Korab Lecaj, edhe pse një regjisor i ri në moshë, ka mjaft suksese të arritura në botën e filmit. Në një intervistë për Akademi Pune, ai ndau përvojën dhe rrugëtimin e tij si regjisor. Dashuria për filmin filloi qysh në moshë të re. Ajo pastaj u shndërrua edhe në profesion pasi ai vendosi t’i ndjek studimet në UP “Fakultetin e Arteve” – Drejtimi “Regji Filmi”.
Me sukseset e treguara në fushën e regjisë, Korabi padyshim se është një model për të rinjtë që dëshirojnë ta studiojnë regjinë e filmit. Gjatë intervistës, ai nuk heziton ta shfaqë dashurinë e tij për kinematografinë.
"Regjia si profesion është hyjnore për mua. Filmi është magji, në të cilin kur dashurohesh në të, vështirë se mund të divorcohesh. Një thënie që mua më pëlqen shumë thotë: “Filmi për mua është një terapi shumë e shtrenjtë” .
Ndikimi që ka filmi në shoqëri
Korabi tregon se si përmes filmit mund të ndikohet në emancipimin dhe zhvillimin e të menduarit kritik të shoqërisë.
“Si përparësi e këtij profesioni, them se, përmes filmit, një artist mund ta ndryshoj botën. Përmes filmit, një regjisor, e ndryshon për të mirë shoqërinë ku jeton; përmes filmit, një regjisor, i dhuron botës, një magji, ia thotë të vërtetën dhe e bën botën më të mirë. Mangësi në këtë profesion nuk e di që mund të ketë, përveç, nëse këtë profesion e ushtron në Kosovë dhe, sigurisht, përballesh me mungesë të mjeteve financiare për ta realizuar një film” , shton ai.
Një regjisori si Korabi, që ka edhe çmime jashtë kufijve, normalisht se nuk i mungon serioziteti dhe angazhimi maksimal në punën që ai bën. Mirëpo, pavarësisht kësaj, ai tregohet modest duke thënë se i takon kritikëve të filmit dhe kolegëve të tij ta vlerësojnë punën e tij.
“Është e vështirë të flasësh për punën tënde, sidomos kur kemi të bëjmë me kinematografinë. Çka të them për punën time? Mendoj se kjo i takon kritikës së filmit, kolegëve, të vlerësojnë filmat e mi. Vetëm mund të them se, kur jam në sheshxhirim, jam shumë insistues dhe këmbëngulës, duke kërkuar më të mirën nga aktorët dhe pjesa tjetër e ekipit të filmit. Mendoj se këtë veti duhet ta kenë të gjithë regjisorët”.
Ai na njoftoi se si filloi rrugëtimi i tij si regjisor dhe filmin e parë që i bëri regjinë gjatë studimeve, të titulluar “Plakut s’ka kush t’i shkruaj”. Pas studimeve ai vazhdoi me përkushtim ta ushtroj profesionin e tij dhe ishte regjisor i shumë filmave. Ndër filmat ku ai ishte regjisor janë:
*Gjini (2010);
*Dera nr.13 (2010);
*Nusja (2011);
*Haxhi Gashi (2011);
*Nëna (2012);
*Oversose (2012).Ushtrimi i dy profesioneve njëkohësisht
Përveç profesionit si regjisor filmi, Korabi ushtron edhe profesionin e gazetarit televiziv. Ai thotë se merr kënaqësi nga të dy profesionet, në të cilat punon me vullnet dhe nuk has në vështirësi pasi edhe përnga natyra të dyja këto kanë ngjashmëri të shumta.
“Mendoj se televizioni dhe filmi, kanë shumë gjëra të përbashkëta. Janë dy profesione të cilat me kënaqësi i ushtroj paralelisht. Gazetaria televizive është dashuria ime e parë, ndërsa kinematografia është dashuria ime e përjetshme. Tash, nuk e di se si t’i ndajë – i dua të dyja. Dhe, nuk e kam fare vështirë të merrem me të dyja në të njejtën kohë”.
Kush ishte inspirim për ta studiuar regjinë e filmit?
Si inspirim për ta ushtruar këtë profesion ai thotë se kishte ish-profesorin e tij Isa Qosja, ndërsa nga ata të huaj Çarli Çaplin.
“Meritor pse unë sot jam në botën e filmit, padyshim, është ish-profesori im, regjisori i njohur Isa Qosja. Ai ka qenë njeriu që më ka inspiruar dhe përkrahur për t’a studiuar dhe më pas për të realizuar filma si regjisor i pavarur. Ndërsa, sa i përket regjisorëve të huaj, mua gjithmonë me ka magjepsur dhe vazhdon të më magjeps, Çarli Çaplin”.
Çmimet që deri tani ka marrë filmi "Klithma"Filmi “Klithma” në të cilin Korab Lecaj është regjisor, deri tani ka pesë çmime të fituara. Ky film është shpërblyer në festivalet si:
- Best Short Film – West Nordic Film Festival (Norvegji);
- Best Screenplay – Festivali i filmit “Hyjnesha në Fron” (Kosovë);
- Best Cinematography – Asociacioni i Kinematografëve të Bosnjës dhe Hercegovinës;
- Best Editing – 7th Indian Cine Film Festival (Indi).Së fundi ai mori çmimin special “Arritje e jashtëzakonshme në regji”, në edicionin e 9-të të “International Filmmaker Festival of New York”, festival i cili tradicionalisht mbahet në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ai rrëfen për tregimin që shtjellohet në këtë film dhe misionin që ka.
“Pa dyshim, filmi “Klithma”, do të vazhdojë jetën e tij nëpër festivale. Fundja, siç e thash edhe në fillim, misioni i filmit është për të rrëfyer një tregim, për t’i treguar botës një rrëfim nga shoqëria ku jeton. Filmi “Klithma”, i cili flet për traumën psikologjike të burrave të dhunuar seksualisht nga paramilitarët serb, gjatë luftës së fundit në Kosovë, do të vazhdoj të udhëtojë nëpër botë dhe ta tregoj të vërtetën që ka ndodhur në Kosovë”.
Sa ka perspektivë ushtrimi i profesionit të regjisorit në Kosovë?
Për fund, ai përmend se sa ka perspektivë ushtrimi i profesionit të regjisorit në vendin tonë, si dhe këshillon regjisorët e rinj që të japin gjithçka nga vetja nëse dëshirojnë të korrin sukses në këtë fushë.
“Unë mendoj se po. Çdo profesion ka perspektivë, nëse punon. Edhe profesioni i regjisë së filmit ka përspektivë, nëse e merr seriozisht këtë punë dhe i përkushtohesh. Nëse dëshironi të keni perspektivë dhe sukses; nëse dëshironi të udhëtoni nëpër botë me filmin tuaj; nësë dëshironi që emri juaj të jetojë gjatë, atëherë duhet ta merrni seriozisht regjinë e filmit dhe të punoni 24 orë për të arritur atje ku dëshironi” përfundoi ai./AkademiPune