. Po ashtu ajo përmend shkrimtarë tjerë shqiptar veprat e të cilëve i lexon me dëshirë si Fatos Kongoli, Dritëro Agolli, Ali Aliu, Eqrem Basha, Kim Mehmeti, Ali Podrimja. Ndërsa, nga autorët botërorë një shkrimtar që ajo do ta veçonte është Garcia Gabriel Markez, po ashtu edhe Sabato, Umerto Eco dhe shkrimtarë tjerë.

“Me moshë e shoh se ndërron edhe dëshira dhe shija në lexim, pasi kanë filluar të më pëlqejnë publicistika, historia që në rini i kam lexuar më pak. Aso kohe libra kishte më pak, libri vinte tek ju dorë pas dore dhe librin e njëjtë e huazonim tek njëri tjetri. Ndërsa, tash vërtet ka zgjedhje shumë të mira”, shton ajo.

Inkurajimi i të rinjëve për ta përqafuar librin

Zonja Sabahete është e kënaqur me interesimin që ka nga të rinjtë për ta vizituar librarinë. Gjithashtu, përmend se pavarësisht zhvillimit të teknologjisë ku tani ka edhe libra që mund të lexohen online, ndjesia e të pasurit librin në dorë është e pazëvendëshueshme.

“Për ata që i shoh në librari shpesh nga gjenarata të ndryshme, jam shumë e kënaqur. Ata kanë shumë njohuri në sfera të ndryshme dhe gëzohem kur shoh interesimin e tyre për të lexuar. Ndoshta edhe teknologjia ka ndikuar pasi tash ka edhe libra online, mirëpo librin nuk e zëvendëson asgjë. Pasi prekja, aroma e librit është më ndryshe”, përfundoi ajo.

KosovaJob is the largest local network certified by Bureao Veritas with ISO 9001:2015 for Quality Management
Copyright © 2023 - KosovaJob LLC